U.D. Presidentja Haxhiu dekoroi me Medaljen Presidenciale Ushtarake Kolonelin A. J. Berg

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, sot e ka dekoruar me Medaljen Presidenciale Ushtarake Kolonelin A. J. Berg, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në forcimin e partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Në përfundim të mandatit të tij si Atashe i Mbrojtjes i ShBA-së në Kosovë, e falënderova për angazhimin e tij të palëkundur në mbështetjen e zhvillimit dhe modernizimit të FSK-së, avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe thellimin e marrëdhënieve në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve tona”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në rihapjen e Galerisë Kombëtare të Kosovës

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sonte në rihapjen e Galerisë Kombëtare të Kosovës. Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu tha se Galeria Kombëtare e Kosovës u themelua më 1979, në një kohë kur ngritja e institucioneve kulturore ishte pjesë e përpjekjes së Kosovës për arsimim dhe afirmim. Ajo më tej tha se gjatë viteve që pasuan, artistët e asaj kohe i dhanë artit të Kosovës një fizionomi të vetën, të mbruajtur nga përvoja e vendit tonë dhe nga trysnia politike brenda të cilës duhej të krijonin. “Gjatë viteve të 90-ta, pushteti serb i largoi artistët shqiptarë nga institucionet ku kishin punuar dhe ekspozuar deri atëherë. Jeta artistike u zhvendos në hapësirat të pazakonshme për zhvillimin e jetës artistike dhe intelektuale, kryesisht në kafene. Një prej tyre ishte edhe Hani i Dy Robertëve, ku organizoheshin ekspozita, promovime librash dhe diskutime”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, këto vite tregojnë sa këmbëngulëse ishte jeta artistike edhe nën masa represioni, duke shtuar tutje se ajo dëshmon se, edhe kur regjimi serb i mbylli dyert e institucioneve, artistët vazhduan të krijonin dhe t’ia paraqisnin punën e tyre publikut. “Gjatë luftës u dogjën shumë atelie dhe u shkatërrua një numër i madh veprash artistike. Me to humbën edhe skica, dorëshkrime, dëshmi dhe pjesë të historisë së artit tonë pamor, të cilat nuk mund të rikthehen. Humbje të tilla e bëjnë edhe më të qartë pse ruajtja e koleksionit është kaq e rëndësishme. Prandaj, zgjerimi i Galerisë me katërqind metrat katrorë të rinj, krijon për herë të parë hapësirën e nevojshme për ruajtjen dhe konservimin e koleksionit, si dhe për studimin e tij të mirëfilltë”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo tha se këtu ruhen veprat artistike për qytetarët e sotëm dhe për brezat e ardhshëm. “Arkivimi i veprave u jep qytetarëve mundësinë ta njohin të kaluarën pa qenë të detyruar ta shpikin nga e para, ndërkaq konservimi e ruan veprën edhe përtej kohës. Hana Halilaj ka mbledhur vepra që vijnë nga periudha të ndryshme. Një pjesë janë krijuar në vitet e 70-ta, të tjerat në periudhat pasuese. Mes veprave të para dhe atyre të sotme, Kosova ka kaluar diskriminimin, luftën, spastrimin etnik dhe ndryshimin e rendit politik”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo tha se titulli i ekspozitës që po hapim sot “Jo gjithë njerëzit ekzistojnë në të Tashmen e njëjtë” lidhet drejtpërdrejt me përvojën tonë, një brez po ndërton jetën e vet në liri, derisa një tjetër ende pret përgjigje për mungesat që ka lënë lufta. “Rihapja e Galerisë Kombëtare na mbledh pikërisht për t’i parë këto shtresime, për ta vështruar vendin tonë përmes periudhave, kujtimeve dhe syve të ndryshëm që e kanë përshkuar”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, arti e ndihmon një shoqëri ta shohë veten më qartë, andaj shtoi ajo, Republika jonë po ofron kushte që ta mbrojnë lirinë e artit. U.D. Presidentja Haxhiu tutje, tha se mënyra se si shteti apo institucionet e trajtojnë artistin tregon sa i gatshëm është ta durojë të vërtetën. “Dua ta kujtoj sonte me shumë respekt dhe përulje, Shyqri Nimanin, drejtorin e parë të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Duke folur për themelimin e teatrit, Kosovafilmit dhe Galerisë, ai thoshte se Kosova po fillon ta marr trajtën e një shteti. Sot, pas gati pesë dekadash, ajo fjali tingëllon ende e saktë. Galeria pra ishte pjesë e asaj trajte dhe mbetet pjesë e saj edhe sot”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Në fund U.D. Presidentja Haxhiu ka uruar që Galeria të mos mbetet vetëm hapësirë ekspozimi por të bëhet vend ku fëmijët takojnë artin për herë të parë, ku studentët studiojnë, ku artistët e rinj provojnë ta gjejnë zërin e tyre dhe ku publiku ka arsye të qëndrojë pak më gjatë.
U.D. Presidentja Haxhiu vizitoi Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) në Prizren

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) në Prizren, një qendër kyçe e inovacionit, teknologjisë dhe ndërmarrësisë në Kosovë. Ajo ka thënë se ITP ka transformuar një hapësirë prej 40 hektarësh që lidhë biznesin, institucionet dhe akademinë, duke krijuar mundësi për zhvillim ekonomik, inovacion dhe punësim. “Me 50 ndërtesa, 65 biznese aktive dhe rreth 1,000 studentë, profesionistë e vizitorë çdo ditë, ITP është kthyer në një motor të zhvillimit. Brenda kësaj hapësire vepron edhe Makerspace Innovation Center Prizren (MICP), që kontribuon në zhvillimin e aftësive profesionale, mbështetjen e sipërmarrjes dhe inovacionit përmes trajnimeve, programeve të aftësimit dhe infrastrukturës moderne për teknologji dhe prodhim”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, sukseset e ITP dhe MICP janë dëshmi për potencialin që ka Kosova për të ndërtuar një ekonomi të bazuar në dije, teknologji dhe ndërmarrësi.
U.D. Presidentja Haxhiu vizitoi Zyrën Kombëtare të Auditimit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar sot Zyrën Kombëtare të Auditimit, me ç’rast u takua me Auditoren e Përgjithshme, znj. Vlora Spanca, si dhe stafin e këtij institucioni. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu auditimi i pavarur është një nga shtyllat kryesore të qeverisjes së mirë dhe llogaridhënies institucionale. Ajo ka vlerësuar lart punën profesionale të ZKA-së dhe rolin e saj në forcimin e transparencës në institucionet publike. Gjatë takimit, u diskutua edhe për njohjet ndërkombëtare të ZKA-së, bashkëpunimin me Prokurorinë në trajtimin e gjetjeve të auditimit, si dhe ndryshimet ligjore që synojnë forcimin e pavarësisë institucionale. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se do të vazhdoj të mbështes çdo përpjekje që forcon integritetin, transparencën dhe menaxhimin e përgjegjshëm të parasë publike.
U.D. Presidentja Haxhiu dhe kryeministri Kurti nënshkruan vendimin që z. Agon Bytyqi të vazhdojë edhe për pesë vjet në detyrën e zëvendësdrejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu bashkë me Kryeministrin Albin Kurti, sot nënshkruan vendimin që z. Agon Bytyqi të vazhdojë edhe për pesë vjet në detyrën e zëvendësdrejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. U.D. Preaidentja Haxhiu ka thënë se përvoja e tij, njohja e institucionit dhe përgjegjësia e dëshmuar gjatë mandatit të parë janë të rëndësishme për vazhdimësinë dhe punën profesionale të AKI-së në mbrojtje të sigurisë së vendit. U.D. Presidentja Haxhiu dhe kryeministri Kurti e falënderuan z. Bytyqi për punën e deritanishme dhe i uruan mbarësi në mandatin e ri.
U.D. Presidentja Haxhiu priti në takim lamtumirës Ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim lamtumirës Ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher. U.D. Presidentja Haxhiu ka falënderuar ambasadorin Sprecher për bashkëpunimin gjatë mandatit të tij dhe për angazhimin në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona. “Kosova dhe Zvicra kanë lidhje të thella, të ndërtuara edhe nga breza të bashkatdhetarëve tanë që Zvicrën e kanë bërë shtëpinë e tyre të dytë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu i ka uruar suksese ambasadorit Sprecher në angazhimet e ardhshme, me mirënjohje për kontributin dhe miqësinë e tij ndaj Kosovës
U.D. Presidentja Haxhiu: Kosovës duhet t’i hapet rruga drejt negociatave për anëtarësim në BE

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim eurodeputetin Riho Terras, raportues i përhershëm i Parlamentit Evropian për Kosovën. U.D. Presidentja Haxhiu e falënderoi z. Terras për angazhimin dhe mbështetjen e tij ndaj perspektivës evropiane të Kosovës. Ajo theksoi se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të trajtohet pa vonesa të mëtejshme dhe se përparimi i vendit duhet të vlerësohet mbi bazën e meritave. Sipas U.D. Presidentes, Kosova nuk kërkon përjashtim nga kriteret, por një proces të drejtë, i cili do t’i hapte rrugën marrjes së statusit të vendit kandidat dhe fillimit të negociatave për anëtarësim. U.D. Presidentja Haxhiu paraqiti përparimin e Kosovës në reformat evropiane, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Bashkimit Evropian. Ajo vuri në pah se orientimi euroatlantik i Kosovës është i qartë, i qëndrueshëm dhe gëzon mbështetje të gjerë qytetare. U.D. Presidentja foli edhe për dialogun me Serbinë, çështjet e sigurisë dhe mungesën e përgjegjësisë për sulmin terrorist në Banjskë. Ajo theksoi se procesi evropian duhet të mbështetet në zbatimin e marrëveshjeve dhe në përgjegjësi të barabartë për të gjitha palët.
U.D. Presidentja Haxhiu: Sot, në Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pata kënaqësinë të jem në Kampin Bondsteel

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se sot në Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pata kënaqësinë të jem në Kampin Bondsteel, së bashku me pjesëtarët e Grupit për Mbështetje në Ballkan, për ta ndarë me ta këtë ditë të veçantë dhe festive. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, katër korriku na kthen te një nga parimet më fisnike të demokracisë, te vullneti i popullit si burim i lirisë dhe i pushtetit. Ajo tutje ka thënë se për ne në Kosovë, kjo datë është e pandashme nga miqësia me Shtetet e Bashkuara, të cilat na janë gjendur pranë në çastet më të rënda dhe më përcaktuese të historisë sonë. U.D. Presidentja Haxhiu, ushtarëve dhe qytetarëve amerikanë ua ka përcjellë urimet më të përzemërta për 250-vjetorin e Pavarësisë, bashkë me mirënjohjen për aleancën që na ka bashkuar në të kaluarën dhe vazhdon të na prijë drejt së ardhmes.
U.D. Presidentja Haxhiu vizitoi Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar sot Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ku u pritë nga drejtori, z. Petrit Ajeti, dhe zyrtarë të tjerë të Agjencisë. Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu u njoh nga afër me punën, organizimin dhe prioritetet e këtij institucioni kyç për sigurinë e Republikës së Kosovës. Ajo ka shprehur vlerësimin për profesionalizmin dhe përkushtimin e zyrtarëve të AKI-së në mbrojtje të sigurisë dhe interesave shtetërore. U.D. Presidentja Haxhiu tha se fuqizimi i kapaciteteve të saj dhe bashkëpunimi ndërinstitucional mbeten thelbësore për një Republikë të sigurt dhe të përgatitur për sfidat e së ardhmes.
Fjalimi i U.D. Presidentes Haxhiu në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerata 2026

I nderuar Kryeministër Kurti, I nderuar Ministër Maqedonci, I nderuar Gjeneral Lejtënant Jashari, Të nderuar atashe ushtarakë, përfaqësues të NALT-it, KFOR-it dhe partnerë ndërkombëtarë, I nderuar personel i Akademisë së Mbrojtjes, Të dashur prindër dhe familjarë, Dhe mbi të gjitha, të dashur kadetë të Klasës 2026, Sot kam nderin të jem mes jush, në ditën kur ju, brezi i ri i oficerëve, po e mbaroni shkollimin në Akademinë e Mbrojtjes dhe po hyni në shërbim të Republikës. Kjo ditë u përket para së gjithash juve, kadetë të Klasës 2026. U përket familjeve tuaja, që e kanë përcjellë nga afër mundin, disiplinën dhe pritjen e këtyre viteve. I përket Akademisë, që ju ka formuar, dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, që sot merr në radhët e saj oficerë të rinj, të përgatitur për përgjegjësi të mëdha. Të dashur kadetë dhe nga sot oficerë të rinj, Me diplomimin tuaj përmbyllet një kapitull i rëndësishëm i formimit tuaj dhe nis përgjegjësia e shërbimit si oficerë të Republikës. Katër vite më parë ju e nisët këtë rrugëtim me ëndrra, ambicie dhe vendosmëri për t’i shërbyer atdheut. Gjatë këtyre viteve ndoqët programin e integruar akademik dhe ushtarak, duke përfituar njohuri universitare dhe njëkohësisht duke kaluar përmes edukimit, stërvitjes dhe formimit ushtarak në Akademinë e Mbrojtjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës. Formimi që keni marrë ju ka dhënë dije, disiplinë dhe një kuptim të qartë të përgjegjësisë që mban oficeri. Pajisjet moderne, teknologjia dhe standardet e reja kanë vlerë kur vihen në duart e njerëzve që dinë të gjykojnë drejt, të qëndrojnë të qetë dhe të veprojnë me integritet. Grada do të vendoset mbi supet tuaja, por pesha e saj do të matet në karakterin tuaj. Një oficer fiton besim me sjellje, me ndershmëri, me kujdes ndaj njerëzve që i besohen dhe me gatishmëri për të marrë përgjegjësi edhe kur vendimi është i vështirë. Njerëzit mund ta respektojnë gradën, por e ndjekin vetëm karakterin. Ju po diplomoni në një kohë kur siguria ndërkombëtare po përballet me sfida të reja. Konfliktet, kërcënimet hibride, sulmet kibernetike, dezinformimi dhe përpjekjet për ta dobësuar një shtet nga brenda, na kujtojnë se paqja ruhet me përgatitje, vigjilencë dhe aleanca të forta. Për këtë arsye, përgjegjësia juaj është shumë më e madhe , duke filluar nga mbrojtja e integritetit territorial, sovranitetit shtetëror, të Kushtetutës sonë, të rendit demokratik, të lirisë dhe të sigurisë së çdo qytetari të Republikës së Kosovës. Shërbimi juaj nis me vetëdijen se Republika nuk është dhuratë. Ajo u ngrit mbi përpjekjen shekullore për liri, mbi sakrificën e popullit tonë dhe mbi luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Heroizmi i Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe sakrifica e familjes Jashari mbeten përjetësisht simbol i guximit, i lirisë dhe i vendosmërisë së popullit tonë për të jetuar i lirë. Duhet të shërbeni me krenari dhe me përulje para sakrificës së atyre që e bënë të mundur shtetin. Historia jonë e re është e lidhur edhe me aleatët tanë. Në çlirimin e Kosovës, në ndërtimin e paqes, në ngritjen e institucioneve dhe në zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes, Kosova ka pasur pranë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe vendet mike. Për këtë mbështetje, Republika e Kosovës mbetet mirënjohëse. Ruajeni besimin e qytetarëve dhe forcojeni bashkëpunimin me aleatët tanë përmes punës, disiplinës dhe standardit që tregoni çdo ditë. Forca e Sigurisë së Kosovës, së bashku me Policinë tonë, janë institucione që gëzojnë besimin më të madh të qytetarëve dhe ky besim është kapitali ynë më i çmuar. Ruajeni e forcojeni edhe më tej atë, sepse besimi fitohet me profesionalizëm, por ruhet me vlerat e pazëvendësueshme: të besnikërisë, ndershmërisë dhe integritetit. Në këtë festë të përbashkët, ripërsëris se synimi ynë strategjik mbetet i pandryshuar. Republika e Kosovës i takon familjes euroatlantike dhe anëtarësimi ynë në NATO është objektiv shtetëror dhe interes strategjik i Republikës së Kosovës. Ky synim lidhet me sigurinë tonë por edhe me orientimin tonë të qartë demokratik, për paqe, sundim të ligjit dhe siguri. Kam bindjen se pikërisht brezi juaj do të jetë ndër brezat që do ta afrojë Kosovën edhe më pranë këtij qëllimi historik, dhe besoj që shumë prej jush do ta kenë privilegjin ta përfaqësojnë Republikën si oficerë të shtetit më të ri anëtar të NATO-s. Të dashur prindër dhe familjarë, Kjo ditë u përket edhe juve sikurse edhe gjithë neve. Ju keni qenë mbështetja e tyre në çdo hap të këtij rrugëtimi dhe për katër vite, keni ndarë me ta sfidat, mungesat, sakrificat dhe gëzimin e çdo suksesi. Në emër të institucioneve, qytetarëve dhe forcave tona, ju falënderoj për frymëzimin e edukimin që u keni dhënë, për vlerat që u keni përcjellë dhe për besimin që keni pasur tek ata. Sot, bijtë dhe bijat tuaja hyjnë në shërbim të Republikës si oficerë të rinj, me detyrë ndaj qytetarëve, mbrojtjes së vendit dhe paqes. Një falënderim të veçantë dua ta shpreh edhe për profesorët, instruktorët dhe personelin e Akademisë së Mbrojtjes. Cilësia e punës suaj shihet te oficerët që dalin nga kjo Akademi, te dija që bartin, te disiplina që kanë fituar dhe te karakteri që kanë formuar, e ky është një prej investimeve më të rëndësishme që mund t’i bëhet sigurisë së Republikës së Kosovës. Në fund, Të dashur oficerë të rinj, Uniforma që vishni nuk ju ndan nga qytetari. Ju lidh më shumë me të. Sepse çdo gradë në FSK ka kuptim vetëm kur vihet në shërbim të Republikës dhe të njerëzve të saj. Nga sot, çdo vendim që do të merrni do të bartë përgjegjësi, çdo urdhër që do të jepni do të ndikojë në jetën e njerëzve, si dhe çdo veprim i juaji do të përfaqësojë identitetin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Republikën tonë. Prandaj, shërbeni gjithmonë me nder, udhëhiqni me urtësi, veproni me integritet dhe qëndroni përherë besnikë ndaj betimit që do ta bëni sot. Në emër të Republikës së Kosovës, ju përgëzoj për diplomimin tuaj dhe ju uroj suksese në detyrën tejet fisnike që keni zgjedhur. Qoftë e bekuar rruga juaj në shërbim të Republikës së