Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, ka pritur një grup të rinjsh në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
U.D. Presidentja Haxhiu, duke iu drejtuar të pranishmëve, ka thënë se dua që këtë ditë, ta shihni jo vetëm si një vizitë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por edhe si një mundësi për ta sjellë zërin, energjinë, idetë dhe vizionin tuaj në një vend ku merren vendime, që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Sot, jeni këtu nga fusha dhe profile të ndryshme, por ju bashkon një gjë shumë e rëndësishme: secili prej jush ka zgjedhur të bëjë diçka, të krijojë diçka apo të ndërtojë diçka. Dikush prej jush shkruan kode dhe ndërton aplikacione, dikush merret me muzikë, dikush me teatër, dikush me filmin, dikush stërvitet çdo ditë për të garuar dhe për të përfaqësuar Republikën tonë. Ndërsa, dikush tjetër ka nisur një biznes të vogël, me pak mjete por me shumë punë, me shumë guxim e me shumë besim në atë që bën. Ka edhe nga ju që studioni, hulumtoni, debatoni, për çështjet që lidhen jo vetëm me të ardhmen tuaj, por edhe me të ardhmen e Republikës së Kosovës”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.
Ndërkaq, për ata të cilët kanë ardhur nga mërgata, U.D. Presidentja Haxhiu tha se kjo tregon se distanca nuk e zbeh lidhjen me Kosovën.
“Përkundrazi, shumë prej jush e mbani Kosovën me vete kudo që jeni përmes punës suaj, suksesit tuaj, gjuhës, kulturës, por edhe kontributit që jepni. Secili prej jush ka një histori të veçantë dhe një rrugë të ndryshme, por të gjithë keni diçka të përbashkët: keni gjithçka që mund t’i jepni vendit. Dhe, pikërisht për këtë, prania juaj sot në një institucion të rëndësishëm sikur Kuvendi i Republikës së Kosovës është shumë e rëndësishme. Sot do të prezantoni punën tuaj, talentin dhe sukseset tuaja para nesh, dhe për ne është kënaqësi e madhe t’ju shohim e t’ju dëgjojmë me vëmendje”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Sipas saj, përtej prezantimeve të sotme është e rëndësishme që zëri i të rinjve të dëgjohet edhe atëherë kur kjo ditë do të përfundojë.
“E dimë se, jo gjithmonë i gjeni hapësirat dhe mundësitë që ju nevojiten, se shumë ide të mira presin gjatë për një mundësi, dhe se shpesh rruga drejt suksesit është më e vështirë nga sa duhet të jetë. Megjithatë, ju inkurajoj që të vazhdoni, të vazhdoni të mësoni, të punoni, të krijoni, të garoni dhe të ndërtoni, sepse jam shumë e bindur në potencialin tuaj dhe në besimin që keni në vete. Dhe, kjo është pikërisht ajo që duhet ta shohim si shoqëri dhe si institucione, jo vetëm potencialin e të rinjve por edhe përgjegjësinë tonë për t’ua krijuar mundësinë, që ky potencial të shndërrohet në sukses”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo më tej tha se Republika e Kosovës u ndërtua nga breza që dhanë shumë për lirinë dhe të drejtën që ne sot ndërtojmë jetën tonë në një vend të lirë e të pavarur.
“Brezi juaj e ka një detyrë ta bëjë këtë liri mundësi reale për secilin të ri, që dëshiron të mësojë, të punojë, të krijojë dhe të ndërtojë të ardhmen e tij këtu. Përkushtimi ynë duhet të jetë për një Kosovë ku një i ri, një e re, mund të ketë shkollim të mirë, punë të ndershme dhe mundësi për të ecur përpara pa pasur nevojë të largohet nga vendi për të realizuar veten. Një Kosovë ku puna dhe talenti kanë peshë, ku merita vlerësohet dhe ku drejtësia vlen për të gjithë njësoj”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu, ka inkurajuar ata që të mos heqin dorë nga idetë e tyre edhe atëherë kur rruga që kanë para vetes ju duket e vështirë.
“Mos keni frikë, kërkoni më shumë nga institucionet, nga shoqëria dhe nga vetja juaj. Kosova ka nevojë për energjinë tuaj, kreativitetin tuaj, për dijen, por po ashtu edhe për guximin tuaj. Ju falënderoj që jeni sot këtu në Kuvend, por mbi të gjitha ju falënderoj për atë që për çdo ditë i jepni Republikës sonë! Aty ku jetoni, ku mësoni, ku krijoni, ku garoni por edhe ku punoni”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.


















