Presidentja Osmani, priti në takim komandantin në ardhje të KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş

Në prag të marrjes së detyrës së komandantit të ri të KFOR-it, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti dje në takim gjeneralmajor Özkan Ulutaş, shoqëruar nga komandanti aktual, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia. Me këtë rast, Presidentja Osmani shprehu besimin e plotë në bashkëpunimin e ngushtë me Gjeneral Ulutaş gjatë udhëheqjes së tij të KFOR-it në përmbushjen e synimeve të përbashkëta për paqe dhe siguri në Kosovë dhe rajon. Po ashtu, gjatë takimit Presidentja Osmani ka theksuar nevojën për rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit në mes të KFOR-it dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, në funksion të menaxhimit efektiv të sfidave të mjedisit të sigurisë rajonale dhe më gjerë. Ajo e njoftoi komandantin në ardhje të KFOR-it për këto sfida të sigurisë, të cilat në veri të vendit shkaktohen për shkak të strukturave ilegale të dirigjuara nga Serbia, të cilat poashtu kanë udhëhequr sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it më 29 maj si dhe sulmet e njëpasnjëshme ndaj policisë së Kosovës dhe gazetarëve.
Presidentja Osmani priti në takim ministrin e Turizmit të Izraelit, Haim Katz

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ministrin e Turizmit të Shtetit të Izraelit, Haim Katz. Presidentja Osmani ka përshëndetur nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët ndërmjet Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Turizmit të Shtetit të Izraelit për bashkëpunimin në fushën e turizmit, duke nënvizuar rëndësinë e kësaj Deklarate në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e turizmit dhe shkëmbimit të përvojave. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka shprehur edhe nevojën që të finalizohet procesi i heqjes së vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, i cili do të ndikonte në ndërveprim të shtuar në mes të qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve të të dyja vendeve. Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin me Izraelin në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Presidentja Osmani është shprehur e kënaqur me nivelin e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit në mes të dyja shteteve, ndërsa ka theksuar se forcimi i mëtejmë i raporteve ndërshtetërore do të rikonfirmohet edhe gjatë vizitës zyrtare të Presidentes në Izrael, me ftesë të Presidentit Herzog.
Fjalimi i Presidentes Osmani në përurimin e bustit të Nënë Terezës në hapësirën e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup

I nderuar ambasador Qehaja, Të nderuar të pranishëm, ju falënderojmë që të gjithëve për praninë tuaj sot, I nderuar president Pendarovski, I nderuar president Begaj, I nderuar kryetar i Kuvendit, z.Xhaferi, Të nderuar përfaqësues diplomatik, Zoti ministër i Jashtëm, zonja ministre, Të nderuar zyrtarë të institucioneve shtetërore të Maqedonisë së Veriut, Të nderuar deputetë të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Të nderuar përfaqësues të partive politike, Të nderuar përfaqësues të klerit, Të nderuar të pranishëm, Në jetën e saj të bujshme, nëna jonë Terezë bashkoi njerëzit, popujt dhe kulturat. Me veprën e saj jetësore, ajo u bë shpresa për të varfrit, frymëzim për njerëzimin dhe udhërrëfyese e përbotshme. Sot jemi këtu për ta përjetësuar figurën e saj në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup, në vendin e saj të lindjes. Nga këtu, misionarja, humanistja, nobelistja e shenjëtorja jonë, nisi një udhëtim me qëllim, i cili do ta çonte përtej kufijve të atdheut të saj dhe në zemrat e miliona njerëzve në mbarë globin. Dashuria dhe ndjeshmëria ndaj njerëzve dhe njerëzimit është ana e fortë e karakterit dhe moralit të nënës sonë të madhe, ndaj në asnjë ditë të vetme të jetës së saj nuk reshti duke bërë vepra humane mbi bazën e dashurisë dhe dhembshurisë ndaj te tjerëve. Këtë e dëshmojnë edhe faktet historike, jeta dhe vepra e saj. “Unë ja kam dhanë besën e shqiptarit Zotit me prue dashni dhe paqe mbi gjithë botën”, thuhet në një letër dorëshkrim, të cilin Nënë Tereza, më 1989 ia ka drejtuar kreut të atëhershëm të Shqipërisë. Sot, jemi bashkë në këtë ceremoni nga të tri shtete fqinje, me të cilat lidhet historia personale e Nënë Terezës. Është e lindur në Shkup, prindërit e saj janë nga Kosova, ndërkaq në Shqipëri, respektivisht në Tiranë, jetuan dhe vdiqën njëra pas tjetrës nëna Drande dhe motra Age. Prandaj, jam e lumtur që sot jemi bashkë me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj , duke u bërë te gjithë bashkë në nderim të shënjtorës sonë si një simboli i miqësisë sonë ndërmjet shteteve, marrëdhënieve tona të shkëlqyeshme dhe të ardhmes sonë të ndritur në familjen euroatlantike. Shtetet tona janë shtylla të qëndrueshmërisë, vendosmërisë dhe miqësisë ndërmjet popujve tanë, në një rajon të trazuar. Afërsia jonë gjeografike, historia e ndërthurur dhe vizioni i përbashkët euroatlantik janë e përbashkëta jonë dhe shpresë për një rajon stabil dhe të zhvilluar ekonomikisht. Miqësinë tonë e bën më të fortë, figura e Nënë Terezës. Ajo po kthehet e skalitur në Shkupin e saj, ndërkaq ne të gjithë duhet të jemi krenar që botës i dhamë nënën më të madhe që njohu njerëzimi, nënën e nënave, Gonxhe Bojaxhiun, të Shenjten Terezë. “Me gjak unë jam shqiptare. Me shtetësi jam indiane. Me besim unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”. Këto janë fjalët e ikonës globale, simbolit të dhembshurisë, dashurisë dhe vetëmohimit – Nënës Terezë. Vepra e Nënë Terezës është një testament i gjallë i fuqisë së një individi për të bërë ndryshim. Me përkushtim të pakufishëm, ajo iu afrua atyre që shoqëria i kishte lënë me një anë, duke u kujdesur për të sëmurët, të varfëritë dhe njerëzit e tjerë në nevojë me një dashuri që nuk njihte kufij. Zemërgjerësia e saj, tejkaloi fetë, kombet dhe statuset shoqërore, duke bashkuar njerëzit nën flamurin e dhembshurisë dhe humanizmit. Ky bust, që do të përurohet sot, është simbol kujtese jo vetëm i jetës së Nënë Terezës, por edhe i vlerave që ajo mbrojti – mirësisë, përulësisë dhe dashurisë për njerëzit. Duke qenë bijë e nënës Dranafille Bojaxhiu nga Prizreni dhe babait Nikollë Bojaxhiut nga Gjakova, shikimi i saj në bust sikur është kthyer nga andej prej nga, gjeografikisht vijnë prindërit e saj, dhe na kthen në vëmendje ditët e errëta të luftës së vitit ‘99, kur ne na kërcënohej shfarosja nga regjimi i atëhershëm i Millosheviqit e kur Nëna Terezë mori në telefon presidentin Clinton dhe i tha: “Biri im bëj diçka për shqiptarët e mi”. Presidenti Clinton dhe e gjithë bota demokratike na dolën në ndihmë, derisa Shqipëria e Maqedonia e Veriut kishin hapur dyert e zemrat për qindra mijëra refugjatë nga Kosova. Kjo ditë në të cilën ne po e përurojmë bustin e Shën Terezës përkon me një ngjarje të hidhur, me përvjetorin e 11 shtatorit të vitit 2001, kur aleati ynë i përhershëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pësuan një ndër goditjet më të rëndë terroriste, nga sulmet e koordinuara terroriste, të cilat tronditën themelet e demokracisë dhe ndryshuan rrjedhën e historisë. Prandaj, nga ky përurim i bustit të Nënës që kontribuoi shumë për paqe e dashuri ndërmjet kombeve, duam sërish të kujtojmë mijëra viktimat që humbën jetën më 11 Shtator dhe të urojmë për paqe kudo në botë. Një botë ku dhuna dhe urrejtja zëvendësohen me ndjeshmëri, dhembshuri dhe respekt për njerëzimin, ashtu siç bëri dhe siç na la testament Nëna Terezë. Kjo, ngaqë në këtë botë mbijetojnë veprat e mira, ndaj nuk duhet të reshtim asnjëherë duke bërë vepra të tilla. “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Le t’i bëjmë ato gjëra të vogla dhe le t’i bëjmë me dashuri të madhe”, thotë Nëna Terezë. Nëna jonë Terezë nuk është vetëm bust i skalitur në mermer, por është në jetën e transformuar të miliona njerëzve dhe në dashurinë e pakufishme që dhuroi. Ambasada e Republikës së Kosovës , prej sot është e bekuar me prezencën e përhershme të Nënës Terezë! Shpirti i saj e ka gjetur paqen e përjetshme, ndërkaq trashëgimia e saj do të vazhdojë të na udhëheqë në rrugëtimin tonë drejt një bote më të dhembshur, më humane e më të mirë! Ju faleminderit shumë!
Presidentja Osmani takoi presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të takimit të liderëve të Procesit Bërdo-Brijuni, i cili po mbahet në Shkup, ka takuar presidenten e Republikës së Sllovenisë, Nataša Pirc Musar. Në takim, Presidentja Osmani e ka vlerësuar partneritetin në mes të dy vendeve, duke theksuar se Kosova vazhdon të jetë mirënjohëse për rolin aktiv të Sllovenisë në mbështetjen e të ardhmes evropiane të Kosovës. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani shtroi nevojën e mbështetjes së mëtejme sllovene dhe potencoi se synim shtetëror e strategjik i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe në NATO, por edhe organizata të tjera ndërkombëtare ku do të avancohen interesat e qytetarëve të Kosovës. Presidentja Osmani dhe homologia Pirc Musar diskutuan edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon. Sipas Presidentes Osmani, bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve është në funksion në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal pasi që Sllovenia është shembull për realizimin e reformave të nevojshme për anëtarësim në strukturat euroatlantike. Në raport me dialogun me Serbinë dhe shtensionimin e situatës në veriun e vendit, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka bërë hapa përmbajtësor në këtë drejtim dhe do të ketë qëndrim konstruktiv në tërë procesin e dialogut. Ajo, megjithatë shtoi, se rruga e vetme për paqe e stabilitet afatgjatë është atëherë kur rezultati përfundimtar i dialogut me Serbinë është njohja reciproke dhe ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës. Në takim u rikonfirmua përkushtimi për të vazhduar thellimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë mes Kosovës e Sllovenisë. Të dy krerët e shteteve diskutuan edhe për një gamë të gjerë temash, duke përfshirë rritjen e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, fuqizimin e grave dhe të rinjve, agjendën e gjelbër etj.
Presidentja Osmani: Ratifikimi i Marrëveshjeve të Procesit të Berlinit lehtëson komunikimin dhe rrit shkëmbimet ndërmjet Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të takimeve bilaterale përgjatë takimit të liderëve të rajonit të Procesit Bërdo-Brijuni që po mbahet në Shkup, ka takuar anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Željko Komšić dhe Denis Bećirović. Në këtë takim, ndër të tjera u diskutua ratifikimi i marrëveshjeve të Procesit të Berlinit nga Parlamenti i Bosnje e Hercegovinës, një obligim që rrjedh nga nënshkrimi i marrëveshjeve në nëntorin e vitit të kaluar. Presidentja Osmani ka theksuar se ratifikimi i marrëveshjeve nga ana e autoriteteve të BeH është, përveç një obligim edhe domosdoshmëri që do ta ndihmojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dy shteteve që do t’i kontribuonte rritjes së komunikimit dhe shkëmbimeve ndërmjet dy popujve. Sipas Presidentes Osmani, Kuvendi i Kosovës dhe katër shtetet e rajonit kanë ratifikuar marrëveshjet e Procesit të Berlinit, njëra nga të cilat parasheh lëvizjen vetëm me letërnjoftime me Bosnjën dhe Hercegovinën, ndaj është radha që të njëjtin veprim ta bëj edhe BeH-ja. Po ashtu, Presidentja Osmani vlerësoi se lidhja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve do t`i shtonte mundësitë për thellim të bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat e interesit te dyanshëm. Presidentja Osmani ka theksuar se arritja e vizionit të përbashkët e të dy shteteve për të qenë pjesë e familjes euroatlantike do t`i kontribuonte paqes, stabilitetit dhe prosperitetit afatgjatë të rajonit.
Presidentja Osmani në takimin Bërdo-Brione: Është interes strategjik që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat nga Bashkimi Evropian

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në takimin vjetor të krerëve të shteteve të rajonit në kuadër të Procesit të Bërdo-Brionen, në sesionin e përbashkët ka mbajtur një fjalim, në të cilin ka theksuar se Kosova është e vendosur për të vazhduar me reforma dinamike që forcojnë më tej demokracinë, mbështesin sundimin e ligjit dhe rrisin standardet e jetesës për të gjithë qytetarët, pa dallim. Përderisa aplikimi ynë për anëtarësim në Këshillin e Evropës po shqyrtohet nga Asambleja Parlamentare, është me rëndësi që Kosova të ecën përpara edhe me statusin e kandidatit në BE, në përputhje me zotimin e BE-së për perspektivë anëtarësimi për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Që nga takimi i fundit i këtij procesi, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka shënuar hapa të ndjeshëm suksesi në disa aspekte. “Kosova është një partner i besueshëm, një fqinj i mirë dhe një partner që punon shumë. Prandaj, mundësia për një lëvizshmëri më të madhe të qytetarëve tanë në zonën Schengen, është gjithashtu një mundësi e madhe për t’ua vërtetuar këtë të gjithëve në BE”, ka theksuar Presidentja Osmani. Në këtë kontekst, ka përmendur edhe përparimin në indekset ndërkombëtare që kanë të bëjnë me luftimin e krimit dhe korrupsionit, të drejtat e njeriut, fushën e teknologjisë informative, etj. Në një pjesë të fjalimit të saj, duke qenë edhe tema të takimit të sivjetëm të liderëve, Presidentja Osmani foli edhe për efektet e ndryshimeve klimatike dhe tha se Kosova është përcaktuar për ta ardhmen e gjelbër të saj. Presidentja tha se tranzicioni i gjelbër është mundësi e mirë për gjenerim të vendeve të punës, rritje të produktivitetit dhe sigurim të energjisë. Ndërkaq në raport me perspektivën e të rinjve të Kosovës, Presidentja Osmani tha se më shumë se gjysma e popullsisë së Kosovës është nën 30 vjeç, ndaj sipas saj ndërtimi i një mjedisi ku mundësitë për zhvillim social dhe ekonomik janë lehtësisht të disponueshme, janë prioritet në mënyrë që ata ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Kosovë.
Presidentja Osmani takoi presidentin e Kroacisë, Zoran Milanović

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në vazhdën e takimeve bilaterale në kuadër të Procesit Bërdo-Brijuni është takuar edhe me presidentin e Kroacisë, Zoran Milanović. Presidentja Osmani theksoi se Kroacia është një ndër aleatët kyç të Kosovës në rajon dhe strukturat euroatlantike, teksa marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë ndërtuar mbi lidhje miqësie që ekzistojnë historikisht ndërmjet dy shteteve. Ajo shprehu mirënjohjen e saj për gjithë mbështetjen që Kroacia ka dhënë për fuqizimin e shtetit të Kosovës. Të dy liderët diskutuan edhe mbi situatën në Kosovë dhe rajon, duke ritheksuar angazhimin për paqe e stabilitet. Presidentja Osmani e informoi Presidentin Milanovic lidhur me sfidat e sigurisë në veri të vendit të cilat po shkaktohen nga strukturat ilegale që organizohen, paguhen dhe nxiten nga Serbia. Presidentja Osmani ritheksoi gjithashtu synimin e Kosovës për anëtarësim në BE, NATO si dhe në Këshillin e Evropës, ku për momentin është duke u trajtuar aplikacioni i Kosovës në kuadër të Asamblesë Parlamentare. Mbështetjen nga Kroacia ajo e vlerësoi si kyqe në të gjitha këto procese. Takimi i të dy presidentëve në kuadër të Procesit Bërdo-Brijuni u përqendrua edhe në përkushtimin e Kosovës dhe Kroacisë për nxitjen e bashkëpunimit rajonal, adresimin e çështjeve jetike si integrimi evropian, perspektiva e të rinjve dhe tema të tjera të interesit të dyanshëm. Presidentja Osmani dhe presidenti Milanović, ndër të tjera në takim diskutuan dhe shprehën gatishmëri për ta rritur bashkëpunimin në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, ekonomisë, si dhe në sfera të tjera.
Presidentja Osmani takoi presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e cila krahas krerëve të shteteve të tjera të rajonit po merr pjesë në takimin Bërdo-Brione në Shkup, ka zhvilluar një takim me nikoqirin e takimit, presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Presidentja Osmani në këtë takim, rikonfirmoi përkushtimin për vazhdimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme e të qëndrueshme me Maqedoninë e Veriut dhe potencoi se të dy shtetet kanë vizion të përbashkët për një Ballkan Perëndimor stabil dhe të integruar në strukturat euroatlantike. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani shtroi nevojën e vazhdimit të mbështetjes nga Maqedonia e Veriut për anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke falënderuar këtë shtet për përkrahjen e deritanishme. Presidentja Osmani tha se me mbështetjen e shteteve mike Kosova mund të arrijë avancim përmbajtësor në procesin e anëtarësimit në BE dhe në NATO dhe se ecja përpara e vendit tonë në këtë rrugë i kontribuon edhe paqes dhe stabilitetit afatgjate në rajon. Presidentja Osmani e njoftoi homologun Pendarovski lidhur me hapat e ndërmarrë nga Kosova për deeskalimin e situatës në veri të vendit dhe theksoi nevojën e një përgjigjeje të unifikuar kundër përpjekjeve destablizuese të satelitëve të Rusisë si dhe kundër grupeve të krimit të organizuar. Në këtë takim, ndër të tjera, të dy presidentët, theksuan rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve politike, ekonomike dhe kulturore ndërmjet dy vendeve të tyre dhe shprehën përkushtimin e ndërsjellë për promovimin e paqes dhe stabilitetit rajonal.
Presidentja: 11 shtatori i vitit 2001 ndryshoi rrjedhën e historisë përgjithmonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se 11 shtatori i vitit 2001 ndryshoi rrjedhën e historisë përgjithmonë. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: 11 shtatori i vitit 2001 ndryshoi rrjedhën e historisë përgjithmonë. Sot, krahas aleatëve tanë amerikanë, nderojmë 3 mijë viktimat e sulmeve terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa riafirmojmë përpjekjet tona të çdoditshme në mbrojtje të lirisë e demokracisë, vlera të cilat definojnë miqësinë dhe partneritetin tonë të përhershëm.
Presidentja Osmani merr pjesë në takimin e liderëve të rajonit në Procesin Brdo-Brione që mbahet në Shkup

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Republikën e Maqedonisë së Veriut për të marrë pjesë në takimin vjetor të krerëve të shteteve të rajonit në kuadër të Procesit të Brdo-Brione. Në sesionin e përbashkët me liderë të rajonit, Presidentja Osmani do ta mbajë fjalim, ndërkaq më pas do të zhvillojë takime bilaterale me krerët e disa shteteve pjesëmarrëse. Takimi i Brdo-Brione është ngjarje vjetore multilaterale në të cilën takohen presidentët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor si dhe të Sllovenisë dhe Kroacisë, e ku fokusi kryesor është në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe anëtarësimin e rajonit në BE. Temat qendrore të takimit të sivjetem janë përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në BE, luftimi dhe zvogëlimi i pasojave nga ndryshimet klimatike në rajon, si dhe krijimi i kushteve për qëndrimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor. Procesi i Brdo-Brione është një nismë rajonale e bashkëthemeluar nga presidentët slloven dhe kroat në vitin 2010. Gjatë qëndrimit të Maqedoninë e Veriut, Presidentja Osmani, krahas presidentit Stevo Pendarovski dhe atij të Shqipërisë, Bajram Begaj do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të bustit të Shën Terezës në hapësirën e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup.