Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, me ministrin e Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, me drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, në Ditën Memoriale të Policëve të Rënë në Detyrë, bënë homazhe pranë lapidarit që mban emrat e 24 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët humbën jetën duke e kryer detyrën e tyre.
U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se nga Lazim Rexhepi, polici i parë i rënë në detyrë në Kosovën e pasluftës, deri te Muhamed Lika, secili prej këtyre emrave është pjesë e historisë së Policisë së Kosovës dhe të shtetit tonë.
“Në mesin e tyre janë Enver Zymeri, i vrarë më 26 korrik 2011 gjatë operacionit për vendosjen e rendit në veri, dhe Afrim Bunjaku, i vrarë në sulmin terrorist në Banjskë. Rënia e tyre tregon sa e rëndë mund të bëhet detyra e policit kur vihet në mbrojtje të rendit, sigurisë dhe sovranitetit të vendit”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Sipas saj, e njëjta përgjegjësi shihet edhe në punën e përditshme të mijëra pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe në besimin që qytetarët kanë krijuar ndaj saj.
“Sot i kujtojmë me respekt të gjithë policët e rënë në detyrë. Republika e Kosovës do ta ruajë kujtimin e tyre dhe do të qëndrojë pranë familjeve që ata lanë pas”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR






