...

Fjalimi i sotëm i Presidentes Osmani në 27 vjetorin e Masakrës së Krushës së Madhe

Shumë të nderuara familje të të rënëve për liri,

I nderuar Kryetar i Komunës, z. Latifi,

Të nderuar ministra, Ministër Hoti dhe Ministre Pacolli,

I nderuar ish-Kryeministër Haradinaj,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,

Përfaqësues të institucioneve të sigurisë,

Shumë të nderuar të pranishëm,

Jemi sërish së bashku edhe këtë vit për të kujtuar, për të nderuar dhe për të mos harruar kurrë një nga plagët më të thella të historisë sonë të re, masakrën në Krushën e Madhe.

Në marsin e vitit 1999, kjo tokë u mbulua me dhimbje të papërshkrueshme. 241 banorë të Krushës u masakruan nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, në mesin e tyre edhe 7 fëmijë e 5 gra, përfshirë një grua shtatzënë. Ata nuk u vranë në betejë, por u vranë në fshatin e tyre, në shtëpitë e tyre, në përqafimin e familjeve të tyre.

Ky ishte një krim me paramendim, kjo ishte një masakër e planifikuar, ishte një akt i qëllimshëm për të shuar jetë, për të shuar kujtesë, për të shuar vetë ekzistencën e banorëve të këtij fshati. Ishte një përpjekje për të shfarosur shqiptarët nga tokat e tyre, por tragjedia nuk përfundon këtu. Edhe sot, 64 banorë të Krushës së Madhe figurojnë ende në listat e të zhdukurve me dhunë. Janë plagë të hapura, janë mungesa të papërshkrueshme, që rëndojnë çdo ditë mbi familjet e tyre në radhë të parë, por edhe mbi ndërgjegjen tonë si komb e si shtet dhe histori të ndërprera, që presin akoma drejtësi.

Në mesin e këtyre plagëve të hapura qëndron edhe fati ende i pazbardhur i Ukshin Hotit, intelektualit të papërsëritshëm, mendimtarit të guximshëm dhe zërit që asnjëherë nuk pranoi të nënshtrohej. Ai ishte një figurë politike dhe akademike, që artikuloi lirinë si të drejtë dhe si domosdoshmëri.

Zhdukja e tij me dhunë mbetet një nga plagët më të thella të kësaj historie, një padrejtësi që nuk është shuar me kalimin e kohës.

Por, njëkohësisht fati i Ukshin Hotit është edhe provë e vendosmërisë sonë si shtet, ngase sa herë që përmendet emri i tij, dhe i gjithë atyre që akoma janë të zhdukur me dhunë nga regjimi gjenocidal i Serbisë i rikthehet shtetit tonë e familjeve jo vetëm dhimbja, por mbi të gjitha kërkesa për drejtësi. Rikthehet kujtesa se ka histori që kurrë nuk mund të mbyllen pa u zbardhur, sikurse që ka figura që askush, asnjëherë nuk do të mund t’i zhdukë, sepse përgjithmonë do të jetojnë në kujtesën e popullit tonë.

Megjithatë, përballë tragjedisë me të cilën u përball, Krusha e Madhe nuk u thye.

Nga kjo dhimbje e pamasë u ngritën gra, që dëshmuan se jeta është më e fortë se vdekja. Një prej tyre është Fahrie Hoti, një grua që e ktheu dhimbjen në forcë, humbjen në qëndresë dhe lotin në punë e në dinjitet. Ajo sikurse edhe të gjitha gratë e Krushës dëshmuan se mbijetesa nuk është vetëm të jetosh, por të ringrihesh, të ndërtosh dhe të mos dorëzohesh kurrë e mbi të gjitha, të vazhdosh çdo ditë të punosh për drejtësi.

Krusha e Madhe sot është dëshmi e kësaj force, një dëshmi që e pa gjithë bota me sytë e vet. Është dëshmi se edhe kur gjithçka duket e humbur, njeriu mund të gjejë forcën për të vazhduar dhe për të luftuar për kauza më të mëdha sesa vetvetja, por kjo forcë nuk e zëvendëson drejtësinë.

Prandaj, nga ky vend sërish kërkojmë përgjegjësi. Kërkojmë që autorët e këtyre krimeve të dalin para drejtësisë, në mënyrë që dhimbja të mos mbetet pa emër dhe pa përgjigje. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një të ardhme, ku krime të tilla nuk përsëriten më.

Sot, përderisa përkulemi para viktimave të Krushës së Madhe, ne bëjmë edhe zotimin e përhershëm se nuk do të harrojmë kurrë, se do të kërkojmë drejtësi pa u ndalur, se do ta mbajmë përgjithmonë gjallë kujtesën, jo vetëm si dhimbje por edhe si përgjegjësi.

Të shikojmë përpara, por duke mos harruar kurrë e duke mësuar që ta ndërtojmë një të ardhme, ku dinjiteti njerëzor është i paprekshëm.

Lavdi e përjetshme të gjithë martirëve të Krushës së Madhe!

Lavdi e përjetshme të gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Nderim i përjetshëm për intelektualin e papërsëritshëm, Ukshin Hotin!

Nderim i përjetshëm për të gjithë të zhdukurit me dhunë, për të cilët do të vazhdojmë të punojmë që të zbardhet fati i tyre!

Zoti e bekoftë Krushën!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!

Ju faleminderit!

\

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.