...

U.D. Presidentja Haxhiu bëri homazhe në Abri të Epërme: Kosova nuk do të reshtë së kërkuari drejtësi

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, kanë bërë homazhe sot në Abri të Epërme.

Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se sot, në Abri të Epërme, nderuam 23 martirët e familjes Deliu dhe dëshmorët e kombit, Vesel Demaku, Valdet Xhemajli e Afrim Hajdaraj, të rënë më 26 shtator 1998, duke mbrojtur popullatën civile nga forcat serbe.

“Familja Deliu ishte strehuar në mal për t’u shpëtuar sulmeve dhe granatimeve. Forcat serbe i gjetën dhe i vranë nga afër. Mes të vrarëve kishte fëmijë, gra shtatzëna dhe të moshuar. Diturije Deliu ishte vetëm gjashtëjavëshe. Ajo u gjet e gjallë nën trupin e nënës së saj, pasi 22 anëtarë të familjes së saj ishin vrarë. Jetoi edhe disa javë dhe vdiq më 19 nëntor 1998”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo më tej ka shtuar, se po atë ditë, pak kilometra më larg, Vesel Demaku, Valdet Xhemajli dhe Afrim Hajdaraj po luftonin për të mos lejuar forcat serbe të depërtonin te civilët e strehuar në malet përreth Abrisë.

“Veseli ishte mësues. Valdeti ishte ndër veprimtarët e hershëm të UÇK-së në Abri dhe kishte marrë pjesë në disa beteja para se të binte atë ditë. Me ta ishte edhe Arben Xhemajli, i cili mbeti i plagosur rëndë. Pas disa orësh luftimesh, Veseli, Valdeti dhe Afrimi ranë në mbrojtje të civilëve të pafajshëm”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo ka thënë se njëzet e tetë vjet më vonë, për masakrën e familjes Deliu askush nuk është dënuar.

“Krimi është dokumentuar, dëshmitarët kanë folur dhe dihet se cilat forca serbe vepruan në Abri. Kosova nuk do të reshtë së kërkuari drejtësi. Institucionet tona kanë për detyrë t’i ndjekin këto krime deri në fund, pavarësisht sa kohë ka kaluar dhe pavarësisht se ku ndodhen kryerësit. Lavdi dëshmorëve Vesel Demaku, Valdet Xhemajli dhe Afrim Hajdaraj! I përjetshëm qoftë kujtimi për martirët e familjes Deliu!”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

This site is registered on wpml.org as a development site.