Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se tri familje morën sot lajmin për familjarët e zhdukur me dhunë që prej vitit 1999.
“Analizat e ADN-së konfirmuan identitetin e tri viktimave, mbetjet mortore të të cilave u zhvarrosën në varrezat masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut. Ata ishin pjesë e grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, shqiptarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer nga forcat serbe më 19 prill 1999”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo më tej ka thënë se për 27 vjet, këto familje jetuan pa ditur ku ishin më të dashurit e tyre.
“Sot ato e dinë. Dhimbja mbetet, por kjo pritje e gjatë mbaroi. Jam pranë tyre në këtë ditë. Bashkëndjej edhe me familjet e tjera që presin rezultatet e gërmimeve në javët në vijim”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se kërkimi ynë nuk do të ndalet derisa të gjendet edhe personi i fundit i zhdukur me dhunë dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë.