Special Competitive Studies Project uron Presidenten Shiroka Pula dhe premton mbështetje për zhvillimin teknologjik të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pranuar një letër urimi nga Ylli Bajraktari, president i Special Competitive Studies Project (SCSP), me rastin e zgjedhjes së saj në detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës. Në letër, Bajraktari shpreh përgëzimet e tij për zgjedhjen e Presidentes Shiroka Pula dhe rithekson përkushtimin e SCSP-së për të mbështetur përpjekjet e Kosovës në zhvillimin e kapaciteteve teknologjike, avancimin e potencialit të të rinjve dhe forcimin e lidhjeve me komunitetin global të inovacionit. Ai vlerëson se Kosova ka mundësi të rëndësishme për të përfituar nga zhvillimi i inteligjencës artificiale, duke pasur parasysh potencialin e të rinjve, ekosistemin në rritje të teknologjisë dhe ndërmarrjet e reja inovative që kanë dëshmuar aftësinë për të konkurruar në tregjet ndërkombëtare. Sipas Bajraktarit, zhvillimi i inteligjencës artificiale po ndryshon rrënjësisht ekuilibrat ekonomikë, teknologjikë dhe gjeopolitikë në nivel global, duke krijuar mundësi të reja edhe për shtetet e vogla që arrijnë të mobilizojnë talentin, të përqafojnë inovacionin dhe të veprojnë me shpejtësi e vizion. Në këtë drejtim, ai thekson se Kosova ka talentë, energji sipërmarrëse dhe lidhje ndërkombëtare të nevojshme për ta shndërruar potencialin e saj në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, siguri kombëtare dhe ndikim ndërkombëtar. Në letrën drejtuar Presidentes Shiroka Pula, Bajraktari njofton gjithashtu se SCSP-ja planifikon të sjellë në Kosovë, muajin e ardhshëm, një delegacion prej rreth 60 liderësh të rinj nga vende të ndryshme të botës dhe i cili do ë takohet me Presidenten. Ai ka shprehur bindjen se kjo vizitë do të krijojë mundësi për t’ua prezantuar një brezi të ri të liderëve globalë kapacitetet, talentin dhe potencialin e Kosovës.
Presidentja Shiroka Pula vizitoi familjet e krerëve të UÇK-së dhe shprehu mbështetjen institucionale në përpjekjet për drejtësi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, sot ka vizituar familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Gjatë këtyre vizitave, Presidentja shprehu solidaritetin me familjet, duke theksuar se kjo është një periudhë e vështirë për to dhe për Republikën e Kosovës. Presidentja Shiroka Pula ritheksoi se e drejta e apelit është pjesë e procesit gjyqësor dhe se Republika e Kosovës do të vazhdojë t’i mbështesë ish-krerët e UÇK-së në këtë fazë, në përputhje me përgjegjësitë dhe mundësitë institucionale. Sipas presidentes Shiroka Pula, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri, e zhvilluar përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës, dhe se mbrojtja e së vërtetës historike dhe dinjitetit të të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e vendit mbetet e rëndësishme. Në këto takime, Presidentja i informoi familjet se, në përputhje me afatet ligjore, do të veprojë lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara. “Familjet nuk janë vetëm në këtë rrugëtim dhe se Presidenca e Republikës së Kosovës do të mbetet e hapur për to, duke vepruar brenda kompetencave të saj kushtetuese dhe ligjore në mbështetje të përpjekjeve për drejtësi”, ka theksuar presidentja Shiroka Pula.
Presidentja Shiroka Pula pranon letër urimi nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pranuar një letër urimi nga Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, me rastin e marrjes së detyrës. Në letrën e tij, Presidenti Erdoğan, në emër të popullit turk dhe në emrin e tij personal, i ka shprehur Presidentes Shiroka Pula urimet më të sinqerta, duke shprehur besimin se bashkëpunimi shumëdimensional ndërmjet dy vendeve do të vazhdojë të zhvillohet edhe në periudhën e ardhshme. Ai ka shfaqur bindjen se kontributi i bashkëpunimit për stabilitetin dhe paqen rajonale do të vazhdojë të rritet edhe gjatë mandatit të Presidentes Shiroka Pula. Në përfundim të letrës, Presidenti Erdoğan i ka uruar Presidentes Shiroka Pula shëndet, ndërsa popullit të Kosovës paqe dhe prosperitet.
Presidentja Shiroka-Pula dekoron senatoren Shaheen dhe kërkon rikthimin e Dialogut Strategjik me SHBA-në

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur sot në takim senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin. Në takim, Presidentja ka theksuar se Republika e Kosovës e çmon lart mbështetjen bipartizane e të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleates strategjike dhe partneres së pazëvendësueshme. Në këtë kontekst, Presidentja ka potencuar nevojën e rikthimit të menjëhershëm të Dialogut Strategjik si instrument thelbësor për thellimin e partneritetit strategjik dhe për avancimin e prioriteteve të përbashkëta. Presidentja ka nënvizuar se synim parësor i Republikës së Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO. “Mbështetja e Shteteve të Bashkuara është kyçe në këtë rrugëtim. Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të thotë më shumë siguri dhe stabilitet jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë rajonin”, ka deklaruar Presidentja Shiroka Pula. Ajo e ka falënderuar senatoren Shaheen për angazhimin dhe kontributin e vazhdueshëm ndaj Kosovës. Në veçanti, është vlerësuar qëndrimi i saj në mbështetje të vazhdimit të pranisë ushtarake amerikane në kuadër të KFOR-it. Letra e dërguar Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, është cilësuar si iniciativë shumë domethënëse, duke theksuar se kjo prani ka rëndësi të jashtëzakonshme strategjike për sigurinë e Kosovës dhe parandalimin e tensioneve në rajon. Presidentja ka rikujtuar edhe reagimin e vendosur të senatores Shaheen pas agresionit të 24 shtatorit 2023 të Serbisë në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, si dhe thirrjen e saj për përgjegjësi ndaj autorëve. Në shenjë falënderimi, Presidentja Shiroka Pula i ka ndarë senatores Jeanne Shaheen Medaljen Presidenciale të Meritave, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës dhe kontributin në forcimin e sigurisë, ruajtjen e paqes dhe promovimin e stabilitetit në rajon. Ndryshe, kjo është dekorata e parë e akorduar nga Presidentja Shiroka Pula që nga marrja e mandatit.
Presidentja Shiroka Pula, priti në takim ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, z. Petrit Malaj

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, priti sot në takim ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, z. Petrit Malaj. Ambasadori Malaj e uroi Presidenten për zgjedhjen në detyrë dhe shprehu shpresën se gjatë mandatit të saj do të intensifikohen më tej marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve. Presidentja Shiroka-Pula theksoi se Kosova dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë të ecin bashkërisht dhe të mbështesin njëra-tjetrën. Ajo nënvizoi se, përveç rritjes së koordinimit në sferën e politikës së jashtme, Kosova pret mbështetje të fuqishme nga Shqipëria edhe në rrugëtimin euroatlantik dhe në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të dyanshëm.
Presidentja Shiroka-Pula merr urime nga Presidenti i Italisë dhe ai i Kroacisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula ka pranuar mesazhe urimi me rastin e marrjes së detyrës nga presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, dhe ai i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanović. Në mesazhin e tij, presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, ka shprehur dëshirën që bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve të marrë një shtysë të re dhe të thellohet më tej, në përputhje me angazhimin e vazhdueshëm të Italisë në mbështetje të Kosovës, i dëshmuar edhe nga pjesëmarrja në misionin e KFOR-it, komandën e të cilit Italia do ta marrë sërish së shpejti. “Shpresoj gjithashtu që, gjatë mandatit tuaj, Kosova të arrijë përparim konkret dhe të qëndrueshëm në reformat e brendshme të nevojshme për ta afruar vendin me familjen e përbashkët evropiane. Në këtë rrugëtim sfidues, Kosova do të mund të mbështetet në përkrahjen tonë”, thuhet në letrën e presidentit Mattarella. Ndërkaq, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanović, ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit, veçanërisht për sigurinë dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore. “Kroacia do të vazhdojë të mbështesë integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe formatet e bashkëpunimit rajonal, me theks të veçantë në anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Shpresoj për një mundësi të shpejtë për një takim personal dhe shkëmbim pikëpamjesh mbi perspektivat e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve tona”, ka shkruar ndër të tjera në letrën e urimit presidenti Milanović.
Urimi i Presidentes Shiroka-Pula me rastin e 54-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Të nderuar anëtarë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Me rastin e 54-vjetorit të themelimit, dëshiroj t’ju përcjell, në emër të institucionit të Presidentes së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, urimet më të përzemërta dhe respektin e thellë për këtë jubile të rëndësishëm! Që nga udhëheqja e profesor Aleks Budës e deri nën drejtimin aktual të saj nga z.Skënder Gjinushi, Akademia nisi rrugën e saj si strehë e dijes, e kërkimit të thelluar dhe e mbrojtjes së trashëgimisë kombëtare. Gjatë këtyre 54 viteve, Akademia ka qenë dhe mbetet një nga shtyllat e identitetit intelektual të kombit shqiptar. Në këtë rrugëtim, ajo ka ruajtur me kujdes trashëgiminë kombëtare dhe, në të njëjtën kohë, është angazhuar në sfidat e reja të shkencës, të inovacionit dhe të zhvillimit të qëndrueshëm. Në këtë kohë kur shoqëria shqiptare, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, përballet me ndryshime të thella dhe me kërkesa të larta për dije, dhe për ekspertizë, roli i Akademisë së Shkencave është tejet i rëndësishëm. Për ne, shqiptarët e Kosovës, ky institucion ka qenë dhe mbetet një referencë e rëndësishme e dijes dhe e krenarisë kombëtare. Në këtë 54-vjetor, uroj që Akademia e Shkencave e Shqipërisë të vazhdojë të jetë një shtëpi e hapur e dijes, vend ku gjeneratat e reja të studiuesve gjejnë frymëzim dhe ku Shqipëria e Kosova gjejnë një zë të fuqishëm e të respektuar në botën e shkencës dhe të kulturës. Qoftë ky jubile nxitje për të ecur përpara me më shumë ambicie dhe besim në fuqinë e dijes. Ju uroj suksese të mëtejshme në punën tuaj të përditshme, botime të reja me vlerë, projekte kërkimore që i shërbejnë vendit dhe bashkëpunime ndërkombëtare që e ngrenë emrin e shkencës shqiptare. Me respekt të thellë dhe urime të përzemërta për 54-vjetorin, Justina Shiroka-Pula Presidente e Republikës së Kosovës
Presidentja Shiroka- Pula pranon urime nga presidentët e Finlandës, Sllovenisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka- Pula, ka pranuar urime me rastin e zgjedhjes në detyrë nga presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova. Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, i ka uruar Presidentes Shiroka- Pula sukses në ushtrimin e detyrës, duke shprehur gatishmëri për vazhdimin e bashkëpunimit në mbështetje të paqes, stabilitetit, demokracisë dhe integrimit evropian. Në telegramin e urimit, presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, ka shprehur bindjen se marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë do të vazhdojnë të forcohen. Ajo ka riafirmuar mbështetjen e vendit të saj për Kosovën në avancimin e parimeve demokratike, bashkëpunimit rajonal, forcimin e institucioneve dhe sundimin e ligjit, si dhe ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në kuadër të Procesit Brdo-Brijuni. Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e ka uruar Presidenten Shiroka- Pula për zgjedhjen në këtë detyrë, duke theksuar se Shqipëria dhe Kosova do të qëndrojnë bashkë përballë sfidave dhe në rrugën drejt së ardhmes evropiane. Ndërkaq presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, i ka përcjellë urimet e saj Presidentes Shiroka Pula, duke shprehur besimin se udhëheqja e saj do të kontribuojë në forcimin e dialogut dhe kohezionit shoqëror. Ajo ka vlerësuar rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore, të bazuara në mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë, si dhe ka shprehur gatishmërinë për t’i dhënë shtysë të re bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor ndërmjet dy shteteve.
Reagim i Presidentes Shiroka Pula ndaj vrasjes së rëndë në Gjilan

Me dhimbje të thellë mora lajmin për vrasjen e rëndë që ndodhi sot në fshatin Livoç i Ulët të komunës së Gjilanit, ku një grua dhe një burrë humbën jetën, ndërkaq një tjetër u plagos si pasojë e të shtënave me armë zjarri. Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj, shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet e viktimave dhe shërim të shpejtë për të plagosurin. Asnjë rrethanë nuk mund ta justifikojë marrjen e jetës së njeriut. Askush nuk ka të drejtë t’i ekspozojë gratë ndaj rrezikut, dhunës apo vuajtjes. Prandaj, ftoj organet e drejtësisë që ta hetojnë këtë rast me përkushtim të plotë, t’i zbardhin të gjitha rrethanat dhe t’i sjellin autorët para drejtësisë.
Presidentja Shiroka Pula priti komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari

Presidentja e Republikës së Kosovës dhe njëherësh Komandante Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Justina Shiroka Pula, priti në takim komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, i cili e uroi për marrjen e detyrës. Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale në fushën e sigurisë dhe për rëndësinë e vazhdimit të punës në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së, në përmbushje të misionit të saj kushtetues. Presidentja Shiroka Pula theksoi rëndësinë e rolit të FSK-së në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës.