Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në një ceremoni zyrtare, sot ka pranuar letrat kredenciale të Ambasadores së Mbretërisë së Suedisë në Republikën e Kosovës, Åsa Pehrson.
“Duke vlerësuar lart mbështetjen e vazhdueshme që Suedia i ka dhënë Kosovës ndër vite, ritheksova gatishmërinë e Republikës së Kosovës për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona, në fusha me interes të përbashkët”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Ambasadores Pehrson, U.D. Presidentja Haxhiu i ka uruar suksese në misionin e saj të ri diplomatik, duke shprehur bindjen se gjatë mandatit të saj do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Suedisë.
“I dëshiroj qëndrim sa më të këndshëm në Republikën e Kosovës”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.





