Presidentja Osmani bashkë me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve- Shkup mbollën bredhin e Nënë Terezës në oborrin e Presidencës së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Nënë Terezës”, bashkë me drejtorin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve- Shkup, Skënder Asani dhe biografin e Nënës Terezë, Dom Lush Gjergji, sot në oborrin e Presidencës së Kosovës, në kujtim të Shën Terezës, mbollën bredhin me farat e bredhit të shkatërruar të Nënë Terezës. “Ky bredh, i mbjellë sot, simbolizon dëshminë e veprës së Nënë Terezës në shërbim të njerëzimit, vullnetin e saj për t’i shërbyer atij. Nënë Tereza gjeti gjithmonë forcë që dhimbjen e saj, të popullit të saj dhe të të gjithë të vuajturve ta kthejë në dashuri për njerëzimin, në vepër të përvuajtur në shërbim të të varfërve, madje, sikur thoshte vetë, në shërbim të më të varfërve ndër të varfrit”, tha presidentja Osmani Ndërkaq, drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, Skënder Asani, tha se bredhi dedikuar Nënë Terezës simbolizon lidhjen mes njerëzve, popujve e vendeve. Shembulli i saj në shërbim të njerëzimit është modeli më i vyer, të cilin ne mund ta njohim.

Presidentja Osmani: Nuk do të reshtim kurrë deri në zbardhjen e fatit të secilit të zhdukur

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, me kabinetin qeveritar si dhe me familjarë të personave të pagjetur, kanë bërë nderime sot tek Memoriali për të Pagjeturit, në Prishtinë. Postimi i plotë i Presidentes: Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve qëndrojmë së bashku në solidaritet me familjet e të zhdukurve me dhunë dhe riafirmojmë përkushtimin tonë të vazhdueshëm për ta adresuar vazhdimisht këtë çështje derisa të zbardhet fati i secilit të zhdukur. Ata presin familjarët e tyre, ne presim qytetarët tanë! Nuk do të reshtim kurrë deri në zbardhjen e fatit të secilit! Serbia akoma fle mbi varreza masive. Udhëheqësit e këtij shteti që akoma nuk është ballafaquar me të kaluarën, kanë obligim t’i hapin arkivat!

Presidentja Osmani priti në takim përfaqësuesit e Fondacionit gjerman Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim lamtumirës drejtorin e zyrës së Fondacionit gjerman Friedrich-Ebert-Stiftung në Kosovë, Rene Schlee dhe në takim njoftues drejtorin e sapoemëruar, dr. Peter Hurrelbrink. Presidentja Osmani vlerësoi lartë kontributin e FES-it, në mbështetjen e vazhdueshme për institucionet e vendit, ngritjen e kapaciteteve dhe fuqizimin politik të të rinjve dhe grave, si dhe zbatimin e shumë programeve në dobi të qytetarëve të Kosovës. Krahas kësaj, Presidentja Osmani falënderoi z. Schlee për bashkëpunimin e mirëfilltë ndërmjet Zyrës së Presidentes dhe zyrës së FES-it, në Kosovë gjatë edicionit të kaluar të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, bashkëpunim ky i cili u rikonfirmua për edicionin e sivjetshëm. Duke shprehur mirënjohje për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Zyrën e Presidentes, z. Schlee me këtë rast prezantoi Dr. Peter Hurrelbrink, drejtorin e ri të zyrës së FES-iz, në Kosovë. Me këtë rast, të dyja palët shprehën gatishmërinë për vazhdimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.

Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri jorezident i Kuvajtit, Faisal S.Al-Musaileem

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Kuvajtit në Kosovë, Faisal Musaileem të cilin e ka uruar për detyrën dhe ka shfaqur shpresën se gjatë mandatit të tij do të intensifikohen edhe më tej marrëdhëniet bilaterale në mes të dy vendeve. Në këtë takim, Presidentja shtroi nevojën e vazhdimit të mbështetjes edhe në të ardhmen nga ky shtet. Ndërkaq ambasadori Musaileem, shprehu interesimin për vazhdimin e mbështetjes për Kosovën në fusha të ndryshme dhe u zotua për bashkëpunim më të gjerë në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët.

Presidentja Osmani bisedoi me një grup të rinjsh nga vende të ndryshme të botës në kuadër të Forumit Evropian Alpbach

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani po merr pjesë në edicionin e sivjetëm të Forumit Evropian Alpbach 2023. Gjatë ditës së sotme, Presidentja Osmani ka bashkëbiseduar me një grup të rinjsh nga vende të ndryshme të botës në kuadër të Forumit Evropian Alpbach. “Nga e kaluara, tek e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës – një diskutim fantastik këtë mëngjes me një grup të rinjsh nga vende të ndryshme të botës në kuadër të Forumit Evropian Alpbach”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani: Familja euroatlantike është familja jonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani po merr pjesë në edicionin e sivjetëm të Forumit Evropian Alpbach 2023. Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani: Një Evropë e guximshme! Kjo ështe tema e sivjetme e Forumit Evropian Alpbach, ku kisha nderin të diskutoj në panelin kryesor, së bashku më përfaqësues të shteteve të tjera. Zgjerimi i Bashkimit Evropian me shtetet demokratike të Ballkanit Perëndimor, mbrojtja e parimeve dhe vlerave të të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë, si dhe unifikimi në luftimin e autokracive e tiranive, janë tiparet që e bëjnë një Evropë të guximshme. Pavarësisht se është rrugë e gjatë dhe e mundimshme, integrimi evropian është e vetmja rrugë për Kosovën. Familja euroatlantike është familja jonë!

Presidentja Osmani merr pjesë në Forumin Evropian Alpbach 2023

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka udhëtuar për në Alpbach, Austri, për të marrë pjesë në edicionin e sivjetëm të Forumit Evropian Alpbach 2023. Në këtë Forum, Presidentja Osmani do të jetë folëse në panelin kryesor në hapje të Forumit, i cili do të fokusohet në rishikimin e politikës aktuale të zgjerimit, adresimit të sfidave aktuale politike dhe të sigurisë, si dhe avancimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian. Gjatë Forumit, Presidentja Osmani do të realizojë edhe një bashkëbisedim me të rinjtë bursistë të Forumit Evropian nga rajoni, diaspora dhe bota, me fokus në zhvillimet e fundit në vend, por dhe qëndrimin e Kosovës karshi zhvillimeve politike në Evropë dhe përtej. Forumi Evropian Alpbach është ndër institucionet më prestigjioze në Evropë, i cili nga viti 1945, mbledhë çdo vit liderë, nobelistë, akademikë, shkencëtarë dhe personalitete të ndryshme nga mbarë bota për të diskutuar idetë për një Evropë më të fortë dhe më demokratike.

Presidentja Osmani shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të aktorit Xhevat Qorraj

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpehur ngushëllime për familjen, Teatrin Kombëtar të Kosovës, kinematografinë kosovare dhe komunitetin kulturor me rastin e ndarjes nga jeta të aktorit Xhevat Qorraj. “Me dhimbje të thellë pranova lajmin për ndarjen nga jeta të aktorit Xhevat Qorraj. Teatri dhe kinematografia humbën një aktor të madh, publiku të adhuruarin e tyre. Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit kulturor”, thuhet në mesazhin ngushëllues të Presidentes Osmani.

Presidentja Osmani vizitoi komunën e Klinës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar sot komunën e Klinës, në kuadër të vizitave në komunat e vendit. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Faleminderit Klinë për mikpritjen! Vizitën në këtë komunë të vendosur mes peizazheve piktoreske dhe e cila shquhet për diversitet dhe harmoni fetare, e filluam me një diskutim të frytshëm me kryetarin Zenun Elezaj mbi sfidat me të cilat po përballet komuna, si dhe projekte të ndryshme në përfitim të qytetarëve të saj. Në bashkëbisedim me të rinjtë e organizatës “Ardhmëria”, ishte inkurajuese të dëgjoj për iniciativat e tyre vullnetare dhe potencialin e jashtëzakonshëm për të ardhmen. Ndërkaq, ishte kënaqësi që të njihem edhe me punën e bizneseve në komunë, përfshirë prodhuesin e birrës artizanale “Grembeer”, biznesi i prodhimit të veshjeve për fëmijë “Vesbaby”, fidanishtja “Duhani”, si dhe biznesi “Elava” që udhëhiqet bga gratë e komuniteteve joshumicë. Ishte mbresëlënës shpirti ndërmarrës dhe kreativ i grave e burrave të Klinës, të cilët përmes punës së tyre po rrisin mirëqenien dhe mundësitë për qytetarë pa dallim. Na Famullinë e Zllakuqanit, falënderova banorët e fshatit, të cilët më 1999, duke hapur zemrat dhe shtëpitë u dolën në ndihmë të dëbuarve nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Faleminderit sërish për mikpritjen e ngrohtë të gjithë qytetarëve të Klinës, përfshirë mërgatës sonë, dhe shihemi në komunën e radhës!

This site is registered on wpml.org as a development site.