Presidentja: Zemërbardhët e Zllakuqanit mundësuan triumfin e dhembshurisë mbi luftën gjenocidale

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar sot komunën e Klinës, e në kuadër të vizitës në këtë komunë, Presidentja ka vizituar edhe Zllakuqanin. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Zemërgjerësia dhe solidariteti në kohë sfiduese më bënë që të rikthehem në Zllakuqan të Klinës, banorët e të cilit më 1999 ndihmuan mijëra banorë nga rajoni i Mitrovicës të cilët ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre nga regjimi gjenocidal i Serbisë dhe ishin detyruar të ecin në këmbë deri në kufirin me Shqipërinë. Zemërbardhët e Zllakuqanit mundësuan triumfin e dhembshurisë mbi luftën gjenocidale dhe fitoren e solidaritetit mbi frikën, ndaj faleminderit nga thellësia e zemrës, që riafirmuan besimin në fuqinë e mirësisë!

Presidentja: Dorëheqja e policëve të komunitetit serb është rezultat i drejtpërdrejtë i kërcënimeve dhe frikësimeve të vazhdueshme nga Serbia

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se dorëheqja e policëve të komunitetit serb është rezultat i drejtpërdrejtë i kërcënimeve dhe frikësimeve të vazhdueshme nga Serbia. “Dorëheqja e policëve të komunitetit serb është rezultat i drejtpërdrejtë i kërcënimeve dhe frikësimeve të vazhdueshme nga Serbia – një dëshmi se politikat e saj vazhdojnë të pasqyrojnë taktikat e Millosheviqit. Ne do të vazhdojmë të sigurojmë gjithëpërfshirje në të gjitha institucionet dhe një Kosovë më të sigurt për të gjithë”, ka shkruar Presidentja Osmani.  

Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Austrisë, Georg Schnetzer

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Austrisë, Georg Schnetzer, të cilin e ka uruar për detyrën dhe ka shfaqur shpresën se gjatë mandatit të tij, marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve do të intensifikohen edhe më tej. Sipas Presidentes Osmani, Austria mbetet aleate e rëndësishme, e cila e ka mbështetur Kosovën në faza të ndryshme të shtetndërtimit. Presidentja Osmani ka falënderuar Austrinë për mbështetjen e palëkundur, duke potencuar rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së mëtejme për integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Në takim me ambasadorin Schnetzer, Presidentja Osmani ka shtruar nevojën e forcimit të partneritetit në mes të Kosovës dhe Austrisë, si dhe bashkëpunimit në fushën e arsimit, kulturës, tregtisë, si dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

Presidentja Osmani vizitoi komunën e Dragashit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar sot komunën e Dragashit, në kuadër të vizitave në komunat e vendit. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Përfundimi i vizitës në Dragashin me natyrë magjepsëse, trashëgimi të pasur kulturore, diversitet dhe mikpritje. Në takim me kryetarin Bexhet Xheladini, diskutuam përpjekjet e përbashkëta për t’i promovuar jo vetëm bukuritë mahnitëse të Dragashit, por edhe potencialin e jashtëzakonshëm ekonomik. Aktivitetet i vazhduam në asamblenë komunale, në takim me anëtarë të asamblesë, familje të dëshmorëve, me mërgatën tonë të dashur e përfaqësues të komuniteteve joshumicë. Më pas, bashkëbiseduam me gra të komunitetit goran dhe boshnjak për punën e shkëlqyeshme për t’i fuqizuar gratë dhe vajzat e të gjitha komuniteteve. Ishte frymëzues edhe takimi me të rinjtë fantastikë të Dragashit. Përkushtimi i tyre për ta përdorur teknologjinë informative për ofrimin e zgjidhjeve inovative pasqyron potencialin e pafund të rinisë së vendit tonë. Në fund, vizituam bizneset “Meka”, “AEG” dhe “Hit Flores”, të cilat, përveç prodhimit të produkteve të ndryshme cilësore, po kontribuojnë në rritjen e mundësisë së punësimit për qytetarët e komunës. Faleminderit për mikpritjen, Dragash, shihemi në komunën e radhës!

Presidentja Omani priti në takim zv.ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mehmet Kemal Bozay

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim zv.ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mehmet Kemal Bozay i shoqëruar nga Sabri Demiri, këshilltar i presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan. Në takim u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet të dy shteteve dhe mundësia për thellimin e mëtejmë të tyre. Presidentja Osmani theksoi se marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë strategjike dhe se shqiptarët që jetojnë në Turqi dhe komuniteti turk në Kosovë janë urë e fortë lidhëse ndërmjet dy shteteve. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka falënderuar Turqinë për mbështetjen e Kosovës në procesin e pavarësisë dhe shtetndërtimit, duke kërkuar mbështetje të mëtejmë edhe për integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Me zv.ministrin Kemal Bozay, Presidentja Osmani diskutoi për bashkëpunimin bilateral, organizimin e një forumi të bizneseve të dy shteteve, sikurse edhe bashkëpunimin në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, sigurisë, shëndetësisë dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm. Presidentja Osmani ka përsëritur ftesën për homologun e saj, presidentin Recep Tayyip Erdoğan për një vizitë në Republikën e Kosovës, në një kohë të përshtatshme për të dy palët. Në raport me zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend, Presidentja Osmani diskutoi edhe për hapat konkret të ndërmarra nga institucionet e Kosovës për shtensionimin e situatës në veri të vendit në përputhje me dakordimin në Bratislavë. Presidentja Osmani theksoi se prezenca e Policisë Speciale të Kosovës në objektet komunale dhe rreth tyre në veri tashmë është zvogëluar, ndërsa po vazhdon puna për plotësimin e infrastrukturës ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat e veriut nëpërmjet peticionit të qytetarëve.

Presidentja: Zbulimet e fundit në Ulpianë (Justiniana Secunda), paraqesin evidenca të rëndësishme për historinë e Dardanisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar sot Parkun Arkeologjik “Ulpiana”. Presidentja Osmani ka thënë se zbulimet e fundit në Ulpianë (Justiniana Secunda), paraqesin evidenca të rëndësishme për historinë e Dardanisë dhe dardanëve gjatë Antikitetit të vonë-Mesjetës së hershme. Postimi i plotë i Presidentes Osmani:   Ulpiana është një udhëtim nëpër kohë që zbulon thesaret e fshehura të së kaluarës sonë. Çdo gërmim zbulon fragmente të qytetërimit tonë të lashtë. Nga Mbretëria e Dardanisë e deri te Perandori Justinian janë shekuj të trashëgimisë sonë të prekshme, e cila ndërlidhë të tashmen tonë me të kaluarën e largët. Zbulimet e fundit në Ulpianë (Justiniana Secunda), paraqesin evidenca të rëndësishme për historinë e Dardanisë dhe dardanëve gjatë Antikitetit të vonë-Mesjetës së hershme.

Presidentja Osmani priti në takim njoftues ministrin e sapoemëruar të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur dje në takim njoftues ministrin e sapoemëruar të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Me këtë rast, Presidentja Osmani e uroi ministrin Maqedonci duke i dëshiruar suksese në punë. Presidentja Osmani vlerësoi lartë arritjen e deritanishme në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa theksoi rëndësinë e angazhimit të mëtutjeshëm në avancimin e FSK-së në zhvillimin e plotë të kapaciteteve profesionale e operacionale në përputhje me standardet e NATO-s. Në këtë kontekst, në funksion të përmbushjes së synimeve si shtet, Presidentja Osmani siguroi se Ministria e Mbrojtjes do ta ketë gjithmonë përkrahjen e pakursyer të saj. Nga ana tjetër, ministri Maqedonci e falënderoi Presidenten Osmani për mbështetjen dhe u zotua se do të angazhohet maksimalisht në përmbushjen e detyrave.

Presidentja Osmani priti pjesëmarrësit e festivalit ndërkombëtar NEWBORN Kosova

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot pjesëmarrësit e festivalit ndërkombëtar NEWBORN Kosova. “Sot në Presidencë prita pjesëmarrësit e festivalit ndërkombëtar NEWBORN Kosova, ku po marrin pjesë rreth 300 artistë ndërkombëtarë nga 9 shtete të botës. Vallëzimi ka fuqi transformuese dhe paraqet vlerat e traditës, miqësisë, gëzimit dhe unitetit”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja: Suksesi i artistëve të rinj është imazhi më i bukur i Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vazhduar aktivitetet e muajit të rinisë me artistët e rinj.   “Aktivitetet e muajit të rinisë mbrëmë i vazhduam me artistët e rinj. Secili rrëfim i tyre është inkurajues dhe i dhuron gjithë vendit krenari. Prandaj, e kemi detyrim t’i përkrahim maksimalisht sepse suksesi i tyre është imazhi më i bukur i Kosovës”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier më të cilin bisedoi për zhvillimet në vend dhe vijueshmërinë e hapave konkret që po ndërmerren në përputhje me atë se çfarë është dakorduar në Bratislavë. Në takim u diskutua edhe për projektet zhvillimore të cilat po realizohen nga ShBA-të në Kosovë, përkrahjen e SHBA-ve për sektorin e sigurisë si dhe rëndësinë e shtimit të bashkëpunimeve të tilla në fusha të interesit të përbashkët.

This site is registered on wpml.org as a development site.