U.D. Presidentja Haxhiu dekoroi grupin “Marigona”

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dekoruar sot grupin “Marigona” për promovimin e vlerave muzikore, si pjesë e gjeneratës së artë të rokut në Kosovë. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se këngët e tyre mbeten pjesë e një periudhe të rëndësishme të zhvillimit kulturor të Kosovës dhe vazhdojnë të dëgjohen me të njëjtën dashuri edhe sot. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, me krijimtarinë dhe veçantinë e tyre artistike, grupi “Marigona” ka lënë gjurmë të qëndrueshme në muzikë dhe në kujtesën e shumë brezave.

U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë sot në shënimin e 20 vjetorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në shënimin e 20 vjetorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit. Me këtë rast, në fjalën e saj para të pranishmëve U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se ky përvjetor, sigurisht që është një moment reflektimi mbi rrugën që kemi bërë si shtet dhe mbi përgjegjësinë që kemi për rrugën që ende e kemi përpara. “Historia shkruhet edhe nga mënyra se si i mbron parimet mbi të cilat është ndërtuar. Dhe ndër këto parime, padyshim që janë integriteti, përgjegjësia por edhe barazia para ligjit”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, njëzet vjet janë dëshmi e pjekurisë së një institucioni, duke shtuar tutje se kur misioni është mbrojtja e interesit publik, çdo vit është një provë më vete. “Sepse korrupsioni nuk pushon kurrë. Ai ndryshon formë, kërkon rrugë të reja dhe përpiqet të depërtojë aty ku institucionet dobësohen dhe ku vigjilenca zbehet. Prandaj, lufta kundër korrupsionit nuk është një betejë që fitohet njëherë e përgjithmonë. Është një përpjekje e vazhdueshme për ta mbrojtur besimin e qytetarëve te shteti, pra te Republika jonë. Në raporte dhe statistika, korrupsioni matet me shifra. Por qytetarët e njohin ndryshe. Ata e njohin si tenderin që fitohet para se të hapet. Si lejen që sigurohet me një telefonatë. Si konkursin ku fituesi dihet para se të dorëzohet aplikimi i parë. Si derën që hapet për dikë vetëm sepse e njeh dikë në një institucion”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka thënë se korrupsioni nuk vjedh vetëm paranë publike, ai vjedh mundësinë, vjedh drejtësinë, vjedh edhe besimin. “Dhe kur qytetarët humbin besimin se ligji vlen njësoj për të gjithë, humbet shumë më tepër sesa një procedurë administrative. Pra, humbet ajo që për ne është shumë e rëndësishme, e që është besimi i qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës, në institucionet e shtetit të vet. Prandaj, çdo akt kundër korrupsionit është një akt në mbrojtje të Republikës së Kosovës”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, çdo rast i parandaluar është një padrejtësi më pak, duke shtuar tutje se çdo zyrtar që zgjedh integritetin mbi interesin personal e forcon shtetin tonë më shumë sesa mund ta bëjë çfarëdo deklarate publike apo politike. Për këtë arsye, sipas saj, puna e Agjencisë ka rëndësi që shkon përtej procedurave. “Pra, ju nuk administroni vetëm deklarime pasurie. Ju nuk trajtoni vetëm raste të konfliktit të interesit apo nuk mbroni vetëm sinjalizues. Ju mbroni një parim themelor të Republikës sonë: se askush nuk është mbi ligjin dhe se pushteti publik është gjithmonë përgjegjësi dhe kurrë privilegj. Për këtë mision meritoni respektin dhe mirënjohjen e Republikës së Kosovës. Mirënjohje për të gjithë ata që, përgjatë këtyre dy dekadave, kanë shërbyer në këtë institucion me profesionalizëm, me paanshmëri dhe me guxim”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo ka thënë se në qoftë se kemi një institucion ku zyrtarët nuk dyshohen për ndonjë ndikim, për ndonjë anshmëri është pikërisht Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, gjë për të cilën edhe i ka përgëzuar. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, besueshmëria, pra nuk ndërtohet me deklarata, por me vendime të drejta, me integritet të përditshëm, me qëndrueshmëri edhe atëherë kur presioni është më i madh. “Shteti i së drejtës nuk ndërtohet, pra vetëm nga ato seancat gjyqësore apo nga sallat e gjykatave, por ndërtohet në çdo institucion që vendos interesin publik mbi atë privat. Ndërtohet në çdo procedurë që duhet të jetë transparente. Në çdo konflikt interesi që duhet ta parandalojmë edhe vetë si zyrtarë. Dhe, në çdo pasuri që deklarohet me ndershmëri. Në çdo sinjalizues që ka guximin të flasë dhe që gjen një shtet që e mbron dhe jo që i hakmerret. Madje, më kujtohet edhe në ndryshimet që kemi bërë në kodin penal, e kemi adresuar edhe veprën penale të hakmarrjes ndaj sinjalizuesve dhe ajo duhet të zbatohet nga institucionet tona të drejtësisë”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, reformat që janë ndërmarrë për forcimin e mandatit të Agjencisë dhe për luftimin e pasurisë së pajustifikueshme janë dëshmia se Republika e Kosovës nuk do të pranojë që korrupsioni të trajtohet si normalitet. “Unë mezi pres që Kuvendi i Republikës së Kosovës të konstituohet e që Ministria e Drejtësisë ta procedojë Projekligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar, sepse besoj që është një ligj shumë i rëndësishëm që do të vlerësojë deklarimin e pasurisë dhe pasurinë pra të zyrtarëve në Republikën e Kosovës”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu. Sepse, sipas U.D. Presidentes Haxhiu, nuk mund të ketë shtet të fortë me institucione të dobëta, nuk mund të ketë demokraci të qëndrueshme pa llogaridhënie, nuk mund të ketë zhvillim ekonomik aty ku mungon besimi te drejtësia dhe se nuk mund të ketë integrim evropian pa integritet institucional. “Ju e dini shumë mirë që rruga jonë drejt Bashkimit Evropian kalon përmes sundimit të ligjit. Por lufta kundër korrupsionit nuk bëhet vetëm për të marrë një vlerësim pozitiv, pra në një raport. Ajo bëhet sepse qytetarët e Republikës tonë meritojnë një shtet që funksionon drejt. Një shtet ku mundësitë nuk blihen. Ku drejtësia nuk negociohet. Ku ligji nuk zgjedh se kë të mbrojë”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Si Ushtruese e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës dhe si Kryetare e Kuvendit, ka thënë se institucionet e Republikës do të mbeten të palëkundura në mbështetjen e këtij institucioni të rëndësishëm dhe në mbështetjen që ka misioni juaj. “Pavarësia juaj duhet të mbrohet. Integriteti juaj duhet të respektohet. Kapacitetet tuaja duhet të fuqizohen. Sepse kur mbrohet Agjencia që lufton korrupsionin, në të vërtetë mbrohet vetë Republika e Kosovës. Njëzet vjet më parë, deklarimi i pasurisë ishte një risi. Sot ai është standard. Edhe ne që deklarojmë pasurinë për çdo vit e kuptojmë çfarë sfide është që të jemi sa më të kujdesshëm në deklarimet tona dhe shpesh edhe kemi kontakte të vazhdueshme me stafin e zyrtarët e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit. Por, të jeni të bindur që kjo qasje e jona tek Agjencia është pikërisht

U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në shënimin e fillimit të Presidencës së Irlandës të Këshillit të Bashkimit Evropian

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në shënimin e fillimit të Presidencës së Irlandës të Këshillit të Bashkimit Evropian. Në fjalën para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu ka theksuar se zgjerimi është çështje e besueshmërisë dhe sigurisë së Evropës. “Kosova e ka përcaktuar qartë drejtimin e saj evropian, ka përmbushur përgjegjësitë e veta dhe meriton të gjykohet me të njëjtat standarde si vendet e tjera”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, Presidenca irlandeze mund të ndihmojë që zgjerimi të mbetet proces i besueshëm dhe që Kosova të mos mbetet peng i bllokadave politike që nuk varen nga përparimi i saj

U.D. Presidentja Haxhiu priti Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, ambasadorin Feridun H. Sinirlioğlu

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, ambasadorin Feridun H. Sinirlioğlu. Në takim, U.D. Presidentja Haxhiu, ka vlerësuar kontributin e Misionit të OSBE-së në zhvillimin e institucioneve tona si dhe ka nënvizuar nevojën që bashkëpunimi të përshtatet me realitetin dhe sfidat e Kosovës së sotme. “Theksova rëndësinë e pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të Kosovës në forumet ku diskutohet për vendin tonë, të raportimit të saktë për çështjet e sigurisë dhe të mbështetjes së mëtejshme për sundimin e ligjit, të drejtat e komuniteteve dhe qëndrueshmërinë demokratike”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal, si dhe ndaj vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë me OSBE-në.

U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar të Republikës së Turqisë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në ceremoninë përkujtimore të Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar të Republikës së Turqisë, ku u nderuan viktimat e 15 korrikut dhe qytetarët që dolën në mbrojtje të rendit kushtetues dhe të institucioneve të zgjedhura. Në fjalën e saj, U.D. Presidentja Haxhiu ka theksuar se pushteti politik buron nga vota e qytetarëve dhe se asnjë forcë nuk mund ta zëvendësojë vullnetin e tyre. Ajo ka thënë se përplasjet politike zhvillohen në parlament dhe në debatin publik, por asesi me armë. Po ashtu, U.D. Presidentja Haxhiu ka rikujtuar lidhjet e afërta ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, të ndërtuara ndër vite përmes mbështetjes politike, bashkëpunimit institucional dhe lidhjeve të shumta ndërmjet qytetarëve tanë. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se në këtë ditë përkujtimore, nderojmë kujtimin e atyre që humbën jetën duke mbrojtur rendin kushtetues të Republikës së Turqisë.

U.D. Presidentja Haxhiu dekretoi z. Zejnulla Gashi në detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim z. Zejnulla Gashi, të cilit i ka dorëzuar dekretin për emërimin në detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit. “Pas pranimit të propozimit dhe dokumentacionit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, është bërë një shqyrtim i kujdesshëm dhe gjithëpërfshirës i materialeve të dorëzuara, duke përfshirë po ashtu informacionet relevante të siguruara nga institucionet kompetente të sigurisë dhe raportet e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes. Marrë parasysh rëndësinë e këtij funksioni dhe nevojën për funksionalizimin e plotë të institucioneve të drejtësisë, kam vepruar në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo i ka uruar z. Gashi suksese në ushtrimin e kësaj përgjegjësie të lartë shtetërore. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, funksioni i Kryeprokurorit të Shtetit është një nga shtyllat kryesore të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së rendit kushtetues. Ajo më tej ka thënë se beteja kundër krimit të organizuar, korrupsionit, ndjekja e kriminelëve të luftës, dhunuesve dhe krimit të çfarëdo forme duhet të marrin përgjigje të prerë nga organi i akuzës. “Pres që Kryeprokurori Gashi, këtë detyrë ta ushtrojë me integritet të lartë profesional e moral, paanshmëri e guxim gjithnjë me përkushtim të lartë ndaj shtetit, qytetarëve, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës sonë”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në pritjen lamtumirëse me rastin e përfundimit të misionit të Ambasadorit të Zvicrës në Kosovë, z. Jürg Sprecher

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në pritjen lamtumirëse me rastin e përfundimit të misionit të Ambasadorit të Zvicrës në Kosovë, z. Jürg Sprecher. U.D. Presidentja Haxhiu ka shprehur mirënjohjen e saj për punën, përkushtimin dhe kontributin e tij të çmuar në forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Zvicrës. U.D. Presidentja Haxhiu i ka uruar suksese të mëtejshme në angazhimet e tij të reja Ambasadorit Sprecher, me bindjen se miqësia dhe partneriteti i shkëlqyer ndërmjet dy vendeve tona do të vazhdojnë të forcohen edhe në të ardhmen.

U.D. Presidentja Haxhiu priti në takim lamtumirës ambasadorin e Belgjikës në Kosovë, Grégoire Cuvelier

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim lamtumirës, ambasadorin e Belgjikës në Kosovë, Grégoire Cuvelier, me rastin e përfundimit të mandatit të tij. U.D. Presidentja Haxhiu e ka falënderuar ambasadorin Cuvelier për punën e tij në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, për dialogun e hapur me institucionet tona dhe për mbështetjen e Belgjikës ndaj Kosovës. U.D. Presidentja Haxhiu i ka uruar mbarësi ambasadorit Cuvelier në angazhimet e ardhshme duke i thënë se do të jetë gjithmonë i mirëpritur në Kosovë.

U.D. Presidentja Haxhiu priti pjesëmarrësit e festivalit ndërkombëtarë NEWBORN Kosova

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot pjesëmarrësit e festivalit ndërkombëtarë NEWBORN Kosova. Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu tha se kemi kënaqësinë të mirëpresim delegacionet nga Hungaria, Franca, Turqia, Meksika, Bullgaria, Greqia, Holanda dhe Kosta Rika, si dhe të shohim secilin prej jush të sjellë këtu, në Prishtinë, një pjesë të traditës kulturore të vendit të vet. “Festivali po shënon tashmë edicionin e tij të pestë. Brenda një kohe relativisht të shkurtër, ai ka sjellë në Kosovë ansamble folklorike nga vende të ndryshme të botës, e ka njohur publikun tonë me tradita të ndryshme muzikore dhe koreografike dhe ka krijuar një hapësirë ku artistët mund të takohen e të komunikojnë përmes punës së tyre. Vallja tradicionale mësohet me disiplinë dhe përcillet përmes lidhjes së afërt ndërmjet brezave. Hapat mund të jenë të lashtë, por çdo shfaqje u përket njerëzve që i kërcejnë ata sot”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo tha se Kosova e njeh mirë rëndësinë e kësaj trashëgimie, duke shtuar tutje se këngët dhe vallet tona kanë qenë prej kohësh pjesë e jetës familjare, e festave dhe e tubimeve të komunitetit. “Emri NEWBORN ka një domethënie të veçantë për ne. Ai lidhet ngushtë me shpalljen e pavarësisë dhe me fillimin e jetës sonë si shtet. Nëpërmjet këtij festivali, ky emër është lidhur edhe me shkëmbimin kulturor dhe me praninë gjithnjë më të dukshme të Prishtinës në hartën ndërkombëtare të festivaleve”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, radhitja e NEWBORN-it nga Federata Ndërkombëtare e Festivaleve të Vallëzimit ndër katër festivalet kryesore në botë për vitin 2024 është një arritje e rëndësishme, duke shtuar tutje se ajo dëshmon për punën e organizatorëve, cilësinë e programit dhe besimin e krijuar me ansamblet pjesëmarrëse gjatë këtyre pesë vjetëve. “Kjo arritje tregon gjithashtu se nismat kulturore nga Kosova mund të fitojnë njohje ndërkombëtare kur ndërtohen me seriozitet, vazhdimësi dhe standarde të qarta. Sot, secili delegacion ka vetëm dy minuta për ta paraqitur vendin e vet. Zgjedhja e një valleje, e një pjese muzikore apo e një kostumi që duhet të përfaqësojë një traditë shumë më të gjerë sigurisht nuk ka qenë e lehtë. Megjithatë, edhe brenda këtyre pak minutave, secili vend arrin të na përcjellë diçka nga veçantia e traditës së vet”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë më tej se takime të tilla marrin një domethënie të veçantë kur zhvillohen në një mjedis zyrtar si ky. “Diplomacia zakonisht zhvillohet përmes takimeve, dokumenteve dhe bisedimeve formale, ndërsa kultura na jep një mënyrë tjetër për t’u njohur. Përmes saj mund të shohim se si feston një komunitet, si e ruan kujtesën dhe si e shpreh veten përmes lëvizjes, muzikës dhe veshjes”, pohoi U.D. Presidentja Haxhiu. Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu ka falënderuar artistët, për kohën, disiplinën dhe përgatitjen që kanë investuar për të ardhur në Prishtinë. “Shpresoj që gjatë qëndrimit tuaj të keni mundësi ta njihni më nga afër Kosovën, njerëzit e saj dhe traditat tona kulturore. Falënderoj organizatorët e Festivalit NEWBORN Kosova, FIDAF Kosova, anëtarët e jurisë, vullnetarët dhe të gjithë ata që kanë punuar për realizimin e këtij edicioni”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu: Mohimi i gjenocidit e zhbën punën e drejtësisë dhe e mban të pranishme mendësinë që i parapriu krimit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sonte në aktivitetin përkujtimor në 31-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë. Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu tha se “Never Again”, ishte zotimi i Evropës dhe i bashkësisë ndërkombëtare pas Holokaustit, krimit që tregoi deri ku mund të arrijë një shtet kur urrejtjen e kthen në ideologji dhe shfarosjen në politikë. Sipas saj, pesëdhjetë vjet më vonë, ai zotim u vu në provë dhe dështoi në Srebrenicë. “Sot, në 31-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, Republika e Kosovës i nderon me përulje viktimat e Srebrenicës dhe qëndron pranë familjeve që prej më shumë se tri dekadash kërkojnë drejtësi, të vërtetën dhe paqen që u është mohuar. Ne, në Kosovë, e dimë çfarë do të thotë të dëbohesh nga shtëpia, të humbësh njerëzit e tu, të presësh lajme nga varrezat masive dhe të jetosh pa e ditur se ku ndodhen më të dashurit. E dimë po ashtu çfarë peshe ka ndërhyrja me kohë e bashkësisë ndërkombëtare për ta ndaluar fushatën e spastrimit etnik, gjenocidit dhe vrasjeve”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. Pikërisht për këtë arsye, sipas U.D. Presidentes Haxhiu, Srebrenica mbetet një nga dështimet më të rënda të mbrojtjes ndërkombëtare. Ajo tha se atje u shkel çdo garanci që mund ta bënte njeriun të besonte se ishte i mbrojtur, që nga prania e Kombeve të Bashkuara deri te fjala e dhënë. “Srebrenica ishte shpallur zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara, me zotimin se civilët do të ishin të sigurt dhe se prania ndërkombëtare do t’i mbronte nga sulmi. Në Potoçari, mijëra prej tyre kërkuan strehë pranë bazës së paqeruajtësve të OKB-së. Por mbrojtja e premtuar dështoi pikërisht atëherë kur duhej të vlente më së shumti. Pas pushtimit të pikave të batalionit holandez të Kombeve të Bashkuara, forcat serbe morën, në disa raste edhe nën kërcënimin e armëve, uniforma, pajisje dhe automjete të paqeruajtësve, të cilat më pas i përdorën për të krijuar përshtypjen e rreme se dorëzimi ishte i sigurt. Në korrikun e vitit 1995, vendi ku njerëzit kishin kërkuar shpëtim u bë skena e një prej krimeve më të rënda në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, krimi në Srebrenicë u mbështet në shkatërrimin e çdo orientimi moral që njeriu ka për të dalluar sigurinë nga rreziku. “Autorët e gjenocidit nuk u mjaftuan me kapjen dhe vrasjen e mijëra burrave dhe djemve boshnjak, por e kthyen edhe lidhjen më të afërt njerëzore siç është besimi i birit tek i ati, në një kurth vdekjeje. Mijëra burra dhe djem po përpiqeshin të arrinin Tuzllën përmes pyjeve, me shpresën se ajo ishte rruga e vetme drejt shpëtimit. Forcat serbe i detyruan burrat e zënë rob t’i thërrasin bijtë, etërit dhe të afërmit e tyre të dalin nga pylli, duke u thënë se do të ishin të sigurt. Disa prej atyre që u dorëzuan u vranë menjëherë, ndërsa mijëra të tjerë u mbajtën robër, u dërguan në vende të përgatitura për ekzekutim dhe u vranë në mënyrë sistematike”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo tutje tha se pas vrasjeve, strukturat ushtarake dhe policore serbe të Bosnjës zhvendosën trupat nga varrezat parësore në varreza dytësore, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, përpjekja për ta fshehur të vërtetën vazhdoi më pas përmes mohimit të gjenocidit dhe relativizimit të përgjegjësisë së autorëve, duke shtuar tutje se njësoj, kështu kishte ndodhur edhe në Kosovë gjatë periudhës së luftës, po i njëjti shtet, Serbia. “Mohimi i gjenocidit dhe ngritja në piedestal e kriminelëve të dënuar të luftës nuk e cenojnë vetëm kujtesën e viktimave. Ato e zhbëjnë punën e drejtësisë dhe e mbajnë të pranishme mendësinë që i parapriu krimit. Ratko Mladiqi dhe Radovan Karaxhiqi u dënuan me burgim të përjetshëm nga drejtësia ndërkombëtare. Por kur faktet e vërtetuara nga gjykatat ndërkombëtare paraqiten si çështje mendimi, hapet rruga që kriminelët të kthehen në shembuj për brezat e rinj. Kosova e njeh mirë këtë rrezik. Ne e dimë se çfarë sjell propaganda kur bëhet pjesë e politikës shtetërore”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu tutje tha se Republika e Kosovës qëndron pranë Bosnjës dhe Hercegovinës, të mbijetuarve dhe familjeve të viktimave, e mbështesim të drejtën e tyre për drejtësi, për kujtesë dhe për një të ardhme në të cilën viktimat dhe familjet e tyre nuk detyrohen ta dëshmojnë pafundësisht krimin, humbjen dhe të vërtetën që gjykatat tashmë e kanë vërtetuar. “Pa të vërtetën që Nënat e Srebrenicës e kanë mbrojtur për më shumë se tri dekada, nuk mund të ketë as drejtësi e as paqe. Drejtësia ndërkombëtare, për krimet e kryera në Srebrenicë i ka dënuar tetëmbëdhjetë persona. Ajo që mbetet të gjykohet sot është gatishmëria e shoqërive dhe e institucioneve për t’u shkëputur nga trashëgimia e krimit. Kur kriminelët e dënuar paraqiten si heronj, nuk shtrembërohet vetëm e kaluara. U dërgohet brezave të rinj mesazhi se krimi mund të arsyetohet, se viktima mund të harrohet dhe se përgjegjësia mund të kthehet në krenari. Kjo është e papranueshme për çdo shoqëri që synon paqe dhe demokraci”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.

This site is registered on wpml.org as a development site.