...

U.D. Presidentja Haxhiu ngushëllon familjen Kryeziu për ndarjen nga jeta të zyrtarit policor Altin Kryeziu

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë  se e pikëlloi thellë lajmi për ndarjen nga jeta të zyrtarit policor Altin Kryeziu, i cili nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra pasi u godit nga një automjet gjatë kryerjes së detyrës.

U.D. Presidentja Haxhiu më tej ka thënë se sot, familja e tij humbi njeriun e dashur, ndërkaq Policia e Kosovës një koleg dhe pjesëtar të saj që detyrën e kishte zgjedhur si shërbim ndaj të tjerëve.

“Vdekja e Altinit është edhe një kujtesë e dhimbshme se në komunikacion një çast pakujdesie mund t’ia marrë jetën dikujt dhe t’ua ndryshojë përgjithmonë jetën shumë të tjerëve. Prandaj, kujdesi në rrugë dhe përgjegjësia ndaj njëri-tjetrit janë para së gjithash përgjegjësi ndaj jetës së njeriut”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo ka shprehur ngushëllimet e sinqerta familjes Kryeziu.

“Familjes Kryeziu i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Bashkëndiej me kolegët e Altinit në Policinë e Kosovës dhe me të gjithë ata që e njohën, punuan me të dhe sot e kujtojnë me dhimbje. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të.”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

This site is registered on wpml.org as a development site.