Presidentja: Camp Bondsteel është mishërim i vërtetë i miqësisë së përjetshme midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me bashkëshortin e saj Prindon Sadriu, kanë marrë pjesë në shënimin e 25 vjetorit të Kampit Bondsteel. Postimi i plotë i Presidentes: 25 vite shërbim dhe mbështetje e palëkundur e Ushtrisë Amerikane! Camp Bondsteel është mishërim i vërtetë i miqësisë së përjetshme midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Në këtë 25 vjetor të çlirimit dhe çdo ditë tjetër: FALEMINDERIT!
Presidentja: Zëri i Shkurte Fejzës për gjysmë shekulli jehon cep më cep hapësirës shqiptare

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me bashkëshortin e saj Prindon Sadriu, kanë marrë pjesë në koncertin mbajtur me rastin e 50 vjetorit të karrierës së Shkurte Fejzës. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Zëri i Shkurte Fejzës për gjysmë shekulli jehon cep më cep hapësirës shqiptare. “Xhamadani vija-vija” dhe “Mora fjalë”, janë himnet tona të përbotshme, të përjetësuara nga zëri magjik i të madhes sonë. Në kohët më të vështira kur synohej shfarosja jonë, ajo i dha gjithë popullit të Kosovës zë nëpërmjet këngës. U shndërrua në zërin e lirisë! Urime për 50 vite të arta Shkurte Fejza! Të këndoftë zemra përgjithmonë!
Presidentja vizitoi Panairin e librit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar sot Panairin e 24-të të librit, në Prishtinë. Postimi i plotë i Presidentes: Panairi i librit në Prishtinë! Nuk ka teknologji apo inovacion që mund të zëvendësojë ndjesinë që i jep shpirtit leximi i librit.
Presidentja Osmani vizitoi komunën e Drenasit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të vizitave të komunave të vendit, ka vizituar sot komunën e Drenasit. Me këtë rast, Presidentja Osmani u prit në takim nga kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci. Presidentja gjatë kësaj vizite është takuar me anëtare të Kuvendit Komunal, gra të angazhuara në biznes, arsim, shëndetësi dhe shoqëri civile. Gjatë vizitës në Drenas, Presidentja ka vizituar edhe Parkun e Biznesit dhe ka qëndruar edhe në shkollën “Xhevë Lladrovci”, në Gllanasellë. Postimi i plotë i Presidentes: Vizita në Drenasin e trimave dhe trimëreshave, heronjve e heroinave që kanë sakrifikuar aq shumë për lirinë që e gëzojmë sot! Komuna e Drenasit po dëshmohet si shembull i qeverisjes transparente dhe i fuqizimit të grave në vendimmarrje. Faleminderitit Kryetarit Lladrovci dhe të gjithë qytetarëve të Drenasit për mikpritjen e jashtëzakonshme!
Konferenca e përbashkët për media e Presidentes Vjosa Osmani dhe kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci

Presidentja Osmani ngushëllon familjen, miqtë, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si dhe komunitetin kulturor për ndarjen nga jeta të akademik Rexhep Ferrit

Kosova sot humbi akademikun, piktorin, poetin, prozatorin e eseistin Rexhep Ferri. Mjeshtëria e tij krijuese ka gërshetuar mrekullisht pikturën me letërsinë, të cilave nuk iu nda gjatë gjithë jetës. Akademik Ferri i takon brezit të artë të piktorëve të Kosovës, ndaj emri i tij do të mbetet i skalitur përherë në kujtesën tonë nëpërmjet krijimeve të tij artistike të larmishme, të cilat do të mbeten testament për ne dhe brezat pas nesh. Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si dhe komunitetit kulturor! I përhershëm qoftë kujtimi për akademik Rexhep Ferrin!
Deklarimi për media i Presidentes Vjosa Osmani

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në takimin me Asociacionin e Komunave të Republikës së Kosovës

Faleminderit shumë! I nderuar kryetar Aliu, Sekretar Ahmeti, Të nderuar kryetarë nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, Ju falënderoj nga zemra për pjesëmarrjen tuaj sot. Qëllimi i këtij takimi, siç e përmendi edhe kryetari Aliu është që përveç trajtimit të disa temave specifike për të cilat jemi dakorduar në takimin që e kishim me Bordin e kryetarëve, në të njëjtën kohë që edhe unë si Presidente të dëgjoj drejtpërdrejt nga ju për sfidat me të cilat ballafaqoheni si komuna dhe për interesimin tuaj për rritje të bashkëpunimit me nivelin qendror, duke pasur parasysh atë se çka mund të bëjë Presidenca si institucion në këtë drejtim. Ky takim besoj është një mundësi për të riafirmuar përkushtimin tonë të përbashkët për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Prandaj, unë dua të falënderoj gjithsecilin prej jush për përpjekjet e pandërprera që nëpërmjet punës suaj, të rritni cilësinë e jetës për qytetarët që jetojnë në komunat tuaja. Shumë probleme që janë ballafaqim i përditshëm në komunat që ju përfaqësoni, i tejkalojnë edhe kufijtë administrativë të komunave, sepse shtrirja e tyre është shumë më e gjerë, kompleksiteti i temave është shumë më i madh dhe zgjidhja e tyre kërkon mobilizimin e të gjithë neve bashkërisht. Një ndër këto probleme, për të cilat edhe e kemi ftuar këtë takim të përbashkët, pa dyshim është edhe dhuna mbi baza gjinore. Para se të takohem me kryetarët e komunave, natyrisht që kam pasur takime intensive me institucionet e drejtësisë, me ministritë relevante në nivel qendror, me institucionet tona të sigurisë dhe me organizata të tjera, të cilat kanë kompetenca të drejtpërdrejta për t’u marrë edhe për t’u ballafaquar me këtë problem jashtëzakonisht serioz, që është emergjencë me të cilën duhet të merremi gjithsecili. Por, natyrisht që edhe komunat mund të japin një kontribut të tyre për të eliminuar këtë dukuri të tmerrshme. Dhuna mbi baza gjinore, për fat të keq, ka marrë hov. Në muajt e fundit kishim edhe dy vrasje të tjera të grave. Prandaj, duhet të kemi një reagim jo vetëm emergjent, por edhe të bashkërenduar, sepse gjithsecili prej nesh e dimë që koordinimi i mirëfilltë i institucioneve dhe funksionimi i secilës hallkë ku viktimat e dhunës mbi baza gjinore mund të kërkojnë mbështetje është e vetmja zgjidhje për eliminimin e këtij fenomeni dhe për rritjen e efektivitetit të masave parandaluese. Natyrisht që edhe në nivel komunal, është e domosdoshme që viktima e dhunës mbi bazë gjinore të ndihet e përkrahur, sepse aty është vendi i parë ku edhe kërkohet ndihma. Ne jemi shumë të vetëdijshëm që Policia në shumicën dërrmuese të rasteve është ajo që përgjigjet e para dhe jemi në bashkëpunim të afërt dhe të përditshëm me Policinë në këtë drejtim. Mirëpo, në të njëjtën kohë janë edhe Qendrat e Punës Sociale të cilat janë në fushëveprimtarinë e komunës dhe ku për fat të keq, e kishim edhe një rast ku vrasja ndodhi pikërisht aty. Prandaj, tema e parë që dua ta diskutoj me ju është: si mund të kontribuojmë të gjithë bashkërisht që të rritet siguria në Qendra për Punë Sociale. Nga ajo që e kemi diskutuar me Bordin e kryetarëve, ka një gatishmëri nga shumica e kryetarëve të komunave që të rritet siguria në Qendra për Punë Sociale, nga vendosja e skenerëve në fillim, në mënyrë që askush të mos mund të hyjë aty, qoftë i armatosur, qoftë pa pasur një lloj kështu, skenimi rreth prezencës së këtij personi që mund të paraqesë rrezik, e deri tek trajnimet e nevojshme që duhet të bëhen tek zyrtarët e qendrave për punë sociale, në mënyrë që ata t’u japin mbështetjen e nevojshme viktimave të dhunës. Unë e kuptoj që ndër problemet kryesore është që komunat për momentin nuk kanë mjaftueshëm zyrtarë në këto Qendra për Punë Sociale. Prandaj, jam këtu për të thënë që e përkrah plotësisht secilën kërkesë tuajën për ndarjen e buxhetit, në mënyrë që të rritet numri i zyrtarëve që pastaj do të merret me parandalimin dhe dhënien e mbështetjes për viktimat që janë viktima të dhunës mbi baza gjinore. Çështja e dytë ka të bëjë me riintegrimin dhe rehabilitimin e viktimave. Ju e dini që në një numër të komunave ka strehimore, mirëpo shumë komuna të tjera nuk kanë strehimore, ku viktimat e dhunës mund të shkojnë në raste të largimit nga ambienti ku ka ndodhur dhuna. E para, ne duhet të sigurohemi që secila komunë e Kosovës ta ketë strehimoren, e cila ka financim të qëndrueshëm. Si Presidencë, vazhdimisht kemi bërë thirrje që kjo të jetë një linjë e veçantë buxhetore në buxhetin e Republikës së Kosovës. Mirëpo, në rast se ka pengesa në financim të qëndrueshëm, unë ju lus që si komuna, ashtu siç janë përgjigjur një numër i madh i kryetarëve të komunave, edhe të tjerët të jeni mbështetës, në mënyrë që këto qendra që në shumicën e rasteve menaxhohen nga OJQ-të, mos të mbesin në asnjë moment pa shërbimet bazike për të cilat kanë nevojë viktimat e dhunës mbi baza gjinore. Por, përveç strehimit, viktima ka nevojë që të jetë e fuqizuar ekonomikisht, që pas daljes nga strehimorja, mos të kthehet më në vendin ku ka ndodhur dhuna. Dhe këtu besoj, ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm komuna. Pra, pavarësimi ekonomik i viktimave, mundësia e trajnimit të tyre, mundësia e punësimit të tyre, në mënyrë që ato mos të detyrohen të kthehen në një ambient që pastaj mund të rezultojë edhe me vrasjen e tyre. Kjo, përveç dëshirë, është edhe obligim ligjor që e kemi edhe niveli qendror, por edhe lokal, në përputhje me nenin 24 të Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna mbi baza gjinore. Programet edukative janë jashtëzakonisht të domosdoshme t’i kemi edhe në nivel komunal, në mënyrë që edhe viktima edhe fëmijët të vazhdojnë përgatitjen e tyre, në mënyrë që ato të jenë të pavarura edhe pas rasteve të dhunës. Por, kur flasim për edukim, dua këtu ta përmend në mënyrë të veçantë edukimin e hershëm, jo vetëm si pikë për fuqizimin e sistemit arsimor në
Presidentja Osmani uron Presidenten e parë grua të Meksikës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e ka uruar Presidenten e parë grua të Meksikës, Claudia Sheinbaum. “Urime Presidentes së zgjedhur Claudia Sheinbaum për zgjedhjen e saj historike si Presidentja e parë grua e Meksikës. Në një botë që përballet me shumë sfida, është frymëzuese të shohësh më shumë gra që marrin role udhëheqëse. Shpresoj se presidenca e saj do të ofrojë një mundësi për të ngritur bashkëpunim mes vendeve tona në nivel më të lartë”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Presidentja përmbyll vizitën në shtetin mik të El Salvadorit ku u ftua në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Bukele

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përmbyllur vizitën në shtetin mik të El Salvadorit ku u ftua në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Bukele. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Prezenca e Kosovës në Amerikë Latine dhe forcimi i aleancave me shtetet e kësaj pjese të botës është interes shtetëror i Republikës sonë. Dje përmbylla vizitën në shtetin mik të El Salvadorit ku u ftova në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Bukele, si dhe mbajta takime me përfaqësues të këtij shteti e të shteteve të tjera prezente, nga SHBA-të, e deri tek shtete nga Amerika Jugore e Qendrore, si dhe nga Afrika. Një vizitë shumë përmbajtësore ku u tregua respekt i madh për shtetin e Kosovës! Kosova është me fat që ka miq të mirë e partnerë të përkushtuar në çdo cep të botës!