U.D. Presidentja Haxhiu ngushëllon familjen Kryeziu për ndarjen nga jeta të zyrtarit policor Altin Kryeziu

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se e pikëlloi thellë lajmi për ndarjen nga jeta të zyrtarit policor Altin Kryeziu, i cili nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra pasi u godit nga një automjet gjatë kryerjes së detyrës. U.D. Presidentja Haxhiu më tej ka thënë se sot, familja e tij humbi njeriun e dashur, ndërkaq Policia e Kosovës një koleg dhe pjesëtar të saj që detyrën e kishte zgjedhur si shërbim ndaj të tjerëve. “Vdekja e Altinit është edhe një kujtesë e dhimbshme se në komunikacion një çast pakujdesie mund t’ia marrë jetën dikujt dhe t’ua ndryshojë përgjithmonë jetën shumë të tjerëve. Prandaj, kujdesi në rrugë dhe përgjegjësia ndaj njëri-tjetrit janë para së gjithash përgjegjësi ndaj jetës së njeriut”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo ka shprehur ngushëllimet e sinqerta familjes Kryeziu. “Familjes Kryeziu i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Bashkëndiej me kolegët e Altinit në Policinë e Kosovës dhe me të gjithë ata që e njohën, punuan me të dhe sot e kujtojnë me dhimbje. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të.”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu vizitoi Fshatin Mesdhetar në Taranto, ku po qëndrojnë sportistët tanë gjatë Lojërave Mesdhetare

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar sot Fshatin Mesdhetar në Taranto, ku po qëndrojnë sportistët tanë gjatë Lojërave Mesdhetare. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, Fshati këtë herë ka një organizim të veçantë, me sportistët të akomoduar në dy anije të ankoruara në port, Aroya dhe Romantika. “Gjatë vizitës patëm mundësinë të takojmë nga afër sportistët tanë, të bisedojmë me ta për garat, përvojën e deritanishme dhe sfidat që i presin në ditët në vazhdim. Ishte kënaqësi të shohim përkushtimin dhe krenarinë me të cilën secili prej tyre e përfaqëson Kosovën”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo tutje ka thënën se garat tashmë kanë filluar dhe ne do të jemi pranë sportistëve tanë, duke i mbështetur në çdo paraqitje. “Urojmë që puna e tyre të shpërblehen me rezultate sa më të mira, që emri i Kosovës të dëgjohet sa më shpesh dhe që nga Taranto të kthehemi me medalje. Suksese ekipit të Kosovës!”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në pritjen zyrtare të Presidentit të Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, para ceremonisë së hapjes së Lojërave Mesdhetare

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në pritjen zyrtare të Presidentit të Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, para ceremonisë së hapjes së Lojërave Mesdhetare. “Në Kështjellën Aragoneze, në një atmosferë që bashkoi përfaqësues të vendeve të Mesdheut, sporti ishte edhe një herë urë miqësie, afrimi dhe bashkëpunimi”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu ka falënderuar Presidentin Mattarella dhe Kryeministren Giorgia Meloni për mikpritjen e ngrohtë.
U.D. Presidentja Haxhiu në Taranto për hapjen e Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka udhëtuar sot për në Itali, ku do të marrë pjesë në hapjen e Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”. U.D. Presidentja Haxhiu do të marrë pjesë edhe në pritjen që Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, organizon për krerët e shteteve dhe përfaqësuesit e lartë të vendeve pjesëmarrëse në Lojëra. Në këto Lojëra, Kosova merr pjesë në 17 sporte individuale dhe në katër sporte ekipore, me gjithsej 163 sportistë, numri më i madh me të cilin është përfaqësuar deri më tash në Lojërat Mesdhetare. Edicioni i Tarantos ka rëndësi të veçantë për Kosovën edhe për faktin se edicioni i ardhshëm i Lojërave Mesdhetare do të mbahet në Prishtinë më 2030.
U.D. Presidentja Haxhiu priti në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves

U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit politike dhe situatën institucionale në vend. Në takim u diskutua për nevojën e dialogut politik dhe për përpjekjet për të gjetur një rrugëdalje nga ngërçi aktual institucional, me qëllim që institucionet të formohen sa më parë dhe vendi të ecë përpara në përputhje me rendin kushtetues. U.D. Presidentja Haxhiu vlerësoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën dhe rolin e saj si partner i rëndësishëm i vendit tonë.
U.D. Presidentja Haxhiu priti sot pjesëmarrësit e Seminarit të 44-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu ka pritur sot pjesëmarrësit e Seminarit të 44-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, mes tyre studiues, përfaqësues të bashkësive historike shqiptare dhe bashkëpunëtorë shumëvjeçarë të Seminarit nga Kroacia, Italia, Bullgaria, Austria dhe Siria. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se shumë prej tyre kanë vite që vijnë në Prishtinë për Seminarin dhe që, nga vendet ku jetojnë e punojnë, i kushtohen gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare. “Vlerësova veçanërisht punën e tyre për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës dhe të trashëgimisë shqiptare, si dhe bashkëpunimin me qendrat e albanologjisë dhe komunitetet shqiptare jashtë vendit. Biseduam për ruajtjen e të folmeve arbëreshe dhe arbëneshe, forcimin e studimeve shqiptare në universitetet evropiane, digjitalizimin e trashëgimisë gjuhësore dhe vendin e shqipes në teknologji dhe inteligjencën artificiale”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu i ka falënderuar për punën shumëvjeçare që bëjnë për gjuhën dhe kulturën shqiptare.
U.D. Presidentja Haxhiu priti në takim shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, z. Antero Lopes

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, z. Antero Lopes. “Vlerësova rolin e EULEX-it në mbështetjen e institucioneve të Republikës së Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, monitorimin e sistemit të drejtësisë si dhe angazhimin në çështje me rëndësi të veçantë, si trajtimi i rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin. “Z. Lopes i urova suksese në detyrën e tij të re, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi ynë do të vazhdojë të kontribuojë në forcimin e sundimit të ligjit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu pranoi letrat kredenciale të Ambasadores së Mbretërisë së Suedisë në Republikën e Kosovës, Åsa Pehrson

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në një ceremoni zyrtare, sot ka pranuar letrat kredenciale të Ambasadores së Mbretërisë së Suedisë në Republikën e Kosovës, Åsa Pehrson. “Duke vlerësuar lart mbështetjen e vazhdueshme që Suedia i ka dhënë Kosovës ndër vite, ritheksova gatishmërinë e Republikës së Kosovës për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona, në fusha me interes të përbashkët”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ambasadores Pehrson, U.D. Presidentja Haxhiu i ka uruar suksese në misionin e saj të ri diplomatik, duke shprehur bindjen se gjatë mandatit të saj do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Suedisë. “I dëshiroj qëndrim sa më të këndshëm në Republikën e Kosovës”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu: Historia e Rrustë Kabashit është e lidhur ngushtë me Prizrenin

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në Akademinë Përkujtimore për Rrustë Kabashin. Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu, ka thënë se historia e Rrustë Kabashit është e lidhur ngushtë me Prizrenin dhe me kohën kur shqiptarët, pas Lidhjes së Prizrenit, vazhdonin të kërkonin rrugë për t’u organizuar e për t’iu kundërvënë sundimit osman. U.D. Presidentja Haxhiu më tej tha se përpjekjes për liri ai ia kushtoi më shumë se tridhjetë vjet të jetës së tij, derisa më 18 gusht 1910 u dënua me varje pikërisht këtu, në Prizren. “Rrustë Kabashi ishte rritur politikisht në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe i përkiste atij brezi që, edhe pas shtypjes së saj, nuk hoqi dorë nga organizimi dhe kundërshtimi. Që në fillim të vitit 1880 ai kishte nisur aktivitetin e tij atdhetar. Në Zojz, në vitin 1882, ai ishte ndër organizatorët e kuvendit ku u kundërshtua hapur administrata osmane. Dy vjet më vonë, Rrustë Kabashi i priu qëndresës në Podrimë dhe në rrethinë të Prizrenit. Kur as ndjekjet dhe burgosjet nuk e ndalën, autoritetet osmane e shtrinë ndëshkimin edhe mbi familjen dhe pasurinë e tij. Kullat e krerëve të Kabashit u dogjën, pasuria iu konfiskua, ndërsa familjarët u dërguan me forcë në Prizren, si mjet presioni për t’i detyruar krerët të dorëzoheshin”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu tutje tha se Rrustë Kabashi nuk u tërhoq, përkundrazi, vitet e përndjekjes dhe qëndresës ia forcuan autoritetin ndër njerëzit e krahinës, aq sa pushteti osman herë e ndiqte e herë detyrohej të hynte në bisedime me të. “Ai vazhdoi të merrte pjesë në kuvende dhe të ishte ndër krerët që organizonin kundërshtimin, duke ruajtur për vite me radhë ndikimin që kishte fituar mes njerëzve të vet. Kur më 1908 në pushtet erdhën xhonturqit, shpresat për ndryshim u shuan shpejt. Politikat e çarmatimit, ndjekjet dhe ndërhyrjet ushtarake në Kosovë sollën përplasje të reja, dhe Rrustë Kabashi u rreshtua përsëri mes atyre që i kundërshtuan. Në valën e represionit që pasoi kryengritjen e vitit 1910, ai u nxor para gjykatës ushtarake në Prizren, u dënua me vdekje”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, vdekja e tij nuk e mbylli kujtimin për të, duke shtuar më tej se emri i Rrustë Kabashit mbeti në këngë, në Prizren e në Kabash, dhe u përcoll ndër breza si emri i një njeriu që për pjesën më të madhe të jetës së tij nuk u tërhoq nga kundërshtimi ndaj pushtetit osman. “Njëqind e gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, ne e kujtojmë Rrustë Kabashin nga një Kosovë e lirë dhe e pavarur. Ai nuk e pati mundësinë të jetonte në kohën kur shqiptarët do të vendosnin vetë për vendin e tyre, por përpjekja së cilës ai i kushtoi jetën i përket së njëjtës histori të gjatë që, pas shumë brezash e shumë sakrificash, na solli deri te shteti ynë. Prandaj është me domethënie që sot, pikërisht në Prizrenin ku u dënua dhe u var, Rrustë Kabashi përkujtohet e nderohet nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe nga qytetarët e saj”, tha U.D. Presidentja Haxhiu. Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu tha se koha e ka kthyer vendin e dënimit të tij në vend të nderimit të tij.
U.D. Presidentja Haxhiu: Përgjegjësia për zgjidhjen është e përbashkët prandaj duhet përgjegjësi, dialog dhe një marrëveshje që i shërben interesit të përbashkët

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu ka takuar sot drejtuesit e subjekteve politike që iu përgjigjën ftesës së saj për konsultime. U.D. Presidentja Haxhiu i ka falënderuar për pjesëmarrjen dhe për gatishmërinë për të kërkuar së bashku një zgjidhje për situatën politike. “Qëndrimet janë të njohura dhe dallimet politike ekzistojnë. Por pikërisht kur dallimet janë të mëdha, dialogu bëhet domosdoshmëri”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej tha se për Presidentin na duhet një marrëveshje më e gjerë se ajo që kërkohet për formimin e institucioneve të tjera. “Këtë e dimë të gjithë dhe nuk kemi as arsye, as kohë, ta shtyjmë për ditën e fundit atë për të cilën, në fund, gjithsesi duhet të ulemi dhe të merremi vesh. Në takim u ritheksua qartë se vendit nuk i duhen zgjedhje të reja dhe se të gjitha palët kanë përgjegjësi të kontribuojnë në një marrëveshje për një President konsensual. Kjo përgjegjësi nuk mund të delegohet dhe as të shmanget”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, refuzimi apo bojkoti i takimeve nuk është rrugë drejt marrëveshjes. “Mospajtimi është legjitim, por shmangia e dialogut nuk zgjidh asgjë. Nëse dikush beson se ka një rrugë tjetër, atëherë duhet ta shpjegojë qartë se ku të çon ajo rrugë dhe çfarë zgjidhjeje ofron për vendin”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo tutje ka thënë se nuk mund të presim të pajtohemi para se të ulemi të flasim. Po të ishte kështu, sipas saj, dialogu nuk do të kishte asnjë kuptim. “Përgjegjësia për zgjidhjen është e përbashkët prandaj duhet përgjegjësi, dialog dhe një marrëveshje që i shërben interesit të përbashkët”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.