U.D. Presidentja Haxhiu priti në takim lamtumirës Ambasadorin e Suedisë në Kosovë, z. Jonas Westerlund

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim lamtumirës Ambasadorin e Suedisë në Kosovë, z. Jonas Westerlund. “Duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme që Suedia i ka dhënë Kosovës, z. Westerlund e falënderova për angazhimin, përkushtimin dhe kontributin e tij të çmuar në forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu ka shprehur mirënjohjen e saj për bashkëpunimin e shkëlqyer të ndërtuar gjatë mandatit të tij në Kosovë dhe i ka uruar suksese ambasadorit Westerlund në angazhimet e tij të ardhshme, me bindjen se miqësia dhe partneriteti ndërmjet dy vendeve tona do të vazhdojnë të forcohen edhe në të ardhmen.
U.D. Presidentja Haxhiu priti në takim Gino Mulliqin dhe Gëzim Rushitin, përfaqësues të organizatës “Albanians for America”

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Gino Mulliqin dhe Gëzim Rushitin, përfaqësues të organizatës “Albanians for America”. Në takim është biseduar për marrëdhënien e veçantë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe për rolin që komuniteti shqiptaro-amerikan vazhdon të ketë në ruajtjen dhe forcimin e saj. “Historia e marrëdhënies së Kosovës me Shtetet e Bashkuara nuk mund të shkruhet pa kontributin e komunitetit shqiptaro-amerikan. Për dekada, ky komunitet e ka mbajtur çështjen e Kosovës të pranishme në Kongres, në administratën amerikane dhe në debatin publik, duke krijuar miqësi dhe mbështetje përtej vijave partiake. Kjo trashëgimi mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të lidhjes sonë me Amerikën”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo ka falënderuar përfaqësuesit e organizatës “Albanians for America”, për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në fuqizimin e zërit të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara dhe në mbrojtjen e interesave të Kosovës.
U.D. Presidentja Haxhiu: Kosova është e gatshme ta mbështesë Francën me ndihmë në shuarjen e zjarreve dhe në operacionet e kërkim-shpëtimit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë se Kosova është e gatshme ta mbështesë Francën, brenda kapaciteteve të saj shtetërore, me ndihmë në shuarjen e zjarreve dhe në operacionet e kërkim-shpëtimit. “Ne qëndrojmë në solidaritet me popullin francez dhe me të gjithë ata që po punojnë për të mbrojtur jetët e njerëzve dhe komunitetet e prekura nga zjarret”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu në Ditën Memoriale të Policëve të Rënë në Detyrë: Rënia e tyre tregon sa e rëndë mund të bëhet detyra e policit kur vihet në mbrojtje të rendit, sigurisë dhe sovranitetit të vendit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, me ministrin e Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, me drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, në Ditën Memoriale të Policëve të Rënë në Detyrë, bënë homazhe pranë lapidarit që mban emrat e 24 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët humbën jetën duke e kryer detyrën e tyre. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se nga Lazim Rexhepi, polici i parë i rënë në detyrë në Kosovën e pasluftës, deri te Muhamed Lika, secili prej këtyre emrave është pjesë e historisë së Policisë së Kosovës dhe të shtetit tonë. “Në mesin e tyre janë Enver Zymeri, i vrarë më 26 korrik 2011 gjatë operacionit për vendosjen e rendit në veri, dhe Afrim Bunjaku, i vrarë në sulmin terrorist në Banjskë. Rënia e tyre tregon sa e rëndë mund të bëhet detyra e policit kur vihet në mbrojtje të rendit, sigurisë dhe sovranitetit të vendit”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, e njëjta përgjegjësi shihet edhe në punën e përditshme të mijëra pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe në besimin që qytetarët kanë krijuar ndaj saj. “Sot i kujtojmë me respekt të gjithë policët e rënë në detyrë. Republika e Kosovës do ta ruajë kujtimin e tyre dhe do të qëndrojë pranë familjeve që ata lanë pas”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu: Emri i Adem Demaçit kishte kaluar kufijtë e Kosovës shumë kohë para se Kosova ta fitonte lirinë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, bënë homazhe në përvjetorin e ndarjes nga jeta të Adem Demaçit, një prej figurave kryesore të përpjekjes së Kosovës për liri. “Jeta e tij lidhi disa etapa të historisë sonë. Ai ishte pjesë e rezistencës politike në kohën kur kërkesa për liri dënohej me burg, ishte zë i të drejtave të shqiptarëve kur ato mohoheshin dhe mbeti i pranishëm në jetën publike edhe kur Kosova hyri në një kapitull të ri të historisë së saj”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, shkrimtari që kundërshtoi gjakmarrjen ishte po ai veprimtar që kundërshtoi robërinë dhe, pas çlirimit të Kosovës, kërkonte me ngulm që liria të mos përdorej për hakmarrje. “Baca Adem i përkiste brezit që e përjetoi rëndë mohimin e të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi. Ai zgjodhi të mos heshtte dhe për këtë zgjedhje pagoi me 28 vjet burg. Kaloi 28 vjet në burg, por as burgimi dhe as përndjekja nuk e bënë të hiqte dorë nga bindjet e tij dhe nga kërkesa për lirinë e Kosovës”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo ka thënë se emri i Adem Demaçit kishte kaluar kufijtë e Kosovës shumë kohë para se Kosova ta fitonte lirinë. “Amnesty International e mori në mbrojtje si të burgosur të ndërgjegjes, në Senatin amerikan u kërkua lirimi i tij, ndërsa Parlamenti Evropian e nderoi me Çmimin Saharov për qëndrimin e tij përballë një regjimi autoritar”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, Adem Demaçi nuk ishte njeri i fjalëve të matura për t’u pëlqyer të gjithëve. “Ishte i drejtpërdrejtë, shpesh i ashpër dhe gjithmonë i gatshëm ta mbronte atë që besonte. Pikërisht për këtë arsye, figura e tij nuk mund të ndahet nga historia e mendimit politik dhe e rezistencës shqiptare në Kosovë. Sot e kujtojmë me respekt për vuajtjen që përballoi me dinjitet, për qëndresën e tij dhe për jetën që e lidhi me lirinë e Kosovës. Nderim i përhershëm Adem Demaçit”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu: Seanca konstituive e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mbahet më 6 gusht, në ora 10:00

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në konferencën e sotme për media, ka thënë se më 8 korrik, një muaj pas mbajtjes të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu, ka shprehur mirënjohjen e saj për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, stafin e KQZ, institucionet e angazhuara për mbarëvajtjen e një procesi të rregullt pra zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë demokratike, të qetë, duke konfirmuar edhe një herë pjekurinë e demokracisë sonë. “Pas certifikimit të rezultateve, Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton qartë se Presidenti e thërret seancën konstituive të Kuvendit brenda afatit prej 30 ditësh. Po ashtu, Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e ka sqaruar qartë se vetëm pas konstituimit të Kuvendit fillojnë të rrjedhin afatet kushtetuese që lidhen me procedurën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe siç e dini ato janë 60 ditë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Pikërisht për shkak të kësaj lidhjeje kushtetuese ndërmjet konstituimit të Kuvendit dhe procedurës së zgjedhjes së Presidentit, U.D. Presidentja Haxhiu, ka thënë se ka vlerësuar me kujdes çdo hap që është ndërmarrë gjatë këtyre javëve. “Kam mirëpritur ftesat për takime të kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti dhe kam ndjekur nga afër përpjekjet për të arritur një marrëveshje. Duke qenë se ende nuk ekziston një dakordim politik për çështjen e Presidentit, kam vendosur ta shfrytëzoj afatin që lejon Kushtetuta për t’u krijuar partive politike hapësirën e nevojshme për dialog dhe për ndërtimin e një konsensusi”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka bërë të ditur se seanca konstituive e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mbahet më 6 gusht. “Prandaj, sot ju njoftoj se seanca konstituive e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mbahet më 6 gusht, në ora 10:00. Deri atëherë, mbetet detyrim politik dhe institucional i subjekteve parlamentare që të vazhdojnë dialogun. Dialogun ndërmjet tyre askush nuk duhet ta shoh si një shenjë dobësie, por si dëshmi e përgjegjësisë demokratike”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo tutje ka thënë se në një demokraci parlamentare, përgjegjësia për ndërtimin e institucioneve nuk është ekskluzivitet i dikujt, por u takon të gjithëve, duke shtuar tutje se marrëveshja kërkon gatishmëri dhe seriozitet nga të gjitha palët. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, palët duhet të shprehin vullnet për dialog dhe thirrjeve e ofertave do të duhej t’i përgjigjeshin me përgjegjësinë më të lartë. Ajo më tej ka thënë se dialogu nuk mund të jetë një proces njëkahësh dhe as përgjegjësia nuk mund të jetë e njëanshme. “Prandaj, bëj thirrje që, në ditët në vijim, të intensifikohet komunikimi, të dëshmohet pjekuri politike sepse qytetarët nga të gjithë ne presin zgjidhje. Ata presin institucione funksionale dhe presin që përgjegjësia shtetërore të vendoset mbi dallimet politike. Pra, qytetarët presin zgjidhje dhe jo zgjedhje. Natyrisht, jam e vetëdijshme për sfidat e brendshme të subjekteve politike, por po ashtu duhet të kemi të qartë edhe afatet kushtetuese në anën tjetër që nuk presin. Qytetarët kanë votuar që institucionet të krijohen, të funksionalizohen dhe të punojmë për ta”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka thënë se vullneti i qytetarëve duhet të manifestohet në institucione të reja e legjitime dhe se Republika e Kosovës nuk mund të mbetet peng i inateve apo bllokadave. “Shmangia e një bllokade të zgjatur institucionale pra është përgjegjësi e të gjithëve. Po ashtu, shmangia e zgjedhjeve të parakohshme duhet të jetë një objektiv i përbashkët, sepse qytetarët kanë dhënë verdiktin e tyre dhe presin që ai të materializohet në institucione funksionale dhe jo në një cikël të ri paqartësie politike”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu priti në takim lamtumirës Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim lamtumirës Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı. Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu e ka falënderuar ambasadorin Angılı për bashkëpunimin e mirë, qasjen konstruktive dhe angazhimin e tij në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. “Gjatë mandatit të tij, ai ka qenë një bashkëbisedues i hapur dhe një mbështetës i zhvillimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu i ka uruar suksese ambasadorit Angılı në angazhimet e ardhshme dhe ka shprehur bindjen se miqësia ndërmjet Kosovës dhe Turqisë do të vazhdojë të thellohet.
U.D. Presidentja Haxhiu: 16 vjet nga opinioni këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të pavarësisë së Republikës Kosovës

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë se sot shënohen 16 vjet nga publikimi i opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, i cili konfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008, nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. “Më 22 korrik 2010, Gjykata hodhi poshtë pretendimet se shpallja e pavarësisë kishte shkelur normat e së drejtës ndërkombëtare, duke vlerësuar se miratimi i Deklaratës së Pavarësisë nuk cenonte të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka thënë se ky opinion erdhi pas kërkesës së Serbisë drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për një vlerësim këshillëdhënës mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu vendimi i Gjykatës përbënte një moment me rëndësi të veçantë juridike dhe diplomatike, duke forcuar pozitën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe duke shërbyer si bazë e rëndësishme për njohjet që pasuan nga shumë shtete. “Edhe pas 16 vitesh, opinioni i 22 korrikut 2010 mbetet një nga gurthemelet e legjitimitetit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës dhe një referencë e rëndësishme në afirmimin e subjektivitetit të saj në arenën ndërkombëtare”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
SQARIM

Për informim të saktë të publikut, Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës publikon pasqyrën e shpenzimeve zyrtare për periudhën prill–qershor 2026. Shpenzimet për aktivitetet e u.d. Presidentes së Republikës, Albulena Haxhiu dhe të kabinetit të saj gjatë kësaj periudhe janë gjithsej 12,421.39 euro. Për të shmangur çdo paqartësi, theksojmë se këto janë shpenzimet që i përkasin periudhës nga marrja e detyrës nga u.d. Presidentja Albulena Haxhiu, më 4 prill 2026, deri më 30 qershor 2026. Çdo medium apo palë e interesuar për të dhëna dhe sqarime shtesë mund t’i drejtohet Zyrës së Presidentes në adresën elektronike zprk@president-ksgov.net. Informacioni i kërkuar drejtpërdrejt nga institucioni mundëson raportim të plotë dhe shmang krijimin e perceptimeve të pasakta përmes paraqitjes së pjesshme ose jashtë kontekstit të të dhënave. Bashkëngjitur gjendet pasqyra e plotë e shpenzimeve për këtë periudhë.
U.D. Presidentja Haxhiu ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022, ka nënshkruar dekretet për lirimin e tyre nga detyra. Sipas saj, me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. “Shteti ynë funksionon mbi parimet e rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit. Askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve dhe as të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo ka thënë se Republika e Kosovës do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe në mbrojtje të integritetit të institucioneve të saj.