U.D. Presidentja Haxhiu: Historia e Rrustë Kabashit është e lidhur ngushtë me Prizrenin

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në Akademinë Përkujtimore për Rrustë Kabashin. Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu, ka thënë se historia e Rrustë Kabashit është e lidhur ngushtë me Prizrenin dhe me kohën kur shqiptarët, pas Lidhjes së Prizrenit, vazhdonin të kërkonin rrugë për t’u organizuar e për t’iu kundërvënë sundimit osman. U.D. Presidentja Haxhiu më tej tha se përpjekjes për liri ai ia kushtoi më shumë se tridhjetë vjet të jetës së tij, derisa më 18 gusht 1910 u dënua me varje pikërisht këtu, në Prizren. “Rrustë Kabashi ishte rritur politikisht në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe i përkiste atij brezi që, edhe pas shtypjes së saj, nuk hoqi dorë nga organizimi dhe kundërshtimi. Që në fillim të vitit 1880 ai kishte nisur aktivitetin e tij atdhetar. Në Zojz, në vitin 1882, ai ishte ndër organizatorët e kuvendit ku u kundërshtua hapur administrata osmane. Dy vjet më vonë, Rrustë Kabashi i priu qëndresës në Podrimë dhe në rrethinë të Prizrenit. Kur as ndjekjet dhe burgosjet nuk e ndalën, autoritetet osmane e shtrinë ndëshkimin edhe mbi familjen dhe pasurinë e tij. Kullat e krerëve të Kabashit u dogjën, pasuria iu konfiskua, ndërsa familjarët u dërguan me forcë në Prizren, si mjet presioni për t’i detyruar krerët të dorëzoheshin”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu tutje tha se Rrustë Kabashi nuk u tërhoq, përkundrazi, vitet e përndjekjes dhe qëndresës ia forcuan autoritetin ndër njerëzit e krahinës, aq sa pushteti osman herë e ndiqte e herë detyrohej të hynte në bisedime me të. “Ai vazhdoi të merrte pjesë në kuvende dhe të ishte ndër krerët që organizonin kundërshtimin, duke ruajtur për vite me radhë ndikimin që kishte fituar mes njerëzve të vet. Kur më 1908 në pushtet erdhën xhonturqit, shpresat për ndryshim u shuan shpejt. Politikat e çarmatimit, ndjekjet dhe ndërhyrjet ushtarake në Kosovë sollën përplasje të reja, dhe Rrustë Kabashi u rreshtua përsëri mes atyre që i kundërshtuan. Në valën e represionit që pasoi kryengritjen e vitit 1910, ai u nxor para gjykatës ushtarake në Prizren, u dënua me vdekje”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, vdekja e tij nuk e mbylli kujtimin për të, duke shtuar më tej se emri i Rrustë Kabashit mbeti në këngë, në Prizren e në Kabash, dhe u përcoll ndër breza si emri i një njeriu që për pjesën më të madhe të jetës së tij nuk u tërhoq nga kundërshtimi ndaj pushtetit osman. “Njëqind e gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, ne e kujtojmë Rrustë Kabashin nga një Kosovë e lirë dhe e pavarur. Ai nuk e pati mundësinë të jetonte në kohën kur shqiptarët do të vendosnin vetë për vendin e tyre, por përpjekja së cilës ai i kushtoi jetën i përket së njëjtës histori të gjatë që, pas shumë brezash e shumë sakrificash, na solli deri te shteti ynë. Prandaj është me domethënie që sot, pikërisht në Prizrenin ku u dënua dhe u var, Rrustë Kabashi përkujtohet e nderohet nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe nga qytetarët e saj”, tha U.D. Presidentja Haxhiu. Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu tha se koha e ka kthyer vendin e dënimit të tij në vend të nderimit të tij.
U.D. Presidentja Haxhiu: Përgjegjësia për zgjidhjen është e përbashkët prandaj duhet përgjegjësi, dialog dhe një marrëveshje që i shërben interesit të përbashkët

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu ka takuar sot drejtuesit e subjekteve politike që iu përgjigjën ftesës së saj për konsultime. U.D. Presidentja Haxhiu i ka falënderuar për pjesëmarrjen dhe për gatishmërinë për të kërkuar së bashku një zgjidhje për situatën politike. “Qëndrimet janë të njohura dhe dallimet politike ekzistojnë. Por pikërisht kur dallimet janë të mëdha, dialogu bëhet domosdoshmëri”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej tha se për Presidentin na duhet një marrëveshje më e gjerë se ajo që kërkohet për formimin e institucioneve të tjera. “Këtë e dimë të gjithë dhe nuk kemi as arsye, as kohë, ta shtyjmë për ditën e fundit atë për të cilën, në fund, gjithsesi duhet të ulemi dhe të merremi vesh. Në takim u ritheksua qartë se vendit nuk i duhen zgjedhje të reja dhe se të gjitha palët kanë përgjegjësi të kontribuojnë në një marrëveshje për një President konsensual. Kjo përgjegjësi nuk mund të delegohet dhe as të shmanget”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, refuzimi apo bojkoti i takimeve nuk është rrugë drejt marrëveshjes. “Mospajtimi është legjitim, por shmangia e dialogut nuk zgjidh asgjë. Nëse dikush beson se ka një rrugë tjetër, atëherë duhet ta shpjegojë qartë se ku të çon ajo rrugë dhe çfarë zgjidhjeje ofron për vendin”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo tutje ka thënë se nuk mund të presim të pajtohemi para se të ulemi të flasim. Po të ishte kështu, sipas saj, dialogu nuk do të kishte asnjë kuptim. “Përgjegjësia për zgjidhjen është e përbashkët prandaj duhet përgjegjësi, dialog dhe një marrëveshje që i shërben interesit të përbashkët”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Fjalimi i U.D. Presidentes Haxhiu në ceremoninë e hapjes së Seminarit të 44-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

Të nderuar drejtues të Seminarit, të nderuar profesorë, studiues e albanologë, të dashur seminaristë, zonja dhe zotërinj, Është kënaqësi e veçantë të jem sot me ju në hapjen e Seminarit të 44-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Në periudhat kur shqiptarëve u mungonin institucionet e tyre, shqipja mbeti një nga format kryesore të vazhdimësisë sonë kulturore e politike. Me të kanë qenë të lidhura edhe e drejta për arsim, për dije, për shprehje dhe për pjesëmarrje në jetën publike. Prandaj historia e shqipes në Kosovë nuk mund të ndahet nga historia politike, e cila, në periudha të ndryshme, ka përcaktuar edhe vendin e saj në jetën publike. Shumë prej nesh e kemi jetuar kohën kur shqipja u përjashtua nga shkollat dhe universiteti, nga televizioni e nga shtypi, dhe kur përdorimi i saj në jetën publike kufizohej nga vetë pushteti. Sot pabarazitë mes gjuhëve nuk shfaqen më domosdoshmërisht në këtë formë. Gjuhët që kanë korpuse të mëdha, që kanë traditë të gjatë digjitalizimi dhe mbështetje të fuqishme teknologjike gëzojnë një epërsi që nuk lidhet vetëm me numrin e folësve, por edhe me sasinë e materialit që ekziston në formë digjitale. Ndaj edhe kur gjuhët janë të barabarta para ligjit, ato nuk janë domosdoshmërisht të barabarta në hapësirat ku prodhohet dhe qarkullon dija. Përvoja jonë na bën veçanërisht të ndjeshëm ndaj kësaj. Nuk do të ishte përparim nëse hierarkitë e dikurshme gjuhësore do të zhdukeshin nga ligji, vetëm për t’u rikthyer në teknologji. Prej më shumë se pesëdhjetë vjetësh, rreth këtij Seminari janë mbledhur njerëz që kanë punuar për shqipen në universitete e qendra albanologjike brenda dhe jashtë vendit. Këtu janë formuar studentë, janë mbledhur të folme e materiale nga terreni, janë hapur arkiva, janë shkruar studime dhe janë përkthyer vepra që e kanë çuar letërsinë shqipe te lexues të tjerë. Shumë prej këtyre punëve kanë kërkuar vite të tëra dhe kanë vazhduar larg sallave të Seminarit, në universitete, institute, biblioteka e arkiva. Prej tyre shqipja ka fituar studiues, lexues dhe prani akademike edhe jashtë vendeve ku flitet. Me zhvendosjen e një pjese gjithnjë e më të madhe të dijes në mjedisin digjital, kjo punë lidhet edhe me praninë që shqipja do të ketë aty. Akademiku ynë, Idriz Ajeti, e shihte gjuhën edhe si një lidhje që i kapërcen ndarjet gjeografike. “Pavarësisht shtrirjes sonë gjeografike, do të bëjmë bashkë përtej kufijve jo vetëm idenë, por mbi të gjitha njerëzit që flasin një gjuhë”, thoshte ai. Profesor Ajeti kishte parasysh kufijtë politikë që kishin ndarë folësit e së njëjtës gjuhë. Ndërkaq, komunikimi digjital e ka bërë më të ndërlikuar vetë marrëdhënien në mes gjuhës dhe hapësirës. Repertori gjuhësor i individit nuk përkon më domosdoshmërisht me gjeografinë e vendit ku jeton. Këtë marrëdhënie mes gjuhës dhe hapësirës e njihte mirë edhe Robert Elsie, albanologu dhe përkthyesi, i cili rrugën e tij drejt albanologjisë e lidhi herët me këtë Seminar. Përktheu poetë e prozatorë shqiptarë, nga letërsia e vjetër te autorët bashkëkohorë, mblodhi e regjistroi të folme në më shumë se 150 pika, kërkoi nëpër arkiva tekste e dokumente të harruara dhe gjurmoi fotografi të hershme të viseve shqiptare. Një pjesë të madhe të materialit që mblodhi e bëri të qasshëm në internet, duke e nxjerrë nga arkivi dhe duke e vënë në duart e studiuesve e lexuesve kudo që ndodheshin. Ndër temat që keni zgjedhur sivjet, ajo për atdheun fizik, metafizik dhe surreal më duket veçanërisht e qëlluar, sepse prek marrëdhënien mes vendit dhe përkatësisë. Atdheu ka një gjeografi, por përkatësia nuk shteron në të. Territori mbetet një nga mënyrat themelore si e kuptojmë atdheun, por jo e vetmja mënyrë si e përjetojmë atë. Letërsia e ka dëshmuar këtë sidomos përmes përvojës së mërgimit, ku vendi i lënë pas vazhdon të jetojë në kujtesë dhe në gjuhë. Sot, kjo ndarje mund të ndodhë edhe pa mërgim. Kontakti më i dendur me gjuhë të tjera zgjeron fondin konceptual të shqipes dhe krijon regjistra e forma të reja shprehjeje. Por, në fushat ku dija, teknologjia apo prodhimi kulturor zhvillohen kryesisht në një gjuhë tjetër, përdorimi i shqipes mund të fillojë të ngushtohet. Shqipja nuk mund të mbetet gjuhë e së kaluarës në një botë që po ndërton të ardhmen me algoritme. Në këto hapësira të reja, edhe letërsia shqipe takohet me një lexues tjetër. Shkrimtari nuk mund të llogarisë më se lexuesi ndan me të të njëjtin kanon, të njëjtën kujtesë kulturore apo të njëjtin horizont referencash. Mes jush ka edhe seminaristë që shqipen e kanë mësuar si gjuhë të dytë apo të tretë dhe që letërsisë shqipe i afrohen nga tradita të tjera letrare. Ju e lexoni tekstin shqip me një përvojë tjetër gjuhësore e kulturore dhe, në shumë raste, e çoni më pas në universitetet, studimet, përkthimet dhe gjuhët tuaja. Edhe kjo e ndryshon rrethin e lexuesve të letërsisë shqipe dhe mënyrën si ajo lexohet jashtë gjuhës në të cilën është shkruar. Të nderuar pjesëmarrës, Prej punës suaj duhet të mësojmë edhe ne që marrim vendime publike. Ju, që e studioni shqipen, e dokumentoni, e pasuroni përmes krijimit e përkthimit dhe ndiqni ndryshimet e saj me mjetet e shkencës, keni autoritetin për të na treguar ku po fiton terren, ku po humb funksione dhe çfarë nuk guxon të lihet pas dore. Nga ana jonë, do të jemi në dispozicion sa herë që kjo punë kërkon mbështetje institucionale, qoftë për kërkim, digjitalizim, botim, përkthim apo për zhvillimin e mjeteve të reja për shqipen. Ju uroj punë të mbarë në Seminarin e 44-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Mirë se keni ardhur në Prishtinë! Ju falemnderit!
U.D. Presidentja Haxhiu: Shqipja nuk mund të mbetet gjuhë e së kaluarës në një botë që po ndërton të ardhmen me algoritme

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e hapjes së Seminarit të 44-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu tha se në periudhat kur shqiptarëve u mungonin institucionet e tyre, shqipja mbeti një nga format kryesore të vazhdimësisë sonë kulturore e politike, duke shtuar tutje se me të kanë qenë të lidhura edhe e drejta për arsim, për dije, për shprehje dhe për pjesëmarrje në jetën publike. Prandaj, sipas saj, historia e shqipes në Kosovë nuk mund të ndahet nga historia politike, e cila, në periudha të ndryshme, ka përcaktuar edhe vendin e saj në jetën publike. “Shumë prej nesh e kemi jetuar kohën kur shqipja u përjashtua nga shkollat dhe universiteti, nga televizioni e nga shtypi, dhe kur përdorimi i saj në jetën publike kufizohej nga vetë pushteti. Sot pabarazitë mes gjuhëve nuk shfaqen më domosdoshmërisht në këtë formë. Gjuhët që kanë korpuse të mëdha, që kanë traditë të gjatë digjitalizimi dhe mbështetje të fuqishme teknologjike gëzojnë një epërsi që nuk lidhet vetëm me numrin e folësve, por edhe me sasinë e materialit që ekziston në formë digjitale. Ndaj edhe kur gjuhët janë të barabarta para ligjit, ato nuk janë domosdoshmërisht të barabarta në hapësirat ku prodhohet dhe qarkullon dija”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu më tej tha se përvoja jonë na bën veçanërisht të ndjeshëm ndaj kësaj, duke shtuar tutje se nuk do të ishte përparim nëse hierarkitë e dikurshme gjuhësore do të zhdukeshin nga ligji, vetëm për t’u rikthyer në teknologji. “Prej më shumë se pesëdhjetë vjetësh, rreth këtij Seminari janë mbledhur njerëz që kanë punuar për shqipen në universitete e qendra albanologjike brenda dhe jashtë vendit. Këtu janë formuar studentë, janë mbledhur të folme e materiale nga terreni, janë hapur arkiva, janë shkruar studime dhe janë përkthyer vepra që e kanë çuar letërsinë shqipe te lexues të tjerë. Shumë prej këtyre punëve kanë kërkuar vite të tëra dhe kanë vazhduar larg sallave të Seminarit, në universitete, institute, biblioteka e arkiva. Prej tyre shqipja ka fituar studiues, lexues dhe prani akademike edhe jashtë vendeve ku flitet. Me zhvendosjen e një pjese gjithnjë e më të madhe të dijes në mjedisin digjital, kjo punë lidhet edhe me praninë që shqipja do të ketë aty. Akademiku ynë, Idriz Ajeti, e shihte gjuhën edhe si një lidhje që i kapërcen ndarjet gjeografike. “Pavarësisht shtrirjes sonë gjeografike, do të bëjmë bashkë përtej kufijve jo vetëm idenë, por mbi të gjitha njerëzit që flasin një gjuhë”, thoshte ai”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo tha se Profesor Ajeti kishte parasysh kufijtë politikë që kishin ndarë folësit e së njëjtës gjuhë, ndërkaq sipas U.D. Presidentes, komunikimi digjital e ka bërë më të ndërlikuar vetë marrëdhënien në mes gjuhës dhe hapësirës. Sipas saj, repertori gjuhësor i individit nuk përkon më domosdoshmërisht me gjeografinë e vendit ku jeton. “Këtë marrëdhënie mes gjuhës dhe hapësirës e njihte mirë edhe Robert Elsie, albanologu dhe përkthyesi, i cili rrugën e tij drejt albanologjisë e lidhi herët me këtë Seminar. Përktheu poetë e prozatorë shqiptarë, nga letërsia e vjetër te autorët bashkëkohorë, mblodhi e regjistroi të folme në më shumë se 150 pika, kërkoi nëpër arkiva tekste e dokumente të harruara dhe gjurmoi fotografi të hershme të viseve shqiptare. Një pjesë të madhe të materialit që mblodhi e bëri të qasshëm në internet, duke e nxjerrë nga arkivi dhe duke e vënë në duart e studiuesve e lexuesve kudo që ndodheshin”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu, më tej shtoi se ndër temat që keni zgjedhur sivjet, ajo për atdheun fizik, metafizik dhe surreal më duket veçanërisht e qëlluar, sepse prek marrëdhënien mes vendit dhe përkatësisë. “Atdheu ka një gjeografi, por përkatësia nuk shteron në të. Territori mbetet një nga mënyrat themelore si e kuptojmë atdheun, por jo e vetmja mënyrë si e përjetojmë atë. Letërsia e ka dëshmuar këtë sidomos përmes përvojës së mërgimit, ku vendi i lënë pas vazhdon të jetojë në kujtesë dhe në gjuhë. Sot, kjo ndarje mund të ndodhë edhe pa mërgim. Kontakti më i dendur me gjuhë të tjera zgjeron fondin konceptual të shqipes dhe krijon regjistra e forma të reja shprehjeje. Por, në fushat ku dija, teknologjia apo prodhimi kulturor zhvillohen kryesisht në një gjuhë tjetër, përdorimi i shqipes mund të fillojë të ngushtohet. Shqipja nuk mund të mbetet gjuhë e së kaluarës në një botë që po ndërton të ardhmen me algoritme”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. Në këto hapësira të reja, sipas U.D. Presidentes Haxhiu, edhe letërsia shqipe takohet me një lexues tjetër. “Shkrimtari nuk mund të llogarisë më se lexuesi ndan me të të njëjtin kanon, të njëjtën kujtesë kulturore apo të njëjtin horizont referencash. Mes jush ka edhe seminaristë që shqipen e kanë mësuar si gjuhë të dytë apo të tretë dhe që letërsisë shqipe i afrohen nga tradita të tjera letrare. Ju e lexoni tekstin shqip me një përvojë tjetër gjuhësore e kulturore dhe, në shumë raste, e çoni më pas në universitetet, studimet, përkthimet dhe gjuhët tuaja. Edhe kjo e ndryshon rrethin e lexuesve të letërsisë shqipe dhe mënyrën si ajo lexohet jashtë gjuhës në të cilën është shkruar”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu. Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu tha se prej punës suaj duhet të mësojmë edhe ne që marrim vendime publike. “Ju, që e studioni shqipen, e dokumentoni, e pasuroni përmes krijimit e përkthimit dhe ndiqni ndryshimet e saj me mjetet e shkencës, keni autoritetin për të na treguar ku po fiton terren, ku po humb funksione dhe çfarë nuk guxon të lihet pas dore. Nga ana jonë, do të jemi në dispozicion sa herë që kjo punë kërkon mbështetje institucionale, qoftë për kërkim, digjitalizim, botim, përkthim apo për zhvillimin e mjeteve të reja për shqipen”, ka thënë në fjalën e saj U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu: Pa dialogim politik, veçanërisht për çështjen e Presidentit, nuk ka zgjidhje për ecje përpara

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se zgjedhjet e shkurtit 2025 kanë qenë zgjedhjet e fundit të rregullta pas një mandati të plotë qeverisës. “Pas këtyre ishin ato të 28 dhjetorit të po atij viti, e më pas edhe ato të 7 qershorit të këtij viti. Të dy këto palë zgjedhje ishin të panevojshme dhe të dëmshme, si për qytetarët ashtu edhe për buxhetin e Republikës. Mbi të gjitha të gjitha këto zgjedhje provuan rezultat të ngjashëm zgjedhor”, ka theksuar U.D. Presidentja. Ajo më tej ka thënë se tre procese të njëpasnjëshme zgjedhore me rezultat të përafërt janë dëshmi e bollshme që pa dialogim politik, veçanërisht për çështjen e Presidentit, nuk ka zgjidhje për ecje përpara. “Nëse në dimër e pranverë të këtij viti kërkesa e ankesa ishte që të flitej paraprakisht para çdo konstituimi të institucioneve, pavarësisht rezultatit, tash është momenti, mundësia dhe domosdoshmëria për ta zbatuar këtë gjë. Të nisim jo nga ajo çfarë mundemi me lehtësi ta bëjmë, por nga ajo çfarë realisht është nyja që po na çon vazhdimisht në zgjedhje: çështja e Presidentit”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Në këto rrethana, ka thënë ajo, ndonëse është hapi i tretë në aspektin formal, çështja e Presidentit, në rastin tonë, është hapi i parë nga duhet të nisemi. Sipas saj, është evidente që pa marrëveshje për të i çelet rrugë një procesi të ri zgjedhor, që praktikisht nuk do të sjellë asgjë të re, aq më pak zgjidhje. “Nisur nga këto fakte dhe nga përvoja e këtyre dy viteve, me vullnetin për të gjetur një konsensus politik, kam ftuar krerët e të gjitha subjekteve politike parlamentare. Më lejoni të shpreh keqardhjen time të plotë që pavarësisht ftesës sime të sinqertë, subjektet politike si PDK dhe AAK refuzuan të njëjtën. Këtë refuzim e konsideroj veprim të gabuar, të pamatur dhe mbi të gjitha mungesë të vullnetit për të tejkaluar pozicionimet barrikaduese. Të tilla pozicione nuk e ndihmojnë askënd, aq më pak Republikën tonë”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu ka theksuar se qytetarët e vendit vazhdimisht janë duke folur qartë përmes zgjedhjeve, ndërkaq është detyrë e jona si përfaqësues të tyre e si udhëheqës partish e institucionesh politike ta zbatojmë atë në praktikë. “Kosova ka nevojë për shumë punë. Zgjedhjet do të duhej të ishin opsioni i fundit nëse jo fare opsion. Mbetem me shpresën që deri të martën të kemi reflektim e takimi të jetë sa më i dobishëm drejt gjetjes së një zgjidhje”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu ka kujtuar Hasan Prishtinën në 93-vjetorin e vrasjes

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në 93-vjetorin e vrasjes së tij, ka kujtuar Hasan Prishtinën, një ndër figurat që i dhanë drejtim politik lëvizjes kombëtare shqiptare në fillim të shekullit XX. “Unë jam gati të jap në çdo kohë jetën time për këtë atdhe”, tha Hasan Prishtina në Parlamentin Osman, në dhjetor të vitit 1910, teksa fliste kundër dhunës mbi shqiptarët, mbylljes së shkollave shqipe dhe represionit në Kosovë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo tutje tha se dy vjet më vonë, i priu Kryengritjes së vitit 1912, duke i kthyer kërkesat e shqiptarëve në program politik dhe në veprim. “Pas vitit 1912, pjesën më të madhe të veprimtarisë së tij ia kushtoi Kosovës dhe shqiptarëve që mbetën jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Ishte ndër drejtuesit e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe, edhe kur mori përgjegjësi të larta në Shqipëri, Kosova mbeti në qendër të angazhimit të tij politik. Hasan Prishtina u vra në Selanik, më 13 gusht 1933, nga Ibrahim Çelo. Pas vetes la më shumë se dy dekada përpjekje politike për Kosovën dhe për të drejtat e shqiptarëve”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu: Green Fest prej vitesh i jep qytetit muzikë, art, ide dhe arsye të reja për t’u mbledhur bashkë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sonte në hapjen e festivalit “Green Fest”, në Mitrovicë. Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë: “Më vjen mirë që sonte jam me ju këtu në Green Fest, pikërisht këtu në Mitrovicë, që për shumëkë njihet si qyteti i minatorëve.” “Por, para se të bëhej qytet i minatorëve, Mitrovica ishte qytet i pikëtakimeve. Këtu ku bashkohet Ibri me Sitnicën u kryqëzuan rrugët e tregtisë dhe më vonë hekurudha që e lidhi qytetin e Mitrovicës me shumë vende të tjera”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka thënë se me themelimin e Trepçës erdhën minatorë, inxhinierë e familje nga anë të ndryshme të Kosovës, por edhe më gjerë, dhe me vete sollën gjuhën, zakonet, muzikën, por po ashtu edhe përvojat e tyre. “Prej kësaj lëvizjeje lindi një qytet me një jetë të pasur urbane, me kinema, me teatër, me muzikën xhaz e rok, me artistë e shkrimtarë që lanë gjurmë të pashlyeshme në kulturën tonë. Besoj që edhe Green Fest i përket kësaj tradite të Mitrovicës. Prej 16 vjetësh ai sjell bashkë muzikën, artin, të rinjtë, idetë dhe bisedat për vetë qytetin e Mitrovicës. Gjatë gjithë këtyre viteve Green Fest është kthyer vazhdimisht tek ajo që Mitrovica e ka më pranë, te lumenjtë që kalojnë nëpër qytet, te tokat, te pasojat që ka lënë industria dhe sivjet te biodiversiteti”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo tutje tha se janë gjëra që i kemi çdo ditë para syve dhe mbase nuk i shohim sa duhet. Sipas saj, pikërisht kur flasim për biodiversitetin, flasim për gjithë atë që na rrethon, për bimët, për shpendët, peshqit, insektet, për ujin, për tokën, që ua mundësojnë jetën, por edhe për lidhjet mes tyre. “Shpesh natyra humbet pak nga pak, pa na rënë në sy. Një lumë mund të rrjedhë si më parë, ndërkaq brenda tij të ketë gjithnjë e më pak jetë. Andaj, biodiversiteti është edhe çështje politike. Gjendja e ujit, e tokës dhe e ajrit nuk mund të varet vetëm nga kujdesi i secilit prej nesh, por për to duhen të dhëna të sakta, kontroll, masa të rrepta e konkrete dhe përgjegjësi po ashtu edhe nga institucionet”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka thënë se në natyrë asnjë lloj nuk mbijeton krejt i vetëm, duke shtuar tutje se, në fund të ditës, biodiversiteti është edhe një histori bashkëjetese. “E në Mitrovicë, kjo fjalë lidhet me vetë historinë e këtij qyteti. Për shumë vite dallimet janë kthyer në kufi dhe njerëzit janë mësuar ta shohin qytetin sipas anëve. Por, Mitrovica ka qenë qytet ku janë takuar lumenjtë, puna, dija, por po ashtu edhe kultura. Kjo është Mitrovica që duhet ta kujtojmë më shpesh dhe ta nxjerrim përsëri në pah”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka thënë se institucionet e Kosovës po punojnë çdo ditë për këtë Mitrovicë. “Edhe kultura po kthehet në hapësirat që i takojnë. Teatri ‘Muharrem Qena’ është rinovuar, stadiumi ‘Adem Jashari’ po rindërtohet, ndërsa shtëpia e poetit të njohur mitrovicas Latif Berisha do të shndërrohet në muze. Por qytetin nuk e bëjnë vetëm rrugët, urat, shkollat apo teatrot, e bëjnë edhe njerëzit që i mbushin ato me jetë, artistët, muzikantët, organizatorët, të rinjtë e të rejat, të gjithë ata që prej vitesh krijojnë hapësira ku Mitrovica takohet me vetveten, por po ashtu edhe me të tjerët”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu. Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se Green Fest prej vitesh i jep qytetit muzikë, art, ide dhe arsye të reja për t’u mbledhur bashkë dhe ndoshta pikërisht kështu Mitrovica del dalëngadalë nga hija e ndarjes, duke krijuar gjithnjë e më shumë gjëra që na bashkojnë.
U.D. Presidentja Haxhiu në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë: Kosova ka nevojë për energjinë, kreativitetin, dijen, por po ashtu edhe për guximin tuaj

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, ka pritur një grup të rinjsh në Kuvendin e Republikës së Kosovës. U.D. Presidentja Haxhiu, duke iu drejtuar të pranishmëve, ka thënë se dua që këtë ditë, ta shihni jo vetëm si një vizitë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por edhe si një mundësi për ta sjellë zërin, energjinë, idetë dhe vizionin tuaj në një vend ku merren vendime, që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës. “Sot, jeni këtu nga fusha dhe profile të ndryshme, por ju bashkon një gjë shumë e rëndësishme: secili prej jush ka zgjedhur të bëjë diçka, të krijojë diçka apo të ndërtojë diçka. Dikush prej jush shkruan kode dhe ndërton aplikacione, dikush merret me muzikë, dikush me teatër, dikush me filmin, dikush stërvitet çdo ditë për të garuar dhe për të përfaqësuar Republikën tonë. Ndërsa, dikush tjetër ka nisur një biznes të vogël, me pak mjete por me shumë punë, me shumë guxim e me shumë besim në atë që bën. Ka edhe nga ju që studioni, hulumtoni, debatoni, për çështjet që lidhen jo vetëm me të ardhmen tuaj, por edhe me të ardhmen e Republikës së Kosovës”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. Ndërkaq, për ata të cilët kanë ardhur nga mërgata, U.D. Presidentja Haxhiu tha se kjo tregon se distanca nuk e zbeh lidhjen me Kosovën. “Përkundrazi, shumë prej jush e mbani Kosovën me vete kudo që jeni përmes punës suaj, suksesit tuaj, gjuhës, kulturës, por edhe kontributit që jepni. Secili prej jush ka një histori të veçantë dhe një rrugë të ndryshme, por të gjithë keni diçka të përbashkët: keni gjithçka që mund t’i jepni vendit. Dhe, pikërisht për këtë, prania juaj sot në një institucion të rëndësishëm sikur Kuvendi i Republikës së Kosovës është shumë e rëndësishme. Sot do të prezantoni punën tuaj, talentin dhe sukseset tuaja para nesh, dhe për ne është kënaqësi e madhe t’ju shohim e t’ju dëgjojmë me vëmendje”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, përtej prezantimeve të sotme është e rëndësishme që zëri i të rinjve të dëgjohet edhe atëherë kur kjo ditë do të përfundojë. “E dimë se, jo gjithmonë i gjeni hapësirat dhe mundësitë që ju nevojiten, se shumë ide të mira presin gjatë për një mundësi, dhe se shpesh rruga drejt suksesit është më e vështirë nga sa duhet të jetë. Megjithatë, ju inkurajoj që të vazhdoni, të vazhdoni të mësoni, të punoni, të krijoni, të garoni dhe të ndërtoni, sepse jam shumë e bindur në potencialin tuaj dhe në besimin që keni në vete. Dhe, kjo është pikërisht ajo që duhet ta shohim si shoqëri dhe si institucione, jo vetëm potencialin e të rinjve por edhe përgjegjësinë tonë për t’ua krijuar mundësinë, që ky potencial të shndërrohet në sukses”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej tha se Republika e Kosovës u ndërtua nga breza që dhanë shumë për lirinë dhe të drejtën që ne sot ndërtojmë jetën tonë në një vend të lirë e të pavarur. “Brezi juaj e ka një detyrë ta bëjë këtë liri mundësi reale për secilin të ri, që dëshiron të mësojë, të punojë, të krijojë dhe të ndërtojë të ardhmen e tij këtu. Përkushtimi ynë duhet të jetë për një Kosovë ku një i ri, një e re, mund të ketë shkollim të mirë, punë të ndershme dhe mundësi për të ecur përpara pa pasur nevojë të largohet nga vendi për të realizuar veten. Një Kosovë ku puna dhe talenti kanë peshë, ku merita vlerësohet dhe ku drejtësia vlen për të gjithë njësoj”, tha U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu, ka inkurajuar ata që të mos heqin dorë nga idetë e tyre edhe atëherë kur rruga që kanë para vetes ju duket e vështirë. “Mos keni frikë, kërkoni më shumë nga institucionet, nga shoqëria dhe nga vetja juaj. Kosova ka nevojë për energjinë tuaj, kreativitetin tuaj, për dijen, por po ashtu edhe për guximin tuaj. Ju falënderoj që jeni sot këtu në Kuvend, por mbi të gjitha ju falënderoj për atë që për çdo ditë i jepni Republikës sonë! Aty ku jetoni, ku mësoni, ku krijoni, ku garoni por edhe ku punoni”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu priti senatoren amerikane Joni Ernst: Në shenjë mirënjohjeje për angazhimin e saj ndër vite, e dekorova senatoren Ernst me Medaljen Presidenciale të Meritave

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim senatoren amerikane Joni Ernst. U.D. Presidentja Haxhiu, ka thënë se senatorja Ernst është një mike e dëshmuar e Kosovës dhe një zë i rëndësishëm në mbështetje të partneritetit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. U.D. Presidentja Haxhiu dhe senatorja Ernst kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, për çështjet e sigurisë dhe për rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara. “Në shenjë mirënjohjeje për angazhimin e saj ndër vite, e dekorova senatoren Ernst me Medaljen Presidenciale të Meritave, për kontributin e çmuar në fuqizimin e partneritetit Kosovë–SHBA dhe në mbështetjen e zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë se Kosova do të vazhdojë ta ndërtojë të ardhmen e saj krah Shteteve të Bashkuara, duke forcuar një partneritet që për vendin tonë ka rëndësi të veçantë strategjike dhe historike.
Fjalimi i U.D. Presidentes Haxhiu në Konferencën e IX-të të Ambasadorëve

I nderuar Kryeministër, z. Albin Kurti, I nderuar Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme, z Glauk Konjufca, Të nderuar ministra të kabinetit qeveritar, Zëvendëskryeministër Damka, Të nderuar ambasadorë dhe shefa të misioneve të Republikës së Kosovës, Të nderuar përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Të nderuar të pranishëm, Të nderuara media, Takimet e këtilla, pa dyshim që na japin mundësinë të dalim, qoftë edhe për pak, nga ritmi i përditshëm i diplomacisë dhe ta shohim politikën tonë të jashtme në një horizont më të gjerë. Kjo është veçanërisht e nevojshme sot, kur shumë nga parimet mbi të cilat bazohet rendi ndërkombëtar i dekadave të fundit po vihen në pikëpyetje. Raportet ndërmjet fuqive të mëdha po ndryshojnë, ndërkaq ekonomia, teknologjia dhe siguria janë bërë pjesë e së njëjtës garë për ndikim. Institucionet shumëpalëshe, të ndërtuara mbi bindjen se rregullat mund ta kufizojnë fuqinë, përballen gjithnjë e më shpesh me raste kur është fuqia ajo që përpiqet t’i përcaktojë rregullat. Në këtë realitet, rëndësi të veçantë ka mënyra se si shtetet e ndërtojnë dhe e ushtrojnë ndikimin e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare. Aleancat, partneriteti dhe institucionet nuk janë vetëm mjete përmes të cilave shtetet ndjekin interesat e tyre, por edhe burime të rëndësishme të ndikimit ndërkombëtar. Për shumë vite, diplomacia jonë është përqendruar me të drejtë te mbështetja që i nevojitej Kosovës: për njohje, anëtarësim në organizata ndërkombëtare, vota dhe përkrahje politike. Por marrëdhëniet ndërmjet shteteve zgjasin atëherë kur, përtej kërkesës së radhës, të dyja palët kanë arsye ta ruajnë dhe ta zhvillojnë atë marrëdhënie. Prandaj, puna është të gjeni edhe ato pika ku interesat tona përputhen, ku Kosova ka çfarë të ofrojë dhe ku bashkëpunimi është në interes të të dyja palëve. Në më pak se dy dekada shtetësi, Kosova ka arritur të ndërtojë një pozitë ndërkombëtare që dikur dukej shumë më e largët. Sot na njohin 121 shtete, ndërsa njohjet e reja gjatë vitit të kaluar dëshmuan se ky proces nuk është mbyllur dhe se qëndrimet të mbajtura për vite mund të ndryshojnë. Mosnjohjet nuk janë një kategori e vetme politike. Spanja nuk ka të njëjtën histori me Greqinë, Greqia nuk ka të njëjtat interesa me Sllovakinë dhe asnjëra prej tyre nuk e sheh Kosovën në të njëjtën mënyrë si një shtet në Amerikën Latine apo në Azi. Nëse duam ta ndryshojmë një qëndrim, duhet së pari të kuptojmë se çfarë i shqetëson, çfarë interesash kanë dhe cili argument mund të ketë kuptim për ta. Diplomacia nis kur, para se të flasim, përpiqemi të kuptojmë tjetrin dhe t’i kuptojmë arsyet e qëndrimeve të tyre. Në këtë drejtim kemi mbështetje të fortë juridike: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Këtë argument duhet ta përdorim, por natyrisht nuk do të mbetemi vetëm tek ai. Tetëmbëdhjetë vjet pas pavarësisë, kemi mundësi t’u flasim shteteve që ende nuk na njohin edhe për Kosovën që kemi ndërtuar dhe për atë që mund të bëjmë së bashku. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe vazhdon të presë që ky proces të ecë përpara. Në të njëjtën kohë, kemi zgjedhur pa ekuivok të qëndrojmë në linjë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian. Orientimi ynë euroatlantik është i qartë, por një rend i mbështetur në rregulla është i besueshëm vetëm nëse rregullat vlejnë njësoj edhe kur zbatimi i tyre është politikisht i vështirë. Nëse vendet e Ballkanit Perëndimor ftohen t’i plotësojnë kriteret e integrimit, atëherë përparimi duhet të varet nga kriteret dhe jo nga pengesat të cilat një vend nuk mund t’i zgjidhë përmes reformave të veta. Kjo duhet të jetë pjesë e argumentit tonë në secilin kryeqytet evropian. Asambleja Parlamentare e ka mbështetur anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Tani presim që procesi të përfundojë dhe qytetarët tanë të fitojnë qasje të plotë në mekanizmat evropianë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të tyre. NATO-ja, ndërkaq, është pjesë e historisë sonë të sigurisë dhe e së ardhmes që ne e synojmë si shtet. Për Kosovën, lidhja me Aleancën nis me vitin 1999 dhe vazhdon sot me praninë e KFOR-it dhe me bashkëpunimin që institucionet tona kanë ndërtuar me vendet aleate. Marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë vendimtare për Kosovën dhe historia jonë e përbashkët mbetet një lidhje e fortë. Megjithatë, duhet ta themi që brezi i politikanëve amerikanë që e ka jetuar drejtpërdrejt Kosovën e viteve nëntëdhjetë po tkurret. Breza të rinj hyjnë në Kongres, në administratë, në media dhe në institucionet ku formohet politika e jashtme amerikane. Shumë prej tyre nuk e kanë Kosovën pjesë të kujtesës politike personale. Në këtë punë mund të mbështetemi shumë më tepër edhe te diaspora. Shqiptarët në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë kanë luajtur prej kohësh rol të rëndësishëm për Kosovën, por tani kemi edhe një brez që ka krijuar emër dhe lidhje në universitete, institucione, biznese por edhe në profesione të ndryshme. Duhet të punojmë më afër me ta dhe ta shfrytëzojmë dijen, përvojën por edhe kontaktet që kanë krijuar në vendet ku ata jetojnë dhe veprojnë. Të nderuar ambasadorë, Raportet me Serbinë, siç e përmendi edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri Konjufca, mbeten një nga sfidat kryesore të politikës së jashtme të Republikës sonë. Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjskë, për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve, qytetarëve të tjerë, për dorëzimin e kryeterroristit Milan Radoiçiqit dhe të tjerëve të përfshirë në këtë sulm terrorist, por po ashtu edhe për zbardhjen e fatit të mbi 1,500 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Adresimi i këtyre çështjeve është pjesë e domosdoshme e çdo procesi që synon një normalizim të vërtetë dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo përgjegjësi bëhet edhe më e ndjeshme në dritën e zhvillimeve të ditëve të fundit. Në Zubin Potok, në lokacionet Kalludër e Vogël dhe Jabukë, janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin viktimave të luftës së viteve 1998–1999, derisa institucionet tona po punojnë edhe