U.D. Presidentja Haxhiu: Në jetën e Fehmiut dhe Xhevës, dashuria për njëri-tjetrin dhe dashuria për Kosovën ecën gjithmonë krah për krah

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe në njëzet e tetë vjetorin e rënies së Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, në jetën e Fehmiut dhe Xhevës, dashuria për njëri-tjetrin dhe dashuria për Kosovën ecën gjithmonë krah për krah, deri në ditën kur të dy ranë për lirinë e saj. “Sot, njëzet e tetë vjet pas rënies së tyre, bëmë homazhe për Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, dy figura që historia e Kosovës i mban pranë njëri-tjetrit sepse ashtu pranë njëri tjetrit e bënë gjithë rrugën e tyre çlirimtare. Ai inxhinier e ajo profesoreshë e shqipes, e nisën rrugën e çlirimit dekada më parë, atëherë kur kundërshtimi i regjimit jugosllav ndëshkohej me përndjekje, burg e largim nga puna”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka thënë se Fehmi Lladrovci ishte pjesë e organizimit politik të viteve të 80-ta dhe për bindjet e veprimtarinë e tij kaloi vite në burgjet jugosllave. “Kur u arrestua në shtator të vitit 1985, ai dhe Xheva sapo kishin nisur jetën e tyre së bashku. Burgimi i gjatë nuk e ndërpreu as lidhjen mes tyre, as rrugën që kishin zgjedhur. Xheva menjëherë iu bashkua familjes Lladrovci, dhe përkundër faktit se Fehmiu ishte në burg, ajo e vazhdoi vetë veprimtarinë politike në vitet kur çdo lidhje me lëvizjen ilegale ishte rrezik i madh. Pas lirimit të Fehmiut nga burgu, jeta e tyre vazhdoi larg Kosovës, por jo larg çështjes së saj. Morën pjesë në luftën në Kroaci, vazhduan veprimtarinë politike në Mynih të Gjermanisë dhe u përfshinë në përgatitjet që, me kalimin e viteve, do të çonin në organizimin e luftës çlirimtare në Kosovë”, pohoi U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, Fehmiu do ta thoshte vetë, në një fjali që mbeti ndër më të fuqishmet nga koha e luftës: “Ma e shtrenjtë është liria se jeta.” “Xheva nuk kishte nevojë ta thoshte. E gjithë jeta e saj, deri në qëndresën e fundit përkrah tij në Gradinë, dëshmoi të njëjtën bindje. Kjo është arsyeja pse Fehmiu dhe Xheva nuk mund të kujtohen njëri përmes tjetrit. Secili kishte bërë rrugën e vet drejt së njëjtës liri dhe, kur erdhi çasti i fundit, të dy e vunë jetën e tyre në shërbim të saj. Fehmiu u vu në krye të Brigadës 114 dhe mori pjesë në organizimin, stërvitjen dhe drejtimin e njësive të UÇK-së. Në atë kohë, kur UÇK-ja po rritej me shpejtësi dhe duhej të krijonte struktura, pozicione e disiplinë ushtarake, përvoja e tij kishte peshë të veçantë. Përvoja që kishte marrë në luftën e Kroacisë i shërbeu në organizimin dhe drejtimin e njësive të UÇK-së në Drenicë. Xheva, ndërkaq, kishte rolin e saj të drejtpërdrejtë në luftë. Ajo mori pjesë në organizim dhe në luftime, dhe gjatë verës së vitit 1998 ishte në vijën e frontit në disa nga betejat e UÇK-së. Prania e saj aty nuk buronte vetëm nga jeta e përbashkët me Fehmiun. Edhe Xheva kishte ardhur në atë rrugë me historinë dhe bindjet e veta. Ishte profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë shqipe, e rritur në një familje me traditë atdhetare dhe e përfshirë herët në veprimtarinë politike. Prandaj, kur flasim për Fehmiun dhe Xhevën, nuk flasim për një luftëtar dhe bashkëshorten që e ndoqi pas. Flasim për dy veprimtarë që e kishin zgjedhë rrugën e lirisë dhe kishin marrë mbi vete rreziqet e njëpasnjëshme të asaj rruge. Liria e Kosovës për ta nuk ishte një ideal i largët, por një kauzë së cilës ia kushtuan vitet, punën, mërgimin, luftën dhe, në fund, edhe jetën”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo ka thënë se më 22 shtator 1998, forcat serbe nisën një ofensivë të gjerë kundër pozicioneve të UÇK-së në Drenicë, duke shtuar tutje se në Gradinë, në një nga pikat më të rëndësishme të mbrojtjes së Brigadës 114, luftimet u zhvilluan nga afër dhe për orë të tëra. “Rrëfimet e bashkëluftëtarëve nga ajo ditë tregojnë se Fehmiu drejtonte luftimet dhe mbante lidhjen me pikat e tjera derisa pozicioni i tyre u godit. Kur ra Fehmiu, Xheva qëndroi në pozicion dhe vazhdoi luftën për çlirim, duke mos pranuar të tërhiqej. Më 22 shtator 1998, aty ku kishin mbërritur bashkë pas shumë vitesh burgimi, përndjekjeje, mërgimi e përgatitjeje për luftë, aty përfundoi edhe rruga e tyre”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se sot nderuam, përkrah Fehmiut dhe Xhevës, edhe Fatime Hetemin, Shefqet Zekën, Behxhet e Milaim Karaxhën dhe Hamit Lladrovcin, duke shtuar më tej se emrat e tyre janë pjesë e pandashme e historisë sonë të lavdishme, e luftës dhe e sakrificës mbi të cilat u fitua liria e Kosovës.
U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në hapjen e Javës Ndërkombëtare të Personave të Shurdhër

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në hapjen e Javës Ndërkombëtare të Personave të Shurdhër bashkë me Shoqatën Kosovare të të Shurdhërve dhe me njerëzit që i njohin më mirë se kushdo pengesat me të cilat përballen çdo ditë. Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu tha se ishte një mundësi e mirë për të dëgjuar drejtpërdrejt nga komuniteti për pengesat me të cilat ende përballen në arsim, shëndetësi, punësim dhe në marrjen e shërbimeve publike. “Diskutuam për rëndësinë e gjuhës së shenjave, si gjuhë më vete dhe si pjesë e identitetit të komunitetit të të shurdhërve, por edhe për nevojën për më shumë interpretë të licencuar, për mësimdhënës të trajnuar dhe për shërbime publike që mund të përdoren pa pasur nevojë për ndërmjetësimin e një familjari”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se Presidenca do të jetë e hapur për bashkëpunim me Shoqatën Kosovare të të Shurdhërve dhe për çështjet që kërkojnë më shumë vëmendje institucionale.
U.D. Presidentja Haxhiu: Tri familje morën sot lajmin për familjarët e zhdukur me dhunë që prej vitit 1999

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se tri familje morën sot lajmin për familjarët e zhdukur me dhunë që prej vitit 1999. “Analizat e ADN-së konfirmuan identitetin e tri viktimave, mbetjet mortore të të cilave u zhvarrosën në varrezat masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut. Ata ishin pjesë e grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, shqiptarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer nga forcat serbe më 19 prill 1999”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka thënë se për 27 vjet, këto familje jetuan pa ditur ku ishin më të dashurit e tyre. “Sot ato e dinë. Dhimbja mbetet, por kjo pritje e gjatë mbaroi. Jam pranë tyre në këtë ditë. Bashkëndjej edhe me familjet e tjera që presin rezultatet e gërmimeve në javët në vijim”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se kërkimi ynë nuk do të ndalet derisa të gjendet edhe personi i fundit i zhdukur me dhunë dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
U.D. Presidentja Haxhiu: Aktgjykimi i sotëm dhe dënimet e shqiptuara, një lajm thellësisht tronditës për Republikën e Kosovës

Aktgjykimi i sotëm dhe dënimet e shqiptuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit janë një goditje e rëndë për familjet e tyre, një lajm thellësisht tronditës për Republikën e Kosovës dhe një çast i rëndë për kombin shqiptar kudo që jeton. Në një ditë si kjo, pesha e këtij vendimi nuk mund të ndahet nga historia prej së cilës kemi ardhur. Kosova e ka përjetuar mbi vete dhunën e një aparati shtetëror që vrau civilë, kreu masakra, dëboi qindra mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre dhe la pas mijëra të vrarë e të zhdukur. Kjo përvojë është pjesë e pashlyeshme e kujtesës së Kosovës dhe të kombit shqiptar. Mendimet e mia janë, para së gjithash, me familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Prej vitesh ato mbajnë barrën e mungesës, pritjes dhe pasigurisë. Dënimet e sotme e bëjnë këtë barrë edhe më të rëndë. Atyre ua përcjell nga Kosova një porosi, qëndroni të fortë, Kosova është me ju. Fjala e fundit juridike nuk është thënë. E drejta e ankimit është pjesë e procesit dhe duhet të ushtrohet plotësisht. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte çlirimtare. Ajo lindi përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë natyrën e asaj lufte dhe as të zhbëjë të drejtën e një populli për të luftuar për lirinë e vet. Respekti për drejtësinë nuk nënkupton heshtje përballë çdo përpjekjeje për ta shtrembëruar historinë. Nuk duhet lejuar që dënimet e sotme të përdoren për të relativizuar krimet e regjimit të Serbisë, për ta zvogëluar përgjegjësinë për to apo për të krijuar një narrativë të rreme. Këtë qartësi e presim edhe nga miqtë dhe aleatët tanë. Sot na duhet qetësi, dinjitet dhe bashkim. Dhimbja e kësaj dite nuk duhet të na ndajë. Republika e Kosovës do ta përballojë edhe këtë sprovë duke i qëndruar besnike drejtësisë, lirisë dhe së vërtetës së saj. Sepse aktgjykimet nuk mund ta gjykojnë historinë e një populli as nuk mund ta rishkruajnë atë.
U.D. Presidentja Haxhiu pranoi letrat kredenciale të Ambasadores së re të Mbretërisë së Holandës në Republikën e Kosovës, znj. Astrid de Vries

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pranuar sot letrat kredenciale të Ambasadores së re të Mbretërisë së Holandës në Republikën e Kosovës, znj. Astrid de Vries, së cilës i ka uruar mirëseardhje dhe shumë suksese në misionin e saj diplomatik. “Kosova dhe Holanda kanë ndërtuar ndër vite marrëdhënie të shkëlqyera dhe një miqësi të mbështetur në besim e bashkëpunim. Holanda ka qenë pranë Kosovës në etapa të rëndësishme të rrugëtimit tonë dhe vazhdon ta mbështesë fuqishëm të ardhmen tonë evropiane dhe euroatlantike”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu dhe Ambasadorja de Vries biseduan për mundësitë që këtë bashkëpunim ta zgjerojnë edhe më tej, në ekonomi, arsim, kulturë, siguri dhe fusha të tjera me interes të përbashkët. “Ambasadores de Vries i urova sukses në detyrën e re dhe e sigurova se do ta ketë bashkëpunimin tim të plotë për t’i thelluar edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Holandës”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu: Kosova sot humbi Flora Brovinën, gruan që ia kushtoi gjithë jetën njerëzve dhe vendit të vet

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kosova sot humbi Flora Brovinën, gruan që ia kushtoi gjithë jetën njerëzve dhe vendit të vet. “Mjeke, humaniste dhe veprimtare për të drejtat e njeriut, ajo u gjend pranë fëmijëve dhe familjeve në vitet më të vështira për Kosovën. Organizoi, ndihmoi, protestoi dhe ngriti zërin kundër dhunës e represionit, duke e kthyer angazhimin publik në një formë të përditshme të qëndresës. Edhe kur kjo e vuri drejtpërdrejt përballë regjimit serb, nuk u tërhoq”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka thënë se në pranverën e vitit 1999 u arrestua dhe u dërgua në burgjet e Serbisë, ku u dënua me 12 vjet burg. “As aty nuk hoqi dorë nga bindjet e veta. Për lirimin e Flora Brovinës u angazhuan organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, shkrimtarë dhe institucione nga vende të ndryshme të botës. Ishte e burgosur politike, veterane e luftës së UÇK-së dhe pjesë e brezit që sakrifikoi aq shumë për lirinë e Kosovës”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, Flora Brovina ishte zë i veçantë edhe në letërsinë shqipe. “Në vargjet që shkroi, gruaja, fëmija, dhimbja, lindja, humbja dhe liria morën formën e përvojave të jetuara. Poezia e saj kishte butësinë e mjekes, ndjeshmërinë e gruas dhe qëndresën e njeriut që kishte kaluar nëpër sfida të rënda. Pas luftës vazhdoi angazhimin në jetën institucionale të vendit. Për vite me radhë ishte deputete e Kuvendit të Kosovës dhe nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu iu ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Brovina dhe Begu, miqve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e çmuan. “I përjetshëm qoftë kujtimi për Flora Brovinën”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në ditën përmbyllëse të “Javës së Gruas”

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në ditën përmbyllëse të “Javës së Gruas”, që organizohet nga NDI. Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu ka falënderuar Institutin Kombëtar Demokratik për punën e tij në Republikën e Kosovës, por poashtu edhe për këtë program të rëndësishëm, ku prej vitesh gra dhe burra nga institucionet, partitë politike, komunat, shoqëria civile, media dhe komunitete të ndryshme takohen, debatojnë por edhe punojnë bashkë, si dhe Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Misionin e OSBE-së në Kosovë dhe Ambasadën e Kanadasë për mbështetjen e kësaj nisme. Ajo ka thënë se tema e këtij viti, “Fuqia në Partneritet: Nga dialogu në veprim”, e lidh barazinë gjinore me cilësinë e demokracisë sonë, duke shtuar tutje se një shoqëri demokratike i dëgjon zërat e të gjithëve dhe u jep atyre hapësirë të ndikojnë në vendimet që merren. “Por barazia nuk matet vetëm me numrin e grave që janë të pranishme në një sallë, në një listë zgjedhore apo në një institucion. Por, para së gjithash dhe mbi të gjitha ajo matet me fuqinë që kanë për të udhëhequr, për të vendosur dhe për ta ndryshuar apo për të ndikuar drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, dialogu ka vlerë kur sjell ndryshim, e kjo ndodh kur shqetësimi i qytetarëve bëhet vendim dhe merr mjete në buxhet, dhe kur e drejta e shkruar në ligj zbatohet në jetën e përditshme. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se për këtë arsye, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve qendrore dhe komunave ka rëndësi të madhe. Ajo tha se qytetarët nuk duhet të humbasin kohë duke kuptuar se cili institucion e ka përgjegjësinë, ata presin që institucionet të bashkëpunojnë dhe ta zgjidhin problemin që kanë. “Kjo vlen sidomos për gratë. Sipërmarrësja që do ta zgjerojë biznesin ka punë njëkohësisht me komunën por po ashtu edhe me institucionet qendrore, po ashtu edhe anëtarja e kuvendit komunal që do ta çojë një nismë të saj deri në zbatim. Prandaj, përvoja e grave duhet të merret parasysh që në fillim, kur hartohen ligjet, buxhetet dhe shërbimet publike, e jo të shtohet në fund. Kur gratë marrin pjesë në vendimmarrje, institucionet e shohin më qartë realitetin me të cilin merren. Pozita e gruas në shoqëri ndryshon ngadalë, sepse ajo formohet njëkohësisht në shkollë, në vendin e punës dhe në jetën publike. Kur ndryshon vetëm njëra prej tyre, të tjerat shpesh e mbajnë gruan aty ku ishte”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu. Më tej, U.D. Presidentja Haxhiu tha se vajzat i mbarojnë shkollat dhe fakultetet me sukses, gratë hapin dhe udhëheqin biznese, dhe shkollat e qendrat tona shëndetësore funksionojnë në masë të madhe pikërisht falë punës së tyre të jashtëzakonshme. “Megjithatë, sa më lart që shkojmë në institucione dhe në kompani, aq më rrallë i gjejmë emrat e tyre në krye. Kuota gjinore i ka sjellë gratë në kuvendet komunale por edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por ne vazhdojmë të kemi probleme sepse nuk i shohim gratë në krye të listave zgjedhore, e as kandidate për kryetare të komunave”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej tha se medaljet e arta olimpike për Kosovën të parat i fituan Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, Donjeta Sadiku fitoi medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare që u mbajtën rishtazi në Taranto, duke shtuar tutje se vajzat që sot nisin sportin kanë para vetes shembuj që brezat e mëparshëm nuk i kishin. “Këta shembuj tregojnë se talenti dhe aftësia ekzistojnë. Pyetja është nëse institucionet, partitë dhe shoqëria jonë u japin grave po aq mundësi për ta dëshmuar atë talent edhe në politikë, në ekonomi dhe në përgjithësi në jetën publike. Barazia kërkon kohë, por edhe vendime. Përgjegjësia jonë, e institucioneve dhe e partive politike, është që gratë të kenë të njëjtat mundësi si burrat. Për partitë, kjo do të thotë më shumë gra në krye të listave dhe në garat për funksione publike. Vendimet që marrim sot duhet ta shkurtojnë këtë kohë”, pohoi U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu më tej tha se duhet të flasim edhe për sigurinë e grave në jetën publike. “Gratë në politikë, në gazetari dhe në shoqërinë civile bëhen shpesh shenjë sulmesh në rrjetet sociale. Sulmohen për gjininë, për pamjen, për familjen e tyre, për jetën private, e jo për punën apo për qëndrimet që mbajnë. Një shoqëri, një demokraci nuk mund të jetë plotësisht e lirë nëse një pjesë e qytetarëve të saj paguan çmim më të lartë kur flet publikisht. Asnjë grua nuk duhet të detyrohet të zgjedhë mes pjesëmarrjes në jetën publike dhe sigurisë apo dinjitetit dhe integritetit të saj”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo tha se institucionet kanë për detyrë t’i mbrojnë këto gra, që ta vazhdojnë punën e tyre pa asnjë frikë, dhe standardi duhet të jetë i njëjtë për të gjitha. “Partitë politike, mediat dhe secili prej nesh kemi përgjegjësi që gjuha e urrejtjes dhe frikësimi i grave e vajzave në jetën publike të mos bëhen si diçka e zakonshme. Prandaj, ju ftoj që të bashkëpunojmë në këtë drejtim, por edhe të solidarizohemi dhe ta mbështesim njëra-tjetrën, sepse reagimi ndaj kërcënimit dhe dhunës kurrë nuk duhet të varet nga emri, partia apo profesioni i gruas që sulmohet. Standardi duhet të jetë i njëjtë për të gjithë”, vijoi më tej U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu tha se “Java e Gruas” bashkon gra dhe burra nga parti, komuna dhe komunitete të ndryshme. Ajo më tej tha se në demokraci nuk mund të pajtohemi për gjithçka, dhe unë e shoh këtë si normale, por për çështjet që prekin jetën dhe dinjitetin e qytetarëve duhet të dimë që duhet të punojmë bashkë. “Pra, siç e përmenda gruaja që udhëheq një biznes, një shkollë apo një institucion kërkon nga institucionet rregulla të qarta dhe trajtim të barabartë, pavarësisht ndarjeve tona politike apo dallimeve politike, por edhe dallimeve gjinore, etnike. Institucionet janë aty për t’u shërbyer të gjithave njësoj. Gjatë këtij viti, Java
U.D. Presidentja Haxhiu: Pas propozimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kam caktuar z. Albin Kurti mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe pas propozimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ka caktuar z. Albin Kurti mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. “Z. Kurtit i uroj sukses në ushtrimin e përgjegjësive që burojnë nga besimi i qytetarëve, si dhe në formimin sa më të shpejtë të Qeverisë, në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu: Sulmi i 11 shtatorit ishte sulm ndaj lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te memoriali “Kosova kujton”, kushtuar viktimave të 11 shtatorit, në SHBA. Në fjalën e saj, U.D. Presidentja Haxhiu, ka thënë se njëzetepesë vjet më parë, 11 shtatori nisi si një mëngjes krejt i zakonshëm. “Kështu fillon edhe Raporti i Komisionit Hetimor amerikan për 11 shtatorin. E marta e 11 shtatorit 2001 agoi me mot të butë dhe me qiell të kthjellët në lindje të Shteteve të Bashkuara. Miliona njerëz po bëheshin gati për punë. Disa u nisën drejt Kullave Binjake në New York, të tjerë drejt Pentagonit. Njerëzit po zinin radhë për ta vizituar Shtëpinë e Bardhë. Presidenti George W. Bush kishte dalë për vrap herët në mëngjes. Në orën 8:46, aeroplani i parë e goditi Kullën Veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë. Në Kosovë ora ishte14:46 pasdite. Vetëm dy minuta më vonë nisën transmetimet e para televizive me pamjet e Kullës Veriore në flakë. Derisa transmetimi vazhdonte drejtpërdrejt, në orën 9:03 sipas kohës së New Yorkut, aeroplani i dytë goditi Kullën Jugore”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, nga New Yorku deri në Prishtinë, njerëzit mbetën para ekraneve, duke parë të njëjtën tragjedi teksa ajo po ndodhte. Ajo më tej tha se ai mëngjes amerikan, që kishte nisur me qiell të kthjellët e njerëz që shkonin në punë, në pak minuta u bë mëngjesi që e ndau kohën në para dhe pas 11 shtatorit. “Në ato orë tmerri dhe kaosi, u pa edhe gatishmëria e njeriut për t’i dalë në ndihmë tjetrit pa pasur kohë të mendojë gjatë as për rrezikun, as për veten dhe as për pasojat. U pa te zjarrfikësit që hynin në ndërtesa derisa të tjerët përpiqeshin të dilnin, te policët dhe ekipet e shpëtimit, te pasagjerët që vendosën të vepronin dhe te njerëzit e zakonshëm që ndihmonin njëri tjetrin”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, sulmet e 11 shtatorit ishin sulm ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës por dhimbja, megjithatë, kaloi menjëherë kufijtë e saj, duke shtuar më tej, se në qytete anembanë botës njerëzit u mblodhën në heshtje, ndezën qirinj dhe dërguan mesazhe ngushëllimi. “Në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës, njerëzit dolën për të shprehur solidaritet me popullin amerikan. Ndezën qirinj, u mblodhën në tubime e në marshe dhe u paraqitën për të dhuruar gjak. Rrugët u mbushën me qytetarë që mbanin flamuj amerikanë dhe pankarta ku shkruhej “Amerikë, jemi me ty”, në shenjë solidariteti me popullin amerikan në atë ditë zie. Kosova e vitit 2001 ende po e merrte veten nga lufta. Vetëm dy vjet më herët, Shtetet e Bashkuara kishin qenë pranë nesh në një nga periudhat më të rënda të historisë sonë. Historitë tona janë të ndryshme dhe secila bart dhimbjet e veta, por ne e dinim nga përvoja jonë e afërt çfarë peshe ka prania e mikut në ditët më të vështira”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo tha se kur Amerika u godit më 11 shtator, qytetarët e Kosovës nuk e përjetuan atë si tragjedinë e një vendi tjetër, një vendi të largët. “Dhimbja e asaj dite hyri në shtëpitë tona, në bisedat tona dhe u përjetua me një afërsi të veçantë, si dhimbja për një mik të madh. Ndërsa vetë sulmi u kuptua si sulm ndaj lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor, vlera që kishin qenë edhe në themel të mbështetjes amerikane për Kosovën. Disa qytetarë të Kosovës shkuan deri te Zyra Amerikane në Prishtinë dhe u paraqitën vullnetarë për të luftuar përkrah ushtarëve amerikanë. Ishte një reagim i jashtëzakonshëm dhe spontan, që tregonte sa afër e ndiente Kosova dhimbjen e Amerikës”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu tha se njëzetepesë vjet pas 11 shtatorit, e kemi një brez që nuk e ka jetuar atë ditë, për të, 11 shtatori është histori e mësuar nga rrëfimet e atyre që e përjetuan, nga fotografitë dhe nga pamjet që kanë mbetur të ngulitura në kujtesën e botës. “Kjo është edhe arsyeja pse, pas një çerek shekulli nuk mjafton vetëm t’i kujtojmë ata që humbën jetën. Duhet t’u tregojmë edhe atyre që erdhën më pas se çfarë ndodhi atë ditë, sa shpejt mund të prishet rrjedha e zakonshme e jetës, por edhe sa shumë mund të bëjë njeriu për njeriun në çastet më të rënda. Brezat e rinj duhet ta dinë edhe se solidariteti i atyre ditëve u kthye shpejt në veprim politik. NATO-ja, për herë të parë në historinë e saj, vuri në veprim nenin 5, sipas të cilit sulmi ndaj një aleati konsiderohet sulm ndaj të gjithëve”, pohoi U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu më tej tha se njëzetepesë vjet më vonë, kujtesa na kthen përsëri te ai mëngjes i kthjellët dhe te 2,977 njerëzit që nisën një ditë të zakonshme, por nuk u kthyen më në shtëpi, na kthen te familjet e tyre dhe te të gjithë ata që, mes zjarrit dhe kaosit, rrezikuan jetën për të shpëtuar jetën e dikujt tjetër. “Kosova e ndjeu dhimbjen e saj atëherë dhe e ndan kujtimin e saj edhe sot, duke nderuar viktimat dhe duke ruajtur po atë afërsi që u dëshmua në ditët më të rënda për të dy vendet tona. I përjetshëm qoftë kujtimi për viktimat e 11 shtatorit”, ka thënëU.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në shënimin e Ditës Kombëtare të Zvicrës

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sonte në shënimin e Ditës Kombëtare të Zvicrës, vendi me të cilin Kosova ka ndërtuar ndër vite lidhje të veçantë, të mbështetur në miqësi, bashkëpunim dhe, mbi të gjitha, në lidhjet mes njerëzve tanë. “Në fjalën time theksova se, për shumë familje në Kosovë, Zvicra është prej kohësh pjesë e jetës së përditshme. Në Zvicër jetojnë prej vitesh shumë familjarë e miq tanë, ndërsa atje janë rritur edhe breza të tërë që vazhdojnë ta mbajnë të fortë lidhjen me Kosovën. Kjo afërsi mes njerëzve ka bërë që Zvicra të mos na jetë dukur kurrë larg”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka theksuar se Kosova nuk e harron mbështetjen e Zvicrës në vitet më të vështira të historisë sonë dhe kontributin e saj të vazhdueshëm në ndërtimin e institucioneve, zhvillimin e vendit dhe përkrahjen e qytetarëve tanë. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, sot, marrëdhënia jonë zhvillohet përmes bashkëpunimit politik, sigurisë, arsimit, ekonomisë dhe kulturës, por mbi të gjitha përmes njerëzve që i lidhin të dyja vendet. “Vura në pah se kontributi i shqiptarëve nga Kosova në Zvicër shihet tashmë në shumë fusha. Futbolli është ndoshta shembulli më i dukshëm, por për fat të mirë jo i vetmi. Nga politika te shkenca, njerëz si Ylfete Fanaj dhe Ardian Jusufi tregojnë se ata që dikur gjetën strehë dhe mundësi në Zvicër, sot janë pjesë aktive e zhvillimit dhe e suksesit të saj. Shpreha krenarinë për këto histori dhe mirënjohjen ndaj Zvicrës, ku shumë nga njerëzit tanë gjetën siguri, ndërtuan jetën e tyre dhe u bënë pjesë e rëndësishme e shoqërisë zvicerane”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu popullit zviceran i ka uruar paqe, mirëqenie dhe shëndet, ndërsa miqtë tanë zviceranë në Kosovë i ka falënderuar për miqësinë dhe rolin e tyre të rëndësishëm në rrugëtimin e vendit tonë.