...

U.D. Presidentja Haxhiu priti në takim Gino Mulliqin dhe Gëzim Rushitin, përfaqësues të organizatës “Albanians for America”

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Gino Mulliqin dhe Gëzim Rushitin, përfaqësues të organizatës “Albanians for America”.

Në takim është biseduar për marrëdhënien e veçantë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe për rolin që komuniteti shqiptaro-amerikan vazhdon të ketë në ruajtjen dhe forcimin e saj.

“Historia e marrëdhënies së Kosovës me Shtetet e Bashkuara nuk mund të shkruhet pa kontributin e komunitetit shqiptaro-amerikan. Për dekada, ky komunitet e ka mbajtur çështjen e Kosovës të pranishme në Kongres, në administratën amerikane dhe në debatin publik, duke krijuar miqësi dhe mbështetje përtej vijave partiake. Kjo trashëgimi mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të lidhjes sonë me Amerikën”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo ka falënderuar  përfaqësuesit e organizatës “Albanians for America”, për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në fuqizimin e zërit të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara dhe në mbrojtjen e interesave të Kosovës.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.