Presidentja: Populli i Kosovës solidarizohet me popullin e Marokut në këtë kohë tragjike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se i urojmë forcë, rimbëkëmbje dhe shërim të gjithë të prekurve nga tërmeti shkatërrues në Marok.   “I urojmë forcë, rimbëkëmbje dhe shërim të gjithë të prekurve nga tërmeti shkatërrues në Marok. I shprehim ngushëllimet tona të përzemërta familjeve që humbën të dashurit e tyre sot. Populli i Kosovës solidarizohet me popullin e Marokut në këtë kohë tragjike”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja: Mbajta e Lojërave Mesdhetare 2030 në Kosovë, triumf i jashtëzakonshëm i sportit kosovar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur triumf të jashtëzakonshëm të sportit kosovar, pasi që Kosova ka fituar të drejtën për t’i organizuar Lojërat Mesdhetare 2030. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Triumf i jashtëzakonshëm i sportit kosovar! Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare 2030 duke i hapur dyert për 26 shtete nga tri kontinente dhe afër 5 mijë sportistë. Përgëzime për Komitetin Olimpik të Kosovës dhe të gjitha institucionet e Kosovës të angazhuara në këtë arritje të madhe. Pa dyshim se Lojërat Mesdhetare do të jenë frymëzim për shumë të rinj e të reja, si dhe për sportistët kosovarë që të prekin majat e suksesit!

Presidentja Osmani u prit në takim nga Admirali Rob Bauer, Kryesues i Komitetit Ushtarak të NATO-s

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në selinë e NATO-s, është pritur në takim nga Admirali Rob Bauer, Kryesues i Komitetit Ushtarak të NATO-s. Në takim u diskutua për kontributin e jashtëzakonshëm të NATO-s për lirinë dhe sigurinë e vendit tonë, thellimin e bashkëpunimit Kosovë-NATO, si dhe koordinimin ndërmjet institucioneve te sigurisë së Republikës së Kosovës dhe KFOR-it. Presidentja shprehu mirënjohjen e thellë për përkushtimin e grave dhe burrave nga forcat aleate për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend dhe rajon. Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit të sigurisë në vend e rajon, përfshirë edhe sulmet e vazhdueshme nga grupet kriminale serbe në veri të vendit kundër forcave të NATO-s, Policisë së Kosovës, qytetarëve e gazetarëve, me ç’rast, Presidentja theksoi se sfidat e sigurisë nuk janë asnjëherë individuale, por përgjegjësi kolektive. Në këtë frymë, Presidentja nënvizoi se Republika e Kosovës, si partnere e përkushtuar e NATO-s, do të vazhdojë të punojë ngushtë me aleatë për t’i adresuar bashkërisht sfidat e sigurisë, si dhe për ta promovuar paqen dhe sigurinë. Presidentja Osmani foli edhe për vendosmërinë e palëkundur të Kosovës për anëtarësim në NATO, dhe përfshirjen në Programin e Partneritetit për Paqe, duke nënvizuar nevojën për kreativitet dhe fleksibilitet për ta lehtësuar integrimin e plotë në NATO.

Presidentja Osmani në takim me Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg: Lidhja e Kosovës me NATO-n, është e përjetshme

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot në takim nga Sekretari i Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në selinë qendrore të NATO-s. Takimi trajtoi zhvillimet e sigurisë ne vend dhe çështje të ndryshme të interesit të përbashkët, si dhe nevojën për vazhdim dhe thellim të bashkëpunimit. Në takim, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të NATO-s, për lirinë dhe sigurinë e popullit të Kosovës, si dhe ruajtjes së paqes në rajon. Në këtë frymë, Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e palëkundur të institucioneve të Kosovës për ta vazhduar bashkëpunimin me aleatët tanë në NATO dhe misionin e KFOR-it në përpjekjet e përbashkëta për paqe dhe siguri afatgjate. Në takim u diskutua edhe për sfidat e sigurisë me të cilat po përballet rajoni dhe kontinenti ynë si rezultat i agresionit së Rusisë kundër Ukrainës dhe popullit të saj, përfshirë këtu edhe përpjekjet destabilizuese përmes satelitëve të saj në rajonin tonë. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani theksoi se Kosova vazhdon të qëndrojë në anën e drejtë të historisë, duke bashkërenduar politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me aleatët e saj, dhe duke mbështetur popullin e Ukrainës. Në lidhje me zhvillimet e fundit të sigurisë në rajon, përfshirë edhe sulmet e dhunshme në veri të vendit nga grupet kriminale të mbështetura nga Beogradi kundër forcave të NATO-s, Policisë së Kosovës, qytetarëve e gazetarëve, Presidentja theksoi nevojën për përgjegjësi për këto sulme për ta parandaluar përsëritjen e tyre, ndërsa theksoi se Serbia përmes përpjekjeve të saj destabilizuese vazhdon edhe frikësimin dhe kërcënimin kundër qytetarëve serb të Kosovës, përfshirë edhe zyrtarët policor serbë të Policisë së Kosovës dhe institucioneve tjera. Për sa i përket anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe përfshirjen në Programin e Partneritetit për Paqen, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë strategjike në këtë drejtim. Ajo bëri thirrje për kreativitet dhe fleksibilitet për ta lehtësuar integrimin e Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqen, si vlerë e shtuar drejt anëtarësimit të plotë në NATO. Në përfundim, Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës ndaj paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit me NATO-n dhe aleatët e saj. Ajo theksoi nevojën për përpjekjet e përbashkëta për t’i adresuar sfidat e sigurisë në rajon dhe për ta siguruar një të ardhme të sigurtë për Kosovën dhe rajonin në përgjithësi.

Presidentja: Kushtetuta e Kaçanikut simbolizon përkushtimin tonë dhe guximin e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës për t`i dhënë drejtimin përpjekjes për liri, demokraci e shtet të pavarur demokratik

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në 33 vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut ka thënë se Kushtetuta e Kaçanikut, simbolizon përkushtimin tonë dhe guximin e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës për t`i dhënë drejtimin përpjekjes për liri, demokraci e shtet të pavarur demokratik. “Kushtetuta e Kaçanikut, simbolizon përkushtimin tonë dhe guximin e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës për t`i dhënë drejtimin përpjekjes për liri, demokraci e shtet të pavarur demokratik. Kjo Kushtetutë, mishëron parimet e barazisë, lirisë dhe demokracisë dhe mbetet guri themeltar i plotësimit të idealit të brezave për Kosovën Republikë, duke ngërthyer në vete vlerat perëndimore, aspiratë e përhershme e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Presidentja Osmani. Presidentja Osmani ka thënë se delegatet dhe delegatët e atëhershëm meritojnë respektin më të lartë. “Delegatet dhe delegatët e atëhershëm meritojnë respektin më të lartë, sepse me guximin e tyre, aktin më të lartë juridik e shndërruan në njërin nga hapat më të rëndësishëm të konsolidimit të identitetit të shtetit të ardhshëm të Kosovës”, ka theksuar Presidentja. Sipas Presidentes Osmani Dita e Kushtetutës së Kaçanikut , duhet të shërbejë si një moment reflektimi dhe nxitje për t`i përmbushur parimet e Kushtetutës sonë. “Dita e Kushtetutës së Kaçanikut , duhet të shërbejë si një moment reflektimi dhe nxitje për t`i përmbushur parimet e Kushtetutës sonë, sikurse edhe mbrojtjes e afirmimit të vlerave për të cilat është përcaktuar shoqëria kosovare”, ka thënë Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani udhëtoi për Bruksel për takime zyrtare në NATO

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Bruksel për vizitë zyrtare në selinë e NATO-s. Të enjten, në orën 14:00, Presidentja Osmani do të pritet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin do të realizojë takim bilateral. Pas përfundimit të takimit, Presidentja Osmani dhe Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg do t’i adresohen gazetarëve në një konferencë të përbashkët për media. Gjatë vizitës zyrtare në NATO, Presidentja do të ketë takim edhe me Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Rob Bauer. Presidentja do të realizojë takime edhe me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në NATO, Julianne Smith si dhe me përfaqësues të shteteve të tjera aleate. Përgjatë vizitës, Presidentja Osmani do të riafirmojë vendosmërinë e popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për avancimin e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, duke filluar me programin e Partneritetit për Paqe, forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit me aleatë, në veçanti për çështje të sigurisë, mirënjohjen e popullit të Kosovës për rolin dhe kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, si dhe përkushtimin për kontribut të përbashkët për paqe, stabilitet dhe siguri afatgjate në rajonin tonë.

Presidentja Osmani priti në takim pune komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jasharin

Para udhëtimit zyrtar për në selinë e NATO-s, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim pune komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jasharin. Me këtë rast, Presidentja Osmani në cilësi të Komandantes Supreme të FSK-së, u njoftua nga gjenerallejtënant Jashari me aktivitetet dhe zhvillimet aktuale në FSK, me theks të veçantë për procesin e realizimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit gjatë vitit 2023 dhe rritjen e mirëqenies se ushtarëve dhe ushtarakëve të FSK-së. Po ashtu, Presidentja Osmani diskutoi me gjenerallejtënant Jasharin për bashkëpunimin dhe koordinimin e ngushtë me partnerin kryesor strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me shtetet e tjera të NATO-s, lidhur me çështje të sigurisë në vend dhe rajon. Të dy ritheksuan se vizioni ynë i përbashkët është që Republika e Kosovës të zhvillojë ushtrinë e saj në përputhje me standardet e vendeve anëtare të NATO-së, për të qenë forcë e ndërveprueshme në misionet e përbashkëta me forcat aleate në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe globale.

Presidentja Osmani uron Policinë e Kosovës për ditën e themelimit: Ata janë gardianë të sigurisë sonë, të mbrojtjes së sovranitetit të Republikës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Policinë e Kosovës për ditën e themelimit. “6 shtatori shënon një moment historik, të rëndësishëm në historinë e Kosovës – ditën e themelimit të Policisë së Kosovës”, ka thënë Presidentja Osmani. Presidentja Osmani ka thënë se “Sot Policia e Kosovës është shndërruar në një simbol të përkushtimit, guximit dhe profesionalizmit të palëkundur për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve, pa dallim. Ata janë gardianë të sigurisë sonë, të mbrojtjes së sovranitetit të Republikës”. Sipas Presidentes Osmani gra e burra të Policisë së Kosovës janë kurdoherë të gatshëm për t’iu përgjigjur çdo situate. “Gra e burra të Policisë së Kosovës janë kurdoherë të gatshëm për t’iu përgjigjur çdo situate, për ta ofruar ndihmën e tyre dhe për ta mbrojtur rendin dhe ligjin, ndaj një falënderim i përzemërt për secilin prej tyre! Zotimi, përkushtimi dhe profesionalizmi juaj, janë shpresë dhe garanci për qytetarët e Kosovës për një mjedis të qetë dhe të sigurt! Urime dita e themelimit të Policisë së Kosovës!”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Zotëria i Parë, Prindon Sadriu me disa aktivitete të përbashkëta me Zonjën e Parë të Shqipërisë, Armanda Begaj

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në vizitën dy ditore shtetërore në Shqipëri ku ka qëndruar me ftesë të presidentit Bajram Begaj është shoqëruar nga Zotëria i Parë, Prindon Sadriu. Pëveç në takime të përbashkëta me Presidenten Osmani, Zotëria i Parë zhvilloi një sërë aktivitetesh të veçanta me Zonjën e Parë. Në takim me Zonjën Begaj, Zotëria i Parë, Prindon Sadriu e ka falënderuar për pritjen madhështore për Presidenten Osmani dhe delegacionin e saj. Raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë u vlerësuan si të shkëlqyeshme, teksa Zotëria i Parë dhe Zonja e Parë u zotuan për angazhim të vazhdueshëm të tyre për thellimin e mëtejmë të marrdhënieve në fushën e afirmimit të vlerave kombëtare dhe fuqizimit të grupeve të margjinalizuara të shoqërisë. Zotëria i Parë, i cili njëherësh është edhe ushtarak në rezervë, gjatë vizitës shtetërore në Shqipëri është pritur në takim ushtruesi i detyrës të komandantit të Kolegjit të Mbrojtjes, Arben Toska si dhe kolonel Emëror Hajdarasi nga Akademia e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë. Me këtë rast, z. Sadriu, u njoftua me organizimin, funksionimin si dhe synimet për të ardhmen e Akademisë, krahas vlerësimit të mundësive për thellimin e bashkëpunimit të mëtejmë në mes të dy akademive. Zotëria i Parë i shprehu falënderime Akademisë për aftësimin profesional të shumë kuadrove të FSK-së përgjatë dekadave të kaluara. Më pas, nënkolonel Sadriu, në cilësinë e kryetarit të Shoqatës së Oficerëve Rezervë të Kosovës, ka realizuar takim me krerët e Shoqatës së Oficerëve Rezervë të Shqipërisë, ku është pritur nga Kolonel Hamit Gojani, president i shoqatës si dhe bashkëpunëtorët e tij. Nënkolonel Sadriu shprehu kënaqësinë që bashkëpunimi mes dy shoqatave i realizuar para disa viteve ka rezultuar me suksese të përbashkëta dhe është në rrugë të mbarë të fuqizohet edhe më tej. Përveç afirmimit dhe avokimit për të drejtat e rezervistëve, ai theksoi se synimi kryesor i Shoqatës është anëtarësimi me status të plotë në Shoqatën e ushtarakëve rezervë të NATO-s (CIOR). Zotëriut të Parë iu nda Certifikatë Nderi nga presidenti Gojani në shenjë mirënjohje të kontributit të z. Sadriu. Përveç takimeve zyrtare, Zotëria i Parë, ka realizuar edhe vizita në Muzeun Publik Kombëtar “Shtëpia me gjethe”, si dhe Muzeun “Bunkart 1” dhe “Bunkart2”, ku u njoh me elementet shkrimore e materiale me karakter historik, kombëtar, shkencor, kulturor e artistik të tyre. Në kuadër të këtyre aktiviteteve kulturore, Zotëria i Parë, mori pjesë në ekspozitën dedikuar Nënë Terezës, në ceremoninë e dorëzimit të dekretit të nënshtetësisë së Kosovës, shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare si dhe vizitën në Torrën Veneciane në Durrës. Në vazhdën e kësaj vizite, Zotëria i Parë, ka marrë pjesë në darkën shtetërorë të shtruar nga Presidenti Begaj. Më pas, Zotëria i Parë, mori pjesë në ceremoninë e dhënies së titullit “Patroni i Kalasë”, të akorduar nga qyteti i Beratit për Presidenten Osmani, në vizitën në Zyrën Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit si dhe takimin me kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako.

This site is registered on wpml.org as a development site.