...

Presidentja: Në Krushë të Madhe e në Krushë të Vogël, ku qindra burra e djem, fëmijë e gra u shuan mizorisht dhe ku mungesa e të zhdukurve ende rëndon mbi tokë si një heshtje e papërfunduar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë sot në tubimet përkujtimore, në 27 vjetorin e masakrave në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël.

Presidentja Osmani ka shkruar:

Sot nuk ishte thjesht një përkujtim. Ishte një rikthim në kujtesën që nuk shuhet dhe në dhimbjen që nuk pranon të bëhet e shkuar.

Pas shumë vitesh pritjeje dhe dhimbjeje, ne Krushë te Vogël ia dhamë lamtumirën e fundit Ajvaz Shehut, deri tash i zhdukur me dhunë. Ai ishte vetëm 15 vjeçar kur u vra, ndërkaq për 27 vite, nëna e tij, shpresonte se do ta gjente djalin e saj. Në Krushë të Madhe e në Krushë të Vogël, ku qindra burra e djem, fëmijë e gra u shuan mizorisht dhe ku mungesa e të zhdukurve ende rëndon mbi tokë si një heshtje e papërfunduar, çdo hap dukej sikur prekte historinë e gjallë. Një realitet ku edhe përpjekja e Serbisë për t’i zhdukur gjurmët e krimit me zjarr nuk arriti ta shuajë të vërtetën, por e bëri atë edhe më të fortë, edhe më të pashlyeshme.

E megjithatë, në këtë hapësirë ku dhimbja ka zënë vend si një ligj i pashkruar, jeta nuk është tërhequr. Në sytë e fëmijëve të rritur pa prindër, në heshtjen që nuk është dorëzim, por kujtesë, në luftën e pareshtur për drejtësi, shfaqet një qëndresë që i ngjan vetë historisë së Kosovës. Krusha e Madhe dhe Krusha e Vogël nuk janë vetëm kujtesë e krimit, por kufij moralë të një historie që kërkon drejtësi dhe nuk pranon të mbyllet në heshtje.

Lavdi e përjetshme të rënëve për liri!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.