U.D. Presidentja Haxhiu takoi Presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, në margjina të Samitit të SEECP-së në Sofje

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, zhvilloi takim me Presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, në margjinat e Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Sofje. Në takim u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si dy vende fqinje me interes të përbashkët për stabilitetin rajonal, lidhshmërinë dhe integrimin evropian. U.D. Presidentja Haxhiu theksoi rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së ndërsjellë në organizata ndërkombëtare, përfshirë mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe për një rrugë më të qartë drejt NATO-s. Një pjesë e bisedës iu kushtua edhe projekteve infrastrukturore që lidhin drejtpërdrejt dy vendet, përfshirë autostradën Bllacë-Shkup dhe projektin e tunelit Tetovë-Prizren, si projekte me rëndësi për lëvizjen e qytetarëve, tregtinë dhe zhvillimin ekonomik.
U.D. Presidentja në SEECP në Sofje: Kosova e meriton statusin e vendit kandidat, jemi të gatshëm për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), të mbajtur në Sofje të Bullgarisë më 10 qershor 2026. Në fjalimin e saj, ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke vlerësuar rolin e SEECP-së si një platformë kyçe për stabilitetin e rajonit. Haxhiu dënoi ashpër agresionin rus kundër Ukrainës dhe nënvizoi se pasojat e tij po prekin sigurinë në gjithë Evropën, përfshirë edhe Evropën Juglindore. Ajo riafirmoi orientimin e plotë të Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe përkushtimin për reforma, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe rritje të qëndrueshme, duke theksuar progresin konkret të Kosovës në indekse ndërkombëtare dhe në procesin e integrimit evropian. Në këtë kontekst, U.D. Presidentja kërkoi avancim të mëtejshëm të procesit të integrimit, përfshirë marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, duke theksuar se procesi duhet të jetë meritokratik dhe i bazuar në standarde. “Mbi 90 për qind e qytetarëve tanë e mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian, një nga nivelet më të larta të mbështetjes në rajon. Ky përparim është konkret, i matshëm dhe duhet të njihet. Prandaj kjo duhet të çojë në një vendim për statusin e vendit kandidat, dhe ne jemi të gatshëm ta nisim punën për hapjen e negociatave të anëtarësimit”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu. Po ashtu, ajo vuri theksin në rëndësinë e integrimit ekonomik rajonal, projekteve infrastrukturore strategjike, zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese dhe respektimit të barabartë të të gjitha vendeve të rajonit në organizatat rajonale. U.D. Presidentja Haxhiu vlerësoi SEECP-në si një mekanizëm të rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal dhe ritheksoi gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në forcimin e stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit.
U.D. Presidentja Haxhiu: Lidhja është gjallë!

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se sot kujtojmë me nderim një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që bashkoi shqiptarët në mbrojtje të trojeve, të drejtave dhe identitetit kombëtar. “E themeluar më 10 qershor 1878, si përgjigje ndaj rrezikut të copëtimit të trojeve shqiptare pas vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit, Lidhja shënoi organizimin e parë politik dhe ushtarak të shqiptarëve për mbrojtjen e interesave kombëtare. Nën udhëheqjen e Iljaz Pashë Dibrës dhe me kontributin e figurave si Abdyl Frashëri, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto e shumë patriotëve të tjerë, u hodhën themelet e lëvizjes moderne kombëtare shqiptare”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, Lidhja kishte tri synime kryesore: mbrojtjen e tërësisë territoriale shqiptare, bashkimin administrativ të trojeve në një vilajet të vetëm dhe afirmimin e shqiptarëve si komb më vete. Ajo ka thënë se veprimtaria e saj politike, diplomatike dhe rezistenca në Plavë, Guci, Hot e Grudë dëshmuan vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur trojet e tyre. “Megjithëse u shtyp me forcë më 1881, idealet e Lidhjes mbetën gjallë dhe u bënë themel i rrugës drejt Pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Ajo mbetet simbol i bashkimit, qëndresës dhe vetëdijes kombëtare shqiptare”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo, më tej ka thënë se në këtë përvjetor, përulemi me respekt para veprës së patriotëve që sakrifikuan për kombin dhe kujtojmë se Lidhja Shqiptare e Prizrenit mbetet gurthemeli i ndërgjegjes sonë kombëtare dhe frymëzim i përhershëm për ruajtjen e identitetit dhe vlerave tona kombëtare.
U.D. Presidentja Haxhiu udhëton në Sofje për të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP)

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), i cili mbahet në Sofje të Bullgarisë. Samiti mbledh udhëheqësit e vendeve të Evropës Juglindore për të diskutuar për bashkëpunimin rajonal, sigurinë, lidhshmërinë, integrimin evropian dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit. Në këtë samit, U.D. Presidentja Haxhiu do të përfaqësojë Republikën e Kosovës dhe do të riafirmojë përkushtimin e vendit për bashkëpunim rajonal të barabartë, trajtim të drejtë në procesin e integrimit evropian, si dhe forcimin e sigurisë, paqes dhe stabilitetit në rajon.
U.D. Presidentja Haxhiu priti në takim Auditoren e Përgjithshme të Suedisë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim Auditoren e Përgjithshme të Suedisë, Christina Gellerbrant Hagberg, e shoqëruar nga delegacioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë. Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Suedisë, si dhe mbështetja e vazhdueshme suedeze për forcimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. U.D. Presidentja Haxhiu theksoi rëndësinë e auditimit të pavarur për transparencën, llogaridhënien dhe menaxhimin e përgjegjshëm të parasë publike. Ajo vlerësoi punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe rolin e saj në forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet publike. Në veçanti, U.D. Presidentja shprehu mirënjohje për mbështetjen që Zyra Kombëtare e Auditimit e Suedisë i ka dhënë ZKA-së ndër vite, duke kontribuar në ngritjen e kapaciteteve profesionale, zhvillimin institucional dhe avancimin e praktikave të auditimit në përputhje me standardet ndërkombëtare. Në takim u nënvizua rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve të auditimit, me fokus në forcimin e kapaciteteve profesionale, shkëmbimin e përvojave dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare të auditimit. U.D. Presidentja Haxhiu rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për qeverisje të mirë, transparencë, integritet institucional dhe llogaridhënie publike.
U.D. Presidentja Haxhiu: Sa më e lartë pjesëmarrja në këto zgjedhje, aq më e fortë është demokracia jonë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka votuar sot në shkollën “Meto Bajraktari”, në Prishtinë. Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu ka ftuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që sot, ditë e diel, 7 qershor, të dalin dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. “Sa më e lartë pjesëmarrja në këto zgjedhje, aq më e fortë është demokracia jonë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo ftoi të gjitha palët dhe të gjithë qytetarët që kjo ditë zgjedhjesh të kalojë me maturi, respekt të ndërsjellë dhe dashuri për vendin. “Unë ftoj të gjitha palët, ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që në këtë ditë të bukur me diell të dëshmojnë maturi, të dëshmojnë respekt për njëri-tjetrin, si dhe dashuri për vendin”. Në fund, u.d. Presidentja Haxhiu falënderoi qytetarët, mediat dhe të gjithë ata që gjatë ditës janë të angazhuar në procesin zgjedhor, duke uruar që dita të kalojë sa më lehtë dhe sa më mbarë.
U.d. Presidentja Haxhiu në Samitin BE-Ballkani Perëndimor: Kosova është e gatshme për hapin e radhës në rrugën evropiane

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në seancën plenare të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, në Tivat të Malit të Zi. Në fjalën e saj para udhëheqësve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, u.d. Presidentja Haxhiu theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian duhet të shihet si domosdoshmëri strategjike për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit, veçanërisht në kontekstin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe shtimit të kërcënimeve hibride në Evropë dhe në rajon. “Kosova është ndër shoqëritë më proevropiane në rajon. Ne kemi dëshmuar përkushtimin tonë përmes reformave, përputhjes së plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, si dhe kontributit tonë për paqen dhe stabilitetin rajonal”, theksoi u.d. Presidentja Haxhiu. Ajo nënvizoi se përparimi i Kosovës duhet të njihet edhe në procesin e integrimit evropian, duke shtuar se më shumë se tri vjet pas aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është koha që Bashkimi Evropian të bashkohet rreth vendimit për statusin e vendit kandidat për Kosovën dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit. “Kosova nuk kërkon rrugë të shkurtra. Kërkojmë një proces të drejtë, të besueshëm dhe të bazuar në meritë. Procesi i anëtarësimit ka fuqi transformuese për demokracinë, institucionet dhe ekonominë, prandaj është koha që Kosova të marrë hapin e radhës”, tha u.d. Presidentja Haxhiu. Në fjalën e saj, u.d. Presidentja Haxhiu mirëpriti edhe vendimin e Bashkimit Evropian për hapjen e negociatave për integrim në zonën “Roam Like at Home”, si dhe hapat drejt integrimit gradual në kuadër të Planit të Rritjes dhe Tregut të Përbashkët Rajonal. Ajo theksoi se integrimi gradual duhet t’i shërbejë qëllimit përfundimtar: anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. U.d. Presidentja Haxhiu po ashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, zbatimit të marrëveshjeve të arritura dhe trajtimit të barabartë të të gjitha shteteve në rrugën evropiane, pa pengesa politike kur standardet e Bashkimit Evropian janë përmbushur. Duke folur për sigurinë rajonale, ajo theksoi se sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor duhet të trajtohen me qartësi dhe përgjegjësi. Në këtë kontekst, u.d. Presidentja Haxhiu rikujtoi se pothuajse tri vjet pas sulmit terrorist në Banjskë, ende nuk ka drejtësi për policin e vrarë të Kosovës, ndërsa kryesi kryesor dhe grupi i tij paramilitar vazhdojnë të jenë të lirë dhe të mbrojtur nga Serbia. Në përmbyllje, u.d. Presidentja Haxhiu riafirmoi se Kosova është e gatshme të vazhdojë reformat, të thellojë bashkëpunimin me Bashkimin Evropian dhe të kontribuojë në një Ballkan Perëndimor më të sigurt, më demokratik dhe më të integruar në familjen evropiane. Ajo theksoi se trajtimi i barabartë i pakicave është vlerë evropiane, e sanksionuar në traktatet e Bashkimit Evropian, dhe se të gjitha shtetet duhet t’u përmbahen standardeve evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave.
U.d. Presidentja Haxhiu takohet me Kryeministrin e Çekisë, Andrej Babiš

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në margjinat e Samitit BE, Ballkani Perëndimor në Tivat, u takua me Kryeministrin e Çekisë, Andrej Babiš. Gjatë takimit, u.d. Presidentja Haxhiu e falënderoi Çekinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në shtetndërtim, në proceset euroatlantike dhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Ajo vlerësoi marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Çekisë, duke theksuar se avancimi i përfaqësimit diplomatik me ambasadorë të plotë pasqyron nivelin e bashkëpunimit dhe besimin e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve. Në takim u diskutua për rrugën evropiane të Kosovës dhe për rëndësinë e një procesi të besueshëm të zgjerimit. U.d. Presidentja Haxhiu shprehu mirënjohje për mbështetjen e Çekisë ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe kërkoi mbështetjen e saj edhe për hapat e ardhshëm të Kosovës, përfshirë dërgimin e Pyetësorit të Komisionit Evropian dhe ecjen drejt statusit të vendit kandidat. U.d. Presidentja Haxhiu theksoi se Kosova e sheh Çekinë si partnere të rëndësishme edhe në fushën ekonomike, me mundësi të reja bashkëpunimi në energji, teknologji të gjelbra, inovacion, digjitalizim, shëndetësi, infrastrukturë dhe industri të avancuar. Ajo po ashtu shprehu mirënjohjen e Kosovës për kontributin e Çekisë në KFOR dhe për angazhimin e saj të vazhdueshëm në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon. U.d. Presidentja Haxhiu riafirmoi përkushtimin e Kosovës për thellimin e marrëdhënieve me Çekinë dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
U.d. Presidentja Haxhiu përfaqëson Kosovën në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, do të marrë pjesë në Samitin BE, Ballkani Perëndimor, i cili mbahet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi. Samiti mbledh udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar për perspektivën evropiane të rajonit, Planin e Rritjes, si dhe çështjet e sigurisë dhe stabilitetit. Në këtë samit, u.d. Presidentja Haxhiu do të përfaqësojë Republikën e Kosovës dhe do të riafirmojë përkushtimin e vendit për integrim evropian, trajtim të drejtë dhe të barabartë në procesin e zgjerimit, si dhe bashkëpunim rajonal në funksion të paqes dhe stabilitetit
U.D. Presidentja Haxhiu: Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ngjarjen tragjike të ndodhur sot në bregdetin shqiptar

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se me dhimbje të thellë morëm lajmin për ngjarjen tragjike të ndodhur sot në bregdetin shqiptar, ku dy të rinj, shtetas të Republikës sonë, humbën jetën, ndërsa tre të tjerë, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën, ndodhen ende në gjendje të rënduar. “Institucionet tona janë në kontakt të vazhdueshëm dhe të ngushtë me autoritetet e Republikës së Shqipërisë, duke ofruar mbështetjen e nevojshme”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu, familjeve të viktimave dhe të afërmve të tyre iu ka shprehur ngushëllimet e saj më të sinqerta. Ndërsa të lënduarve, U.D. Presidentja Haxhiu, iu ka uruar forcë, rikuperim dhe shërim sa më të shpejtë.