...

U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në shënimin e Ditës Kombëtare të Republikës së Kroacisë: Kroacia ka qenë mike e qëndrueshme e Kosovës përgjatë kapitujve të ndryshëm të historisë së saj

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sonte në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kroacisë në Republikën e Kosovës, me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Republikës së Kroacisë.

Në një fjalë para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu, ka thënë se Kroacia ka qenë mike e qëndrueshme e Kosovës përgjatë kapitujve të ndryshëm të historisë së saj.

“Në vitet kur kauza jonë kishte nevojë për miq, në çastin e njohjes së pavarësisë sonë, dhe sot, kur punojmë për të ardhmen tonë evropiane dhe euroatlantike”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo më tej ka thënë se shumë përpara marrëdhënieve tona moderne diplomatike, midis dy popujve tanë kanë ekzistuar ura njerëzore.

“Mjafton të kujtojmë Milan Šufflay-n, dijetarin kroat që i dha historisë shqiptare një vend të veçantë në mendimin evropian, si dhe shqiptarët që qëndruan përkrah Kroacisë në vitet e saj më të vështira, miqësia jonë mbështetet në kujtesë, sakrificë dhe respekt të ndërsjellë. Mes Arbëneshëve të Zarës, shërbyesve publikë si Ermina Lekaj Prljaskaj, dhe natyrisht futbollistëve si Ardian Kozniku e Kujtim Shala, mund të themi se shqiptarët kanë qenë të pranishëm në Kroaci në të gjitha vendet serioze: në histori, në parlament dhe në futboll”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu ka falënderuar Ambasadoren Barišić, ngrohtësia dhe energjia e së cilës, sipas U.D. Presidentes Haxhiu, i kanë dhënë kësaj miqësie edhe më shumë gjallëri.

U.D. Presidentja Haxhiu në emër të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, i ka përcjell urimet më të përzemërta popullit të Kroacisë.

“Uroj që miqësia mes Kosovës dhe Kroacisë të vazhdojë të forcohet, dhe që rajoni ynë të ecë me më shumë besim, me demokraci më të qëndrueshme dhe me më shumë qartësi në rrugën evropiane”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

This site is registered on wpml.org as a development site.