Presidentja Shiroka Pula mori pjesë në shënimin e 17-vjetorit të Gjykatës Kushtetuese

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë sot në shënimin e 17-vjetorit të Gjykatës Kushtetuese. Në fjalën e saj para të pranishmëve Presidentja Shiroka Pula ka thënë se një demokraci dëshmon forcën e saj jo vetëm përmes institucioneve që ndërton, por edhe përmes kufijve që pushteti pranon të respektojë, e që sipas saj, Kushtetuta i përcakton këta kufij. “Ajo garanton se askush nuk është mbi ligjin, se pushteti nuk është i pakufizuar dhe se të drejtat dhe liritë e qytetarëve nuk varen nga vullneti i atyre që ushtrojnë autoritetin publik”, u shpreh Presidentja Shiroka Pula. Prandaj, sipas Presidentes, pavarësia e gjykatave kushtetuese nuk është vetëm një parim juridik, ajo është një garanci themelore e demokracisë, e sundimit të ligjit dhe e besimit të qytetarëve se Kushtetuta do të mbrohet në praktikë, në çdo rrethanë dhe pa përjashtim. “Kam kënaqësinë t’ju drejtohem në këtë konferencë ndërkombëtare, e cila na bashkon rreth një çështjeje thelbësore për çdo shtet demokratik: rolin e gjykatave kushtetuese në mbrojtjen e Kushtetutës, të drejtave themelore dhe ekuilibrit ndërmjet institucioneve”, theksoi Presidentja Shiroka Pula. Presidentja Shiroka Pula më tej tha se gjykatat kushtetuese kanë një përgjegjësi të veçantë në arkitekturën demokratike të shtetit. “Ato sigurojnë që Kushtetuta të mos mbetet vetëm në dokumentet thelbësore, por të jetë autoriteti më i lartë juridik, të cilit i nënshtrohen të gjitha institucionet. Përmes vendimeve të tyre, ato mbrojnë të drejtat themelore, përcaktojnë kufijtë e kompetencave dhe garantojnë respektimin e parimit të ndarjes së pushteteve”, ka pohuar presidentja Shiroka Pula. Sipas saj, ky mision bëhet edhe më i rëndësishëm në kohë krizash politike, kur presioni mbi institucionet rritet dhe kur respektimi i parimeve kushtetuese vihet në sprovë. “Pikërisht në këto momente dëshmohet rëndësia e gjykatave të pavarura: ato garantojnë që ushtrimi i pushtetit të mbetet brenda kufijve të Kushtetutës”, ka thënë Presidentja. Ajo më tej tha se për Kosovën, si shtet i ri, Gjykata Kushtetuese ka një rëndësi të veçantë. “Gjatë 17 vjetëve të veprimtarisë së saj, ajo ka kontribuar në interpretimin dhe mbrojtjen e Kushtetutës, në zgjidhjen e çështjeve kushtetuese dhe në përcaktimin e kufijve të kompetencave institucionale. Përmes vendimeve të saj, ajo ka ndihmuar në zhvillimin e rendit tonë kushtetues dhe në afirmimin e një parimi themelor: asnjë institucion nuk mund të veprojë përtej kompetencave që i përcakton Kushtetuta”, është shprehur Presidentja Shiroka Pula. Më tej Presidentja Shiroka Pula tha se në Kosovë është krijuar një standard i çmueshëm demokratik: vendimet e Gjykatës Kushtetuese respektohen dhe nuk personalizohen, pavarësisht efekteve të tyre politike, e që sipas saj, ky standard dëshmon pjekurinë institucionale dhe përkushtimin ndaj sundimit të ligjit. “Demokracia nuk kërkon vetëm që institucionet të ushtrojnë kompetencat e tyre, por edhe që të njohin e të respektojnë kufijtë e këtyre kompetencave. Pranimi i kontrollit kushtetues nuk e dobëson pushtetin demokratik; përkundrazi, i jep atij legjitimitet dhe qëndrueshmëri. Pjekuria demokratike dëshmohet jo vetëm kur pajtohemi me një vendim, por sidomos kur e respektojmë atë edhe atëherë kur nuk përputhet me interesat apo pritshmëritë tona”, ka theksuar Presidentja. Për këtë arsye, shtoi ajo, mbrojtja e Kushtetutës është përgjegjësi e përbashkët e të gjitha institucioneve. “Pavarësia e gjykatave kushtetuese duhet të shoqërohet me respektimin e vendimeve të tyre, me përgjegjësi institucionale dhe me një kulturë demokratike që e vendos autoritetin e Kushtetutës mbi interesat e çastit. Në këtë kontekst, shkëmbimi i përvojave ndërmjet gjykatave kushtetuese të vendeve tona ka rëndësi të veçantë. Përvoja e Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë, e gjykatave të tjera evropiane dhe ekspertiza e Komisionit të Venecias përbëjnë një mundësi të çmuar për të diskutuar sfidat e përbashkëta, për të thelluar dialogun juridik dhe për të forcuar standardet e mbrojtjes së rendit kushtetues”, ka pohuar Presidentja Shiroka Pula. Ajo më tej tha se përvojat tona mund të ndryshojnë, por parimet që na bashkojnë janë të njëjta: pavarësia e gjyqësorit, mbrojtja e të drejtave themelore, ndarja e pushteteve dhe respektimi i Kushtetutës, duke shtuar se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve tona na ndihmon t’i mbrojmë këto parime dhe t’i forcojmë themelet e demokracisë evropiane. “Sundimi i ligjit nuk matet vetëm me cilësinë e normave që miratojmë, por edhe me gatishmërinë për t’i zbatuar ato në mënyrë të barabartë. Të drejtat themelore nuk mbrohen vetëm duke i shpallur ato, por duke garantuar se çdo gjyqtarë mund t’i ushtrojë realisht. Po kështu, ndarja e pushteteve nuk garantohet vetëm përmes dispozitave kushtetuese, por përmes respektimit të tyre në praktikë”, theksoi Presidentja. Ajo tha se Kushtetuta duhet të qëndrojë mbi çdo interes të pushtetit, ndërsa pavarësia e gjykatave kushtetuese duhet të mbrohet si kusht i domosdoshëm për demokracinë dhe lirinë e qytetarëve. “Në fund, forca e një demokracie nuk matet me mungesën e kufijve të pushtetit, por me gatishmërinë për t’i respektuar ata. Kur Kushtetuta është mbi pushtetin, të drejtat e qytetarëve janë më të sigurta. Kur institucionet i nënshtrohen Kushtetutës, demokracia është më e fortë”, tha Presidentja Shiroka Pula.
Presidentja Shiroka Pula priti në takim ipeshkvin, Imzot Dodë Gjergji

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur sot në takim ipeshkvin e Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë, Sh. T. Imzot Dodë Gjergji, i cili e ka uruar për detyrën dhe i ka dëshiruar suksese në ushtrimin e mandatit. Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve dhe bashkësive fetare, në shërbim të paqes, mirëqenies dhe tolerancës. Presidentja Shiroka Pula vlerësoi kontributin e Kishës Katolike në Kosovë në ruajtjen e traditës, kultivimin e harmonisë ndërfetare dhe forcimin e frymës së solidaritetit e të bashkëjetesës.
Presidentja Shiroka Pula priti në takim përfaqësuesit e Listës “Koalicioni Shqiptar”, nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, priti në takim përfaqësuesit e Listës “Koalicioni Shqiptar”, nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, të cilët e uruan për zgjedhjen në detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës. Presidentja Shiroka Pula i përgëzoi për bashkimin në një listë të përbashkët zgjedhore, të emërtuar “Koalicioni Shqiptar”, në të cilën janë bashkuar tetë subjekte politike shqiptare për të garuar së bashku në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të Serbisë, që do të mbahen më 25 tetor 2026. Ajo u uroi sukses në zgjedhjet e së dielës, duke theksuar rëndësinë e bashkërendimit politik për përfaqësimin sa më të fuqishëm të shqiptarëve në institucionet e Serbisë. Sipas Presidentes Shiroka Pula, rritja e përfaqësimit të shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë do të mundësonte që shkeljet sistematike të të drejtave të tyre nga ana e autoriteteve serbe të denoncohen më fuqishëm, ndërsa çështjet dhe kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës të marrin vëmendjen dhe përfaqësimin e duhur institucional. Në fund të takimit, Presidentja Shiroka Pula theksoi nevojën për pjesëmarrje sa më masive të shqiptarëve në zgjedhjet e 25 tetorit, në mënyrë që “Koalicioni Shqiptar” të arrijë rezultat sa më të mirë dhe përfaqësimi i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë të jetë sa më i fuqishëm.
Presidentja Shiroka Pula priti në takim Kryeprokurorin e Shtetit, z. Zejnulla Gashi, drejtuesit e sistemit prokurorial dhe atij gjyqësor

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, priti në takim Kryeprokurorin e Shtetit, z. Zejnulla Gashi, Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Arian Gashi dhe Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Rrustem Thaqi Kryeprokurori i Shtetit, Kryesuesi KPK-së dhe ai i KGJK-së, e uruan Presidenten Shiroka Pula për zgjedhjen në detyrën e Presidentes, duke i dëshiruar sukses në përmbushjen e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe institucionale. Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e funksionimit të pavarur dhe efikas të sistemit të drejtësisë, si dhe për rolin e institucioneve në forcimin e sundimit të ligjit. Presidentja Shiroka Pula theksoi rëndësinë e një sistemi të drejtësisë të pavarur, profesional dhe të paanshëm, i cili garanton zbatimin e ligjit dhe besimin e qytetarëve në institucione. Ajo shprehu mbështetjen e saj institucionale për forcimin e sundimit të ligjit dhe për përmbushjen e përgjegjësive kushtetuese të institucioneve të drejtësisë, duke respektuar pavarësinë e tyre.
Presidentja Shiroka Pula pranon letra urimi nga Mbreti i Suedisë dhe presidentët e Hungarisë dhe Letonisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pranuar letra urimi nga Mbreti i Suedisë, dhe presidentët e Hungarisë dhe Letonisë me rastin e zgjedhjes dhe marrjes së detyrës së saj si Presidente e Republikës së Kosovës. Mbreti i Suedisë, Carl Gustaf R, ka shprehur urimet e sinqerta për Presidenten Shiroka Pula, duke i dëshiruar shëndet asaj dhe mirëqenie e prosperitet popullit të Kosovës. Në letrën e urimit, Presidenti i Hungarisë, Z. András Baka ka rikonfirmuar mbështetjen e shtetit të tij për integrimin euro-atlantik të Kosovës, si dhe për përpjekjet e saj për stabilitet, paqe dhe prosperitet ekonomik në rajon, duke theksuar kontributin ushtarak të vazhdueshëm të Hungarisë në misionin e KFOR-it. Kurse Presidenti i Republikës së Letonisë, Z. Edgars Rinkēvičs, ka vlerësuar marrëdhëniet miqësore në mes dy vendeve dhe ka rikonfirmuar angazhimin e Letonisë për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, përfshirë kontributin e vazhdueshëm në misionin e KFOR-it, si dhe mbështetjen për perspektivën evropiane të Kosovës.
Presidentja Shiroka Pula vlerëson filmin “DUA” dhe përgëzon regjisoren Blerta Basholli për suksesin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, mbrëmë në kinemanë Cineplexx, mori pjesë në shfaqjen e filmit “DUA”, me regji dhe skenar të Blerta Bashollit, të organizuar në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Presidentja e vlerësoi filmin për mënyrën se si e trajton luftën në Kosovë nëpërmjet përvojave dhe botës emocionale të të rinjve. “Filmat si ky kanë rol jashtëzakonisht të madh në ruajtjen e kujtesës historike, mbrojtjen e të vërtetës sonë, sikurse edhe në përcjelljen e përvojës së Kosovës te brezat e rinj dhe publiku ndërkombëtar”, është shprehur Presidentja Shiroka Pula. Në këtë kontekst, Presidentja përgëzoi regjisoren Blerta Basholli dhe ekipin për realizimin e filmit dhe suksesin ndërkombëtar. Filmi “DUA” është vlerësuar me çmimin SACD në Festivalin e Filmit në Cannes, në kuadër të programit “Semaine de la Critique”, si dhe me tri çmime në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Historik në Belgjikë.
Fjalimi i Presidentes Shiroka Pula me rastin e 70-vjetorit të Revolucionit Hungarez të vitit 1956

Në 70-vjetorin e Revolucionit Hungarez të vitit 1956, jemi bashkë sonte për ta kujtuar guximin e qytetarëve hungarezë në përpjekjen e tyre për liri, dinjitet dhe pavarësi. Aspiratat që frymëzuan këtë qëndresë mbeten pjesë e trashëgimisë evropiane dhe na kujtojnë rëndësinë e mbrojtjes së lirisë, të drejtave të njeriut dhe të drejtës së çdo populli për ta përcaktuar të ardhmen e vet. Populli i Republikës së Kosovës, e kupton mirë se çfarë rëndësie ka liria për një komb. Historia jonë, duke nisur që nga qëndresa e Gjergj Kastriotit Skënderbeut deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shpallja e pavarësisë, dëshmon për përpjekjen e vazhdueshme të shqiptarëve për liri, dinjitet dhe të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre. Prandaj, kur kujtojmë Revolucionin Hungarez të vitit 1956, e kuptojmë domethënien e kësaj date për popullin hungarez. Qëndresa e qytetarëve hungarezë përballë shtypjes është pjesë e historisë evropiane të lirisë. Lidhjet historike ndërmjet ne shqiptarëve dhe hungarezëve dëshmohen edhe nga marrëdhëniet e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu me heroin tuaj Janosh Huniadin dhe, më vonë, me të birin e tij, Matias Korvinin. Këto marrëdhënie zhvilluan në një periudhë të rëndësishme të historisë evropiane. Shembulli i tyre na rikujton se bashkëpunimi ndërmjet popujve, kur mbështetet në interesa dhe synime të përbashkëta, mund t`i kapërcejë kufijtë dhe dallimet. Kjo trashëgimi historike përbën një pikë referimi të rëndësishme edhe në marrëdhëniet e sotme ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë. Miqësia ndërmjet dy vendeve është dëshmuar edhe në kohën tonë, përmes marrëdhënieve diplomatike, bashkëpunimit në fushën e sigurisë, arsimit dhe ekonomisë. Hungaria e njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës në mars të vitit 2008 dhe aktualisht kontribuon me mbi 400 trupa në misionin e KFOR-it, i cili ka rol të rëndësishëm në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe stabilitetit në Kosovë. Bashkëpunimi në arsim, përfshirë mundësitë që ofron programi i bursave Stipendium Hungaricum, u krijon të rinjve kosovarë hapësira për dije, shkëmbim përvojash dhe lidhje të reja me institucionet dhe shoqërinë hungareze. Edhe marrëdhëniet ekonomike dhe dialogu politik krijojnë mundësi për ta thelluar më tej partneritetin tonë. Të nderuar të pranishëm, Përvjetori i Revolucionit Hungarez të vitit 1956 është një rast për të nderuar guximin e atyre që u ngritën për liri dhe për të reflektuar mbi vlerat që i bashkojnë shoqëritë tona. Për Kosovën, miqësia me Hungarinë është pjesë e një marrëdhënieje që ndërthur historinë me bashkëpunimin e sotëm dhe synimet për të ardhmen. Ne besojmë se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve mund të forcohen më tej përmes respektit të ndërsjellë, dialogut të hapur dhe bashkëpunimit konkret. Si Kosova, ashtu edhe Hungaria kanë interes që Evropa të jetë një hapësirë paqeje, sigurie, demokracie dhe mundësish për të gjithë qytetarët. Në këtë ditë, në emër të qytetarëve të Kosovës, shpreh respektin për historinë dhe qëndresën e popullit hungarez, si dhe bindjen se miqësia ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë do të vazhdojë të zhvillohet në dobi të qytetarëve tanë dhe të një të ardhmeje evropiane të ndërtuar mbi paqen, lirinë dhe bashkëpunimin. Qoftë e bekuar miqësia ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë! Faleminderit!
Presidentja Shiroka Pula me rastin e 70-vjetorit të Revolucionit Hungarez të vitit 1956: Populli i Republikës së Kosovës, e kupton mirë se çfarë rëndësie ka liria për një komb

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë sonte në pritjen e organizuar nga Ambasada e Hungarisë në Kosovë, me rastin e 70-vjetorit të Revolucionit Hungarez të vitit 1956. Në fjalën e saj para të pranishmëve, Presidentja Shiroka Pula, ka thënë se në 70-vjetorin e Revolucionit Hungarez të vitit 1956, jemi bashkë sonte për ta kujtuar guximin e qytetarëve hungarezë në përpjekjen e tyre për liri, dinjitet dhe pavarësi. Ajo tha se aspiratat që frymëzuan këtë qëndresë mbeten pjesë e trashëgimisë evropiane dhe na kujtojnë rëndësinë e mbrojtjes së lirisë, të drejtave të njeriut dhe të drejtës së çdo populli për ta përcaktuar të ardhmen e vet. “Populli i Republikës së Kosovës, e kupton mirë se çfarë rëndësie ka liria për një komb. Historia jonë, duke nisur që nga qëndresa e Gjergj Kastriotit Skënderbeut deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shpallja e pavarësisë, dëshmon për përpjekjen e vazhdueshme të shqiptarëve për liri, dinjitet dhe të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre”, u shpreh Presidentja Shiroka Pula. Prandaj, shtoi ajo, kur kujtojmë Revolucionin Hungarez të vitit 1956, e kuptojmë domethënien e kësaj date për popullin hungarez, duke theksuar se, qëndresa e qytetarëve hungarezë përballë shtypjes është pjesë e historisë evropiane të lirisë. “Lidhjet historike ndërmjet ne shqiptarëve dhe hungarezëve dëshmohen edhe nga marrëdhëniet e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu me heroin tuaj Janosh Huniadin dhe, më vonë, me të birin e tij, Matias Korvinin. Këto marrëdhënie zhvilluan në një periudhë të rëndësishme të historisë evropiane”, ka theksuar Presidentja Shiroka Pula. Sipas saj, shembulli i tyre na rikujton se bashkëpunimi ndërmjet popujve, kur mbështetet në interesa dhe synime të përbashkëta, mund t`i kapërcejë kufijtë dhe dallimet. “Kjo trashëgimi historike përbën një pikë referimi të rëndësishme edhe në marrëdhëniet e sotme ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë. Miqësia ndërmjet dy vendeve është dëshmuar edhe në kohën tonë, përmes marrëdhënieve diplomatike, bashkëpunimit në fushën e sigurisë, arsimit dhe ekonomisë. Hungaria e njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës në mars të vitit 2008 dhe aktualisht kontribuon me mbi 400 trupa në misionin e KFOR-it, i cili ka rol të rëndësishëm në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe stabilitetit në Kosovë. Bashkëpunimi në arsim, përfshirë mundësitë që ofron programi i bursave Stipendium Hungaricum, u krijon të rinjve kosovarë hapësira për dije, shkëmbim përvojash dhe lidhje të reja me institucionet dhe shoqërinë hungareze. Edhe marrëdhëniet ekonomike dhe dialogu politik krijojnë mundësi për ta thelluar më tej partneritetin tonë” theksoi Presidentja Shiroka Pula. Ajo më tej tha se përvjetori i Revolucionit Hungarez të vitit 1956 është një rast për të nderuar guximin e atyre që u ngritën për liri dhe për të reflektuar mbi vlerat që i bashkojnë shoqëritë tona. “Për Kosovën, miqësia me Hungarinë është pjesë e një marrëdhënieje që ndërthur historinë me bashkëpunimin e sotëm dhe synimet për të ardhmen. Ne besojmë se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve mund të forcohen më tej përmes respektit të ndërsjellë, dialogut të hapur dhe bashkëpunimit konkret. Si Kosova, ashtu edhe Hungaria kanë interes që Evropa të jetë një hapësirë paqeje, sigurie, demokracie dhe mundësish për të gjithë qytetarët”, ka pohuar Presidentja. Në fund, Presidentja Shiroka Pula tha se në këtë ditë, në emër të qytetarëve të Kosovës, shpreh respektin për historinë dhe qëndresën e popullit hungarez, si dhe bindjen se miqësia ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë do të vazhdojë të zhvillohet në dobi të qytetarëve tanë dhe të një të ardhmeje evropiane të ndërtuar mbi paqen, lirinë dhe bashkëpunimin.
Presidentja Shiroka Pula priti në takim profesorin amerikan Edward Joseph

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, priti në takim profesorin amerikan Edward Joseph, ligjërues dhe bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Politikës së Jashtme të Universitetit John Hopkins, në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare (SAIS), i cili e përgëzoi për marrjen e detyrës dhe i dëshiroi sukses në ushtrimin e mandatit. Gjatë takimit, Presidentja Shiroka Pula dhe profesori Joseph biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon. Presidentja Shiroka Pula shprehu mirënjohjen për urimet dhe vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe të dialogut me miqtë dhe partnerët për çështjet me interes të përbashkët.
Presidentja Shiroka Pula: Puna dhe vepra e akademik Hivzi Islamit do të vazhdojnë të jenë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë shkencore dhe akademike të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë sot në promovimin e dy veprave shkencore të akademik Hivzi Islamit, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij. Me këtë rast, Presidentja Shiroka Pula tha se këto dy vepra shkencore, përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të krijimtarisë së tij shumëvjeçare dhe të kontributit të jashtëzakonshëm në studimin e popullsisë së Kosovës dhe të shqiptarëve. Por, sipas Presidentes Shiroka Pula, kjo ditë ka një domethënie më të gjerë sesa promovimi i dy librave apo shënimi i një jubileu, sot nderojmë një jetë të tërë kushtuar dijes, shkencës, arsimit universitar, zhvillimit institucional dhe interesit të përgjithshëm të vendit tonë. “Në historinë e çdo institucioni shkencor ka personalitete që nuk dallohen vetëm për veprat që kanë shkruar, por edhe për gjurmët që kanë lënë në zhvillimin e vetë institucionit, në formimin e brezave të rinj dhe në afirmimin e shkencës në hapësirën kombëtare e ndërkombëtare. Një personalitet i tillë është pa dyshim akademik Hivzi Islami”, u shpreh Presidentja Shiroka Pula. Ajo më tej tha se për të personalisht, kjo ditë ka edhe një vlerë të veçantë, ngase, si kolege e tij prej shumë vitesh, ka pasur mundësinë ta njoh nga afër përkushtimin e tij ndaj punës shkencore, seriozitetin profesional, përgjegjësinë institucionale dhe këmbënguljen për të ruajtur e avancuar autoritetin e Akademisë. “Prandaj, kam dëshiruar prej kohësh që këtë përvjetor ta shënojmë në mënyrë dinjitoze, jo vetëm për të vlerësuar veprën e tij shkencore, por edhe për t’i shprehur mirënjohjen tonë për gjithçka që ka bërë për Universitetin, Akademinë dhe shkencën shqiptare”, theksoi Presidentja Shiroka Pula. Presidentja Shiroka Pula më tej tha se tetëdhjetë vjet jetë dhe më shumë se pesë dekada veprimtari akademike e shkencore përbëjnë një rrugëtim të gjatë, të pasur me punë, përgjegjësi, sfida dhe arritje, e që sipas saj, është një rrugëtim që meriton respekt dhe vlerësim të veçantë. “Një ndër meritat e tij të veçanta është institucionalizimi i demografisë si disiplinë shkencore dhe universitare në Kosovë. Ai organizoi studimet pasuniversitare në këtë fushë dhe kontribuoi drejtpërdrejt në përgatitjen e brezave të studiuesve të rinj, shumë prej të cilëve vazhduan rrugën e tyre akademike e shkencore”, pohoi Presidentja Shiroka Pula. Sipas Presidentes Shiroka Pula, veprimtariam krijuese e akademik Islamit dëshmon jo vetëm besimin që kolegët kanë pasur ndaj tij, por edhe përkushtimin e vazhdueshëm të tij për zhvillimin, organizimin dhe afirmimin e Akademisë. Presidentja Shiroka Pula tha se kontributi shkencor i akademik Islamit është i gjerë dhe shumëdimensional. “Ai konsiderohet me të drejtë njëri ndër themeluesit e demografisë moderne shqiptare dhe ndër studiuesit më të njohur të proceseve demografike në Kosovë dhe në hapësirën shqiptare. Veprimtaria e tij përfshin disa libra shkencorë dhe mbi 150 studime e artikuj të botuar në revista dhe publikime shkencore vendore e ndërkombëtare”, ka thënë Presidentja. Sipas Presidentes Shiroka Pula, ajo që e dallon veprën e akademik Islamit është qasja e tij gjithëpërfshirëse ndaj fenomeneve demografike. Presidentja Shiroka Pula, më tej ka thënë se Kosova sot përballet me sfida të mëdha demografike dhe socioekonomike: emigrimin, largimin e të rinjve, ndryshimet në strukturën e moshës së popullsisë, rënien e lindshmërisë dhe ndikimin e këtyre proceseve në tregun e punës, në ekonomi dhe në zhvillimin afatgjatë të vendit. Sipas Presidentes, vepra e parë, “Kosova: Tranzicioni i fundit demografik në Evropë”, paraqet një trajtim të thelluar të proceseve të transformimit demografik të popullsisë së Kosovës. Në fund, Presidentja Shiroka Pula tha se le ky jubile shënon jo vetëm një moment për të vlerësuar rrugën e deritanishme të akademik Hivzi Islamit, por edhe një rast për të shprehur bindjen se puna dhe vepra e tij do të vazhdojnë të jenë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë shkencore dhe akademike të Kosovës.