Faleminderit shumë!
I nderuar kryetar Aliu,
Sekretar Ahmeti,
Të nderuar kryetarë nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës,
Ju falënderoj nga zemra për pjesëmarrjen tuaj sot. Qëllimi i këtij takimi, siç e përmendi edhe kryetari Aliu është që përveç trajtimit të disa temave specifike për të cilat jemi dakorduar në takimin që e kishim me Bordin e kryetarëve, në të njëjtën kohë që edhe unë si Presidente të dëgjoj drejtpërdrejt nga ju për sfidat me të cilat ballafaqoheni si komuna dhe për interesimin tuaj për rritje të bashkëpunimit me nivelin qendror, duke pasur parasysh atë se çka mund të bëjë Presidenca si institucion në këtë drejtim.
Ky takim besoj është një mundësi për të riafirmuar përkushtimin tonë të përbashkët për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Prandaj, unë dua të falënderoj gjithsecilin prej jush për përpjekjet e pandërprera që nëpërmjet punës suaj, të rritni cilësinë e jetës për qytetarët që jetojnë në komunat tuaja.
Shumë probleme që janë ballafaqim i përditshëm në komunat që ju përfaqësoni, i tejkalojnë edhe kufijtë administrativë të komunave, sepse shtrirja e tyre është shumë më e gjerë, kompleksiteti i temave është shumë më i madh dhe zgjidhja e tyre kërkon mobilizimin e të gjithë neve bashkërisht.
Një ndër këto probleme, për të cilat edhe e kemi ftuar këtë takim të përbashkët, pa dyshim është edhe dhuna mbi baza gjinore.
Para se të takohem me kryetarët e komunave, natyrisht që kam pasur takime intensive me institucionet e drejtësisë, me ministritë relevante në nivel qendror, me institucionet tona të sigurisë dhe me organizata të tjera, të cilat kanë kompetenca të drejtpërdrejta për t’u marrë edhe për t’u ballafaquar me këtë problem jashtëzakonisht serioz, që është emergjencë me të cilën duhet të merremi gjithsecili.
Por, natyrisht që edhe komunat mund të japin një kontribut të tyre për të eliminuar këtë dukuri të tmerrshme.
Dhuna mbi baza gjinore, për fat të keq, ka marrë hov. Në muajt e fundit kishim edhe dy vrasje të tjera të grave. Prandaj, duhet të kemi një reagim jo vetëm emergjent, por edhe të bashkërenduar, sepse gjithsecili prej nesh e dimë që koordinimi i mirëfilltë i institucioneve dhe funksionimi i secilës hallkë ku viktimat e dhunës mbi baza gjinore mund të kërkojnë mbështetje është e vetmja zgjidhje për eliminimin e këtij fenomeni dhe për rritjen e efektivitetit të masave parandaluese.
Natyrisht që edhe në nivel komunal, është e domosdoshme që viktima e dhunës mbi bazë gjinore të ndihet e përkrahur, sepse aty është vendi i parë ku edhe kërkohet ndihma.
Ne jemi shumë të vetëdijshëm që Policia në shumicën dërrmuese të rasteve është ajo që përgjigjet e para dhe jemi në bashkëpunim të afërt dhe të përditshëm me Policinë në këtë drejtim. Mirëpo, në të njëjtën kohë janë edhe Qendrat e Punës Sociale të cilat janë në fushëveprimtarinë e komunës dhe ku për fat të keq, e kishim edhe një rast ku vrasja ndodhi pikërisht aty. Prandaj, tema e parë që dua ta diskutoj me ju është: si mund të kontribuojmë të gjithë bashkërisht që të rritet siguria në Qendra për Punë Sociale.
Nga ajo që e kemi diskutuar me Bordin e kryetarëve, ka një gatishmëri nga shumica e kryetarëve të komunave që të rritet siguria në Qendra për Punë Sociale, nga vendosja e skenerëve në fillim, në mënyrë që askush të mos mund të hyjë aty, qoftë i armatosur, qoftë pa pasur një lloj kështu, skenimi rreth prezencës së këtij personi që mund të paraqesë rrezik, e deri tek trajnimet e nevojshme që duhet të bëhen tek zyrtarët e qendrave për punë sociale, në mënyrë që ata t’u japin mbështetjen e nevojshme viktimave të dhunës.
Unë e kuptoj që ndër problemet kryesore është që komunat për momentin nuk kanë mjaftueshëm zyrtarë në këto Qendra për Punë Sociale.
Prandaj, jam këtu për të thënë që e përkrah plotësisht secilën kërkesë tuajën për ndarjen e buxhetit, në mënyrë që të rritet numri i zyrtarëve që pastaj do të merret me parandalimin dhe dhënien e mbështetjes për viktimat që janë viktima të dhunës mbi baza gjinore.
Çështja e dytë ka të bëjë me riintegrimin dhe rehabilitimin e viktimave. Ju e dini që në një numër të komunave ka strehimore, mirëpo shumë komuna të tjera nuk kanë strehimore, ku viktimat e dhunës mund të shkojnë në raste të largimit nga ambienti ku ka ndodhur dhuna.
E para, ne duhet të sigurohemi që secila komunë e Kosovës ta ketë strehimoren, e cila ka financim të qëndrueshëm.
Si Presidencë, vazhdimisht kemi bërë thirrje që kjo të jetë një linjë e veçantë buxhetore në buxhetin e Republikës së Kosovës. Mirëpo, në rast se ka pengesa në financim të qëndrueshëm, unë ju lus që si komuna, ashtu siç janë përgjigjur një numër i madh i kryetarëve të komunave, edhe të tjerët të jeni mbështetës, në mënyrë që këto qendra që në shumicën e rasteve menaxhohen nga OJQ-të, mos të mbesin në asnjë moment pa shërbimet bazike për të cilat kanë nevojë viktimat e dhunës mbi baza gjinore.
Por, përveç strehimit, viktima ka nevojë që të jetë e fuqizuar ekonomikisht, që pas daljes nga strehimorja, mos të kthehet më në vendin ku ka ndodhur dhuna. Dhe këtu besoj, ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm komuna.
Pra, pavarësimi ekonomik i viktimave, mundësia e trajnimit të tyre, mundësia e punësimit të tyre, në mënyrë që ato mos të detyrohen të kthehen në një ambient që pastaj mund të rezultojë edhe me vrasjen e tyre.
Kjo, përveç dëshirë, është edhe obligim ligjor që e kemi edhe niveli qendror, por edhe lokal, në përputhje me nenin 24 të Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna mbi baza gjinore.
Programet edukative janë jashtëzakonisht të domosdoshme t’i kemi edhe në nivel komunal, në mënyrë që edhe viktima edhe fëmijët të vazhdojnë përgatitjen e tyre, në mënyrë që ato të jenë të pavarura edhe pas rasteve të dhunës.
Por, kur flasim për edukim, dua këtu ta përmend në mënyrë të veçantë edukimin e hershëm, jo vetëm si pikë për fuqizimin e sistemit arsimor në Kosovë, por edhe si element që ndikon në uljen e dhunës mbi baza gjinore.
Shtetet të cilat kanë pasur sukses në uljen e përqindjes së dhunës mbi baza gjinore, janë shtete të cilat ofrojnë edukim të hershëm, rrjedhimisht, ofrojnë çerdhe, ofrojnë sistem parashkollor publik, të përballueshëm për të gjithë qytetarët e vet.
Sa më shumë që gratë, në këtë rast nënat, kanë mundësi t’i dërgojnë fëmijët në kopsht, aq më shumë ato do të kenë mundësi të aplikojnë për punë, të hyjnë në tregun e punës, të pavarësohen ekonomikisht. E në rast të dhunës në familje, mos të mbesin peng të një ambienti dhunues, që mund të përfundojë me vrasjen e tyre.
Pra, investimi në sistemin e edukimit të hershëm ka efekt transformues në një shoqëri, që rezulton edhe me eliminimin e dhunës, jo vetëm me edukimin e fëmijës.
Unë jam informuar nga kryetarët kur u takuam që ekziston një problem sa i përket ndërtimit të çerdheve, por pastaj mosparashikimit të buxhetit të mjaftueshëm për stafin në ato çerdhe dhe ato mbesin të zbrazura. Dhe këtu i bashkohem thirrjes suaj: çerdhet nuk duhet të mbesin të zbrazura, çerdhet janë aty për fëmijë, por përveç për fëmijë, kontributi është për tërë familjen dhe kontributi pastaj është për tërë shoqërinë, sepse sa më shumë ka edukim të hershëm të fëmijës, aq më produktiv do të jenë ata në shoqëri kur rriten, dhe aq më shumë nëna do të jetë e pavarur ekonomikisht, rrjedhimisht, do të mund ta luftojë dhunën mbi baza gjinore.
Kështu që do të bëjmë çmos që bashkërisht ta tejkalojmë këtë problem të mungesës së buxhetimit të personelit që është i nevojshëm për sistemin e edukimit të hershëm, për të gjitha ato çerdhe të cilat ndërtohen, kopshte të cilat ndërtohen në komunat tuaja.
Përveç kësaj, sa i përket dhunës mbi baza gjinore, është shumë me rëndësi që të ketë banim social të përkohshëm.
Këto që quhen strehimore janë aty për një periudhë tepër të shkurtër. Disa komuna e kanë mundësinë e ofrimit të banimit social të përkohshëm, disa nuk e kanë, megjithatë, përderisa ka mundësi që të trajtohen edhe viktimat e dhunës mbi bazë gjinore si kategori emergjente, të cilave u ofrohet një diçka e tillë, është shumë me rëndësi.
Këto janë vetëm disa prej çështjeve mirëpo natyrisht gjatë diskutimit tonë do të flasim për një listë të gjatë të temave që ne mendojmë që mund të ndërmerren në nivel lokal për ta luftuar dhunën mbi baza gjinore.
Unë jam e vetëdijshme që ndoshta shumë prej tyre në disa komuna veçse kanë filluar të realizohen. Disa prej tyre ndoshta ju do të më informoni sot që nuk mund të realizohen, qoftë për arsye buxhetore, qoftë të tjera. Por, sikurse për çdo problem tjetër, hapi i parë është diagnostikimi. Duhet ta identifikojmë problemin dhe cili është medikamenti që e shëron, cili është akti, veprimi që ne duhet ta ndërmarrim, në mënyrë që ta eliminojmë këtë njollë të shoqërisë sonë, të cilën mund dhe duhet ta luftojmë të gjithë bashkërisht.
Tema e dytë, vetëm shkurtimisht po e flas, e kemi trajtuar në takimin me Bordin e kryetarëve, ka të bëjë me bashkëpunimin në nivel të turizmit.
Ne jemi dakorduar si Zyrë e Presidencës, së bashku me Republikën e Shqipërisë, që meqenëse Shqipëria sot është destinacioni i dytë në nivel bote sa i përket turizmit, që në platformat e përbashkëta digjitale, të cilat ata do t’i ofrojnë për Kosovën pa pagesë shtesë, të futen edhe komunat e Kosovës dhe rrjedhimisht, një numër i madh i turistëve që vijnë ta vizitojnë Shqipërinë, automatikisht do t’i kenë të gjitha informatat edhe për Kosovën dhe besoj që kjo do të ketë ndikim pozitiv në një rritje jashtëzakonisht të madhe të turizmit në vendin tonë, ku do të kemi mundësi që t’u ofrojmë turistëve nga e gjithë bota edhe bukuritë e jashtëzakonshme të Kosovës.
Ne jemi mësuar që të dëgjojmë për Shqipërinë, kudo që shkojmë, në Evropë e në SHBA, por unë sapo u ktheva nga Amerika Latine dhe atje nuk ka njeri që nuk e përmend Shqipërinë si destinacion kryesor turistik.
Çka nënkupton kjo? Ky bashkëpunim shumë i afërt, të cilin ne si Presidencë duam ta ndërmjetësojmë, ndërmjet Shqipërisë dhe komunave të Kosovës, jam e bindur që do të sjellë turistë nga e gjithë bota, deri dhe nga Amerika Latine dhe shtetet e largëta, nga kontinente të tjera, në Kosovë dhe do të hapë perspektivë shumë më të madhe ekonomike, natyrisht, brenda potencialit që ne e kemi.
Dhe, e fundit ka të bëjë me një çështje tjetër që e kemi diskutuar me kryetarët për qëndrimin ditor për personat me nevoja të veçanta. Janë disa ide që i kemi, por ato do të mund t’i realizojmë ndoshta në fillim vetëm me dy-tri komuna, që mund të jenë kështu si pilotim, të cilat veçse e kanë mundësinë që të kenë staf. Është një projekt i përbashkët me UNDP-në, por përveç këtyre tri çështjeve, pra, dhuna mbi baza gjinore, turizmi, dhe çështje që kanë të bëjnë me mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta, më lejoni edhe një herë ta potencoj atë që e kam thënë në çdo takim me secilin prej jush që e kam takuar më herët. Dyert e Presidencës së Republikës së Kosovës, si kreu i shtetit, janë gjithnjë të hapura për secilin kryetar, nënkryetar dhe të gjithë qytetarët e komunave që ju përfaqësoni.
Detyra jonë e përbashkët është që qytetarët tanë çdo ditë të jetojnë më mirë. Në atë mes nuk ka as rëndësi partia, nuk ka rëndësi etnia, do të thosha edhe nuk ka rëndësi gjinia, po krejt jeni burra në krye të komunave, kështu që në këtë aspekt dijeni që, edhe pse jam shumë e lumtur që kemi disa nënkryetare gra sot në mesin tonë në këtë takim, dhe ju dëshiroj mirëseardhje dhe ju ofroj përkrahje dhe mbështetje të plotë në projektet që ato promovojnë.
Mirëpo, ta dini që Presidenca jo vetëm që i ka gjithnjë dyert e hapura, por edhe mendjen e hapur për të bashkëpunuar me secilin prej jush dhe për të përkrahur çdo projekt, çdo ide që është në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ashtu edhe siç e kemi detyrë dhe për çka jemi zgjedhur secili prej nesh.
Faleminderit edhe një herë të gjithëve për pritjen dhe natyrisht tash mund të diskutojmë edhe më në detaje të gjitha temat që u prekën.
