Presidentja Osmani mori pjesë në pritjen e organizuar nga Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, për liderët e shteteve anëtare të Komunitetit Politik Evropian

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, për liderët e shteteve anëtare të Komunitetit Politik Evropian, me rastin e fillimit të samitit të dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC). Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Në pritjen e organizuar nga Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, për liderët e shteteve anëtare të Komunitetit Politik Evropian, diskutime me miq për zhvillimet e fundit në Kosovë.

Presidentja Vjosa Osmani përfaqëson Republikën e Kosovës në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian

Me ftesë të organizatorëve të Komunitetit Politik Evropian, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Kishinau të Republikës së Moldavisë ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC). Presidentja Osmani do t’i bashkohet 46 krerëve të tjerë të shteteve të kontinentit evropian si dhe krerëve të institucioneve të BE-së, me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë. Krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore të Komunitetit Politik Evropian, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime me liderë të tjerë evropianë. Para liderëve të tjerë evropianë, Presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e përkushtimit të palëkundur të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik të Kosovës si garanci për paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë. Gjatë takimeve bilaterale, Presidentja Osmani do të diskutojë thellimin e bashkëpunimit për shtyrjen përpara të aplikimit të Kosovës për BE, çështje që lidhen me situatën e sigurisë në rajon, si dhe tejkalimin e sfidave të përbashkëta. Komuniteti Politik Evropian është platformë për koordinim politik e krijuar mbi bazën e propozimit të Presidentit francez, Emmanuel Macron, e cila synon nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin evropian.

Presidentja Osmani priti në takim Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm për Paqe, Siguri dhe Mbrojtje në EEAS, Charles Fries

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm për Paqe, Siguri dhe Mbrojtje në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), z. Charles Fries, i shoqëruar nga Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark. Ndër të tjera, në takim u diskutua për progresin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, me ç’rast Presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik. Ne veçanti, Presidentja ka informuar Z. Fries për progresin e bërë në fushën e sundimit të ligjit, që përfshinë edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe për reformat demokratike dhe për përafrimin e plotë të politikës së jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së. Tutje, Zëvendës Sekretari Fries vlerësoi lart bashkërendimin e Kosovës për dënimin publik dhe sanksionet kundër Rusisë si dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj Ukrainës. Presidentja Osmani dhe Zëvendës Sekretari Fries diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në veri të Republikës së Kosovës. Presidentja ka përsëritur dënimin e fuqishëm për sulmet e strukturave ilegale serbe të shndërruara në banda kriminale kundër policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve. Presidentja Osmani ka potencuar se këto banda kriminale, të mbështetura nga Vuçiqi, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë rajonit, prandaj veprimet e tyre të rrezikshme duhet të dënohen nga të gjithë. Tutje, Presidentja Osmani vuri theksin në nevojën e koordinimit me partnerët ndërkombëtarë, si hap i domosdoshëm në mënyrë që të sigurohet paqe dhe stabilitet afatgjatë në vend e rajon, ndërsa ka përmendur rëndësinë e sundimit të ligjit dhe përballjen me drejtësinë për bandat kriminale dhe veprimet e tyre të kundërligjshme.

Presidentja: Ata që zbatojnë urdhrat e Vuçiqit për destabilizimin e veriut të Kosovës, duhet të përballen me drejtësinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Strukturat ilegale serbe të  shëndërruara në banda kriminale kanë sulmuar policinë e Kosovës, oficerët e KFOR-it dhe gazetarët. Këto akte të papranueshme dhune duhet të dënohen nga të gjithë. Ata që zbatojnë urdhrat e Vuçiqit për destabilizimin e veriut të Kosovës, duhet të përballen me drejtësinë.

Presidentja Osmani uron Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, për fitoren në zgjedhjet presidenciale

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, për fitoren në zgjedhjet e sotme presidenciale. Presidentja Osmani, në emër të popullit të Republikës së Kosovës, ka uruar Presidentin Erdoğan, duke shprehur gatishmërinë që të vazhdohet puna e përbashkët për ta thelluar bashkëpunimin dhe për ta forcuar partneritetin në mes të dy shteteve.

Kosova ftohet për herë të parë në Konferencën e Palëve (COP28), Presidentja Osmani ftohet për të marrë pjesë nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe

Presidentja Vjosa Osmani ka pranuar ftesën zyrtare nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed Bin Zayed Al Nahyan, për takimin e liderëve në kuadër të Konferencës COP28. COP (Konferenca e Palëve) është konferencë e rregullt vjetore e nivelit të lartë e organizuar nga Kombet e Bashkuara me fokus në ndryshimet klimatike. Është hera e parë që Kosova ftohet në takimin e liderëve të COP-it, që nga themelimi i kësaj iniciative. Me këtë rast, Presidentja Osmani priti në takim Ambasadoren jorezidente të Emirateve të Bashkuara Arabe, znj. Nabila Al Shamsi, e cila ia dorëzoi personalisht ftesën për këtë konferencë. Presidentja Osmani theksoi se ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën, duke qenë se është hera e parë që Republika e Kosovës po ftohet zyrtarisht dhe po trajtohet si palë e barabartë. Ajo theksoi se Kosova ka gatishmëri të plotë për t’u angazhuar në mënyrë sa më aktive në çështjet që kanë të bëjnë me luftimin e ndryshimeve klimatike dhe se, si e tillë, Kosova duhet të jetë pjesë e çdo tryeze ku diskutohet për këtë temë jashtëzakonisht të rëndësishme e shqetësuese, jo vetëm për shtetin tonë. Nikoqir i COP28 këtë vit janë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe konferenca do të mbahet në fund të nëntorit dhe fillim të muajit dhjetor të këtij viti. COP28 është shndërruar tashmë në takimin kryesor të liderëve botërorë, në cilën diskutohen problemet dhe sfidat në fushën e ndryshimeve klimatike.

Presidentja Osmani ka takuar të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të dërguarin e posaçëm të Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Në takim është biseduar për zhvillimet e fundit në veri të Republikës së Kosovës. Presidentja ka theksuar se veprimet kriminale në veri të orkestruara nga struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi, kanë për qëllim moslejimin e kryetarëve të ri të komunave në veri të vendit të ushtrojnë detyrat sipas ligjit dhe kushtetutës dhe instrumentalizimin e popullatës lokale serbe për të krijuar vakuum institucional, klimë të përgjithshme frike dhe pasigurie. Pavarësisht këtyre përpjekjeve, Kosova ka ndërmarrë veprime muajt e fundit për të shtensionuar situatën pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave në veri të vendit në nëntor te vitit te kaluar dhe proceset demokratike e ligjore kanë vazhduar në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën. Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së aleatëve ndërkombëtar dhe koordinimit të vazhdueshëm me ta në përpjekje për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm. Presidentja Osmani ka përsëritur se veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e grupeve kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj vlerave evropiane të funksionimit si shtet qytetar duke ruajtur karakterin multietnik të saj dhe institucioneve të saj.

Deklaratë e Presidentes Osmani

Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm, ndaj mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj. (Neni 2 i Kushtetutës) Veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e bandave kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim. Qëndrueshmëria, jetëgjatësia dhe suksesi i këtyre veprimeve varen njëkohësisht edhe nga koordinimi me aleatët që ishin dhe mbeten garantues të sovranitetit dhe pavarësisë sonë. Bashkë, jemi gjithnjë më të fortë!

Presidentja Osmani priti në takim ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njëherësh kryesues aktual i OSBE-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njëherësh kryesues aktual i OSBE-së. Në takim me ministrin Osmani, Presidentja diskutoi për bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës me OSBE-në përgjatë viteve, raportet bilaterale me Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në rajon dhe më gjerë. Presidentja Osmani u informua mbi prioritetet e ministrit Osmani dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut si kryesues të sivjetëm të OSBE-së, si dhe diskutuan mbi mbështetjen e OSBE-së për Republikën e Kosovës në të kaluarën, dhe bashkëpunimin aktual, në veçanti, Presidentja Osmani ka përmendur vazhdimin e bashkëpunimit për fuqizimin e vajzave, grave dhe rinisë, me theks të veçantë në Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë në ballë të progresit në rajon dhe më gjerë sa i përket forcimit të sundimit të ligjit dhe demokracisë, si dhe promovimit të të drejtave të njeriut, të cilat tanimë po njihen ndërkombëtarisht. Tutje, Presidentja Osmani shprehu përkushtimin e institucioneve të Republikës për vazhdim të bashkëpunimit të ngushtë me partnerët e saj për ta avancuar rrugën euroatlantike të vendit tonë, i cili mbetet prioritet shtetëror. Në temën e raporteve bilaterale me Republikën e Maqedonisë së Veriut, Presidentja Osmani ka vlerësuar rritjen e bashkëpunimit në mes të dy vendeve tona, si dhe përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e mëtejmë të tyre. Presidentja Osmani dhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut Osmani kanë folur edhe për dialogun me Serbinë, me ç’rast, Presidentja Osmani ka theksuar shkeljet e vazhdueshme të Serbisë karshi marrëveshjeve të Brukselit, ndërsa ka përmendur angazhimin e Kosovës për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon.

Presidentja Omani priti të ngarkuarin me punë në ambasadën e Japonisë në Kosovë, Keisuke Yamanaka

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Omani ka pritur sot në takim të ngarkuarin me punë në ambasadën e Japonisë në Kosovë, z. Keisuke Yamanaka. Në takim u diskutua për vazhdimin e bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Japonisë. Në vazhdë të takimit paraprak të Presidentes Osmani me autoritetet japoneze, takimi u përqendrua në thellimin e bashkëpunimit arsimor përmes partneritetit në mes të universiteteve në Kosovë dhe atyre në Japoni. Ky bashkëpunim do t’i zgjerojë mundësitë për arsimim të studentëve kosovarë e japonezë në të dy vendet respektive, me theks të veçantë në fushat e teknologjisë dhe fushave të tjera, si dhe do t’i lehtësojë hulumtimet akademike në mes të anëtarëve të fakulteteve dhe hulumtuesve nga të dy shtetet. Tutje, Presidentja Osmani ka falënderuar z. Yamanaka për mbështetjen e deritashme japoneze, duke theksuar nevojën e vazhdimin të koordinimit të ngushtë me Japoninë për përkrahjen e Kosovës në procesin e anëtarësimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

This site is registered on wpml.org as a development site.