U.D. Presidentja Haxhiu: Më 27 prill të vitit 1999, në Mejë dhe në Korenicë u krye një nga masakrat më të rënda gjatë luftës së fundit në Kosovë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe sot në Kompleksin Memorial në Mejë. U.D. Presidentja Haxhiu me këtë rast ka thënë se më 27 prill të vitit 1999, pra para 27 viteve, në Mejë dhe në Korenicë u krye një nga masakrat më të rënda gjatë luftës së fundit në Kosovë. “376 civilë shqiptarë të paarmatosur u vranë dhe me qëllim që të fshehen gjurmët e krimeve, ata u zhvendosën në varreza masive në Serbi, në Batajnicë, Rudnicë dhe në vende të tjera”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo, tutje ka thënë se sot nderojmë dhe kujtojmë 376 martirët e këtyre masakrave, sot nderojmë e kujtojmë po ashtu edhe nënën Pashkë, nënën e cila u flijua, pra i dha fund jetës pas rivarrimit të dy djemve të saj. Sot po ashtu nderojmë kontributin, sakrificën dhe qëndresën e nënave të Gjakovës, sikurse edhe të gjitha nënave, që kanë humbur më të dashurit e tyre gjatë periudhës së luftës. “Në këtë rast, siç jeni në dijeni, para dy vite e gjysmë është ngritur aktakuzë për mbi 50 persona, për këtë masakër të madhe”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu, derisa u ka bërë thirrje “institucioneve të drejtësisë, që pa vonesa ta trajtojnë këtë masakër, që siç e përmenda është një nga masakrat më të rënda gjatë luftës së fundit në Kosovë, por edhe t’i adresojmë përgjegjësitë në raport me krimet e shumta që Serbia i ka bërë në Kosovë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu: Rexhep Qosja si intelektual, në vitet vendimtare për popullin e Kosovës, ishte zë i qartë kundër shtypjes, kundër padrejtësisë dhe kundër përpjekjeve për mohimin e identitetit tonë kombëtar

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në Seancën e veçantë në shenjë nderimi për akademikun Rexhep Qosja. Në fjalën e saj, U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se sot, në këtë seancë përkujtimore, Kuvendi i Republikës së Kosovës nderon akademik Rexhep Qosjen, si njërin ndër njerëzit që e shndërroi kulturën shqiptare në hapësirë mendimi, polemike, vetëdijeje dhe përgjegjësie historike. “Rexhep Qosja jetoi dhe krijoi në një kohë kur shqiptarëve u kërkohej vazhdimisht ta dëshmonin gjuhën, historinë, përkatësinë dhe të drejtën e tyre politike. Kësaj kohe ai iu përgjigj me vepra, me studime, polemika, qëndrime publike dhe me një disiplinë intelektuale që rrallë shihet në jetën tonë publike. Ai e ndërtoi mendimin e tij mbi vlerat e Rilindjes Kombëtare, mbi trashëgiminë iluministe evropiane, mbi humanizmin dhe mbi figurat që shqiptarëve u dhanë drejtim historik”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej tha se si shkrimtar, ai dëshmoi se letërsia mund të jetë njëkohësisht art dhe ndërgjegje, duke shtuar më tej se në veprat e tij artistike e solli njeriun përballë frikës, pushtetit, padrejtësisë dhe dilemave të kohës sonë. “Akademik Qosja e nxori studimin e letërsisë shqipe nga kufijtë e një disipline të ngushtë dhe e lidhi me pyetjen më të madhe të kohës së tij: si mbahet gjallë vetëdija e një populli të ndarë, të shtypur dhe të detyruar të mbrojë edhe gjuhën, edhe historinë, edhe të drejtën e vet politike. Me punën e tij kërkimore, me interpretimet e thella dhe me leximin e ri të autorëve tanë më të rëndësishëm, Qosja e bëri letërsinë shqipe pjesë të debatit të madh për identitetin, për vazhdimësinë historike dhe për të drejtën politike të shqiptarëve”, pohoi U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu, më tej tha se si intelektual, në vitet vendimtare për popullin e Kosovës, ai ishte zë i qartë kundër shtypjes, kundër padrejtësisë dhe kundër përpjekjeve për mohimin e identitetit tonë kombëtar. “Kontributi i tij shtrihet edhe në proceset politike të fundit të shekullit të kaluar, kur Kosova kërkonte liri dhe republikë. Rexhep Qosja e vuri autoritetin e tij intelektual në shërbim të kësaj të drejte, duke e artikuluar lirinë e Kosovës si të drejtë historike dhe si kauzë që kërkonte afirmim ndërkombëtar”, theksoi U.D. Presidentja. Sipas saj, në jetën kulturore të Kosovës, profesor Qosja zë vendin e atyre figurave të rralla që dalin përtej institucionit dhe shënojnë një epokë të tërë mendimi. “Instituti Albanologjik, Universiteti i Prishtinës, letërsia, teatri, filmi dhe debati publik mbajnë në themel punën, guximin dhe praninë e tij. Te Qosja, kultura kishte detyrë. Libri kishte detyrë. Intelektuali kishte detyrë. Prandaj vepra e tij doli përtej bibliotekës dhe hyri në historinë politike të Kosovës”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, Qosja e ktheu argumentin në mjet mbrojtjeje për identitetin dhe të drejtën shqiptare, para se kjo e drejtë të merrte formë në tryezat politike. “Qysh në vitet e shtatëdhjeta, në veprën “Panteoni i rralluar”, ai kishte shkruar për fjalën dhe heshtjen si çështje etike, politike dhe intelektuale. Më vonë, në polemikat e viteve tetëdhjetë, në publicistikën e viteve nëntëdhjetë dhe në intervistat ku artikuloi të drejtën e Kosovës për vetëvendosje, dëshmoi se për krijuesin shqiptar heshtja nuk mund të ishte strehë në kohë shtypjeje. Fjala, te Qosja, ishte detyrim ndaj së vërtetës dhe ndaj popullit. Në vitin 1991, në një intervistë për shtypin beogradas, kur Jugosllavia po shpërbëhej dhe Kosova mbahej nën shtypje, akademik Qosja deklaronte se këmbëngulja dhe vendosmëria e popullit shqiptar do të vazhdonin përballë vuajtjeve, derisa Kosova ta arrinte të drejtën që i takonte: të drejtën për vetëvendosje politike dhe territoriale”, ka thënë U.D. Presidentja. Ajo më tej tha se Akademik Rexhep Qosja nuk kërkoi nderime për veten, por Republika ka detyrë t’i nderojë ata, që me veprën e tyre e kanë nderuar shtetin dhe e kanë nderuar kombin. “Kujtimi për të do të mbetet aty ku ai e vendosi gjithë veprën e tij: në kulturën shqiptare, në mendimin kritik, në gjuhën shqipe dhe në historinë politike e shpirtërore të Kosovës”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
U.d. Presidentja Haxhiu shpreh solidaritet me popullin amerikan pas sulmit në Uashington

U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, ka reaguar pas sulmit të ndodhur në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në Uashington. Në reagimin e saj, U.d. Presidentja Haxhiu shprehu solidaritet me popullin amerikan dhe lehtësim që Presidenti Donald Trump, Zonja e Parë dhe të gjithë të pranishmit janë jashtë rrezikut. “Pas sulmit shqetësues në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, jemi pranë popullit amerikan. Të lehtësuar që Presidenti Trump, Zonja e Parë dhe të gjithë të pranishmit janë të sigurt. Zyrtarit të plagosur i urojmë shërim të plotë dhe qëndrojmë pranë Shteteve të Bashkuara në këtë moment të vështirë”, thuhet në reagimin e U.d. Presidentes. Republika e Kosovës dënon çdo akt dhune dhe qëndron pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, partnerit dhe aleatit të saj strategjik.
U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në Kuvendin Vjetor të 23-të të Anëtareve të Rrjeti i Grave të Kosovës

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në Kuvendin Vjetor të 23-të të Anëtareve të Rrjetit të Grave të Kosovës, ku vlerësoi rolin shumëvjeçar të këtij rrjeti në avancimin e të drejtave të grave, forcimin e demokracisë dhe ngritjen e standardeve të barazisë në vend. Në fjalën e saj, U.D. Presidentja Haxhiu theksoi se kontributi i grave të Kosovës nuk matet vetëm në momente të mëdha historike, por edhe në punën e përditshme që ka mbajtur në këmbë familjen, komunitetin dhe vetë shoqërinë. Duke kujtuar marshin “Bukë për Drenicën” në pranverën e vitit 1998, ajo ndau një kujtim personal nga fëmijëria, kur pa nënën e saj dhe gratë e lagjes duke dalë me bukë në dorë në solidaritet me qytetarët e Drenicës. “E kuptova se dhimbja e tjetrit nuk është e huaj, se kohëve të vështira u bëhet ballë, dhe se kur gratë përfshihen, shoqëria përparon”, tha znj. Haxhiu. Ajo vlerësoi Rrjeti i Grave të Kosovës si një prej shembujve më të qartë të organizimit qytetar që ka kthyer forcën e heshtur të grave në ndikim publik, duke qenë për dekada zë i qartë për barazinë, mbrojtjen nga dhuna, pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje dhe politika më të drejta. U.D. Presidentja Haxhiu theksoi se institucionet përfitojnë kur bashkëpunojnë me shoqërinë civile dhe me organizata që sjellin dije, hulumtime serioze dhe përvojën reale të qytetarëve në proceset vendimmarrëse. “Ligjet bëhen më të mira kur mbështeten në dije. Politikat bëhen më të drejta kur mbështeten në përvojë”, u shpreh ajo. Në fund, znj. Haxhiu falënderoi anëtaret e rrjetit për punën dhe këmbënguljen ndër vite, duke theksuar se sa herë që një grua përfaqësohet dhe dëgjohet, demokracia e Kosovës bëhet më e plotë.
U.D. Presidentja Haxhiu: Sot foli rendi kushtetues i Kosovës të cilin rreshteri Afrim Bunjaku e mbrojti deri në fund

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se me aktgjykimin e shpallur sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviq me 30 vjet burgim për sulmin terrorist në Banjskë. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se sot foli rendi kushtetues i Kosovës të cilin rreshteri Afrim Bunjaku e mbrojti deri në fund. “Ky vendim është dëshmi se sulmi ndaj Policisë së Kosovës, ndaj rendit kushtetues dhe ndaj sigurisë së vendit tonë nuk do të mbetet pa ndëshkim”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka thënë se, drejtësia për sulmin terrorist në Banjskë nuk përfundon këtu, duke shtuar tutje se ajo përmbyllet vetëm kur të gjithë përgjegjësit në krye me terroristin Millan Radoiqiq të dalin para drejtësisë. U.D. Presidentja Haxhiu, në fund ka thënë Lavdi Afrim Bunjakut, heroit tonë!
U.D. Presidentja Haxhiu: Eliot Engel e deshi Kosovën, prandaj Kosova nuk do ta harrojë kurrë atë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka mbajtur fjalim në seancën solemne në shenjë nderimi për kongresistin amerikan, Eliot Engel. Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu, ka thënë se sot, në këtë seancë solemne, kujtojmë dhe nderojmë një njeri që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës, duke shtuar më tej se sot e nderojmë dhe e kujtojmë mikun besnik, por edhe ligjvënësin e drejtë amerikan, i cili në ditët më të vështira të historisë sonë të re, bashkë edhe me shumë kongresistë dhe senatorë të tjerë amerikanë, ngriti zërin fuqishëm kundër shkeljes së të drejtave tona, represionit dhe persekutimit nga regjimi serbo-jugosllav. “Për 32 vite, 16 mandate me radhë, ai shërbeu me ndershmëri dhe vendosmëri në Kongresin Amerikan. E drejtoi Komitetin për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve. Përgjatë gjithë karrierës së tij politike ai nuk reshti së kërkuari drejtësi për popullin e Kosovës, duke shpërfaqur kështu virtyte të larta njerëzore të një politikani të rrallë dhe të një njeriu të madh”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej tha se në vitet e errëta, kur shqiptarët e Kosovës po vuanin nën regjimin e Millosheviqit dhe bota ende hezitonte të vepronte, Eliot Engel ngriti zërin. “Ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara shtrihen oqeane dhe mijëra kilometra. Në hartë jemi larg, në madhësi dhe në fuqi jemi të pakrahasueshëm, por në jetën e kombeve të shtypura, largësia më e madhe është qëndrimi larg vëmendjes dhe vendimmarrjes. Vendet e vogla shpesh duhet të trokasin gjatë në dyert e botës që të dëgjohen. Në shumë raste ato dyer mbeten të mbyllura deri sa bëhet tepër vonë. Rajoni jonë e njeh mirë këtë pritje, por kur ke miq sikurse kongresisti Eliot Engel hapja e dyerve të tilla është e mundshme dhe është historike”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Në fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës, U.D. Presidentja Haxhiu tha se më 11 qershor të vitit 1996, kongresisti demokrat arriti ta sigurojë mbështetjen e demokratëve dhe të republikanëve për çështjen e Kosovës. U.D. Presidentja Haxhiu, tha se ata ia dërguan Presidentit Bill Klinton një letër, në të cilën ndër të tjera, thuhej: “Ne besojmë se ka ardhur koha që gjendjes në Kosovë t’i kushtohet vëmendja që e meriton. Kjo do të thotë se Shtetet e Bashkuara duhet t’i kushtojnë Kosovës nivelin më të lartë të vëmendjes që tani, në mënyrë që situata atje të mos përkeqësohet edhe më tej”. Ajo më tej shtoi se disa javë më vonë, më 26 korrik 1996, në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së u shqyrtua Rezoluta 155 për Kosovën, tekst të cilin vetë Engel e kishte hartuar dhe e cila dënonte represionin në Kosovë, kërkonte rikthimin e të drejtave qytetare e politike të popullit tonë dhe rikthente Kosovën në vëmendjen e Washingtonit. “Në raport me çështjen e Kosovës, Engel e kuptoi se kauzat e drejta kërkojnë unitet dhe bashkimin edhe të republikanëve edhe të demokratëve. Prandaj, suksesshëm arriti të sigurojë mbështetje të gjerë në Kongres. Dy vite pas rezolutës, më 17 mars 1998, në Kongresin amerikan, Engel foli për përshkallëzimin e dhunës në Kosovë dhe kërkoi që represioni nga regjimi gjenocidal i Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës të mos tolerohej në asnjë mënyrë. Ai e futi Kosovën në rend dite në Washington”, pohoi U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej shtoi se në ato vite të rënda, Kosovës nuk i hynin në punë reagimet e vonshme, por njerëzit që flisnin me kohë dhe aty ku fjala ka peshë, e sipas U.D. Presidentes Haxhiu, Engel ishte njëri prej atyre njerëzve. “Gjatë vizitës së tij në Kosovë, në shtator të vitit 1999, ai shprehi qartë dëshirën që populli jonë të jetojë i lirë dhe i pavarur. Kur e shpallëm pavarësinë më 17 shkurt 2008, ai ishte ndër mbështetësit më të vendosur të njohjes ndërkombëtare. Por, ajo që e bëri të veçantë nuk ishte vetëm ai moment historik, ishte fakti se nuk u largua pas tij. E dinte dhe e thoshte hapur, se pavarësia nuk është fundi i një rruge, por fillimi i një pune të vështirë. Kështu vazhdoi të qëndrojë pranë Kosovës, duke mbështetur forcimin e institucioneve demokratike, zhvillimin e forcave tona të sigurisë dhe thellimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe në periudhat kur rruga jonë ishte e vështirë dhe sfidat ishin shumë të mëdha, zëri i tij mbeti i pandryshuar”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, ky nuk ishte angazhim diplomatik i zakonshëm, ishte besnikëri ndaj një miqësie të përzemërt. “Eliot Engel nuk e donte Kosovën nga larg, nga deklarata të buta dhe nga vizita ceremoniale, ai e mbrojti atë me argumente, me votë, me prezencë dhe me besim të palëkundur në drejtësinë e kauzës sonë. Ishte i vetëdijshëm për çmimin e qëndrimeve të tilla dhe megjithatë qëndroi”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka shtuar se sot, kur e kujtojmë, ne nuk e kujtojmë vetëm kongresmenin Engel, para së gjithash e kujtojmë njeriun, që zgjodhi të jetë në anën e së drejtës në kohë shumë të vështira për popullin, por edhe për vendin tonë. “Trashëgimia e Engel nuk do të qëndrojë vetëm në arkivat e historisë sonë. Ajo jeton në miqësinë e fortë dhe strategjike mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, miqësi që ai e kultivoi me durim dhe me bindje. Ai jeton para së gjithash, në kujtesën e qytetarëve tanë, të cilët e dinë se liria e tyre ka pasur mbrojtës të vërtetë përtej kufijve tanë”, theksoi U.D. Presidentja. Ajo tutje shtoi se jeta e tij u shua aty ku edhe u formësua, në Bronks, i rrethuar nga familja dhe nga njerëzit e tij të dashur. Por, sipas U.D. Presidentes, ndikimi i tij do të ndjehet gjatë në zemrën e çdo shqiptari dhe do të kujtohet përherë me nderim të thellë dhe me dinjitet, si njeri që Kosovës iu gjend pranë kur kishte më së shumti nevojë. U.D. Presidentja Haxhiu tha se Eliot Engel e deshi Kosovën, prandaj Kosova nuk do ta harrojë kurrë atë.
U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në homazh përkujtimor dhe u shkrua në Librin e Zisë në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosja

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, sot ka marrë pjesë në homazh përkujtimor dhe është shkruar në Librin e Zisë në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosja. Në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosja, me vendim të U.D. Presidentes Haxhiu, dita e sotme, e premte, 24 prill 2026, është shpallur Ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se me këtë vendim, shteti ynë shpreh nderimin dhe mirënjohjen për një personalitet që i dha kulturës shqiptare dije, vepër dhe autoritet.
U.D. Presidentja Haxhiu e shpallë të premten ditë zie shtetërore në Kosovë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e nesërme, e premte, 24 prill 2026, shpallet Ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës. “Në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosja, dita e nesërme, e premte, 24 prill 2026, shpallet Ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës. Me këtë vendim, shteti ynë shpreh nderimin dhe mirënjohjen për një personalitet që i dha kulturës shqiptare dije, vepër dhe autoritet”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu: Kosova e humbi akademikun Rexhep Qosja, ndërkaq bota shqiptare humbi një nga personalitetet e saj më të mëdha të mendimit kritik, të letërsisë dhe të studimit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se sot, Kosova e humbi akademikun Rexhep Qosja, ndërkaq bota shqiptare humbi një nga personalitetet e saj më të mëdha të mendimit kritik, të letërsisë dhe të studimit. “Humbëm një personalitet që për dekada me radhë ishte i pranishëm në jetën tonë kulturore, akademike dhe politike. Për më shumë se gjysmë shekulli, Akademik Qosja ishte i pranishëm në hapësirën shqiptare me libra, me studime, me debat dhe me qëndrim”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka thënë se te ai bashkëjetonin studiuesi i letërsisë, kritiku, romancieri, eseisti, profesori dhe polemisti publik. “Në studimet letrare, ai la pas trashëgimi të çmuar për letërsinë shqipe dhe për periudhat e saj vendimtare. Në prozë, me romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, solli një nga veprat që zgjeruan kufijtë e romanit shqiptar, duke e kthyer përvojën e frikës, pushtetit dhe shtypjes në letërsi me vlerë të qëndrueshme. Tek “Të fshehtat e treguara”, Qosja dëshmoi se edhe në fund të rrugëtimit krijues mbeti i mprehtë ndaj kohës, shoqërisë dhe ndaj rënies së vlerave”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, për shumë breza studentësh, lexuesish e studiuesish, Rexhep Qosja ishte shkollë më vete, duke shtuar tutje se përmes veprës së tij, shumëkush mësoi ta lexojë letërsinë si pasqyrim të shoqërisë, historinë dhe gjuhën si themel identiteti. “Rexhep Qosja, iku për në amshim, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Librit, duke na kujtuar se krijuesi nderohet më së shumti me veprën që lë pas. Siç thoshte ai, heronjtë e mendjes i bëjnë ballë kohës më gjatë. Akademik Qosja ishte hero i mendjes, ndaj si i tillë do të jetë udhërrëfyes për brezat”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu iu ka shprehur ngushëllime të sinqerta familjes, miqve, bashkëpunëtorëve dhe lexuesve të shumtë.
U.D. Presidentja Haxhiu priti në takim Zëvendëskryeministrin Fikrim Damka dhe një delegacion përfaqësues të komunitetit turk, me rastin e shënimit të Ditës së Turqve, 23 prillit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, me rastin e shënimit të Ditës së Turqve, 23 prillit, datë që përkon edhe me themelimin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë dhe rrugëtimin e shtetit modern turk, ka pritur sot në takim Zëvendëskryeministrin Fikrim Damka dhe një delegacion përfaqësues të komunitetit turk. “Shpreha mirënjohjen time për kontributin e çmuar që komuniteti turk ka dhënë ndër vite në ndërtimin e institucioneve demokratike, jetën publike dhe zhvillimin shoqëror të Kosovës”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Në takim është diskutuar, për rolin dhe përfshirjen e tyre në arsim, kulturë dhe institucionet e vendit, si dhe për rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të identitetit të tyre. “Rikonfirmova gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit të mëtejmë dhe theksova rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Turqisë”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.