Presidentja Osmani: Porti i Durrësit kursen kohën dhe koston e bizneseve kosovare

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës së dytë të vizitës shtetërore që po zhvillon në Shqipëri, ka qëndruar në qytetin e Durrësit. Në një takim me kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako është diskutuar për sezonin turistik, si dhe mundësitë e bashkëpunimit me komunat e Kosovës. Më pas, Presidentja Osmani dhe kryetarja Sako kanë vizituar Pikën Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit, me ç`rast kanë takuar drejtorin e Doganave të Kosovës, Agron Llugaliu dhe homologun e tij nga Shqipëria, Genti Gazheli. Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e përdorimit të këtij Porti nga ana e bizneseve kosovare. Sipas saj, Kjo Zyrë kursen kohën dhe koston, sikurse edhe e lehtëson operimin e bizneseve kosovare në tregjet ndërkombëtare. Ndërkaq të dy drejtorët e doganave kanë prezantuar bilancin e shkarkimit të mallërave nga Kosova në këtë Port dhe mundësive për përdorim më të shumtë të tij në këtë funksion.
Presidentja Osmani ia dorëzoi shkrimtarit Ismail Kadare Dekretin e nënshtetësisë së Republikës së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ia ka dorëzuar sot shkrimtarit Ismail Kadare, Dekretin e nënshtetësisë së Republikës së Kosovës. “Sot shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, nderit të kombit tonë, ia dorëzova Dekretin e nënshtetësisë së Republikës së Kosovës. Mirë se vini Ismail Kadare në familjen e madhe të Kosovës! Rrëfimet tuaja le të vazhdojnë ta pushtojnë botën duke na kujtuar fuqinë e letërsisë për t`i formësuar perspektivat, sfiduar normat dhe nxitur dialogun!”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Ceremonia e dhënies së Titullit ‘’Patron i Kalasë’’ nga Kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo
Presidentes Osmani i ndahet titulli “Patroni i Kalasë”, më i larti i qytetit të Beratit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës shtetërore që po zhvillon në Shqipëri, ka vizituar qytetin e Beratit, me ç`rast kryetari i Bashkisë, Ervin Demo ia ka akorduar titullin “Patroni i Kalasë”, më i larti që e jep ky qytet. Në një ceremoni të organizuar, në të cilën morën pjesë edhe anëtarë të Këshillit Bashkiak, Presidentja Osmani derisa ka pranuar titullin ka theksuar se ky nder që ia bën qyteti i Beratit e ngarkon gjithashtu me përgjegjësi për promovimin e Kalasë dhe trashëgimisë së pasur të Beratit, në përgjithësi. “Titulli “Patroni i Kalasë”, bart në vete një përgjegjësi të madhe. Ai nënkupton jo vetëm një nder personal, por një angazhim për një kauzë më të madhe siç është mbrojtja e trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore. Kalatë sikurse kjo e Beratit nuk janë thjesht vetëm ngrehina fizike, por traditë dhe krenari e bartur ndër shekuj”, ka theksuar Presidentja Osmani. Sipas Presidentes Osmani, kalaja e Beratit është testament i brezave para nesh dhe një trashëgimi botërore që mbrohet nga UNESCO. “Sikurse Shqipëria edhe Kosova ka trashëgimi të pasur kulturore, të denjë për UNESCO, organizatë në të cilën synojmë të anëtarësohemi, ndaj përvoja e Shqipërisë në këtë rrugëtim do të jetë mjaft e dobishme për ne”, është shprehur Presidentja në ceremoninë e pranimit të titullit.
Aktivitet i përbashkët i Presidentes Vjosa Osmani dhe Presidentit Bajram Begaj me rastin e Ditës së Nënë Terezës në ekspozitën e Arkivave
Intervista e Presidentes Vjosa Osmani me Grida Dumën në Top Story
Presidentja Osmani u prit në takim nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Shqipëri është takuar me kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe përfaqësuesit e partive politike në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas Presidentes Osmani, diplomacia parlamentare ka rol jetik në promovimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani dhe kryeparlamentarja Nikolla, diskutuan edhe për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet organeve legjislative të të dy shteteve si dhe shkëmbimit të përvojave e kapaciteteve. Sipas Presidentes Osmani, ekziston përkushtim i përbashkët për avancimin e interesave të Kosovës dhe Shqipërisë, duke rritur koordinimin dhe bashkërendimin në fushën e politikës së jashtme. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani shtroi nevojën e vazhdimit të përkrahjes së delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare e Këshillit të Evropës për përfundimin me sukses të trajtimit të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë. Presidentja Osmani më tej ka theksuar se integrimi euroatlantik është synimi i përbashkët i të dy vendeve.
Presidentja Osmani u prit në takim nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Në kuadër të vizitës shtetërore në Shqipëri, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u prit në takim nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Gjatë takimit, Presidentja Osmani dhe kryeministri Rama diskutuan për aspekte të ndryshme me interes të përbashkët, duke përfshirë rritjen e bashkëpunimin në politikën e jashtme, partneritetin ekonomik dhe stabilitetin rajonal. “Një bisedë përmbajtësore rreth aspiratës së përbashkët evropiane të Kosovës dhe Shqipërisë. Duke punuar së bashku, Kosova dhe Shqipëria mund të hapin rrugën për një të ardhme më të ndritshme dhe më të integruar”, ka theksuar Presidentja Osmani. Të dy liderët shprehën përkushtimin për fuqizimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë si dhe për të punuar së bashku në përmbushjen e objektivave të përbashkëta, të cilët ndërlidhen me rrugëtimin euroatlantik. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani, theksoi është në interesin e të dy shteteve dhe atë rajonal që të ketë një koordinim të ndërsjellë në politikën e jashtme, në funksion të integrimit të të dy shteteve në familjen euroatlantike. Ndërkaq në raport me procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani tha se Kosova është palë konstruktive, teksa potencoi se njohja reciproke, ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës duhet të jenë rezultati i këtij procesi. Presidentja Osmani dhe kryeministri Rama shprehën optimizmin e tyre për të ardhmen e marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri dhe vunë theksin në potencialin për rritje të bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të dyanshëm.
Konferenca për media e Presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmani me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj
Pritja me nderime të larta shtetërore e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj