Faleminderit i nderuar kryetar Latifi për mikpritjen,
Të nderuar ministra, ministër Peci dhe ministre Hajdari,
Të nderuar kryetarë të komunave,
Kryetar i AAK-së, zoti Haradinaj,
Të nderuar organizator të “Hardh Festit”,
Mysafirë nga Shqipëria,
Të dashur vertarë, ndërmarrës që gjithnjë i jepni energji organizimeve të tilla dhe natyrisht mbështetje të pakursyer,
Shumë të nderuar të pranishëm,
Është kënaqësi që sot jemi në kryeqytetin e bujqësisë, kryeqytetin e rrushit, në Rahovec në një ditë të veçantë siç është fillimi i vjeljes së rrushit.
Sot është një moment i veçantë, i cili gërsheton procesin me frytet e punës. Vreshtarët rahovecianë sot nisin të vjelin atë që kanë kultivuar dhe jam shumë optimiste se do ta keni një sezon të begatë të rrushit!
Jemi këtu në vreshtarinë dhe kantinën më të madhe të Kosovës, për ta festuar jo vetëm vjeljen e rrushit, por rezultatin e mundimit, përkushtimit dhe bereqetit të tokës së Kosovës.
Vjelja e rrushit na dëshmon se koha dhe natyra janë aleatët tanë më të vlefshëm.
Vreshtarët e zot rahovecianë po mbajnë gjallë një traditë të vjetër, e cila nuk nisë me ne, por që me paraardhësit tanë, me ilirët.
Analet e historisë thonë se ilirët njiheshin për kultivimin e hardhive dhe prodhimin e verës me cilësi të lartë.
Ju po e vazhdoni këtë traditë të lashtë, po e gjallëroni ekonomikisht Rahovecin dhe gjithë Kosovën.
Thuhet se historia e një vere fillon me hardhinë, ndaj sot tek po filloni fushatën e vjeljes, sigurisht që keni në vëmendje edhe cilësinë e verërave të Rahovecit, të cilat tashmë janë bërë pjesë e tregjeve në shumë vende të botës.
Vjelja e rrushit është rezultat i përpjekjes suaj njerëzore dhe i mrekullisë së natyrës. Ky rrush sot ndodhet në tryezat tona dhe të secilit kosovar si një dëshmi e bollëkut të tokës së Kosovës dhe si pasuri që ndihmon gjallërimin tonë ekonomik si shtet.
Prandaj kjo ditë nuk është thjesht një moment, por festë e lidhjes sonë me tokën dhe me njëri-tjetrin dhe dëshmi e ndërthurjes së ciklit natyror me jetën tonë.
Kjo festë sjellë gëzim në shtëpitë tuaja dhe shtëpitë e secilit rahovecianë, sepse rrushi zakonisht ndahet me të tjerët.
Secila kokërr e tij është mundi dhe djersa juaj e artë. Në këtë ditë dhe për rrushin tonë, duhet të ngrehim të gjithë dolli dhe nuk ka vend më adekuat për t`i cakërruar gotat, sesa festivali Hardh Fest, i cili nëpërmjet rrushit e verës po e promovon Kosovën, gjithandej nëpër botë.
Në funksion të kësaj trashëgimie, natyrisht që përgjatë viteve që vijnë edhe Presidenca e Republikës së Kosovës do ta marrë rolin e saj në përkrahje të kësaj feste të përvjetshme të begatisë së tokës sonë.
Hardh Festi është festival i rrushit, verës por edhe i miqësisë. Këtu gërshetohet në mënyrë fantastike tradita me modernen si një dedikim edhe për ata që janë kujdes më parë që këto hardhi të na japin rrushin e dëshiruar.
Ky festival përfaqëson harmoninë e shijeve, kulturave dhe traditave. Ndërsa shijojmë shijen e rrushit dhe verës, le të reflektojmë edhe për punën e palodhur të vreshtarëve e verëtarëve të shkathtë, të cilët këtë rrush e shndërrojnë në vepër arti që kënaq sytë por edhe shpirtin tonë.
Vreshtat tona janë, jo vetëm që prodhojnë rrush të shijshëm, por kontribuojnë në ruajtjen e mjedisit, duke na kujtuar përgjegjësinë tonë për kujdesin dhe mbrojtjen e pasurive tona natyrore edhe për brezat që do të vijnë pas nesh.
Gëzuar për të gjithë! Të vjelat qofshin po aq të bollshme sa pasioni juaj për rrushin dhe për verën!