U.D. Presidentja Haxhiu pranoi letrat kredenciale të Ambasadorit të ri të Mbretërisë së Belgjikës në Republikën e Kosovës, z. Arnaud Dusaucy

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pranuar sot letrat kredenciale të Ambasadorit të ri të Mbretërisë së Belgjikës në Republikën e Kosovës, z. Arnaud Dusaucy, të cilit i ka uruar mirëseardhje dhe shumë sukses në misionin e tij diplomatik. “Kosova dhe Belgjika kanë ndërtuar ndër vite marrëdhënie të shkëlqyera, të mbështetura në miqësi, partneritet dhe përkrahjen e vazhdueshme të Belgjikës për vendin tonë, që nga periudha e luftës, njohja e hershme e pavarësisë e deri te proceset e shtetndërtimit dhe integrimit euroatlantik”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Gjatë takimit, u diskutua për mundësitë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit politik dhe ekonomik, për rritjen e shkëmbimeve dhe investimeve, si dhe për perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës. “Shpreha bindjen se gjatë mandatit të Ambasadorit Dusaucy do t’i avancojmë edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona dhe do të hapim fusha të reja bashkëpunimi në interes të qytetarëve tanë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu pranoi letrat kredenciale të Ambasadorit të ri të Republikës së Francës në Republikën e Kosovës, z. Jean-François Huchet

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pranuar sot letrat kredenciale të Ambasadorit të ri të Republikës së Francës në Republikën e Kosovës, z. Jean-François Huchet. Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu i ka uruar mirëseardhje në Kosovë ambasadorit Jean-François Huchet dhe shumë sukses në misionin e tij diplomatik, me bindjen se gjatë mandatit të tij do t’i forcojmë edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona. “Kosova e çmon lart miqësinë dhe mbështetjen e Francës, si gjatë periudhës së luftës, ashtu edhe në vitet e shtetndërtimit. Sot, marrëdhëniet tona mbështeten në një bashkëpunim të gjerë politik, ekonomik, të sigurisë, arsimit dhe kulturës”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Në takim, është biseduar edhe për mundësitë që ky bashkëpunim të zgjerohet më tej, veçanërisht pas marrëveshjeve të fundit ndërmjet Kosovës dhe Francës, të cilat krijojnë mundësi të reja për bashkëpunim. “Ambasadorit Huchet i urova një mandat të suksesshëm dhe e sigurova për bashkëpunimin tim të plotë në forcimin e mëtejshëm të partneritetit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Francës”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu: Kushtetuta e Kaçanikut ishte përgjigjja e një populli që nuk pranonte të hiqte dorë nga e drejta për të vendosur vetë për fatin e tij

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se më 7 shtator 1990, në rrethana të rënda represioni dhe përndjekjeje politike, delegatët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në Kaçanik dhe miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, duke i dhënë bazë kushtetuese vullnetit të shprehur më 2 korrik për Kosovën Republikë. “Teksa Serbia po rrënonte autonominë e Kosovës, po shuante institucionet e saj dhe po përpiqej ta nënshtronte me dhunë vullnetin politik të qytetarëve, Kushtetuta e Kaçanikut ishte përgjigjja e një populli që nuk pranonte të hiqte dorë nga e drejta për të vendosur vetë për fatin e tij. Pikërisht për këtë, rëndësia e saj shkon përtej tekstit juridik që u miratua atë ditë. Ajo dëshmon se edhe në kushtet e pushtimit dhe të represionit, Kosova kishte njerëzit, dijen dhe vullnetin për t’i dhënë formë juridike përcaktimit të saj politik”, ka thënën U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka shtuar se në hartimin e saj qëndron puna e juristëve që, në kushte të jashtëzakonshme, ndërtuan një rend kushtetues mbi vullnetin e qytetarëve të Kosovës, ndërsa në votën e delegatëve qëndron guximi i një brezi që mori mbi vete përgjegjësinë për t’i dhënë kërkesës për Republikë formën e një akti kushtetues. “Rruga që nisi me Deklaratën e 2 korrikut dhe mori trajtë kushtetuese më 7 shtator vazhdoi përmes rezistencës së qytetarëve të Kosovës, luftës çlirimtare dhe sakrificës së shumë brezave, deri te çlirimi i vendit dhe shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu më tej ka thënë se sot, në përvjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut, nderojmë hartuesit e saj, delegatët që e miratuan dhe të gjithë ata që në vitet më të vështira e mbajtën të gjallë kërkesën për Republikë. “Ajo që më 7 shtator 1990 mori formë kushtetuese ishte një përcaktim politik që historia e Kosovës do ta çonte përpara deri në pavarësi dhe shtetësi”, ka theksuar U.D Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu: Policia e Kosovës është një prej shtyllave kryesore të shtetit tonë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë në shënimin e 27-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, ku vlerësoi kontributin e këtij institucioni në ruajtjen e rendit, sigurisë dhe sovranitetit të Republikës. Në fjalën e saj, U.D. Presidentja Haxhiu rikujtoi se Policia e Kosovës u themelua vetëm pak muaj pas çlirimit, më 6 shtator 1999, kur 176 kadetë nisën trajnimin në Vushtrri si gjenerata e parë e saj. “Çlirimi nuk ishte fundi i rrugës. Ishte fillimi i një përgjegjësie të madhe për të ndërtuar një shtet në shërbim të qytetarit, që do ta mbronte jetën dhe dinjitetin e tij dhe ku ligji do të ishte i barabartë për të gjithë. Prandaj, historia e Policisë së Kosovës është pjesë e pandashme e rrugëtimit të Kosovës së lirë”, tha U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo theksoi se nga 176 kadetët e parë deri te më shumë se nëntë mijë zyrtarë policorë që shërbejnë sot, Policia e Kosovës është rritur dhe është profesionalizuar bashkë me shtetin. Duke iu referuar besimit të lartë të qytetarëve në Policinë e Kosovës, U.D. Presidentja Haxhiu tha se ky besim është njëkohësisht vlerësim dhe përgjegjësi. “Besimi i qytetarëve nuk është privilegj i përhershëm i asnjë institucioni. Ai fitohet me punë, ruhet me integritet dhe dëshmohet çdo ditë përmes mënyrës se si sillemi me qytetarin dhe si e zbatojmë ligjin”, tha ajo. U.D. Presidentja vlerësoi gjithashtu zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe operative të Policisë së Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit me njerëz, terrorizmit, krimit ekonomik e kibernetik dhe kontrabandës, si dhe bashkëpunimin gjithnjë e më të gjerë me partnerët evropianë të sigurisë. Ajo ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në INTERPOL, duke theksuar se përfshirja e plotë e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë është në interes të përbashkët të luftës kundër krimit ndërkombëtar. Një pjesë të veçantë të fjalës së saj U.D. Presidentja Haxhiu ia kushtoi zyrtarëve policorë të rënë në kryerje të detyrës. “Në 27 vjet, 25 zyrtarë policorë kanë rënë në kryerje të detyrës. Ata nuk janë vetëm pjesë e historisë së Policisë së Kosovës, por edhe e historisë së Republikës dhe të lirisë që ne e gëzojmë sot”, tha U.D. Presidentja. Ajo përmendi në veçanti rreshterin Afrim Bunjaku, i vrarë më 24 shtator 2023 në Banjskë gjatë sulmit terrorist, duke theksuar se ai ra duke mbrojtur Republikën e Kosovës. U.D. Presidentja Haxhiu shprehu respekt dhe mirënjohje për familjet e të gjithë zyrtarëve policorë të rënë në detyrë, si dhe për secilin pjesëtar të Policisë së Kosovës që vazhdon të shërbejë në mbrojtje të qytetarëve dhe të Republikës. “Shumë nga rastet në të cilat ju i dilni në ndihmë qytetarit nuk bëhen lajm dhe për shumë prej tyre publiku nuk do të dëgjojë kurrë. Por kjo nuk e zvogëlon rëndësinë e punës suaj. Në momentet kur është cenuar rendi kushtetues, siguria e qytetarëve dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës, pjesëtarët e Policisë kanë qenë në krye të detyrës”, tha ajo. Në përmbyllje, U.D. Presidentja Haxhiu theksoi se Policia e Kosovës është një prej shtyllave kryesore të shtetit dhe se forcimi i saj, ruajtja e integritetit dhe mbështetja e profesionalizmit të saj mbeten përgjegjësi institucionale. “Historia e Policisë së Kosovës është histori e ndërtimit të shtetit tonë, e punës, sakrificës, profesionalizmit dhe e njerëzve që kanë zgjedhur të shërbejnë në një prej detyrave më të vështira që mund t’i kërkohen një qytetari”, tha U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo uroi të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës për 27-vjetorin e themelimit dhe nderoi kujtimin e zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës.

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar sot Nënë Terezën, me rastin e 5 Shtatorit, Ditës së Nënë Terezës

“Sot, në Ditën e Nënë Terezës, nderojmë jetën dhe veprën e një gruaje shqiptare që u bë ndërgjegje e njerëzimit”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo ka theksuar se Nënë Tereza e kaloi jetën pranë atyre që vuanin, pranë të varfërve, të sëmurëve, të vetmuarve dhe të braktisurve. “Madhështinë nuk e kërkoi në fjalë, por në shërbimin ndaj tjetrit, në përkushtim dhe në respektin e pakushtëzuar për jetën dhe dinjitetin e çdo njeriu”, ka thënë U.D. Presidentja. Duke folur për trashëgiminë e saj, U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se prejardhja shqiptare e Nënë Terezës është burim krenarie, ndërsa vepra e saj i përket mbarë njerëzimit. “Ajo la pas një shembull që nuk e humb fuqinë me kalimin e kohës dhe një porosi që mbetet po aq e rëndësishme për çdo brez: të mos kalojmë pa u ndalur pranë njeriut që vuan”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Në përmbyllje të mesazhit të saj, U.D. Presidentja Haxhiu ka theksuar rëndësinë që figura dhe trashëgimia e Nënë Terezës kanë për shqiptarët dhe për mbarë njerëzimin. “Në këtë 5 shtator, Nënë Terezën e kujtojmë me krenari dhe me nderimin më të thellë. Ajo mbetet një prej figurave më të ndritura që kombi shqiptar i ka dhënë botës dhe një emër që njerëzimi e shqipton me respekt kudo”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për Kosovën, Dirk Schuebel

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim Dirk Schuebel, Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Kosovën dhe njëherësh Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë. U.D. Presidentja Haxhiu i uroi z. Schuebel mirëseardhje në Kosovë dhe suksese në mandatin e tij të ri. Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale në vend, perspektivën evropiane të Kosovës, procesin e reformave dhe bashkëpunimin e mëtejmë me Bashkimin Evropian. “Orientimi euroatlantik i Republikës së Kosovës është i palëkundur. Vendi ynë mbetet i përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, reformave dhe avancimit të procesit të integrimit evropian”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo nënvizoi se Kosova e vlerëson lart partneritetin me Bashkimin Evropian dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit gjatë mandatit të z. Schuebel.

U.D. Presidentja Haxhiu priti korin “Siparantum” dhe ndau mirënjohje për kontributin e tyre në promovimin e artit dhe kulturës së vendit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim anëtarët e korit “Siparantum”, pas suksesit të tyre në Kuala Lumpur, ku fituan dy medalje të arta dhe një çmim special. Gjatë takimit, U.D. Presidentja Haxhiu ndau mirënjohje për korin ‘Siparantum’, për përfaqësimin dinjitoz të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe kontributin në promovimin e artit dhe kulturës së vendit “Përballë më shumë se 200 koreve nga vende të ndryshme të botës, ju u paraqitët me vepra që bartin muzikën, kulturën dhe historinë tonë. Një vend të rëndësishëm në repertorin tuaj e zë muzika e kompozitorëve shqiptarë, të cilën po e prezantoni para publikut ndërkombëtar”, tha U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo veçoi punën e dirigjentit dhe kompozitorit Memli Kelmendi, si dhe përkushtimin me të cilin është zhvilluar kori ndër vite. “Ju përgëzoj të gjithëve, e në veçanti dirigjentin dhe kompozitorin Memli Kelmendi, për punën dhe përkushtimin me të cilin e keni bërë korin ‘Siparantum’ të njohur në skenën ndërkombëtare”, theksoi U.D. Presidentja. Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu u uroi anëtarëve të korit që të vazhdojnë ta nderojnë Kosovën me punën dhe sukseset e tyre.

U.D. Presidentja Haxhiu pranoi letrat kredenciale të Ambasadores së re të Zvicrës në Kosovë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, pranoi sot letrat kredenciale të Ambasadores së re të Konfederatës Zvicerane në Republikën e Kosovës, Anne-Lise Cattin Hennin. U.D. Presidentja Haxhiu i uroi Ambasadores Cattin Hennin mirëseardhje në Kosovë dhe sukses në misionin e saj diplomatik, duke shprehur bindjen se gjatë mandatit të saj marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës do të forcohen edhe më tej. “Kosova e çmon thellë miqësinë dhe mbështetjen e Zvicrës, e cila ka qenë pranë qytetarëve tanë në kohët më të vështira dhe vazhdon edhe sot përmes bashkëpunimit politik, ekonomik, zhvillimor dhe të sigurisë”, tha U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo theksoi edhe rolin e rëndësishëm të mërgatës së Kosovës në Zvicër në afrimin e dy vendeve. “Një vend të veçantë në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës e ka mërgata jonë atje, e cila ka dhënë kontribut të çmuar në jetën ekonomike, shoqërore dhe kulturore të të dyja vendeve”, u shpreh U.D. Presidentja. U.D. Presidentja Haxhiu e siguroi Ambasadoren Cattin Hennin për bashkëpunimin e saj të plotë në avancimin e mëtejshëm të partneritetit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane.

U.D. Presidentja Haxhiu pranoi letrat kredenciale të Ambasadorit të Australisë, Glenn Robert Morrison

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, pranoi sot letrat kredenciale të Ambasadorit të Australisë në Kroaci, me akreditim jorezident në Republikën e Kosovës, Glenn Robert Morrison. U.D. Presidentja Haxhiu i uroi Ambasadorit Morrison mirëseardhje në Kosovë dhe suksese në detyrën e re, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen që Australia i ka dhënë Kosovës gjatë luftës, për njohjen e hershme të pavarësisë dhe për përkrahjen e vazhdueshme në vitet që pasuan. “E çmojmë lart mbështetjen që Australia i ka dhënë Kosovës në periudha vendimtare për vendin tonë, si dhe përkrahjen e saj të vazhdueshme pas shpalljes së pavarësisë”, tha U.D. Presidentja Haxhiu. Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e zgjerimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Australisë, veçanërisht në ekonomi, investime, arsim, teknologji dhe siguri. “Pavarësisht largësisë gjeografike, vendet tona kanë ndërtuar marrëdhënie të mira, të cilat forcohen edhe nga komuniteti shqiptar që prej dekadash është pjesë e shoqërisë australiane. Ka hapësirë që këtë afërsi ta shndërrojmë në bashkëpunim edhe më të madh në fusha me interes të përbashkët”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu theksoi gjithashtu progresin që ka shënuar Kosova ndër vite në forcimin e shtetit dhe të demokracisë, në avancimin e pozitës së saj ndërkombëtare, si dhe synimet e vendit për zhvillim të mëtejshëm.

U.D. Presidentja Haxhiu dekoroi Komitetin Norvegjez të Helsinkit me Medaljen Presidenciale të Meritave

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dekoruar Komitetin Norvegjez të Helsinkit me Medaljen Presidenciale të Meritave, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të çmuar për Kosovën. Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu priti në takim Sekretaren e Përgjithshme të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, Berit Nising Lindeman, dhe Zëvendëssekretarin e Përgjithshëm, Gunnar M. Ekelove-Slydal. “Në periudhën kur shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut në Kosovë mbeteshin larg vëmendjes ndërkombëtare, Komiteti Norvegjez i Helsinkit ishte ndër organizatat e para perëndimore që i dokumentoi dhe i bëri të njohura ato ndërkombëtarisht, duke ndihmuar që Kosova të bëhej pjesë e agjendës së institucioneve dhe mekanizmave ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut”, tha U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo vlerësoi edhe mbështetjen që Komiteti u dha organizatave vendore për të drejtat e njeriut dhe rolin e tij në përcjelljen e informatave të besueshme për gjendjen në Kosovë te institucionet ndërkombëtare. “Kosova nuk i harron ata që i dolën në krah në një kohë kur mbështetja ndërkombëtare nuk ishte as e lehtë dhe as e vetëkuptueshme. Medalja Presidenciale e Meritave është shprehje e mirënjohjes sonë për angazhimin e gjatë dhe parimor të Komitetit Norvegjez të Helsinkit në rrugën e Kosovës drejt lirisë”, u shpreh U.D. Presidentja.

This site is registered on wpml.org as a development site.