Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në Presidencë përfituesit e thirrjes së parë publike të Zyrës së Presidentes për vitin 2026.
U.D. Presidentja Haxhiu, në fjalën e saj tha se përmes thirrjes së parë publike të Zyrës së Presidentes për vitin 2026, janë përzgjedhur 74 përfitues, ndërsa për financimin e projekteve të tyre janë ndarë gjithsej 150 mijë euro.
“Projektet e përzgjedhura përfshijnë fusha me rëndësi të veçantë edhe për mua si Ushtruese e Detyrës së Presidentes, por po ashtu edhe për shoqërinë tonë, për institucionet e Republikës së Kosovës, pra që ndërlidhen me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, çështjet gjinore dhe integrimi socio-ekonomik, sportin, artin, kulturën, shëndetësinë, përfaqësimin shtetëror si dhe çështjet me interes për komunitetet në Republikën e Kosovës”, theksoi U.D. presidentja Haxhiu.
Sipas saj, këto 150 mijë euro marrin kuptim dhe vlerë të vërtetë përmes punës që do ta bëni ju.
Ajo më tej tha se secili prej projekteve të përzgjedhura ka lindur nga një nevojë, një ide apo një përvojë konkrete, tani është përgjegjësia juaj që këto ide t’i ktheni në punë konkrete, rezultate të dukshme dhe mundësi që u shërbejnë qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Në fund të fundit, kjo është edhe arsyeja pse institucionet mbështesin nisma të tilla. Pra, ju e dini shumë mirë që në Republikën e Kosovës, edhe ministritë në vend, pra ekzekutivi, edhe në këtë rast Presidenca apo institucionet tjera mbështesin projektet e organizatave të shoqërisë civile”, pohoi ajo.
U.D. Presidentja Haxhiu tha se me nënshkrimin e këtyre kontratave nis padyshim edhe përgjegjësia juaj për realizimin e projekteve në përputhje me atë që është miratuar si dhe për përdorimin e mjeteve publike me përgjegjësi, por po ashtu edhe me transparencë.
“Fondet publike marrin kuptim atëherë kur shndërrohen në punë të dobishme, rezultate të prekshme dhe shumë mundësi për qytetarët e Republikës së Kosovës . Puna juaj në komunitet, me grupet që kanë nevojë për më shumë mbështetje, në kulturë, arsim, sport por edhe në të drejtat e njeriut, plotëson punën e institucioneve dhe forcon lidhjen ndërmjet tyre por poashtu edhe ndërmjet qytetarëve”, shtoi U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo tha se Zyra e Presidentes do të vazhdojë të mbështesë nisma që i shërbejnë interesit publik dhe që krijojnë më shumë hapësirë për pjesëmarrje, zhvillim dhe përfshirje në shoqërinë tonë.
“Ju falënderoj secilin dhe secilën prej jush për punën, përkushtim por poashtu edhe angazhimin tuaj dhe ju uroj shumë sukses në realizimin e projekteve dhe shpresoj që rezultatet e punës suaj të ndihen në komunitetet e Republikës së Kosovës, të gjitha pa dallim dhe në përgjithësi tek të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.
Në fund të fjalës së saj, U.D. Presidentja Haxhiu tha se ka pasur edhe disa organizata që nuk kemi pasur mundësi që t’i mbështesim apo edhe individë, por ne do të hapim edhe një thirrje tjetër dhe natyrisht i ftojmë të gjithë që të aplikojnë.

