Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në vendosjen e gurthemelit të obeliskut të Heroit Afrim Bunjaku.
“Në Banjskë, aty ku Heroi ynë, Afrim Bunjaku, ra duke mbrojtur Republikën, sot vendosëm gurthemelin e obeliskut që do ta mbajë emrin e tij”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo më tej tha se tre vjet më parë, në orët e para të 24 shtatorit, ai ishte i pari që doli përballë grupit terrorist të mbështetur, të financuar dhe të organizuar nga Serbia.
Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, sakrifica e tij dhe qëndresa e kolegëve bënë që plani i Serbisë të dështonte.
“Obelisku do të qëndrojë në Banjskë që kushdo që kalon ta dijë se çfarë ndodhi në atë vend dhe kush dha jetën duke e mbrojtur. Do të jetë edhe dëshmi se në çdo fshat të veriut vlen ligji i Republikës së Kosovës”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu më tej ka thënë se ata që e sulmuan Kosovën atë mëngjes dhe sot strehohen në Serbi do të dalin një ditë para drejtësisë.
“Kosova do të këmbëngulë derisa secili prej tyre të japë llogari. Lavdi Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku!”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.






