presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i Katarit, Jabor Ali Hussein Al Hawashela Al Dosari

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i shtetit të Katarit për Republikën e Kosovës, Jabor Ali Hussein Al Hawashela Al Dosari, të cilin e ka uruar për detyrën.

Në takim, Presidentja Osmani shprehu vlerësimin për përkushtimin e vazhdueshëm të Katarit për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me Kosovën si dhe kontributin e dhënë në këtë drejtim gjatë viteve.

Sipas Presidentes Osmani, marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë shumë të mira, ndaj në këtë kontekst, shfaqi besimin se ato do të intensifikohen edhe më tej gjatë mandatit të ambasadorit  Al Dosari.

Presidentja Osmani shprehu besimin për vazhdimin e mbështetjes nga Katari si në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare ashtu edhe në fuqizimin e pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Presidentja Osmani dhe ambasadori Al Dosari, ndër të tjera diskutuan edhe për mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, në veçanti në fushën e ekonomisë, bujqësisë, energjisë, shëndetësisë dhe fusha të tjera.

Gjithashtu, u diskutua edhe për një sërë çështjesh në fushën e bashkëpunimit bilateral, edicionin e sivjetmë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, si dhe çështje tjera me rëndësi të interesit të dyanshëm.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.