presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani: Sot shënojmë të arriturën më të madhe historike të popullit tonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në 16 vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, ka marrë pjesë në një sërë aktivitetesh.

Fillimisht, Presidentja Osmani ka marrë pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit shtetëror.

Me këtë rast, Presidentja Osmani ka thënë se sot shënojmë të arriturën më të madhe historike të popullit tonë.

“Sot, shënojmë të arriturën më të madhe historike të popullit tonë. Shënojmë ditën kur shteti ynë u shpall i pavarur, sovran, i lirë e demokratik. Këto 16 vite të shtetit tonë Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara dhe të vendosur natyrisht për të treguar para botës se jo vetëm që e ka merituar lirinë dhe pavarësinë e saj, por është edhe kontribuuese e paqes, stabilitetit dhe sigurisë edhe përtej kufijve të saj”, ka thënë Presidentja Osmani.

Duke i uruar të gjithë qytetarët e vendit për Ditën e Pavarësisë, Presidentja Osmani ka thënë se gjithsecili prej tyre ka dhënë një kontribut të çmuar që sot ne ta gëzojmë shtetin tonë.

“Dua t’iu uroj të gjithë qytetarët e Kosovës, sepse gjithsecili prej tyre ka dhënë një kontribut të çmuar që sot ne ta gëzojmë shtetin tonë, por në veçanti dua t’i kujtojë të gjithë ata që dhanë më të shtrenjtën e tyre që ne sot të jetojmë të lirë, dhanë jetën e tyre, të gjithë dëshmorët e kombit, të gjithë martirët e Republikës sonë”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani ka thënë se në këtë ditë sërish e kujtojmë vizionin e arkitektit të pavarësisë, Presidentit Ibrahim Rugova dhe sakrificën e pashembullt, trimërinë dhe guximin e familjes Jashari dhe gjithë ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye me Kryekomandantin Legjendar, Adem Jashari.

“Lavdi të gjithë atyre që dhanë jetën për Kosovën, për shtetin që sot e gëzojmë, e festojmë dhe i cili do të vazhdojë të ecë përpara pa bërë asnjëherë hapa prapa”, ka thënë Presidentja.Më pas, Presidentja Osmani ka marrë pjesë edhe në aktivitete tjera, në kuadër të shënimit të 16 vjetorit të pavarësisë.

Presidentja Osmani ka bërë nderime te Monumenti i të Pagjeturve.

Ndërkaq, më pas ka bërë homazhe tek varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova.

Homazhe, Presidentja Osmani gjithashtu ka bërë edhe tek varri I veprimtarit Adem Demaçi, si dhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

 Në shënimin e këtij përvjetori të pavarësisë, Presidentja Osmani, po ashtu ka bërë nderime edhe te Monumenti “Heroinat”, te Monumenti i Policëve të rënë në detyrë, si dhe te pllaka e fëmijëve të vrarë gjatë luftës.

This site is registered on wpml.org as a development site.