presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në seancën solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës me rastin e 16 vjetorit të Pavarësisë

I nderuar Kryetar i Kuvendit z. Konjufca,
I nderuar Kryeministër z. Kurti,

Të nderuar ministra,

Të nderuar deputetë të Kuvendit,

Të nderuar përfaqësues diplomatikë të shteteve mike,
Të nderuar ish-presidentë, e ish-kryeministra,
E nderuara familje Rugova, familje Jashari, familje të dëshmorëve,

Përfaqësues të institucioneve të sigurisë,

Shumë të dashur qytetarë të Republikës sonë,

Urime përvjetori i 16-të i pavarësisë!

Është nder i madh për mua që, në këtë ditëlindje të gjashtëmbëdhjetë të Republikës sonë, t’ju drejtohem nga foltorja e tempullit të demokracisë, Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe t’i uroj qytetarët e republikës sonë, të cilët, sot, me krenari e gëzim festojnë rritën e Kosovës sonë të dashur.

17 shkurti është e arritura jonë më e madhe historike, është reflektim i idealit tonë, i gjyshërve e i stërgjyshërve tanë, i brezave të tërë ndër shekuj, për të ndërtuar shtetin e lirë e të pavarur, në të cilin liritë e të drejtat njerëzore, paqja e harmonia janë thelbësore për suksesin tonë. Republika jonë e re po konsolidohet çdo ditë, duke i nderuar qytetarët e vet dhe emrin e tyre në botë.

Për qytetarët e Kosovës, të kesh shtet ka qenë gjithmonë sakrificë e ideal. Ky ideal i rrëmbeu zemrat e, shumë herë, edhe jetët e brezave të tërë, të etërve tanë, nënave, motrave e vëllezërve, gjyshërve e stërgjyshërve tanë, të cilët dhanë fort për këtë tokë dhe e mbajtën të ndezur flakadanin e lirisë deri te brezi ynë.

E, ne do ta shpiem tutje atë, sepse liria nënkupton për ne vetë karakterin e ekzistencës njerëzore.

Të dashur qytetarë,

17 shkurti po aq sa është datë unike për peshën e saj historike, është po kaq shumë një datë e veçantë në rrafshin emocional duke u shquar si dita e cila na përbashkon rreth një kauze: dashurisë për Republikën dhe përkushtimit për ta ngritur lart emrin e saj!

Rrugëtimi ynë, i shënuar nga sfidat dhe triumfet, është dëshmi e qëndrueshmërisë së shpirtit njerëzor dhe është një histori që vazhdon të zhvillohet me çdo ditë që kalon.

Përkundër vështirësive shekullore, ne rezistuam dhe e mbajtëm kokën me shumë krenari e vendosmëri lartë, jo vetëm duke u shpërfaqur si shembull i shtetndërtimit të rrënjosur në vlera demokratike, por edhe duke u zotuar që çdo ditë e re do të na gjej më mirë se dita paraprake.

Kosova sovrane është dëshmi e asaj që mund të arrihet kur vullneti i pamposhtur i qytetarëve bashkohet rreth një qëllimi të përbashkët.

Prandaj, le t’i gëzohemi lumturisë që sjell fakti se ne tashmë jemi popull i lirë, mes popujsh të lirë, qytetarë të lirë, në vendin tonë, në tokën tonë.

Sot, përulemi së pari para brezave që iu dedikuan lirisë. Le t’i kujtojmë sot ata. Le ta bashkojmë fuqinë tonë, shpirtin tonë, në kujtim të etërve themelues, të grave e burrave, të bijve e bijave të kësaj toke, të cilët sakrifikuan gjithçka; që nuk u dorëzuan, pavarësisht se historia u soll pabesisht me ta.

Është koha të kthehemi pas e të shikojmë rrugëtimin tonë, përpjekjen e palëkundur për liri dhe t’i kujtojmë ata që e mbajtën të gjallë idealin për shtetin dhe luftuan për të, nga vizionari i madh e arkitekti i pavarësisë, Presidenti Ibrahim Rugova; deri te shembulli i rezistencës e i sakrificës njerëzore, Kryekomandanti legjendar Adem Jashari. Nga delegatët e 2 korrikut e deri te përfaqësuesit e popullit që shpallën pavarësinë me 17 shkurt. Kujtojmë mbi të gjitha dëshmorët dhe martirët e lirisë, gjaku i të cilëve është bazamenti më i fortë i shtetit tonë. Kjo është Kosova e cila asnjëherë nuk u përkul, mbajti të gjallë frymën e lirisë dhe të dashurisë për vendin.

Të nderuar deputetë,

Në zemër të rrugëtimit tonë qëndron edhe forca e aleancave tona. Andaj, sot në mënyrë të veçantë dua t’u falënderohemi miqve tanë – miqve të lirisë!

Ju ishit me ne përgjatë gjithë rrugëtimit tonë; kur neve na mohohej çdo e drejtë, kur shtypeshim mizorisht e kur luftonim për liri, kur u çliruam dhe kur ndërtuam shtetin tonë dhe institucionet tona demokratike e ju kemi pranë pa asnjë dyshim edhe sot në mbrojtje të sovranitetit të kufijve tanë dhe të demokracisë sonë.

Ndër këto aleanca, aleanca jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndron si shtylla më e fuqishme e shtetësisë sonë, ndërkaq rrugëtimi ynë drejt institucioneve euro-atlantike është i paalternativë. Këto partneritete, bazuar në respektin e ndërsjellë dhe vlerat e përbashkëta, kanë qenë dhe mbeten jetike për zhvillimin e shtetit tonë. Këto aleanca na kujtojnë se lufta jonë për liri e shënjuar me gjakun e të gjithë atyre që u sakrifikuan në mënyrën më sublime, dallohet edhe për mbështetjen e pakursyer e të shenjtë nga ata që ndajnë me ne angazhimin e përbashkët për demokraci, sovranitet dhe dinjitet. Mos të harrojmë asnjëherë se Kosova fitoi jo vetëm se pse kishte çdo të drejtë, jo vetëm se pse ishte në anën e drejtë të historisë, por Kosova fitoi edhe se pse veproi mençur e ndërtoi vizon dhe aleanca të bazuara në vlera.

Të dashur qytetarë!

Në jetën e shteteve 16 vjet nuk janë shumë. Mirëpo, Kosova për këto vite është zhvilluar e forcuar si shtet i ri dhe ka dëshmuar kulturë demokratike në organizimin e jetës politike dhe funksionimin e institucioneve demokratike.

Angazhimi ynë për paqen dhe bashkëpunimin rajonal mbetet i palëkundur. Në një botë gjithnjë e më të prekur nga përçarjet, konfliktet e polarizimet, duhet të mendojmë si të ngritemi mbi forcat dashakeqe e si të punojmë të gjithë së bashku për të përmirësuar çdo ditë e më shumë jetën e qytetarëve tanë.

Pavarësia jonë nuk është thjesht një simbol i sovranitetit tonë, por edhe një përgjegjësi për të kontribuar vazhdimisht ndaj promovimit të vlerave demokratike, paqes dhe sigurisë në rajon dhe përtej. Uroj që përpjekjet tona për të ndërtuar  e kultivuar partneritete të priren përherë nga bindja se siguria dhe paqja qëndrueshme nuk vijnë vetëm, por gjithnjë si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta me miq e me aleatë.

Prandaj, ta ruajmë me zell frymën e demokracisë e bashkëpunimit mbi të cilin është ndërtuar Republika jonë; të angazhohemi me çdo kusht për të ruajtur sovranitetin të cilin po e forcojmë çdo ditë; e të veprojmë mençur në drejtim të promovimit të vlerave që qëndrojnë në themelet e shtetësisë sonë ditë pas dite.

Të dashur qytetarë!

Gjithë këto arritje u bënë të mundura falë besimit të palëkundur  të popullit tonë. Por, ashtu si demokracia, paqja e siguria kërkojnë angazhim të çdoditshëm e të përhershëm.

Në mëngjesin e hershëm të 24 shtatorit të vitit që shkoi, Kosova u sfidua sërish nga hegjemonia e përtejkufirit verior. Agresioni ndaj shtetit tonë dhe sulmi terrorist e paramilitar, i organizuar dhe i mbështetur nga Serbia, tregoi se reja hegjemone vazhdon ta mbulojë qiellin mbi Serbi – ajo e mban regjimin politik në atë vend të zhytur në errësirën e së kaluarës. Reagimi ynë ndaj agresionit shtetëror serb ishte i vendosur dhe ju siguroj i tillë do të jetë çdoherë. Le të jetë e qartë: prezenca ushtarake e policore e Serbisë në Kosovë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë në qershor të vitit 1999 kur qiellin e Kosovës e pushtoi fryma e lirisë.

Në mëngjesin e 24 shtatorit, djemtë e vajzat tona në uniformë, kanë dëshmuar përkushtim e sakrificë për të mbrojtur e mbajtur të lirë vendin e tyre; ata kanë dëshmuar se atdhedashuria është virtyt e virtyti kërkon edhe sakrificë; me sakrificën e tyre e përkushtimin ndaj atdheut ata dëshmuan se Kosova është dhe do të mbetet e lirë, sovrane dhe e zonja që, së bashku me aleatët e saj, ta mbajë të palëkundur paqen në rajon. Ata i dhanë plotësisht kuptim motos së sivjetme të festimeve: Kosovë, ne të dalim zot! Heroi Afrim Bunjaku, familjen e së cilit e përshëndesim sot dha jetën e vetë për t’i dhënë jehonë kumbuese motos: Kosovë, ne të dalim zot; sot e përherë! I përjetshëm qoftë kujtimi për të dhe të gjithë heronjtë tanë!

Të nderuar deputetë!

Të dashur qytetarë!

Pavarësia nuk është vetëm privilegj të cilin fati historik e ka ruajtur për ne, por detyrim për t’i ruajtur e kultivuar vlerat dhe traditat tona, për ta ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe për të përfaqësuar dinjiteshëm vlerat tona në skenën ndërkombëtare.

Zemra e shtetit tonë rreh fort nën ritmin e ambicies fisnike e të pashoq të rinisë sonë. Vendi ynë është shembull i një shoqërie civile dinamike dhe i një vendi që konfirmon rolin transformues të përfshirjes së vajzave dhe grave në pozita vendimmarrëse dhe jo vetëm. Jemi dëshmitar të asaj se si fuqizimi i grave dhe angazhimi i rinisë, si dhe mbrojtja e avancimi i të drejtave të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë janë katalizatorë të ndryshimit pozitiv. Angazhimi ynë ndaj këtyre parimeve duhet të vazhdojë të mbetet i palëkundur, sepse e dimë që një shoqëri që i vlerëson të gjithë anëtarët e saj pa dallim, që i jep zë atyre që nuk kanë zë, është një shoqëri e së tashmes më të mirë dhe e të ardhmes më premtuese.

Duke shikuar përpara, sytë tanë janë të fiksuar fort në horizont, drejt të ardhmes sonë në familjen Euro-Atlantike. Ky vizion për shtetin tonë nuk është thjesht një ëndërr, por është qëllim historik, të cilin do ta arrijmë së bashku.

Në këtë ditë festimi, le të ripërtërijmë angazhimin tonë ndaj vlerave që na përcaktojnë, ndaj aleancave që na forcojnë, dhe ndaj të ardhmes që na pret.

Bekuar qoftë populli yt, Kosovë, Dardani e lashtë!

Urime dita e pavarësisë!

Faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.