Presidentja Osmani takoi një grup të shoqatave të komunitetit shqiptar në SHBA

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, nën organizimin e aktivistit të mërgatës shqiptare dhe shërbimeve filantropike, z. Mark Gjonaj, ka takuar një grup të organizatave të komunitetit shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Presheva, Medvegja, Bujanovci dhe Mali i Zi, të cilat veprojnë në SHBA. Sipas Presidentes Osmani, ky takim me mërgatën shqiptare është dëshmi e lidhjeve të forta dhe të qëndrueshme ndërmjet popullit të Kosovës, si dhe komunitetit shqiptar në përgjithësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani, ka falënderuar komunitetin shqiptar, i cili përveç se në forcimin e lidhjeve të Kosovës me SHBA-të, ka ndihmuar shtetin e Kosovës në procesin e lirisë, pavarëssisë dhe shtetndërtimit. “Ju jeni forca shtytëse e shumë proceseve nëpër të cilat ka kaluar Kosova. Liria dhe shteti jonë, janë rezultat edhe i angazhimit të vazhdueshëm të mërgatës sonë këtu, ndaj faleminderit për gjithçka që keni bërë dhe po bëni. Na duhet edhe mëtej angazhimi juaj. Kosova ka nevojë për mbështetjen tuaj dhe të SHBA-ve. E di që nuk hezitoni, ndaj presim që bashkërisht, pa dallim të angazhohemi që ta fuqizojmë shtetin tonë, krahas mbështetjes dhe koordinimit me aleatat tanë”, ka theksuar Presidentja Osmani. Më tej, Presidentja Osmani shtroi nevojën e ruajtjes dhe promovimit të kulturës dhe trashëgimisë sonë në Shtetet e Bashkuara, për të cilën gjë tha se rol më rëndësi luajnë shoqatat, të cilat i grumbullojnë shqiptarët. Në bashkëbisedim me mërgatën, Presidentja Osmani tha se Kosova pret mbështetjen e tyre edhe në fushën e investimeve. Sipas Presidentes Osmani, në Kosovë tashmë është krijuar një klimë e përshtatshme për investime, ndaj investimet nga mërgata janë të mirëseardhura. Ndërkaq përfaqësues të shoqatave që grumbullojnë shqiptarët në SHBA, falënderuan Presidenten Osmani për takimin dhe shprehën mbështetjen e palëkundur për Kosovën dhe përkushtimin për të ndihmuar iniciativa të ndryshme, të cilat synojnë zhvillimin dhe mirëqenien e shtetit.

Presidentja Osmani mori pjesë në shënimin e 10- vjetorit të Grave Lidere në Politikë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet Sesioni i 78 i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, mori pjesë në një ceremoni në të cilën u shënua 10 vjetori i Grave Lidere në Politikë. Në një adresim para grave tjera lidere, Presidentja Osmani foli për angazhimin dhe rolin e shquar të grave në epoka të ndryshme të historisë së zhvillimit të vendit. Ajo theksoi se Kosova, në 15 vjetët e pavarësisë së saj, shquhet për lidership të grave në politikë, teksa potencoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe rrjetëzimit të vazhdueshëm me qëllim të fuqizimit të grave në jetën publike. Presidentja Osmani në adresimin e saj, theksoi se Kosova po dëshmohet si vend lider në udhëheqjen e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe potencoi se fuqizimi i grave në fushën e sigurisë, si dhe në fusha të tjera, është mundësia më e mirë për ta avancuar shoqërinë në tërësi.

Presidentja Osmani takoi Mbretin e Jordanisë, Abdullahu II

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, është takuar me Mbretin e Jordanisë, Abdullahu II, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen që nga viti 1999 në vazhdimësi, sikurse edhe në GJND. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka shtruar nevojën e mbështetjes së mëtejme nga Mbretëria e Jordanisë në përpjekjet e Kosovës për të siguruar anëtarësime në organizata ndërkombëtare dhe njohje nga vendet arabe. Presidentja Osmani dhe Mbreti Adullah II, diskutuan për situatën aktuale në Kosovë dhe rajon, ndërkohë që të dy palët riafirmuan përkushtimin për paqe e stabilitet. Sipas Presidentes Osmani, ndërmjet të dy shteteve ka potencial për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes. Në këtë kontekst, ajo përmendi faktin se një ekip ushtarësh jordanezë janë trajnuar së fundmi në qendrën tonë të trajnimit të Kërkimit dhe Shpëtimit. Më tej, Presidentja Osmani, tha se Kosova është e interesuar të zhvillojë marrëdhënie të ngushta me Jordaninë në fusha me interes të ndërsjellë, si ekonomia, tregtia, mbrojtja, kultura, arsimi dhe turizmi. Të dy liderët shprehën optimizmin për të ardhmen e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Presidentja Osmani ka udhëtuar për New York për takime me liderë botërorë dhe organizata ndërkombëtare në kuadër të javës së Asamblesë së Përgjithshme

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në New York, ku në kuadër të sesionit të 78-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara do të zhvillojë takime me liderë botërorë dhe organizata ndërkombëtare. Presidentja është ftuar së bashku me Zotërinë e Parë, Prindon Sadriu, që të marrin pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden. Ndërkaq, Zotëria i Parë, gjithashtu është ftuar të marrë pjesë në një pritje të veçantë, të organizuar nga Zonja e Parë e SHBA-ve, Jill Biden. Përgjatë kësaj vizite, Presidentja në takime me homologët e saj do të flasë për zhvillimet e fundit në Kosovë, sikurse edhe për synimet e Kosovës për krijimin e raporteve me shtetet anëtare të OKB-së dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ajo poashtu do të marrë pjesë edhe në aktivitete e diskutime të shumta të organizuara nga shtetet aleate. Përveç takimeve, Presidentja do të mbajë diskutime në disa nga universitetet dhe institucionet më prestigjioze në SHBA. Në agjendën e Presidentes Osmani do të jenë edhe një sërë aktivitetesh të përbashkëta me mërgatën shqiptare në Amerikë si dhe disa nga shoqatat të cilat e zhvillojnë aktivitet në SHBA.

Presidentja Osmani u takua me Baroneshën Ashton dhe ish-diplomatin amerikan Philip Reeker

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot mori pjesë në drekën e punës me ish-përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikën e jashtme, Baroneshën Cathrine Ashton, dhe ish-diplomatin amerikan Philip Reeker. Të pranishëm ishin edhe ambasadori i SHBA-ve Jeffrey Hovenier, ambasadori i Britanisë së Madhe Nicholas Abbott, ambasadori i Francës Olivier Guérot, ambasadori i Norvegjisë Jens Erik Grøndahl, zëvendësshefja e zyrës së BE-së, Eva Palatova, si dhe zëvendësambasadori i Gjermanisë, Matthias Conrad. Gjatë takimit u diskutua për ecurinë dhe zhvillimet e fundit në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, si dhe nevojën për përfundimin me sukses të tij si kontribut i drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon.

Presidentja: Marrëveshja e nënshkruar sot është dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme të qeverisë dhe popullit amerikan ndaj Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe USAID kanë nënshkruar sot marrëveshjen e grantit në vlerë prej 34 milion e 727 mijë dollarë. Amendamenti nr.05 i marrëveshjes së grantit për objektivat zhvillimore u nënshkrua nga Presidentja Osmani në emër të Republikës së Kosovës dhe nga U.D drejtoresha e USAID znj.Kerry Monaghan Hogler, në emër të USAID. Postimi i plotë i Presidentes: Marrëveshja e nënshkruar sot, në shumën prej gati 35 milion dollarësh, është dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme të qeverisë dhe popullit amerikan ndaj Kosovës dhe popullit të saj. Mirënjohës për vendosmërinë e palëkundur të Shteteve të Bashkuara që të jenë krah nesh në përpjekjet tona për të ndërtuar një Kosovë të orientuar kah zhvillimi i përqendruar në nevojat e qytetarëve tanë.

Presidentja Osmani në takimin e Këshillit Konsultativ për Komunitete: Është angazhim i yni i përditshëm t`i sigurojmë mundësitë e barabarta për të gjitha komunitetet

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëhequr takimin e radhës të Këshillit Konsultativ për Komunitete, me të cilët ka bashkëbiseduar për sfidat dhe shqetësimet që kanë komunitetet. Sipas Presidentes Osmani, punësimi pa dallim përkatësie ruajtja dhe zbatimi i karakterit shumë gjuhësor të shoqërisë kosovare, që paraqet vlerat e saj unike shpirtërore, intelektuale, historike dhe kulturore, janë disa nga prioritetet dhe angazhimet e përditshme. Në takim me KKK-në, Presidentja Osmani ka theksuar se ky mekanizëm u jep mundësinë komuniteteve që të përfshihen në nisma legjislative dhe si rezultat, ta avancojnë pozitën e tyre në Kosovë. Më tej, Presidentja Osmani ka theksuar se Zyra e Presidentes ka zhvilluar takime të vazhdueshme me institucionet tjera dhe ka kërkuar zbatimin e rekomandimeve të këtij Këshilli. “Është angazhim i yni i përditshëm t`i sigurojmë mundësitë e barabarta për punësim në funksion të përmbushjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim përkatësie, si një parakusht përmbajtësor për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe realizim të potencialit të secilit”, ka theksuar Presidentja Osmani. Ndërkaq për çështjen e gjuhës dhe zbatimit të drejtave gjatë shpalljes së konkurseve në gjuhët zyrtare në Republikën e Kosovës, Presidentja Osmani ka theksuar se janë prioritet dhe se së shpejti priten rezultate konkrete, posaçërisht në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Policinë e Kosovës. Sipas Presidentes, vetëm në këtë mënyrë, komunitetet joshumicë mund ta realizojnë potencialin e tyre. Në takimin e Këshillit Konsultativ për Komunitete janë shqyrtuar, ndër të tjera edhe disa rekomandime dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me komunitetet.

Presidentja Osmani priti në takim Ambasadorin Hovenier

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit në vend. Ky takim u realizua po ashtu në prag të vizitës së Presidentes Osmani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më ç’rast do të marrë pjesë në javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme te Kombeve te Bashkuara ne New York. Presidentja Osmani dhe Amabasadori Hovenier diskutuan poashtu për marrëveshjen e grantit që do të nënshkruhet nesër me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe rëndësinë e vazhdimit të projekteve të përbashkëta.

This site is registered on wpml.org as a development site.