...

Fjalimi i U.D. Presidentes Haxhiu në Konferencën e IX-të të Ambasadorëve

I nderuar Kryeministër, z. Albin Kurti,

I nderuar Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme, z Glauk Konjufca,

Të nderuar ministra të kabinetit qeveritar,

Zëvendëskryeministër Damka,

Të nderuar ambasadorë dhe shefa të misioneve të Republikës së Kosovës,

Të nderuar përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme,

Të nderuar të pranishëm,

Të nderuara media,

Takimet e këtilla, pa dyshim që na japin mundësinë të dalim, qoftë edhe për pak, nga ritmi i përditshëm i diplomacisë dhe ta shohim politikën tonë të jashtme në një horizont më të gjerë. Kjo është veçanërisht e nevojshme sot, kur shumë nga parimet mbi të cilat bazohet rendi ndërkombëtar i dekadave të fundit po vihen në pikëpyetje.

Raportet ndërmjet fuqive të mëdha po ndryshojnë, ndërkaq ekonomia, teknologjia dhe siguria janë bërë pjesë e së njëjtës garë për ndikim. Institucionet shumëpalëshe, të ndërtuara mbi bindjen se rregullat mund ta kufizojnë fuqinë, përballen gjithnjë e më shpesh me raste kur është fuqia ajo që përpiqet t’i përcaktojë rregullat.

Në këtë realitet, rëndësi të veçantë ka mënyra se si shtetet e ndërtojnë dhe e ushtrojnë ndikimin e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare. Aleancat, partneriteti dhe institucionet nuk janë vetëm mjete përmes të cilave shtetet ndjekin interesat e tyre, por edhe burime të rëndësishme të ndikimit ndërkombëtar.

Për shumë vite, diplomacia jonë është përqendruar me të drejtë te mbështetja që i nevojitej Kosovës: për njohje, anëtarësim në organizata ndërkombëtare, vota dhe përkrahje politike. Por marrëdhëniet ndërmjet shteteve zgjasin atëherë kur, përtej kërkesës së radhës, të dyja palët kanë arsye ta ruajnë dhe ta zhvillojnë atë marrëdhënie.

Prandaj, puna është të gjeni edhe ato pika ku interesat tona përputhen, ku Kosova ka çfarë të ofrojë dhe ku bashkëpunimi është në interes të të dyja palëve.

Në më pak se dy dekada shtetësi, Kosova ka arritur të ndërtojë një pozitë ndërkombëtare që dikur dukej shumë më e largët. Sot na njohin 121 shtete, ndërsa njohjet e reja gjatë vitit të kaluar dëshmuan se ky proces nuk është mbyllur dhe se qëndrimet të mbajtura për vite mund të ndryshojnë.

Mosnjohjet nuk janë një kategori e vetme politike. Spanja nuk ka të njëjtën histori me Greqinë, Greqia nuk ka të njëjtat interesa me Sllovakinë dhe asnjëra prej tyre nuk e sheh Kosovën në të njëjtën mënyrë si një shtet në Amerikën Latine apo në Azi. Nëse duam ta ndryshojmë një qëndrim, duhet së pari të kuptojmë se çfarë i shqetëson, çfarë interesash kanë dhe cili argument mund të ketë kuptim për ta.

Diplomacia nis kur, para se të flasim, përpiqemi të kuptojmë tjetrin dhe t’i kuptojmë arsyet e qëndrimeve të tyre. Në këtë drejtim kemi mbështetje të fortë juridike: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Këtë argument duhet ta përdorim, por natyrisht nuk do të mbetemi vetëm tek ai. Tetëmbëdhjetë vjet pas pavarësisë, kemi mundësi t’u flasim shteteve që ende nuk na njohin edhe për Kosovën që kemi ndërtuar dhe për atë që mund të bëjmë së bashku.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe vazhdon të presë që ky proces të ecë përpara. Në të njëjtën kohë, kemi zgjedhur pa ekuivok të qëndrojmë në linjë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian. Orientimi ynë euroatlantik është i qartë, por një rend i mbështetur në rregulla është i besueshëm vetëm nëse rregullat vlejnë njësoj edhe kur zbatimi i tyre është politikisht i vështirë. Nëse vendet e Ballkanit Perëndimor ftohen t’i plotësojnë kriteret e integrimit, atëherë përparimi duhet të varet nga kriteret dhe jo nga pengesat të cilat një vend nuk mund t’i zgjidhë përmes reformave të veta. Kjo duhet të jetë pjesë e argumentit tonë në secilin kryeqytet evropian.

Asambleja Parlamentare e ka mbështetur anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Tani presim që procesi të përfundojë dhe qytetarët tanë të fitojnë qasje të plotë në mekanizmat evropianë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të tyre. NATO-ja, ndërkaq, është pjesë e historisë sonë të sigurisë dhe e së ardhmes që ne e synojmë si shtet. Për Kosovën, lidhja me Aleancën nis me vitin 1999 dhe vazhdon sot me praninë e KFOR-it dhe me bashkëpunimin që institucionet tona kanë ndërtuar me vendet aleate.

Marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë vendimtare për Kosovën dhe historia jonë e përbashkët mbetet një lidhje e fortë. Megjithatë, duhet ta themi që brezi i politikanëve amerikanë që e ka jetuar drejtpërdrejt Kosovën e viteve nëntëdhjetë po tkurret. Breza të rinj hyjnë në Kongres, në administratë, në media dhe në institucionet ku formohet politika e jashtme amerikane. Shumë prej tyre nuk e kanë Kosovën pjesë të kujtesës politike personale.

Në këtë punë mund të mbështetemi shumë më tepër edhe te diaspora. Shqiptarët në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë kanë luajtur prej kohësh rol të rëndësishëm për Kosovën, por tani kemi edhe një brez që ka krijuar emër dhe lidhje në universitete, institucione, biznese por edhe në profesione të ndryshme. Duhet të punojmë më afër me ta dhe ta shfrytëzojmë dijen, përvojën por edhe kontaktet që kanë krijuar në vendet ku ata jetojnë dhe veprojnë.

Të nderuar ambasadorë,

Raportet me Serbinë, siç e përmendi edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri Konjufca, mbeten një nga sfidat kryesore të politikës së jashtme të Republikës sonë.

 

Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjskë, për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve, qytetarëve të tjerë, për dorëzimin e kryeterroristit Milan Radoiçiqit dhe të tjerëve të përfshirë në këtë sulm terrorist, por po ashtu edhe për zbardhjen e fatit të mbi 1,500 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Adresimi i këtyre çështjeve është pjesë e domosdoshme e çdo procesi që synon një normalizim të vërtetë dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo përgjegjësi bëhet edhe më e ndjeshme në dritën e zhvillimeve të ditëve të fundit. Në Zubin Potok, në lokacionet Kalludër e Vogël dhe Jabukë, janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin viktimave të luftës së viteve 1998–1999, derisa institucionet tona po punojnë edhe në një lokacion të tretë të dyshuar për varrezë masive.

Për diplomatët tanë, kjo duhet të jetë një çështje e vazhdueshme e komunikimit me qeveritë dhe institucionet e vendeve ku shërbejnë: partnerët tanë duhet ta dinë se edhe sot, në Kosovë, po gjenden dëshmi të reja të krimeve të luftës dhe se drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre ende pret përgjigje. Prandaj, duhet t’i bëhet presion Serbisë që t’i hapë arkivat.

Në anën tjetër Serbia vazhdon politikën e saj hegjemoniste ndaj Kosovës.

Një tjetër shqetësim serioz që duhet ta adresojmë me partnerët tanë ndërkombëtarë janë edhe deklaratat e fundit të Vuçiçit për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.  Siç e dini, Ibër Lepenci dhe Liqeni i Ujmanit janë pjesë e një sistemi jetik për furnizimin me ujë, për energjinë, bujqësinë dhe jetën e qindra mijëra qytetarëve të Kosovës. Ndërhyrja e njëanshme në rrjedhat ujore ndërkufitare do të kishte pasoja shumë përtej një çështjeje teknike, ngase do ta prekte sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Republikës sonë. Për këtë arsye, diplomatët tanë duhet t’i bëjnë të njohura këto deklarata në kryeqytetet ku shërbejnë dhe t’i informojnë qeveritë e vendeve pritëse për natyrën dhe pasojat e kësaj ideje absurde sa edhe kërcënuese. Duhet ta bëjmë të qartë se përdorimi i burimeve ujore si instrument presioni ndaj Kosovës është i papranueshëm dhe se ide të tilla, që ringjallin qasje shoviniste dhe destabilizuese ndaj Kosovës, duhet të marrin vëmendjen dhe reagimin e duhur ndërkombëtar. Kosova pret nga partnerët e saj që çdo veprim që rrezikon burimet ujore jetike për vendin të trajtohet në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare, përfshirë edhe përdorimin e drejtë dhe të arsyeshëm të tyre dhe detyrimin për të parandaluar dëmin e konsiderueshëm ndërkufitar.

Edhe mënyra se si qeverisim brenda vendit ka peshë, sepse të drejtat që ua garantojmë qytetarëve tanë e bëjnë më bindës atë që themi për Kosovën jashtë. Kosova ka një argument të fortë edhe këtu. Ne kemi ndërtuar një shtet që u garanton komuniteteve të drejta të gjera dhe përfaqësim institucional. Këto garanci janë pjesë e rendit tonë kushtetues dhe një nga dëshmitë më të qarta të llojit të shtetit që kemi zgjedhur të ndërtojmë.

Shpresoj që gjatë këtyre ditëve të kemi biseda të hapura dhe të dobishme për punën që kemi përpara, të dëgjojmë nga ju çfarë po ndryshon në vendet ku ju shërbeni dhe të shohim bashkë se ku duhet ta përqendrojmë më shumë vëmendjen tonë.

Ju falënderoj për punën që po bëni çdo ditë për përfaqësimin dinjitoz të Republikës sonë. Në sfidat që na presin, dua ta dini se e keni mbështetjen tonë dhe se do të jemi pranë jush sa herë që të jetë e nevojshme.

Ju uroj punë të mbarë dhe diskutime të dobishme gjatë këtyre ditëve!

Ju faleminderit shumë!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.