Presidentja Shiroka Pula priti në takim drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti

Presidentja Justina Shiroka Pula ka pritur në takim drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti, i cili e ka uruar për marrjen e detyrës. Gjatë takimit, Ajeti e ka njoftuar Presidenten për situatën aktuale të sigurisë kombëtare, ndërsa është diskutuar edhe për koordinimin ndërmjet institucioneve të sigurisë, me qëllim garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Presidentja Shiroka Pula priti në takim Kryeministrin Kurti

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, priti në takim Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Gjatë takimit, Presidentja Shiroka Pula shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe bashkërendim ndërmjet institucioneve, në shërbim të qytetarëve dhe të interesave të vendit. Kryeministri Kurti e falënderoi Presidenten për gatishmërinë për të marrë këtë përgjegjësi dhe i uroi suksese në detyrë. Ai shprehu përkushtimin për të bashkëpunuar me të në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe në çështjet me rëndësi për Republikën e Kosovës.

Presidentja Shiroka Pula: Shteti i Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën, vizionin dhe qëndresën e brezave

Me marrjen e detyrës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, bëri sot homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, te varri i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi. Në Prekaz, Presidentja Shiroka Pula nderoi sakrificën sublime të familjes Jashari dhe veprën e komandantit legjendar Adem Jashari. “Prekazi mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës së pashembullt për atdheun”, tha Presidentja. Gjatë homazheve te varri i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, ajo vlerësoi urtësinë dhe vizionin me të cilin ai e udhëhoqi Kosovën në një nga periudhat më vendimtare të historisë së saj. “Trashëgimia e tij politike dhe vizioni për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të orientuar drejt botës perëndimore janë udhërrëfyes për ne”, theksoi Presidentja Shiroka Pula. Te varri i veprimtarit Adem Demaçi, Presidentja nderoi jetën dhe veprën e tij, duke theksuar se ai ia kushtoi një jetë të tërë lirisë dhe dinjitetit të popullit të Kosovës. “Me vendosmërinë dhe sakrificën e tij, Demaçi u bë simbol i qëndresës dhe i mosnënshtrimit përballë padrejtësisë”, u shpreh ajo. Presidentja Shiroka Pula theksoi se nderimi i këtyre figurave është edhe një rikujtim i themeleve mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës, i sakrificës, vizionit dhe qëndresës së brezave.

U mbajt ceremonia e inaugurimit të Presidentes së Republikës së Kosovës, Shkëlqesisë së Saj, Justina Shiroka-Pula

Sot u zhvillua ceremonia solemne e inaugurimit të Presidentes së Republikës së Kosovës, Shkëlqesisë së Saj, Justina Shiroka-Pula. Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë krerë të institucioneve të Republikës së Kosovës, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, përfaqësues politikë, deputetë, përfaqësues të misioneve diplomatike dhe ambasadorë të akredituar në Republikën e Kosovës, si dhe personalitete të tjera publike. Pas përfundimit të ceremonisë së inaugurimit, Presidentja e Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Saj, Justina Shiroka-Pula, pranoi zyrtarisht detyrën nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu. Pranimi zyrtar i detyrës shënoi edhe kalimin institucional të përgjegjësive të Presidentes së Republikës, në përputhje me procedurat dhe praktikat institucionale të vendit. Me këtë rast, Presidentja Justina Shiroka-Pula theksoi përkushtimin e saj për ushtrimin e përgjegjësive institucionale në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës. “Qëllimi ynë është që të punojmë e të kontribuojmë në interes të të gjithë qytetarëve të vendit, në interes të Republikës”, tha Presidentja Justina Shiroka-Pula. Në këtë frymë, fillimi i mandatit të ri presidencial shënon një etapë të re në funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, me theks të veçantë në përgjegjësinë institucionale, respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës, si dhe në ushtrimin e detyrës në interes të qytetarëve dhe të vendit.

Fjalimi i Presidentes Justina Shiroka Pula në Kuvendin e Republikës së Kosovës

E nderuar kryetare e Kuvendit, Të nderuar deputetë, Përfaqësues të institucioneve dhe të trupit diplomatik, Të dashur qytetarë, Sot, e pranoj me nder të madh dhe me përgjegjësi të plotë detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës. Ky mandat nuk i përket vetëm një personi. Ai i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza sakrifikuan. Do të jem Presidente e të gjithë qytetarëve, pa dallim politik, etnik apo shoqëror. Do të punoj për unitet, drejtësi, zhvillim dhe për forcimin e institucioneve tona. Kosova duhet të ecë përpara, si një shtet demokratik, i sigurt, me orientim të qartë euroatlantik dhe me miqësi të fortë me aleatët tanë. Do ta mbroj Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë. Besoj në Kosovën, besoj në njerëzit e saj dhe besoj se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë. Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!

Justina Shiroka Pula zgjedhet Presidente e Republikës së Kosovës

Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancën e datës 6 tetor 2026, me 81 vota, zgjodhi zonjën Justina Shiroka Pula Presidente të Republikës së Kosovës. Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, më pas ka dhënë betimin para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

U.D. Presidentja Haxhiu: Familjet meritojnë të vërtetën, ndërsa për krimet e luftës duhet të ketë drejtësi

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në Mbledhjen Komemorative për Adem Beqirin, Idriz Rrecajn dhe Salih Mëziun. Në fjalën e saj, U.D. Presidentja Haxhiu tha se pas 27 vjetësh kërkimi, familjet e tyre më në fund morën përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre, të cilët tashmë do të prehen në paqe. “Më 19 prill 1999, forcat serbe rrëmbyen 23 civilë shqiptarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të njohur si “Grupi i Intelektualëve”. Ata u ndaluan në Melajë, në Kalludër të Vogël, u keqtrajtuan, u ekzekutuan dhe trupat e tyre u fshehën për të zhdukur gjurmët e krimit”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej tha se gërmimet në Kalludër dhe Jabukë, bashkë me analizat e ADN-së, konfirmuan identitetin e Idriz Rrecajt, Adem Beqirit dhe Salih Mëziut. “U gjetën në varre pa emër, por tani do të prehen me emrat e tyre dhe familjet do të kenë një vend ku t’i kujtojnë e t’i nderojnë. Mirënjohje të gjithë atyre që punuan me përkushtim për gjetjen dhe identifikimin e tyre. Kërkimi duhet të vazhdojë për 20 anëtarët e tjerë të grupit dhe për çdo person të zhdukur me dhunë. Familjet meritojnë të vërtetën, ndërsa për krimet e luftës duhet të ketë drejtësi”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. Familjeve Beqiri, Rrecaj dhe Mëziu, U.D. Presidentja iu ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta. “I përjetshëm qoftë kujtimi i Adem Beqirit, Idriz Rrecajt dhe Salih Mëziut, si dhe i të gjithë të rënëve dhe të vrarëve për lirinë e Kosovës!”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu: I bëj thirrje edhe sot çdo gruaje që kontrollin mos ta shtyjë për nesër

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë bërë shpërndarjen e pakove onkologjike, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, “Tetori Rozë”. Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se në kuadër të Tetorit Rozë, pra muajit që ka për qëllim ndërgjegjësimin nga kanceri i gjirit, ishim bashkë për të vizituar gratë, të cilat po përballen me këtë sëmundje për t’ju treguar që jemi pranë tyre me qëllim të adresimit të sfidave, por edhe kërkesave që kanë dhe sidomos jemi pranë tyre në një periudhë jo të lehtë të jetës së tyre. “Me këtë rast, sot shpërndamë edhe pako për nevojat që ato i kanë, si shenjë solidariteti, por edhe mbështetjeje institucionale. Unë dua që ta shfrytëzoj rastin edhe sot që të theksoj që shëndeti i vajzave dhe grave në Republikën e Kosovës është shumë i rëndësishëm. Prandaj, i bëj thirrje edhe sot çdo gruaje që kontrollin mos ta shtyjë për nesër, pra që menjëherë t’i bëjnë kontrollet. Mamografia është falas siç e dini, e po ashtu kërkoj nga familjet e personave që preken nga kanceri i gjirit që t’i mbështesin ata, sepse siç e përmenda shëndeti i tyre është shumë i rëndësishëm edhe për shoqërinë tonë, por po ashtu edhe për institucionet e Republikës së Kosovës”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej tha se janë bërë investime gjatë viteve të fundit. “Ne kemi hapur dje në Kuvendin e Republikës së Kosovës fushatën për ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, pikërisht në vendin ku edhe adresohen ligjet, por edhe ndahet buxheti për institucionet në Republikën e Kosovës”, theksoi U.D. Presidentja. Ajo ka falënderuar klinikën e Onkologjisë, gjegjësisht drejtorin dhe gjithë stafin, mjekët, infermierët dhe gjithë të tjerët që po iu qëndrojnë pranë pacientëve në momentet e vështira të jetës së tyre. “Grave që po përballen me këtë sëmundje iu uroj shëndet të plotë dhe jetë të gjatë dhe iu them atyre: forca. Institucionet dhe shoqëria janë me to në këto momente shumë të vështira. Sigurisht që, shumë prej tyre janë sot këtu, ne tashmë i takuam disa prej tyre dhe do të kemi mundësinë që edhe pas kësaj konference të takohemi me tjerat por është e jashtëzakonshme forca e tyre dhe energjia që ato përçojnë tek ne”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu: Secili brez e mori këtë universitet nga duart e brezit para tij, e mbrojti, e çoi përpara dhe ua dorëzoi atyre që erdhën pas

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e shënimit të Ditës së Studentëve të Universitetit të Prishtinës. Në fjalën e saj, U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se ka universitete historia e të cilave shkruhet kryesisht në auditorë, biblioteka e laboratorë. Ajo tha se historia e Universitetit të Prishtinës është shkruar edhe në rrugë, në protesta, në shtëpi të kthyera në salla mësimi dhe, mbi të gjitha, nga breza studentësh që nuk pranuan të qëndronin indiferentë ndaj kohës së tyre. “Në ligjëratën e tij “Misioni i universitetit”, filozofi Ortega thotë se në zemër të universitetit është studenti. Më shumë se disiplinat që mësohen aty dhe më shumë se profesorët që japin mësim, universiteti ekziston për studentin. Ortega kërkonte nga universiteti diçka më shumë sesa të përgatiste profesionistë të mirë. Ai besonte se universiteti duhet ta ndihmojë studentin ta kuptojë idenë e madhe të kohës së vet dhe të jetë i aftë t’i përgjigjet asaj”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, nëse ka një universitet ku kjo ide merr kuptim të veçantë, është Universiteti i Prishtinës, ngase sipas U.D. Presidentes Haxhiu, historia e tij është, në një masë të madhe, historia e brezave që e kuptuan çfarë kërkonte koha prej tyre dhe vepruan. “Në fund të viteve gjashtëdhjetë, ideja e madhe e kohës për ne ishte vetëvendosja, krijimi i institucioneve tona. Në nëntor të vitit 1968, të rinjtë dhe studentët dolën në demonstrata dhe kërkuan, ndër të tjera, themelimin e Universitetit. Pak më shumë se një vit më vonë, e bëmë Universitetin tonë. Në vitin 1981, studentët e Universitetit të Prishtinës nisën një lëvizje të gjerë me thirrjen “Kosova Republikë”. Regjimi u përgjigj me dhunë, burgje dhe përndjekje. Por kërkesat e atij brezi nuk u shuan. Ato mbetën të gjalla në brezat që erdhën pas”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej tha se një dekadë më vonë, sfida ishte tjetër. “Në vitin 1991, kur regjimi i Serbisë i përjashtoi studentët dhe profesorët shqiptarë nga ndërtesat e universitetit, detyra e kohës u bë që ky institucion të mos shuhej. Familjet hapën dyert e shtëpive të tyre, dhomat u kthyen në klasa, lokalet private në zyra. Një universitet i tërë vazhdoi të jetonte jashtë ndërtesave të veta. Për gjashtë vjet me radhë, çdo 1 tetor, viti akademik nisi në ato hapësira. Dhe pastaj erdhi 1 tetori i vitit 1997. Pas viteve në të cilat Universiteti ishte mbajtur gjallë jashtë hapësirave të veta, një brez i ri studentësh vendosi se kishte ardhur koha që rezistenca të dilte hapur në shesh. Kërkesa e drejtpërdrejtë ishte kthimi në objektet universitare, por kuptimi i saj ishte shumë më i gjerë: ishte kërkesë për liri, dinjitet dhe të drejtën për të jetuar e vepruar në vendin e vet pa u nënshtruar e pa u nëpërkëmbur”, pohoi U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej shtoi se studentët iu përgjigjën thirrjes së Unionit të Pavarur të Studentëve dhe bashkë me profesorët e tyre, u mblodhën në lagjen Velania. “Prej aty, mijëra studentë, profesorë e qytetarë u nisën drejt qendrës së Prishtinës dhe kampusit universitar, duke kërkuar kthimin në hapësirat e tyre. Por ai marshim ishte shumë më tepër se një kërkesë për hapjen e dyerve të universitetit. Ishte një akt i hapur kundërshtimi ndaj një regjimi që për vite kishte synuar t’i mbante shqiptarët jashtë institucioneve, pa zë dhe pa të drejta. Te kordonet e ngjeshura të policisë serbe, protesta u shtyp me dhunë. Protestuesit u rrahën dhe u arrestuan para syve të gazetarëve, diplomatëve dhe opinionit ndërkombëtar. Por atë ditë ndodhi edhe diçka që regjimi nuk e kishte llogaritur: frika nga policia serbe, që për vite ishte dukur e pathyeshme, nisi të thyhej në rrugët e Prishtinës”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu tha se bota pa më qartë çfarë po ndodhte në Kosovë, ndërsa një shoqëri që për vite ishte detyruar të jetonte nën shtypje tregoi se ishte e gatshme ta kundërshtonte atë hapur. “Pas 1 tetorit erdhën protesta të tjera. Kosova po hynte në një etapë të re të rezistencës së saj, tashmë të armatosur, e cila do të vazhdonte deri në çlirim. Thirrjen më 1 tetor e bënë studentët, ndërsa profesorët u rreshtuan përkrahë tyre e pranë tyre. Në krye ecte rektori Ejup Statovci. Ai e dinte rrezikun që merrte mbi vete dhe çfarë mund të sillte përballja me regjimin, por nuk hoqi dorë. Ai tregoi me vepër se në zemër të universitetit është studenti”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo tutje tha se sot jemi brenda Universitetit, jemi në hapësirat për të cilat studentët e atëhershëm dolën në rrugë. “Dhe kur e shohim historinë e Universitetit të Prishtinës në tërësi, kuptojmë diçka shumë të rëndësishme: secili brez e mori këtë universitet nga duart e brezit para tij, e mbrojti, e çoi përpara dhe ua dorëzoi atyre që erdhën pas. Shumë prej studentëve të asaj kohe sot japin mësim këtu. Të tjerë punojnë në institucionet e Republikës së Kosovës, në shkencë, në ekonomi, në kulturë dhe në jetën publike. Por kjo histori nuk përfundon me ta”, pohoi ajo. Sipas saj, cdo brez përballet me pyetjen e vet të madhe, duke shtuar më tej se brezat para jush kishin për detyrë ta kërkonin universitetin dhe republikën, ta mbronin këtë universitet dhe të luftonin për liri. Duke iu drejtuar studentëve, U.D. Presidentja Haxhiu tha se ju keni para vetes një detyrë tjetër: që mbi këtë liri të ndërtoni një shtet që u shërben mirë qytetarëve të vet dhe një Kosovë që e zë vendin e saj mes shteteve të tjera të lira në Evropë dhe në botë. “Kjo është një sfidë tjetër, ndoshta më pak dramatike se ajo e brezave që dolën në rrugë, por jo më pak e rëndësishme. Për këtë, vendi ka nevojë për mjekë të mirë, inxhinierë, mësues, juristë, ekonomistë, artistë dhe studiues të përgatitur mirë. Por ka nevojë edhe për njerëz që e kuptojnë kohën në të cilën jetojnë, që nuk mjaftohen vetëm me atë që u thuhet, që pyesin, që dyshojnë,

U.D. Presidentja Haxhiu priti në takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

 Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në takim, është diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe nevojën për ta zgjedhur Presidentin brenda afatit të mbetur. U.D. Presidentja Haxhiu, ka shprehur shqetësimin  e saj dhe të qytetarëve të Kosovës për vendimin e padrejtë të Dhomave të Specializuara në Hagë. “Nënvizova se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë t’i mbështesin ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në procesin e apelit. Në këtë drejtim, do të angazhohemi për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, duke i bashkërenduar veprimet me ekipet mbrojtëse dhe ekspertët, në mënyrë që mbështetja jonë t’u shërbejë sa më mirë atyre në këtë proces”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu, më tej ka theksuar nevojën që Bashkimi Evropian ta shqyrtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim, të dorëzuar më 14 dhjetor 2022, si dhe ka kërkuar angazhimin e drejtpërdrejtë të Presidentes Von der Leyen në këtë proces. “Bisedova edhe për zbatimin e Planit të Rritjes dhe reformat që na presin. Kosova ka dorëzuar Agjendën e Reformave, ka ratifikuar marrëveshjet përkatëse dhe ka filluar të përfitojë nga parafinancimi”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

This site is registered on wpml.org as a development site.