Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, pritet për drekë zyrtare në pallatin presidencial nga Zotëria i Parë i Republikës së Sllovenisë, Aleš Musar

Në kuadër të vizitës dy ditore në Slloveni, Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, u mirëprit nga homologu i tij slloven, Aleš Musar, në pallatin presidencial në Lubjanë. Gjatë drekës zyrtare ndërmjet homologëve, u shëmbyen pikëpamje mbi çështjet aktuale globale, por edhe mbi mundësitë e reja të bashkëpunimit në fushat e interesit të përbashkët për të dyja shtetet. Për më tepër, ata diskutuan mbi rëndësinë e rolit dhe mbështetjes së vazhdueshme të tyre në përmbushjen e agjendave të krerëve të shteteve respektive. Në fund të takimit, Zotëria i Parë, Sadriu ftoi homologun e tij për vizitë në Republikën e Kosovës në një kohë të përshtatshme për të dy palët.
Presidentja Osmani dhe Presidenti Begaj takojnë qytetarët në Gërmi

Me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj po viziton Kosovën, ku do të marrë pjesë në aktivitetet e organizuara me rastin e 25 vjetorit të çlirimit. Gjatë ditës së sotme Presidentja Osmani dhe Presidenti Begaj kanë takuar qytetarë të shumtë në Gërmi. “Me Presidentin Begaj në prag të Ditës së Çlirimit, përvjetorit të rëndësishëm të popullit tonë, të cilin do ta shënojmë bashkë!”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Presidentja: Lidhja e Prizrenit mbetet e gravuar përgjithmonë në mendjet dhe zemrat e secilit shqiptar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në shënimin e 146 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Postimi i plotë i Presidentes: Lidhja e Prizrenit mbetet e gravuar përgjithmonë në mendjet dhe zemrat e secilit shqiptar si testament i natyrshëm i shpirtit të kombit tonë! Mbrëmë shënuam përvjetorin e kësaj ngjarjeje historike, që përkon edhe me 25 vjetorin e çlirimit të shtetit tonë. #25VjetLiri
Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në 146 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Konjufca, I nderuar kryeministër, z. Kurti, Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra, Përfaqësues të Komunës së Prizrenit, Përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, Deputetë të nderuar, Të dashur qytetarë të Prizrenit, të Republikës së Kosovës, të Shqipërisë dhe të gjithë hapësirës shqiptare, Sot jemi sërish në Prizren për të reflektuar mbi dy momente kryesore në historinë e popullit shqiptar dhe të Kosovës, ngjarje të zhvilluara në distancë kohore prej më shumë se një shekulli, por të ndërlidhura thellësisht në rëndësinë e tyre: Lidhja e Prizrenit e vitit 1878 dhe çlirimi i Kosovës më 12 qershor 1999. Këto dy data simbolizojnë shpirtin e qëndrueshëm të popullit tonë, përkushtimin tonë për liri dhe vendosmërinë e palëkundur në luftën për liri dhe pavarësi. Sa herë vjen 10 qershori, rikthejmë kujtimin te ky vend ku 146 vjet më parë ideologët Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Iljaz Pashë-Dibra, Sylejman Vokshi e shumë të tjerë u mblodhën në Kuvend me kauzën e rizgjimit kombëtar kundrejt rrezikut që i kanosej kombit tonë. Duke i kombinuar organizmin gjithëkombëtar politik dhe luftarak, Lidhja e Prizrenit paraqet organizimin kulmor për çlirimin e trojeve shqiptare dhe mbrojtjen e tyre nga çdo kërcënim dhe pretendim i vendeve të tjera. Prizreni u përzgjodh si një vend i duhur, në përputhje me kontekstin gjeostrategjik e gjeopolitik të kohës, me të cilin paria e Lidhjes synonte misionin e shenjtë për rilindjen dhe rizgjimin kombëtar dhe realizimin e të drejtës së natyrshme për liri e pavarësi, sikurse edhe popujt e tjerë në Evropë. Kërkesat dhe qëndrimet e Lidhjes së Prizrenit u shndërruan në gurthemel dhe busull orientuese të fatit tonë si komb, krahas kombeve të tjera të Evropës. Pavarësisht se qëndrimet dhe kërkesat e Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nuk u shqyrtuan nga fuqitë e mëdha në Kongresin e Berlinit, krerët e saj i dolën në ballë organizimit dhe realizimit të rezistencës titanike për t`i jetësuar idealet e ndërlidhura me vendimet e Lidhjes së Lezhës, të prirë nga heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu. Vazhdimësia e kryengritjeve të shumta çlirimtare, në veçanti asaj më 1910 në Kosovë, pastaj asaj të vitit 1911 të udhëhequr nga Dedë Gjo Luli, shpallja e Pavarësisë më 28 nëntor më 1912 në Vlorë dhe së fundi edhe shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, e kanë burimin ndër të tjera, edhe tek historiku i Lidhjes së Prizrenit. Prandaj, Lidhja e Prizrenit mbetet e gravuar përgjithmonë në mendjet dhe zemrat e secilit shqiptar si testament i natyrshëm i shpirtit të kombit tonë. Është pikërisht ky synim bashkë me atë të Lidhjes që ndërthuren natyrshëm me qershorin e vitit ‘99, me fitoren historike të rezistencës së popullit tonë, të prirë nëpërmjet rezistencës paqësore fillimisht nga Presidenti historik Ibrahim Rugova dhe në luftën çlirimtare të UÇK-së, të prirë nga Komandanti legjendar, Adem Jashari, e padyshim edhe me mbështetjen e fuqishme të botës demokratike, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e gjithë Aleanca Veri-Atlantike (NATO). Në vitet ’98, ’99, sikurse, sikurse edhe më 1878, shqiptarët nga të gjitha hapësirat ku jetojnë u bënë bashkë për ta mbështetur luftën çlirimtare, duke e bërë Kosovën, të lirë e të pavarur, ashtu siç ëndërruan dhe u sakrifikuan breza të tërë. Ashtu siç e tha edhe zoti Tony Blair sot në Kuvendin e Kosovës: Kosova u çlirua nga forca pushtuese, sepse pushtuese ishin, por nuk do të kthehen më kurrë. Megjithatë, siç përsëritet historia, përsëriten edhe tendencat. Në këtë kohë të trazuar për kontinentin tonë, ambiciet shoviniste serbe sërish janë në skenë me apetite që nuk i kemi parë këto 25 vite. Prandaj, përballë rreziqeve të mëdha të sigurisë, uniteti ynë do të shërbejë si forcë për të mbrojtur shtetin tonë nga tendencat shoviniste të Serbisë fqinje. Duhet të ngrihemi mbi dallimet tona, duke reflektuar ndaj ngjarjeve të historisë sonë për ta gjetur forcën njësoj si dikur, që në funksion të mbrojtjes së kombit dhe atdheut, të gjithë të jemi një! Urime 146-vjetori i Lidhjes së Prizrenit! Urime 25-vjetori i çlirimit të Kosovës Ju faleminderit!
Presidentja: Një vizitë e paharrueshme e mikut të madh të Kosovës, ish-Kryeministrit Tony Blair!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, vizitën e ish-kryeministrit Blair e ka quajtur vizitë e paharrueshme. “Një vizitë e paharrueshme e mikut të madh të Kosovës, ish-Kryeministrit Tony Blair!”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Presidentja: Një gur kristali për mikun e madh të Kosovës Tony Blair, për të vazhduar traditën e Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i ka dhuruar një gur kristali mikut të madh të Kosovës Tony Blair. Postimi i plotë i Presidentes: Një gur kristali për mikun e madh të Kosovës Tony Blair, për të vazhduar traditën e Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova. Faleminderit familjes Rugova për përzgjedhjen dhe dhurimin e gurit! #25VjetLiri
Deklarata e përbashkët për media e Presidentes Vjosa Osmani dhe ish-Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Sir Tony Blair
Presidentja kryeministrit Blair: Do të mbeteni gjithmonë kampion i popullit të Kosovës!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim, z. Tony Blair. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Mirë se vjen në Kosovën e lirisë, shpresës, demokracisë, Kryeministër Tony Blair! 25 vjet më vonë, trashëgimia juaj vazhdon. Do të mbeteni gjithmonë kampion i popullit të Kosovës! #25VjetLiri
Presidentja Osmani priti kryeministrin Rama

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Postimi i plotë i Presidentes: Bashkë, për t’i shënuar momentet më të rëndësishme të historisë së popullit tonë! Mirë se erdhe Kryeministër Rama! #25VjetLiri
Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në 25 vjetorin e Kampit Bondsteel
