...

U.D. Presidentja Haxhiu: Përgjegjësia për zgjidhjen është e përbashkët prandaj duhet përgjegjësi, dialog dhe një marrëveshje që i shërben interesit të përbashkët

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu ka takuar sot drejtuesit e subjekteve politike që iu përgjigjën ftesës së saj për konsultime.

U.D. Presidentja Haxhiu i ka falënderuar për pjesëmarrjen dhe për gatishmërinë për të kërkuar së bashku një zgjidhje për situatën politike.

“Qëndrimet janë të njohura dhe dallimet politike ekzistojnë. Por pikërisht kur dallimet janë të mëdha, dialogu bëhet domosdoshmëri”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo më tej tha se për Presidentin na duhet një marrëveshje më e gjerë se ajo që kërkohet për formimin e institucioneve të tjera.

“Këtë e dimë të gjithë dhe nuk kemi as arsye, as kohë, ta shtyjmë për ditën e fundit atë për të cilën, në fund, gjithsesi duhet të ulemi dhe të merremi vesh. Në takim u ritheksua qartë se vendit nuk i duhen zgjedhje të reja dhe se të gjitha palët kanë përgjegjësi të kontribuojnë në një marrëveshje për një President konsensual. Kjo përgjegjësi nuk mund të delegohet dhe as të shmanget”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

Sipas saj, refuzimi apo bojkoti i takimeve nuk është rrugë drejt marrëveshjes.

“Mospajtimi është legjitim, por shmangia e dialogut nuk zgjidh asgjë. Nëse dikush beson se ka një rrugë tjetër, atëherë duhet ta shpjegojë qartë se ku të çon ajo rrugë dhe çfarë zgjidhjeje ofron për vendin”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo tutje ka thënë se nuk mund të presim të pajtohemi para se të ulemi të flasim. Po të ishte kështu, sipas saj, dialogu nuk do të kishte asnjë kuptim.

“Përgjegjësia për zgjidhjen është e përbashkët prandaj duhet përgjegjësi, dialog dhe një marrëveshje që i shërben interesit të përbashkët”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

This site is registered on wpml.org as a development site.