U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, i cili i dorëzoi Raportin Vjetor të BQK-së për vitin 2025.
Dorëzimi i Raportit u bë në përputhje me dispozitat e neneve 28 dhe 59 të Ligjit 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, përmes të cilave përcaktohet detyrimi i BQK-së për të raportuar para Kuvendit si institucioni më i lartë përfaqësues i vendit.
Me këtë rast, Guvernatori Ismaili njoftoi U.D. Presidenten Haxhiu për përmbajtjen kryesore të Raportit Vjetor 2025, i cili pasqyron aktivitetet, zhvillimet dhe rezultatet e BQK-së në përmbushje të mandatit të saj kushtetues dhe ligjor për ruajtjen e stabilitetit financiar, forcimin e integritetit të sistemit financiar dhe sigurimin e qëndrueshmërisë institucionale. Ai theksoi se ekonomia dhe sistemi financiar i vendit ruajtën stabilitetin gjatë vitit 2025, ndërsa sektori bankar mbeti i mirëkapitalizuar dhe me likuiditet të lartë.
U.D. Presidentja Haxhiu vlerësoi punën e Bankës Qendrore gjatë vitit 2025, duke theksuar kontributin e saj në ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar, përkundër sfidave që buruan nga zhvillimet ekonomike dhe gjeopolitike në nivel ndërkombëtar.
Në këtë takim, U.D. Presidentja Haxhiu çmoi pavarësinë dhe integritetin institucional të Bankës Qendrore, duke ritheksuar përkushtimin për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme dhe llogaridhënëse.






