Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim kampionin mesdhetar në karate, Islam Selmani, bashkë me trajnerin e tij, Isak Curri.
Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu ka dekoruar kampionin mesdhetar në karate, Islam Selmani me Medaljen Presidenciale të Meritave për sukseset e tij dhe për përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, Islami fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 60 kilogramë, pas një rrugëtimi të shkëlqyeshëm dhe përballjeve me disa prej karateistëve më të mirë. Nga titulli i kampionit të Evropës për juniorë, te medalja e argjendtë në Kampionatin Botëror për seniorë e deri te medalja e artë në Lojërat Mesdhetare në Taranto, Islami po ndërton një karrierë për t’u admiruar”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Në fund U.D. Presidentja Haxhiu, Islamit, trajnerit të tij dhe gjithë ekipit iu ka dëshiruar edhe shumë suksese e medalje të tjera për Kosovën.


