Presidentja Osmani takoi Ambasadorin gjerman, Jorn Rohde

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi një takim pune me Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ku u diskutua për zhvillimet e fundit në veri të vendit dhe hapat që po ndërmerren në koordinim me partnerët ndërkombëtarë. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për shërbimin dhe profesionalizmin e demonstruar nga ushtarët e KFOR-it në ballafaqim me grupet kriminale të dhunshme në veri të vendit. Në këtë rast, Presidentja Osmani theksoi se ballafaqimi me drejtësinë për grupet kriminale të mbështetura nga Serbia, që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët, është i domosdoshëm si garanci për të parandaluar përsëritjen e veprimeve të tilla të dhunshme. Ajo vlerësoi lartë bashkëpunimin me Gjermaninë dhe konfirmoi partneritetin e palëkundur dhe gatishmërinë për një koordinim të ngushtë në të ardhmen, me qëllim e ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në vend dhe rajon.

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin italian, Antonello De Riu

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ambasadorin italian në Kosovë, Antonello De Riu. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend. Në emër të qytetarëve të Kosovës, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për shërbimin, si dhe profesionalizmin e dëshmuar të trupave italiane të KFOR-it në ballafaqim me zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë në veri të vendit dhe u dëshiroi shërim të shpejtë ushtarëve të lënduar. Me këtë rast, Presidentja Osmani potencoi se ballafaqimi me drejtësinë i grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët duhet të jetë përgjigja e vetme dhe se këto sulme duhet të dënohen nga të gjithë. Ajo theksoi se qytetarët në veri po dëmtohen më së shumti nga kjo situatë, andaj kërkoi për bashkëpunim më intensiv në drejtim të garantimit të një ambienti më të sigurt për qytetarët dhe për lirinë e shprehjes. Ajo ka vlerësuar lartë bashkëpunimin me Italinë, me ç’rast ka konfirmuar partneritetin e palëkundur dhe gatishmërinë për vazhdim të ngushtë të koordinimit me qëllim të garantimit dhe ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në vend e rajon.

Presidentja: Sot shënojmë përvjetorin e një prej ditëve të rëndësishme në historinë e kombit tonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca dhe me kryeministrin Albin Kurti, për nder të 12 qershorit – Ditës së Çlirimit, kanë bërë homazhe te varri i Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, te varri i veprimtarit Adem Demaçi si dhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz. Liderët institucional, gjithashtu kanë bërë nderime edhe tek Pllaka Përkujtimore për ushtarët e NATO-s. Presidentja Osmani ka thënë se sot shënojmë përvjetorin e një prej ditëve të rëndësishme në historinë e kombit tonë, një prej ditëve më të rëndësishme në historinë e Republikës së Kosovës. “Sot shënojmë përvjetorin e një prej ditëve të rëndësishme në historinë e kombit tonë, një prej ditëve më të rëndësishme në historinë e Republikës së Kosovës, ditën kur shteti ynë u çlirua, pas një lufte, e cila rezultoi me gjenocid ndaj një populli të pafajshëm, popullit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Presidentja Osmani. Presidentja Osmani ka thënë se sot nderuam ata që i vënë themelet e forta të shtetit që e gëzojmë sot. “Në mëngjes ne sot nderuam vizionarët e shtetit tonë, nderuam dëshmorët e shtetit tonë, nderuam ata që i vënë themelet e forta të shtetit që e gëzojmë sot, dhe tani këtu nderojmë ushtarët e NATO-s, ata që nga 10 qershori e tutje hynë në Republikën e Kosovës për t’ia dhënë vulën çlirimit të vendit tonë”, ka theksuar Presidentja. Më tej, Presidentja Osmani ka thënë se jemi mirënjohës përherë për të gjithë ata që vendosën themelet e shtetit tonë. “Jemi mirënjohës përherë dhe e përsërisim këtë mirënjohje në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, siç e thash për vizionarët e shtetit, për Presidentin Rugova, gjithë aktivistët që dhanë gjithçka që të vendosen këto themele, për komandantin legjendar Adem Jashari dhe gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që vënë jetën e tyre në rrezik, dhanë jetën e tyre për lirinë tonë. Por, edhe mirënjohje e përjetshme për të gjithë miqtë tanë, të cilët na ndihmuan që lirinë, pavarësinë dhe demokracinë ta kemi realitet të cilin sot e gëzojnë të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka theksuar Presidentja.

Fjalimi i Presidentes Osmani në manifestimin qendror për shënimin e 145 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit

I nderuar President i Shqipërisë, z. Bajram Begaj, ju falënderoj sot që na u bashkuat në këtë ditë të madhe të Kombit Shqiptar! I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Konjufca! I nderuar kryeministër, z. Kurti! Të nderuar Zëvendëskryeministra, Ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës! Përfaqësues të Komunës së Prizrenit! Përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale! Përfaqësues të medieve! Të dashur qytetarë të Prizrenit, të Republikës së Kosovës, të Shqipërisë e të trojeve shqiptare! Jam e nderuar që sot mund t’ua uroj të gjithëve, të gjithë qytetarëve të Republikës, dhe të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen përvjetorin e 145-të të Lidhjes së Prizrenit, pikërisht nga vendi i cili në kujtesën e çdo shqiptari simbolizon vendin e lidhjes sonë të përhershme me njëri-tjetrin, vendin e përafrimit e të përbashkimit të shqiptarëve drejt një qëllimi madhor: atë të lirisë kombëtare. Lidhja e Prizrenit i bashkoi shqiptarët e të katër vilajeteve të atëhershme shqiptare dhe i artikuloi kumbueshëm qëndrimet politike të kombit shqiptar në një moment të rëndë të historisë sonë, ndërkohë që tokat shqiptare rrezikonin të copëtoheshin mes fqinjësh ballkanikë, si rrjedhojë e vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit dhe atij të Berlinit. Pikërisht si përpjekje për t’i zmbrapsur këto qëllime, patriotët shqiptarë, të ardhur nga të katër anët dhe të mbledhur në Prizren, më 10 qershor 1878 dëshmuan vetëdije të lartë kombëtare: ata nuk pranuan që trojet shqiptare të mbeteshin nën okupim, por as që të bëheshin pre e fqinjëve gllabërues. Ata kërkuan të jetësonin shtetin e shqiptarëve, si instrument themelor të jetesës kombëtare. Kësisoj, ata po i vënin në jetë mësimet e lëna nga shumë shqiptarë, De Rada para së gjithash, për rilindjen e kombit e për organizimin e tyre në njësi të pavarur shtetërore. Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte po kështu thirrje për rizgjim e bashkim kombëtar në kohën kur po rrezikohej ekzistenca e këtij kombi të lashtë. Ajo e shprehu qartë jo vetëm përcaktimin e shqiptarëve për shtet të pavarur, si instrument të rëndësishëm politik për realizimin e aspiratave të tyre, por edhe orientimin e tyre drejt familjes e vlerave më të larta qytetëruese perëndimore. Lidhja, megjithëse ishte thirrur brenda kornizës politike të paracaktuar nga Perandoria Osmane tregoi vetëdije të lartë politike e shtetërore dhe u shndërrua në platformë të fuqishme nacionale. Kësisoj, ajo e shtroi platformën politike për shtet të mëvetësishëm të shqiptarëve, bënë thirrje për kryengritje të përgjithshme dhe e motivuan përlindjen e një lëvizjeje e cila do ta përmbyllte procesin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Këmbëngulja e patriotëve si Abdyl Frashëri e Imer Prizreni, vizioni i tyre i qartë për të ardhmen e popullit shqiptar dhe vendosmëria e tyre për realizimin e ideve të tyre ndikoi që shqiptarët ta fitonin lirinë. I nderuar zoti President! Të nderuar të pranishëm! Lidhja e Prizrenit, përvjetorin e së cilës po e shënojmë sot, ka shërbyer si model i përhershëm, nga i cili janë frymëzuar breza të tërë intelektualësh, dijetarësh, shkrimtarësh e politikanësh dhe nga i cili kanë buruar projekte të tjera përbashkuese, të tipit nacional-kulturor, sikurse ai i viteve ’90 për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, i cili shënoi projektin më të madh modern të shqiptarëve, modeli i si cilës gjendet pikërisht në veprat e patriotëve tanë, të mbledhur në këtë vend 145 vjet më parë. Vetëdija të cilën e kishte krijuar Lidhja e Prizrenit dhe përcaktimi për vlerat qytetëruese perëndimore janë shndërruar në premisa të përhershme, së cilave ne u kthehemi vazhdimisht dhe të cilat na shërbejnë si brumë frymëzimi. Të dashur qytetarë! Në frymën e Lidhjes së Prizrenit, vetëm pas dy ditësh ne do ta shënojmë një tjetër të arritur të madhe të popullit shqiptar, e cila është rezultat edhe i frymës së Lidhjes së Prizrenit, e vetëdijes së saj, e cila u rimor si model dhe u shndërrua në platformë të veprimit politik: do ta shënojmë ditën e çlirimit të Kosovës dhe korrigjimin e një padrejtësie të madhe, e cila u qe bërë shqiptarëve të Kosovës, duke i vënë ata përdhunshëm nën një sajesë artificiale. Po në frymën e Lidhjes së Prizrenit, dijetarët e atëhershëm, të prirë nga ati themeltar i shtetit të pavarur të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, e artikuluan qartë vizionin politik për shtet të pavarur, e udhëhoqën popullin shqiptar drejt saj, duke e çliruar atë fillimisht së brendshmi e pastaj, me formimin e UÇK-së dhe luftën e saj të vendosur për çlirim, si dhe me ndihmën e NATO-s e të shteteve aleate, fillimisht të udhëhequra e edhe pastaj të fuqizuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës arritëm edhe lirinë e plotë fizike të shtetit tonë. Pra, liria e Kosovës erdhi nëpërmjet luftës çlirimtare të shtetit të Kosovës, të popullit të Kosovës, por edhe me përkrahjen e pakusht të shteteve aleate të cilat edhe sot i kemi pranë nesh e për të cilat do të jemi gjithmonë falënderues. Por edhe si rezultat i një solidariteti të skajshëm ndërmjet shqiptarëve modelin e së cilës ne e kemi gjetur pikërisht në vlerat që i trashëguam nga Lidhja e Prizrenit. Ngjashëm me kohen e Lidhjes ne u solidarizuam më njëri-tjetrin dhe dëshmuam se liria është e pandalshme kur është përcaktim i qytetarëve të një vendi e kur është përcaktim i vullnetit të një populli. Urime përvjetori i Lidhjes së Prizrenit! Zoti e bekoftë Lidhjen e Prizrenit! Zoti i bekoftë patriotët tanë! 

Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës shefin e EULEX-it, Ambasadorin Lars-Gunnar Wigemark

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim lamtumirë shefin e EULEX-it, Ambasadorin Lars-Gunnar Wigemark. Në takimin me Ambasadorin Wigemark, Presidentja Osmani diskutoi edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe për bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës me EULEX-in për tejkalimin e këtyre sfidave. Presidentja Osmani vlerësoi kontributin e EULEX-it në promovimin e sundimit të ligjit dhe theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të institucioneve të Kosovës për të arritur qëllimet e sigurisë dhe sundimit të ligjit në secilën pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Gjatë takimit, Presidentja Osmani dekoroi shefin e EULEX-it me medaljen presidenciale për sundimin e ligjit. Ajo theksoi rëndësinë e partneritetit mes institucioneve të Kosovës dhe organizatave partnere ndërkombëtare që operojnë në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit. Presidentja Osmani falënderoi EULEX-in për bashkëpunimin e tyre me institucionet e Republikës së Kosovës në fuqizimin e sundimit të ligjit në kuadër të mandatit ekzistues për këshillim, mentorim dhe monitorim. Dekorimi me medaljen presidenciale për sundim të ligjit paraqet vlerësimin dhe mirënjohjen e thellë të Republikës së Kosovës ndaj Ambasadorit Wigemark dhe EULEX-it për përkrahjen dhe bashkëpunimin e tyre të palëkundur në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të sigurt në Kosovë.

Presidentja Osmani bisedon me Presidenten e Sllovenisë për zhvillimet e fundit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar. “Bisedë e shkëlqyer me Presidenten Nataša Pirc Musar rreth zhvillimeve të fundit, procesin e ardhshëm Bërdo-Brione si dhe vizitën e saj të afërt në Kosovë. Së bashku, ne përpiqemi për bashkëpunim më të ngushtë, paqe, stabilitet dhe një zbatim të fuqishëm të agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Fjalimi i Presidentes Osmani në ceremoninë e dekorimit të shkrimtarit Ismail Kadare me urdhrin “Hasan Prishtina”

I nderuari z. Ismail Kadare, mirë se keni ardhur në Presidencën e Republikës së Kosovës, mirë se keni ardhur në Kosovën tuaj të dashur! E nderuara znj. Helena, E nderuara Kristina, Shumë të dashur të pranishëm, I nderuar kryetar i Kuvendit, E nderuar ish-presidente Jahjaga, Kryetar i Komunës së Prishtinës, Kryetar i Akademisë së Shkencave, I nderuar ambasador Minxhozi, Rektor i Universitetit të Prishtinës, Të nderuar botues, këtu nga Prishtina, Miq të letërsisë, gjuhës e kulturës shqiptare, Të nderuar pjesëmarrës! Ju falënderoj shumë për pjesëmarrjen tuaj në këtë ditë, ku të gjithë së bashku si mirënjohje – në emër të popullit të Kosovës – nderojmë shkrimtarin tonë të shquar, z. Ismail Kadare, vepra e të cilit është një enciklopedi artistike e jetës së rëndomtë të shqiptarëve, e historisë së tyre dhe e dokeve e traditave, e mbi të gjitha, të gjuhës shqipe. I nderuar z. Kadare! Jam shumë e lumtur për praninë tuaj këtu, aq më tepër që ndodheni këtu në kohën kur Prishtina jonë e dashur për herë të 23-të është veshur me petkun e festës së librit, si nikoqire tashmë e dëshmuar e autorëve, botuesve dhe lexuesve të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare. Prania juaj në hapjen e panairit të Librit në Prishtinë është edhe një mesazh i fuqishëm për letërsinë shqipe dhe kulturën tonë përgjithësisht. Jam po kaq e lumtur që sot mund t’ua shpreh mirënjohjen e thellë të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe të institucioneve të saj për kryeveprat letrare të cilat ju i keni shkruar, e të cilat përbëjnë një ndër thesaret më të rëndësishme kulturore tonat. Por, krahas veprimtarisë letrare, ju keni qenë vazhdimisht një pikë e rëndësishme referimi për shqiptarët kudo në botë. Krijimtaria juaj letrare, e zhvilluar kryesisht brenda rrethit të hekurt ideologjik, ka dëshmuar se liria e krijimit dhe liria e mendimit nuk mund të kontrollohen nga pushtetet, dhe se liria, pavarësisht se mund të shtypet në publik, jeton e paprekur në gjakimin e njerëzve për ta parë vendin e popullin e tyre të lirë. Nëpërmjet krijimtarisë suaj, ju i nderuar z. Kadare keni dhënë shembullin e vyer për të gjithë qytetarët shqiptar – pavarësisht a jetojnë në Shqipëri, në Kosovë, apo gjetiu – liria e të cilëve ishte e ndrydhur, por edhe për të gjithë qytetarët e Kosovës në veçanti, të cilëve u ishin mohuar të drejtat e tyre kombëtare, politike e civile. Duke e trajtuar artistikisht jetën e shqiptarit, pathyeshmërinë e tij dhe dëshirën e thellë të tyre për liri, si dhe duke u vënë në mbrojtje të kësaj lirie në forume të rëndësishme intelektuale kudo në botë, ju e keni nxitur shpirtin liridashës ndër ne dhe e keni artikuluar atë gjithandej ku ju është dhënë rasti. E për këtë, u jemi shumë mirënjohës. Gjenerata ime, sikurse edhe përplot gjenerata të tjera para e pas nesh, janë rritur e formësuar duke lexuar Kronikë në gur, Gjeneralin e ushtrisë së vdekur, Urën me tri harqe, Prillin e thyer e përplot kryevepra të letërsisë suaj, të cilat janë njëherësh kryevepra të letërsisë shqipe e të asaj të përbotshme. Ju e keni shpalosur artistikisht si rrallëkush tjetër jetën, kulturën e traditat e shqiptarëve, zakonet e tyre, historinë e tyre. Ju e keni kultivuar gjuhën shqipe e i keni shërbyer asaj me përkushtim të paepur, duke rimarrë e ripërdorur ato që patriarku i kulturës sonë, Pjetër Bogdani, i quante “fjalë plaka” e duke e zgjeruar fjalësin e gjuhës shqipe e mundësitë e saj shprehëse. Ju e keni mbrojtur e promovuar kulturën tonë të lashtë, vjetërsinë e popullit shqiptar e të kulturës së saj, duke marrë pjesë edhe në debate mbi rolin e kësaj kulture të lashtë në krijimin e kulturës së përbashkët europiane e perëndimore, si dhe keni qenë një gardian i së drejtës së popullit shqiptar për të jetuar i lirë e i mosvarmë. Prandaj, duke dashur t’ju falënderoj për kurajon me të cilën ju e keni prezantuar çështjen shqiptare në përgjithësi, por atë të Kosovës në veçanti, në qarqe të rëndësishme intelektuale e politike gjithandej Europës e botës, për pasurinë e pafund letrare të cilën ju na e keni dhuruar dhe për dashurinë e pamasë me të cilën ju e keni përfaqësuar kombin gjithandej globit, më lejoni t’ju ftoj z. Kadare dhe të i ftoj të gjithë mysafirët që të ngriten në këmbë për ceremoninë e dekorimit tuaj me urdhrin më të lartë të cilin Republika e Kosovës, dhe në këtë rast unë si Presidente e ndaj në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, urdhrin “Hasan Prishtina”. Edhe një herë, kam nderin e jashtëzakonshëm që në përputhje me kompetencat kushtetuese të Presidentes së Republikës së Kosovës, që në emër te popullit të Kosovës, t’i ndaj z. Ismail Kadare urdhrin “Hasan Prishtina” me këtë motivacion: Për mjeshtërinë e jashtëzakonshme në artin e fjalës, të shprehur gjithandej veprave të tij, për përkushtimin me të cilin e ka mbrojtur të drejtën e Kosovës për liri e pavarësi, si dhe për vlerat letrare e intelektuale me të cilat është paraqitur nëpër botë dhe me të cilat e ka lartësuar gjuhën, kulturën e letërsinë shqipe si dhe vetë popullin shqiptar. Z. Kadare, jam e nderuar që t’ju ndaj urdhrin!  

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës pjesë e takimit të pestë të nivelit të lartë për Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në SHBA

Gjatë ditës së djeshme, u hapën punimet e takimit të pestë të nivelit të lartë të Rrjetit të Pikave Kryesore për Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Uashington DC, SHBA. Kabineti i Presidentes Osmani, i cili po përfaqësohet nga Zëvendësshefja e Stafit, znj. Learta Hollaj, dhe Këshilltarja, znj. Dora Musa, rikonfirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës drejt avancimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, jo vetëm në rajonin e Ballkanit, por edhe më tej. Pjesë e delegacionit të Kosovës në këtë takim janë edhe deputetet, znj. Jeta Statovci dhe znj. Albena Reshitaj. Po ashtu, në këtë takim është përfaqësuar edhe shoqëria civile përmes znj. Feride Rushiti (KRCT), znj. Valmira Rashiti (Rrjeti i Grave të Kosovës) dhe znj. Kadire Tahiraj (Qendra e Promovimit te Drejtave te Grave). Takimi do të vazhdojë përgjatë gjithë javës në kuadër të së cilit do të diskutohet ngushtë mbi zhvillimet e fundit në lidhje me Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të ardhmen e saj, si dhe identifikimin e mundësive për krijim të partneriteteve në drejtim të avancimit të kësaj agjende. Përndryshe, Kosova, me iniciativë të Presidentes Osmani, këtë vit organizon për herë të dytë forumin ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Avancimi i agjendës WPS në Kosovë po mbështetet fuqishëm nga SHBA-të, respektivisht nga Zyra e Sekretarit të Shtetit për Çështjet Globale të Grave.  

This site is registered on wpml.org as a development site.