U.D. Presidentja Haxhiu: Kujdesi për gratë me kancer të gjirit duhet të vazhdojë edhe pas Tetorit Rozë

Nën patronatin e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, sot u hap fushata “Tetori Rozë”, me rastin e fillimit të muajit për ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, ku të pranishëm ishin U.D. Presidentja Albulena Haxhiu, kryeministri Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se sëmundja e kancerit mbetet një nga sfidat më të mëdha të shëndetësisë dhe një nga sprovat më të rënda në jetën e njeriut. Ajo tha se shumë prej nesh e njohin këtë përvojë përmes dikujt të dashur, ngase sapo një familjar të diagnostikohet kjo sëmundje bëhet brengë e një shtëpie të tërë, duke shtuar më tej se bisedat ndryshojnë, planet lihen për më vonë dhe të afërmit mësohen ta matin kohën nga një kontroll te tjetri. “Shumë prej jush e dini çfarë do të thotë të presësh një përgjigje, t’i nënshtrohesh trajtimit dhe të kërkosh brenda vetes durimin për ta përballuar edhe një ditë të vështirë. Fushatën “Tetori Rozë” po e hapim këtë vit, pikërisht këtu në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në këtë shtëpi miratohen ligjet dhe ndahet paraja publike. Këtu na takon që nevojave të grave t’u japim vendin që meritojnë dhe të sigurojmë mjetet për kujdesin që u duhet”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo tutje theksoi se vitin e kaluar, në Kosovë janë raportuar 601 raste të reja të kancerit të gjirit, secili rast ka hyrë në jetën e dikujt që deri atëherë kishte shqetësime të tjera, në punë, në shtëpi, punë të pambaruara e plane për të ardhmen, papritur, shumëçka është dashur të presë. “Gjatë këtyre viteve janë bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Që nga viti 2023, mamografia ofrohet pa pagesë në shëndetësinë publike. Po nga ai vit, edhe rikonstruksioni i gjirit ofrohet pa kosto dhe pa listë pritjeje. Në vitin 2024 është siguruar aparatura Sentinel, e cila ndihmon në identifikimin e nyjeve limfatike që duhen vlerësuar dhe mundëson, në rastet e përshtatshme, shmangien e ndërhyrjeve më të gjera në to. Ndërkohë, buxheti për barnat onkologjike është rritur nga 8 milionë në 22 milionë euro. Tani, kësaj pune po i shtohet Plani i Veprimit për Skriningun e Kancerit të Gjirit, i hartuar për herë të parë nga Ministria e Shëndetësisë, me përfshirjen e të tri niveleve të kujdesit shëndetësor. Në kuadër të tij parashihet funksionalizimi i kabineteve radiologjike nëpër komuna, bashkë me tetë mamografë të rinj statikë digjitalë”, pohoi U.D. Presidentja Haxhiu. E kjo spas saj, do ta afrojë shërbimin te gratë, për një grua që jeton larg qendrës, një kontroll mund të kërkojë një ditë të tërë udhëtimi, shpenzime dhe dikë që t’ia marrë përsipër detyrimet në shtëpi, duke shtuar më tej se këto pengesa shpesh mbeten jashtë diskutimeve tona, ndonëse ndikojnë drejtpërdrejt në vendimin e gruas për të kërkuar ndihmë. “Shumë gra janë mësuar t’i lënë nevojat e veta për më vonë, për shkak të kujdesit për fëmijët, për prindërit e moshuar, për punën e për shtëpinë dhe presin të gjejnë pak kohë edhe për veten. Shpesh, këtë vetëmohim e kemi quajtur virtyt, pa pyetur sa shtrenjtë u kushton vetë grave. Shëndeti i gruas meriton vend në jetën e përditshme të familjes. Secili prej nesh mund t’ia lehtësojë barrën, që ajo të ketë kohën dhe mundësinë për të kërkuar kujdes. Gruaja ka të drejtë të kujdeset për veten pa u ndier fajtore për punët që atë ditë mbeten pa u kryer”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu ka falënderuar ato që kanë përjetuar këtë sëmundje për praninë dhe besimin që na japin duke ndarë përvojën e tyre “E dimë se pas fjalës “forcë” ka edhe ditë rraskapitjeje, frike e pasigurie. Ju keni të drejtë ta shprehni edhe lodhjen, ta kërkoni ndihmën dhe ta merrni atë. Nuk ju takon juve t’ua lehtësoni të tjerëve peshën e së vërtetës suaj. Përvoja juaj duhet të dëgjohet edhe kur hartohen politikat shëndetësore. Bashkë me profesionistët shëndetësorë dhe organizatat që ju kanë qëndruar pranë, mund të na ndihmoni të kuptojmë ku ende po vonohet kujdesi dhe çfarë duhet të bëjmë më tepër”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo tutje tha se sot kujtojmë me dhembje edhe gratë që i kemi humbur, familjeve të tyre u shprehim respektin dhe ngushëllimin tonë, duke vijuar më tej se kujtimi i tyre na ngarkon me përgjegjësinë për të bërë gjithçka që është në dorën tonë për gratë që sot kanë nevojë për trajtim. “Kur të mbarojë tetori e të hiqen shiritat rozë, dikush do të jetë ende duke pritur një përgjigje e dikush do ta ketë ditën e parë të trajtimit. Kujdesi dhe përkushtimi ynë duhet të vazhdojnë për aq kohë sa ato kanë nevojë. Le të punojmë që secila grua, kur të trokasë në derën e një institucioni shëndetësor, ta gjejë aty shtetin për të cilin flasim sot. Kur të hyjë në spital, ajo do të ketë mjaft brenga me vete. Le të gjejë aty njerëz dhe shërbime që ia lehtësojnë barrën. Le ta ndiejë në atë kujdes gjithë përkushtimin që shprehim sot”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo ka falënderuar edhe stafin shëndetësor të Onkologjisë për punën e madhe në këtë drejtim.
U.D. Presidentja Haxhiu: Afrim Maliqi ka mbetur në kujtesën tonë si poet, kritik e gazetar, por edhe si veprimtar dhe dëshmor i lirisë së Kosovës

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena haxhiu, mori pjesë sot në hapjen e ekspozitës kushtuar poetit, publicistit, gazetarit dhe veprimtarit, Afrim Maliqi. Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu tha se Afrim Maliqi ka mbetur në kujtesën tonë si poet, kritik e gazetar, por edhe si veprimtar dhe dëshmor i lirisë së Kosovës. “Në këtë ekspozitë e takojmë edhe ndryshe. E takojmë përmes dorëshkrimeve ku ende duken korrigjimet e tij dhe letrave që u shkruante të afërmve. E shohim përmes fotografive nga vite të ndryshme të jetës, vizatimeve që të tjerët i bënë për të dhe një kartoline familjare. Janë dokumente që nuk u krijuan për t’u ekspozuar, por që sot na sjellin më pranë Afrimit. Dhe, përmes tij, na sjellin më pranë edhe kohës në të cilën ai jetoi dhe shkroi”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej tha se vitet e ’90 zakonisht i kujtojmë përmes ngjarjeve të mëdha, represionit, përjashtimit, dhunës dhe luftës, por që sipas saj, dokumente si këto na tregojnë edhe si jetohej brenda asaj kohe, si shkruhej në një gazetë nën trysni, si korrigjohej një varg, si i shkruhej një letër familjes. “Prej këtyre dokumenteve shihet edhe rruga e Afrimit. Në gazetari, ai erdhi nga letërsia. Në redaksinë e Bujkut nisi duke shkruar për kulturën dhe arsimin. Por vitet që po vinin kërkonin më shumë prej tij. Filloi të shkruante për diskriminimin e shqiptarëve në vendet e tyre të punës, për represionin dhe për dhunën që po shtohej. Çdo shkrim i tillë kishte rrezikun e vet, dhe Afrimi këtë e dinte shumë mirë. Për pushtetin serb, një zë si ai i tij ishte pengesë shumë e madhe”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu tha se krahas gazetarisë, ai vazhdoi të shkruante poezi, ese dhe kritikë. “Te Afrimi, letërsia dhe gazetaria nuk ishin dy botë të ndara. Ato buronin nga e njëjta vëmendje ndaj vendit, kohës dhe njerëzve të tij. Me kalimin e viteve, ky angazhim mori edhe formën e veprimtarisë së drejtpërdrejtë për lirinë e Kosovës. Më 2 dhjetor 1998, Afrim Maliqi u vra në Prishtinë, në një pritë të forcave serbe, bashkë me shokët e tij nga Llapi, Hyzri Talla dhe Ilir Durmishi. Të tre ranë dëshmorë. Afrimi ishte vetëm 33 vjeç. Shokët e tij e kujtojnë si djalë të qetë, të dashur, por ama shumë të mprehtë në qëndrime. Sot i kujtojmë të tre me nderimet tona më të larta”, vijoi më tej U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo tutje tha se kujtimi dhe vepra e Afrim Maliqit janë nderuar ndër vite. “Më 28 nëntor 2012, Presidentja Atifete Jahjaga i akordoi Urdhrin e Lirisë. Në Podujevë, emrin e tij e mban edhe çmimi letrar “Afrim Maliqi”. Kjo ekspozitë i shton kësaj kujtese diçka tjetër, gjurmën e dorës së tij”, theksoi ajo. Për këtë, U.D. Presidentja Haxhiu tha se i jemi mirënjohës Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe stafit të saj, që këto dokumente i kanë trajtuar me kujdesin që kërkon një trashëgimi e tillë. “Falënderim të veçantë i shpreh Sevdije Maliqit, bashkëshortes së Afrimit, e cila bashkë me Munish Hysenin i mblodhi shkrimet e tij në dy vëllime më 2007. Falë asaj pune, sot kemi më shumë nga Afrimi për të lexuar. Faleminderit nga zemra”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej tha se një pjesë e asaj që Afrimi la pas ende nuk është mbledhur. “Ruhet në fletore e letra, nëpër shtëpitë e miqve dhe të afërmve të tij. Prandaj e mbështes idenë që gjithçka të bashkohet në një Fond Personal “Afrim Maliqi” këtu, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Ruajtja e kësaj trashëgimie është përgjegjësi e institucioneve tona. Është përgjegjësi ndaj Afrim Maliqit, ndaj brezit të tij dhe ndaj atyre që do të vijnë pas nesh”, theksoi ajo. U.D. Presidentja Haxhiu tha se Afrimi shkroi në vitet kur fjalës shqipe po i ngushtohej vendi çdo ditë. “Sot dorëshkrimet e tij kanë vendin e tyre në Bibliotekën Kombëtare. Por vendi i veprës së tij është edhe te lexuesi. Mënyra më e mirë për ta kujtuar është që ta lexojmë”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu: Fondet publike marrin kuptim atëherë kur shndërrohen në punë të dobishme, rezultate të prekshme dhe shumë mundësi për qytetarët e Republikës së Kosovës

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në Presidencë përfituesit e thirrjes së parë publike të Zyrës së Presidentes për vitin 2026. U.D. Presidentja Haxhiu, në fjalën e saj tha se përmes thirrjes së parë publike të Zyrës së Presidentes për vitin 2026, janë përzgjedhur 74 përfitues, ndërsa për financimin e projekteve të tyre janë ndarë gjithsej 150 mijë euro. “Projektet e përzgjedhura përfshijnë fusha me rëndësi të veçantë edhe për mua si Ushtruese e Detyrës së Presidentes, por po ashtu edhe për shoqërinë tonë, për institucionet e Republikës së Kosovës, pra që ndërlidhen me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, çështjet gjinore dhe integrimi socio-ekonomik, sportin, artin, kulturën, shëndetësinë, përfaqësimin shtetëror si dhe çështjet me interes për komunitetet në Republikën e Kosovës”, theksoi U.D. presidentja Haxhiu. Sipas saj, këto 150 mijë euro marrin kuptim dhe vlerë të vërtetë përmes punës që do ta bëni ju. Ajo më tej tha se secili prej projekteve të përzgjedhura ka lindur nga një nevojë, një ide apo një përvojë konkrete, tani është përgjegjësia juaj që këto ide t’i ktheni në punë konkrete, rezultate të dukshme dhe mundësi që u shërbejnë qytetarëve të Republikës së Kosovës. “Në fund të fundit, kjo është edhe arsyeja pse institucionet mbështesin nisma të tilla. Pra, ju e dini shumë mirë që në Republikën e Kosovës, edhe ministritë në vend, pra ekzekutivi, edhe në këtë rast Presidenca apo institucionet tjera mbështesin projektet e organizatave të shoqërisë civile”, pohoi ajo. U.D. Presidentja Haxhiu tha se me nënshkrimin e këtyre kontratave nis padyshim edhe përgjegjësia juaj për realizimin e projekteve në përputhje me atë që është miratuar si dhe për përdorimin e mjeteve publike me përgjegjësi, por po ashtu edhe me transparencë. “Fondet publike marrin kuptim atëherë kur shndërrohen në punë të dobishme, rezultate të prekshme dhe shumë mundësi për qytetarët e Republikës së Kosovës . Puna juaj në komunitet, me grupet që kanë nevojë për më shumë mbështetje, në kulturë, arsim, sport por edhe në të drejtat e njeriut, plotëson punën e institucioneve dhe forcon lidhjen ndërmjet tyre por poashtu edhe ndërmjet qytetarëve”, shtoi U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo tha se Zyra e Presidentes do të vazhdojë të mbështesë nisma që i shërbejnë interesit publik dhe që krijojnë më shumë hapësirë për pjesëmarrje, zhvillim dhe përfshirje në shoqërinë tonë. “Ju falënderoj secilin dhe secilën prej jush për punën, përkushtim por poashtu edhe angazhimin tuaj dhe ju uroj shumë sukses në realizimin e projekteve dhe shpresoj që rezultatet e punës suaj të ndihen në komunitetet e Republikës së Kosovës, të gjitha pa dallim dhe në përgjithësi tek të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. Në fund të fjalës së saj, U.D. Presidentja Haxhiu tha se ka pasur edhe disa organizata që nuk kemi pasur mundësi që t’i mbështesim apo edhe individë, por ne do të hapim edhe një thirrje tjetër dhe natyrisht i ftojmë të gjithë që të aplikojnë.
U.D. Presidentja Haxhiu: Sot iu bashkova “Race for the Cure Kosova”, me dëshirën që mesazhi i kësaj gare të shkojë edhe te gratë që nuk ishin mes nesh

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, sot iu bashkua “Race for the Cure Kosova”. “Sot iu bashkova “Race for the Cure Kosova”, me dëshirën që mesazhi i kësaj gare të shkojë edhe te gratë që nuk ishin mes nesh, tek ato që e kanë shtyrë kontrollin duke u kujdesur për të tjerët, që kanë frikë nga përgjigjja apo që ende e kanë të vështirë të marrin kujdesin shëndetësor që u duhet”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu më tej ka thënë se kur flasim për kancerin e gjirit, koha merr një peshë tjetër dhe ne kemi përgjegjësi që gratë të mos e humbin atë duke pritur apo duke u përballur me pengesa që mund dhe duhet t’ua lehtësojmë. “Prandaj sot u bëra thirrje grave ta bëjnë kontrollin me kohë dhe t’ia kujtojnë këtë edhe vajzës, nënës, motrës, shoqes e koleges, sepse në këtë garë nuk ka rëndësi kush mbërrin e para. Rëndësi ka që asnjë grua të mos mbërrijë vonë”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu bëri homazhe në Abri të Epërme: Kosova nuk do të reshtë së kërkuari drejtësi

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, kanë bërë homazhe sot në Abri të Epërme. Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se sot, në Abri të Epërme, nderuam 23 martirët e familjes Deliu dhe dëshmorët e kombit, Vesel Demaku, Valdet Xhemajli e Afrim Hajdaraj, të rënë më 26 shtator 1998, duke mbrojtur popullatën civile nga forcat serbe. “Familja Deliu ishte strehuar në mal për t’u shpëtuar sulmeve dhe granatimeve. Forcat serbe i gjetën dhe i vranë nga afër. Mes të vrarëve kishte fëmijë, gra shtatzëna dhe të moshuar. Diturije Deliu ishte vetëm gjashtëjavëshe. Ajo u gjet e gjallë nën trupin e nënës së saj, pasi 22 anëtarë të familjes së saj ishin vrarë. Jetoi edhe disa javë dhe vdiq më 19 nëntor 1998”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka shtuar, se po atë ditë, pak kilometra më larg, Vesel Demaku, Valdet Xhemajli dhe Afrim Hajdaraj po luftonin për të mos lejuar forcat serbe të depërtonin te civilët e strehuar në malet përreth Abrisë. “Veseli ishte mësues. Valdeti ishte ndër veprimtarët e hershëm të UÇK-së në Abri dhe kishte marrë pjesë në disa beteja para se të binte atë ditë. Me ta ishte edhe Arben Xhemajli, i cili mbeti i plagosur rëndë. Pas disa orësh luftimesh, Veseli, Valdeti dhe Afrimi ranë në mbrojtje të civilëve të pafajshëm”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo ka thënë se njëzet e tetë vjet më vonë, për masakrën e familjes Deliu askush nuk është dënuar. “Krimi është dokumentuar, dëshmitarët kanë folur dhe dihet se cilat forca serbe vepruan në Abri. Kosova nuk do të reshtë së kërkuari drejtësi. Institucionet tona kanë për detyrë t’i ndjekin këto krime deri në fund, pavarësisht sa kohë ka kaluar dhe pavarësisht se ku ndodhen kryerësit. Lavdi dëshmorëve Vesel Demaku, Valdet Xhemajli dhe Afrim Hajdaraj! I përjetshëm qoftë kujtimi për martirët e familjes Deliu!”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
U.d. Presidentja Haxhiu priti Ambasadorin jorezident të Mbretërisë së Danimarkës në Kosovë, Christian Grønbech-Jensen

U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim Ambasadorin jorezident të Mbretërisë së Danimarkës në Kosovë, Christian Grønbech-Jensen. Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, zhvillimet aktuale në vend, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. U.d. Presidentja Haxhiu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Danimarkës ndaj Kosovës dhe për kontributin e saj ndër vite në paqe, siguri dhe zhvillim. U.d. Presidentja dhe Ambasadori Grønbech-Jensen rikonfirmuan gatishmërinë për vazhdimin dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
U.D. Presidentja Haxhiu: Tre vjet më parë Afrim Bunjaku ishte i pari që doli përballë grupit terrorist të mbështetur, të financuar dhe të organizuar nga Serbia

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në vendosjen e gurthemelit të obeliskut të Heroit Afrim Bunjaku. “Në Banjskë, aty ku Heroi ynë, Afrim Bunjaku, ra duke mbrojtur Republikën, sot vendosëm gurthemelin e obeliskut që do ta mbajë emrin e tij”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej tha se tre vjet më parë, në orët e para të 24 shtatorit, ai ishte i pari që doli përballë grupit terrorist të mbështetur, të financuar dhe të organizuar nga Serbia. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, sakrifica e tij dhe qëndresa e kolegëve bënë që plani i Serbisë të dështonte. “Obelisku do të qëndrojë në Banjskë që kushdo që kalon ta dijë se çfarë ndodhi në atë vend dhe kush dha jetën duke e mbrojtur. Do të jetë edhe dëshmi se në çdo fshat të veriut vlen ligji i Republikës së Kosovës”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu më tej ka thënë se ata që e sulmuan Kosovën atë mëngjes dhe sot strehohen në Serbi do të dalin një ditë para drejtësisë. “Kosova do të këmbëngulë derisa secili prej tyre të japë llogari. Lavdi Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku!”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu: Afrimi ra në krye të detyrës, por atë mëngjes ai dhe kolegët e tij e mbrojtën Republikën

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, sot vizitoi familjen Bunjaku dhe ka bërë homazhe te varri i Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij. “Tri vjet më parë, Afrimi u nis në detyrë dhe nuk u kthye më në shtëpi. Në Banjskë, ai ra duke mbrojtur sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës nga sulmi terrorist i 24 shtatorit”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka thënë se për Kosovën, Afrim Bunjaku është Hero. “Për familjen e tij është Afrimi që mungon çdo ditë. Bashkëshorti, babai, vëllai që për 22 vjet kishte veshur uniformën e Policisë së Kosovës dhe i kishte shërbyer vendit të vet”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, Familjes Bunjaku i ka shprehur edhe një herë respektin dhe mirënjohjen e thellë. “Afrimi ra në krye të detyrës, por atë mëngjes ai dhe kolegët e tij e mbrojtën Republikën. Për këtë, Kosova do t’i jetë përherë mirënjohëse. Lavdi Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku!”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu pranoi Letrat Kredenciale të Ambasadorit jorezident të Republikës së Guinesë në Kosovë, Abdoulaye Fofana

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pranuar sot Letrat Kredenciale të Ambasadorit jorezident të Republikës së Guinesë në Kosovë, Abdoulaye Fofana. Në takim, është biseduar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. “Ambasadorit Fofana i urova mirëseardhje dhe mandat të suksesshëm, duke e siguruar për gatishmërinë time për bashkëpunim në avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Guinesë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu dekoroi kampionin mesdhetar në karate, Islam Selmani me Medaljen Presidenciale të Meritave

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim kampionin mesdhetar në karate, Islam Selmani, bashkë me trajnerin e tij, Isak Curri. Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu ka dekoruar kampionin mesdhetar në karate, Islam Selmani me Medaljen Presidenciale të Meritave për sukseset e tij dhe për përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në arenën ndërkombëtare. “Në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, Islami fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 60 kilogramë, pas një rrugëtimi të shkëlqyeshëm dhe përballjeve me disa prej karateistëve më të mirë. Nga titulli i kampionit të Evropës për juniorë, te medalja e argjendtë në Kampionatin Botëror për seniorë e deri te medalja e artë në Lojërat Mesdhetare në Taranto, Islami po ndërton një karrierë për t’u admiruar”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Në fund U.D. Presidentja Haxhiu, Islamit, trajnerit të tij dhe gjithë ekipit iu ka dëshiruar edhe shumë suksese e medalje të tjera për Kosovën.