Fjalimi i U.D. Presidentes Haxhiu në Konferencën e IX-të të Ambasadorëve

I nderuar Kryeministër, z. Albin Kurti, I nderuar Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme, z Glauk Konjufca, Të nderuar ministra të kabinetit qeveritar, Zëvendëskryeministër Damka, Të nderuar ambasadorë dhe shefa të misioneve të Republikës së Kosovës, Të nderuar përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Të nderuar të pranishëm, Të nderuara media, Takimet e këtilla, pa dyshim që na japin mundësinë të dalim, qoftë edhe për pak, nga ritmi i përditshëm i diplomacisë dhe ta shohim politikën tonë të jashtme në një horizont më të gjerë. Kjo është veçanërisht e nevojshme sot, kur shumë nga parimet mbi të cilat bazohet rendi ndërkombëtar i dekadave të fundit po vihen në pikëpyetje. Raportet ndërmjet fuqive të mëdha po ndryshojnë, ndërkaq ekonomia, teknologjia dhe siguria janë bërë pjesë e së njëjtës garë për ndikim. Institucionet shumëpalëshe, të ndërtuara mbi bindjen se rregullat mund ta kufizojnë fuqinë, përballen gjithnjë e më shpesh me raste kur është fuqia ajo që përpiqet t’i përcaktojë rregullat. Në këtë realitet, rëndësi të veçantë ka mënyra se si shtetet e ndërtojnë dhe e ushtrojnë ndikimin e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare. Aleancat, partneriteti dhe institucionet nuk janë vetëm mjete përmes të cilave shtetet ndjekin interesat e tyre, por edhe burime të rëndësishme të ndikimit ndërkombëtar. Për shumë vite, diplomacia jonë është përqendruar me të drejtë te mbështetja që i nevojitej Kosovës: për njohje, anëtarësim në organizata ndërkombëtare, vota dhe përkrahje politike. Por marrëdhëniet ndërmjet shteteve zgjasin atëherë kur, përtej kërkesës së radhës, të dyja palët kanë arsye ta ruajnë dhe ta zhvillojnë atë marrëdhënie. Prandaj, puna është të gjeni edhe ato pika ku interesat tona përputhen, ku Kosova ka çfarë të ofrojë dhe ku bashkëpunimi është në interes të të dyja palëve. Në më pak se dy dekada shtetësi, Kosova ka arritur të ndërtojë një pozitë ndërkombëtare që dikur dukej shumë më e largët. Sot na njohin 121 shtete, ndërsa njohjet e reja gjatë vitit të kaluar dëshmuan se ky proces nuk është mbyllur dhe se qëndrimet të mbajtura për vite mund të ndryshojnë. Mosnjohjet nuk janë një kategori e vetme politike. Spanja nuk ka të njëjtën histori me Greqinë, Greqia nuk ka të njëjtat interesa me Sllovakinë dhe asnjëra prej tyre nuk e sheh Kosovën në të njëjtën mënyrë si një shtet në Amerikën Latine apo në Azi. Nëse duam ta ndryshojmë një qëndrim, duhet së pari të kuptojmë se çfarë i shqetëson, çfarë interesash kanë dhe cili argument mund të ketë kuptim për ta. Diplomacia nis kur, para se të flasim, përpiqemi të kuptojmë tjetrin dhe t’i kuptojmë arsyet e qëndrimeve të tyre. Në këtë drejtim kemi mbështetje të fortë juridike: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Këtë argument duhet ta përdorim, por natyrisht nuk do të mbetemi vetëm tek ai. Tetëmbëdhjetë vjet pas pavarësisë, kemi mundësi t’u flasim shteteve që ende nuk na njohin edhe për Kosovën që kemi ndërtuar dhe për atë që mund të bëjmë së bashku. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe vazhdon të presë që ky proces të ecë përpara. Në të njëjtën kohë, kemi zgjedhur pa ekuivok të qëndrojmë në linjë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian. Orientimi ynë euroatlantik është i qartë, por një rend i mbështetur në rregulla është i besueshëm vetëm nëse rregullat vlejnë njësoj edhe kur zbatimi i tyre është politikisht i vështirë. Nëse vendet e Ballkanit Perëndimor ftohen t’i plotësojnë kriteret e integrimit, atëherë përparimi duhet të varet nga kriteret dhe jo nga pengesat të cilat një vend nuk mund t’i zgjidhë përmes reformave të veta. Kjo duhet të jetë pjesë e argumentit tonë në secilin kryeqytet evropian. Asambleja Parlamentare e ka mbështetur anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Tani presim që procesi të përfundojë dhe qytetarët tanë të fitojnë qasje të plotë në mekanizmat evropianë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të tyre. NATO-ja, ndërkaq, është pjesë e historisë sonë të sigurisë dhe e së ardhmes që ne e synojmë si shtet. Për Kosovën, lidhja me Aleancën nis me vitin 1999 dhe vazhdon sot me praninë e KFOR-it dhe me bashkëpunimin që institucionet tona kanë ndërtuar me vendet aleate. Marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë vendimtare për Kosovën dhe historia jonë e përbashkët mbetet një lidhje e fortë. Megjithatë, duhet ta themi që brezi i politikanëve amerikanë që e ka jetuar drejtpërdrejt Kosovën e viteve nëntëdhjetë po tkurret. Breza të rinj hyjnë në Kongres, në administratë, në media dhe në institucionet ku formohet politika e jashtme amerikane. Shumë prej tyre nuk e kanë Kosovën pjesë të kujtesës politike personale. Në këtë punë mund të mbështetemi shumë më tepër edhe te diaspora. Shqiptarët në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë kanë luajtur prej kohësh rol të rëndësishëm për Kosovën, por tani kemi edhe një brez që ka krijuar emër dhe lidhje në universitete, institucione, biznese por edhe në profesione të ndryshme. Duhet të punojmë më afër me ta dhe ta shfrytëzojmë dijen, përvojën por edhe kontaktet që kanë krijuar në vendet ku ata jetojnë dhe veprojnë. Të nderuar ambasadorë, Raportet me Serbinë, siç e përmendi edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri Konjufca, mbeten një nga sfidat kryesore të politikës së jashtme të Republikës sonë.   Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjskë, për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve, qytetarëve të tjerë, për dorëzimin e kryeterroristit Milan Radoiçiqit dhe të tjerëve të përfshirë në këtë sulm terrorist, por po ashtu edhe për zbardhjen e fatit të mbi 1,500 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Adresimi i këtyre çështjeve është pjesë e domosdoshme e çdo procesi që synon një normalizim të vërtetë dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo përgjegjësi bëhet edhe më e ndjeshme në dritën e zhvillimeve të ditëve të fundit. Në Zubin Potok, në lokacionet Kalludër e Vogël dhe Jabukë, janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin viktimave të luftës së viteve 1998–1999, derisa institucionet tona po punojnë edhe

U.D. Presidentja Haxhiu organizoi pritje për ambasadorë dhe konsuj të Kosovës, të cilët janë me mision në kryeqytete të ndryshme të botës

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti si dhe me Zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, kanë pritur sonte ambasadorë dhe konsuj të Kosovës, të cilët janë me mision në kryeqytete të ndryshme të botës. Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Hahxiu, tha se secili prej jush shërben në një mjedis tjetër politik dhe e sheh nga afër se si ndryshojnë interesat dhe aleancat. “Ajo që shqetëson Uashingtonin nuk është gjithmonë ajo që shqetëson Brukselin, Ankaranë apo ndonjë kryeqytet tjetër. Shumë prej dallimeve që dikur na ndihmonin ta kuptonim botën po bëhen më pak të qarta. Aleatët nuk pajtohen, rivalët bashkëpunojnë aty ku u leverdis, ndërsa interesat shpesh peshojnë më shumë se ndarjet që i kemi marrë si të qëndrueshme. Dhe pikërisht kur gjërat ndryshojnë kaq shpejt, diplomacia kërkon durimin për të punuar edhe kur rezultati nuk duket menjëherë. Thuhet se “nuk ka asgjë dramatike në suksesin e një diplomati”, ngase ato përparime të vogla që, në shikim të parë, mund të duken krejt të parëndësishme: një bisedë në kohën e duhur, një marrëdhënie e ruajtur me kujdes, këmbëngulja për t’iu kthyer një çështjeje që nuk zgjidhet herën e parë. Besoj se këtë pjesë të punës e njihni shumë mirë. Rrallëherë puna juaj bëhet lajm, por shpesh pikërisht aty nisin gjërat që më vonë marrin rëndësi”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej tha se Kosova është ende në atë fazë të historisë së vet kur shumë gjëra jashtë vendit duhen fituar me punë. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, ka shtete ku emri ynë njihet mirë dhe ku kemi miq që kanë qenë pranë nesh prej vitesh, duke shtuar tutje se ka edhe vende ku ende duhet të shpjegojmë kush jemi, çfarë duam dhe pse çështjet tona meritojnë vëmendje. “Kjo e bën punën tuaj të ndryshme nga ajo e diplomatëve të vendeve me një histori shumë më të gjatë shtetërore. Në shumë raste, marrëdhënia me vendin ku shërbeni është ende e re dhe një pjesë e madhe e punës bie mbi ju. Ka raste kur nisni pothuajse nga fillimi dhe marrëdhëniet duhet t’i krijoni hap pas hapi. Një ministër, një këshilltar apo një gazetar duhet t’ju njohë edhe jashtë ditëve të krizës, të ketë folur me ju para se të vijë dita kur duhet t’i kërkoni diçka. Kështu, kur vjen një moment i vështirë, nuk nisni nga zero”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, në shumë vende, Kosova ende njihet përmes një periudhe të caktuar të historisë së saj, dikush e lidh me luftën, dikush me shpalljen e pavarësisë, dikush edhe me zhvillimet që i kemi pasur pas shpalljes së pavarësisë. “Nga larg, asnjë vend nuk njihet plotësisht. Prandaj edhe takimi me ju ka rëndësi. Ju u jepni njerëzve mundësinë ta njohin Kosovën përtej atij momenti të historisë me të cilin e kanë lidhur dhe ta shohin si vendin që është sot”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu: EtnoFest-i është lidhur aq fort me Kukajn, sa vështirë të mendohet diku tjetër

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë në hapjen e edicionit të 16-të të Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale EtnoFest, i cili mbahet në fshatin Kukaj. Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu, tha se në veprën e tij me kujtime, At Zef Pllumi na e përcolli porosinë që kishte marrë nga At Marin Sirdani: “Rrno vetëm për me tregue”, duke shtuar më tej se kjo porosi na bënë të kuptojmë se ajo që nuk tregohet rrezikon të humbasë. Sipas saj, kur një njeri e ndan me të tjerët atë që ka parë e mësuar, përvoja e tij vazhdon të jetojë në kujtesën e tyre. “EtnoFest-i e vazhdoi këtë porosi në mënyrën e vet. Prej vitesh, në fshatin Kukaj janë hapur sërish shtëpitë dhe janë mbledhur njerëz në oborre duke ua përcjell të rinjve këngët, tregimet e zanatet që kanë kaluar prej një brezi te tjetri”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo tha se kjo pamje sot mund të na duket krejt e natyrshme, megjithatë sipas saj, vite më parë, kur Kukaj po zbrazej dhe shumë prej shtëpive po liheshin pas dore, vështirë se mund të parashikohej që këtu do të mblidheshin artistë e publik nga Kosova dhe më gjerë. “Fadil dhe Sheqerija e rregulluan një ahur të vjetër prej guri dhe e kthyen në teatër. Në oborr vendosën ulëset, ku u dhanë edhe shfaqjet e para. Nga ai oborr i parë, festivali u shtri pak e nga pak në fshatin Kukaj. Kështu lindi EtnoFest-i, festival i përvitshëm ku njerëzit kthehen çdo verë”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo tutje tha se tema e sivjetme, “Kujtesa”, është vazhdim i natyrshëm i kësaj pune. “Këtu vijnë artistë që dëgjojnë këngët dhe rrëfimet e banorëve, shohin si punojnë mjeshtrit dhe krijojnë prej tyre vepra të reja. Banorët ua hapin shtëpitë dhe i bëjnë pjesë të vendit, ndaj festivali ka marrë prej tyre karakterin që e dallon. EtnoFest-i është lidhur aq fort me Kukajn, sa vështirë të mendohet diku tjetër. Shfaqjet marrin formë sipas shtëpive dhe oborreve ku luhen, ndërsa banorët e mbajnë festivalin të lidhur me jetën e fshatit”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Për këtë arsye, ajo tha se falënderimi iu takon Fadil Hysajt dhe Sheqerije Buqajt dhe secilit që ka punuar me të ndër vite, i takon ekipit që përgatit programin, artistëve që ia përshtatin punën e tyre fshatit dhe banorëve që i presin vizitorët. Sipas saj, pas çdo mbrëmjeje që publiku e përjeton me lehtësi, qëndron një punë e gjatë, e cila shpesh fillon shumë muaj më parë. “Natyrisht që, mbështetja e institucioneve do të vazhdojë edhe më shumë. Festivali ka dëshmuar çfarë mund të bëjë për Kukajn dhe për jetën kulturore të vendit, andaj mbështetja institucionale është shumë e rëndësishme që të rritet. Detyra jonë është të kujdesemi që organizatorët, banorët dhe artistët ta kenë më të lehtë që ta zhvillojnë edhe më tej festivalin”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu tha se pas disa ditësh, skenat do të hiqen dhe publiku do të largohet, banorët do t’u kthehen punëve të tyre, ndërsa ekipi do të nisë të mendojë për edicionin tjetër. Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu ka uruar që EtnoFest-i ta ketë edhe sivjet publikun që meriton dhe që, verën tjetër, të na mbledhë përsëri këtu, në Kukaj.

U.D. Presidentja Haxhiu vizitoi Panairin “Gratë në Biznes”: Ky panair është një dëshmi e potencialit, kreativitetit dhe përkushtimit të grave ndërmarrëse

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, sot në ditën e hapjes, ka vizituar Panairin “Gratë në Biznes”, të organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT), përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA). U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se ky panair është një dëshmi e potencialit, kreativitetit dhe përkushtimit të grave ndërmarrëse, të cilat me punën dhe idetë e tyre po japin një kontribut të çmuar në zhvillimin ekonomik të vendit tonë. “Nisma të tilla krijojnë hapësirë për promovimin e produkteve vendore dhe mbështetjen e rolit të grave në ekonomi. Panairi do të jetë i hapur deri më 5 gusht, në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo ka ftuar të gjithë qytetarët që ta vizitojnë dhe të njihen nga afër me punën dhe produktet e grave tona ndërmarrëse.

U.D. Presidentja Haxhiu: Dua Lipa e ka bërë Kosovën pjesë të rrëfimit të saj publik kudo ku ka qenë e pranishme

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se Dua Lipa e ka bërë Kosovën pjesë të rrëfimit të saj publik kudo ku ka qenë e pranishme. Sipas saj, Sunny Hill lindi nga kjo lidhje dhe nga dëshira e saj për të sjellë në Prishtinë artistë me të cilët ndan skenat më të mëdha të botës. “Për artistët e rinj shqiptarë, festivali është një nga rastet e rralla për të dalë para një publiku kaq të madh dhe të larmishëm. Ndërkohë, mijëra njerëz nga vende të ndryshme udhëtojnë drejt Prishtinës pikërisht për Sunny Hill-in. Për shumë prej tyre, festivali është edhe takimi i parë i drejtpërdrejtë me Kosovën, me qytetin dhe me njerëzit e saj. Pak ngjarje kulturore i kanë dhënë Kosovës kaq shumë jehonë jashtë vendit dhe e kanë afruar me një publik të gjerë ndërkombëtar”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka uruar Dua Lipën dhe gjithë ekipin e Sunny Hill-it për këtë edicion si dhe ka falënderuar artistët, publikun dhe secilin që punoi në skenë e prapa saj për t’i bërë të mundura këto tri net në Prishtinë.

U.D. Presidentja Haxhiu: Dyshimet për një varrezë të dytë masive janë një rikujtim i rëndë i krimeve të kryera gjatë luftës

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se dyshimet për një varrezë të dytë masive janë një rikujtim i rëndë i krimeve të kryera gjatë luftës dhe një dëshmi se drejtësia ende nuk është vënë plotësisht në vend. “Shtrirja e sovranitetit dhe rendit kushtetues në çdo pjesë të Republikës së Kosovës nuk ka qenë vetëm obligim institucional, por edhe një parakusht për të mundësuar zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë, zbulimin e varrezave masive dhe kthimin e mbetjeve mortore të viktimave te familjet e tyre”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo ka shprehur mirënjohjen dhe mbështetjen e plotë për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, ekipet profesionale, ekspertët mjekoligjorë dhe të gjithë ata që, me përkushtim e profesionalizëm, po punojnë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu angazhimi i tyre është një shërbim i çmuar ndaj drejtësisë, së vërtetës dhe dinjitetit njerëzor. “Çdo varrezë e zbuluar është një hap drejt së vërtetës, por edhe një dëshmi se plagët e luftës mbeten të hapura derisa të gjendet personi i fundit i zhdukur dhe përgjegjësit për këto krime të dalin para drejtësisë”, ka theksuar U.D. Presidentja. Ajo më tej ka thënë se në këto momente, shprehim solidaritetin më të thellë me familjet e viktimave, të cilat për më shumë se dy dekada kanë pritur të dinë fatin e më të dashurve të tyre. “Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar që e vërteta të zbardhet plotësisht dhe kujtesa për viktimat të nderohet me dinjitet”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu priti në takim znj. Nafije Latifi, themeluese dhe drejtuese e Shoqatës “JETA/VITA”

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim znj. Nafije Latifi, themeluese dhe drejtuese e Shoqatës “JETA/VITA”, një grua që me forcën, përkushtimin dhe humanizmin e saj është bërë simbol i shpresës për shumë gra në Kosovë. “Pasi e ka mposhtur tri herë kancerin e gjirit, ajo e ka shndërruar përvojën personale në një mision jetësor, duke punuar prej më shumë se dy dekadash për vetëdijesimin e grave mbi rëndësinë e zbulimit të hershëm, kontrolleve të rregullta dhe mbështetjes për të gjitha ato që përballen me këtë sëmundje”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo ka shprehur mirënjohjen e saj për znj. Latifi dhe ekipin e Shoqatës “JETA/VITA” për kontributin e tyre të çmuar në edukimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve, si dhe për mbështetjen psikologjike e sociale që u ofrojnë grave të prekura nga kanceri i gjirit. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se institucionet dhe shoqëria jonë duhet të mbështesin iniciativa të tilla, të cilat luajnë rol tejet të rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit dhe në shpëtimin e jetëve të qytetarëve.

U.D. Presidentja Haxhiu priti përfaqësuesit e Orkestrës së Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus”

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim të veçantë përfaqësuesit e Orkestrës së Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus”. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, ky ishte një vit për t’u mbajtur në mend për sukseset e jashtëzakonshme të kësaj orkestre në arenën ndërkombëtare, pasi u shpërblyen me katër çmime prestigjioze në festivalin ndërkombëtar “Musica Orbis” në Pragë të Çekisë, si dhe u kurorëzuan me çmimin kryesor “Grand Prix” dhe vendin e parë në Festivalin Ndërkombëtar “Spring Symphonies” 2026 në Spanjë, duke dëshmuar talentin, përkushtimin dhe nivelin e lartë artistik të të rinjve tanë. “Ky sukses i jashtëzakonshëm, që lartëson emrin e Kosovës në skenat botërore, është arritur falë punës së palodhshme të dirigjentit Vehbi Shosholli, drejtoreshës Hana Petrovci, stafit të shkollës “Amadeus” dhe, mbi të gjitha, të fëmijëve e të rinjve që me përkushtim përfaqësojnë denjësisht Kosovën përmes artit”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu i ka përgëzuar për këto arritje të merituara dhe iu ka uruar edhe më shumë suksese në skenat ndërkombëtare.

U.D. Presidentja Haxhiu priti përfaqësuesit e Shoqatës së Ish të Burgosurve Politikë të Kosovës

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Ish të Burgosurve Politikë të Kosovës. “Gjatë takimit biseduam për veprimtarinë e shoqatës në ruajtjen e kujtesës historike, mbi rëndësinë e dokumentimit të dhunës dhe torturave që regjimi i Serbisë ushtroi ndaj mijëra të burgosurve shqiptarë gjatë dekadave të rezistencës për liri”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Në takim, gjithashtu është diskutuar për sfidat derisa U.D. Presidentja Haxhiu, i ka siguruar se, brenda kompetencave të Presidencës, do të jetë pranë nismave të tyre për dokumentimin dhe ruajtjen e kujtesës historike. U.D. Presidentja Haxhiu, ka shprehur vlerësimin e saj të thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të ish të burgosurve politikë në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.

U.D. Presidentja Haxhiu priti Admiralin George M. Wikoff: Orientimi euroatlantik i Kosovës është i pakthyeshëm dhe anëtarësimi në NATO mbetet synimi ynë strategjik

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot Admiralin George M. Wikoff, Komandant i Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta në Napoli. “Biseduam për situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, për bashkëpunimin e institucioneve tona me KFOR-in dhe për rëndësinë e koordinimit të rregullt me NATO-n”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu e ka falënderuar Admiralin Wikoff për angazhimin e tij, si dhe për shërbimin e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe të lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës. “Theksova se orientimi euroatlantik i Kosovës është i pakthyeshëm dhe se anëtarësimi në NATO mbetet synimi ynë strategjik”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kosova do të vazhdojë ta forcojë bashkëpunimin me Aleancën dhe të kontribuojë në sigurinë e rajonit.

This site is registered on wpml.org as a development site.