Presidentja Osmani takoi Presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka takuar Presidentin e Republikës së Letonisë, Edgars Rinkēvičs. Presidentja Osmani e uroi Presidentin Rinkēvičs për zgjedhjen e tij, duke shprehur përkushtimin që të vazhdohen përpjekjet e përbashkëta për thellimin e raporteve bilaterale në mes të Kosovës dhe Letonisë, të cilat kanë themelet në vlerat e përbashkëta demokratike, si dhe ngritjes së tyre në nivel të partneritetit strategjik. Krahas marrëdhënieve bilaterale, në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë, rajon e më gjerë, me ç’rast Presidentja Osmani ritheksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për paqe dhe siguri afatgjate. Presidentja Osmani ka falënderuar Presidentin Rinkēvičs për mbështetjen e vazhduar të Letonisë për rrugën euroatlantike të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Presidentja: Liria jonë është testament nga kolonel Ahmeti

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar kolonel Ahmet Krasniqin, në 25 vjetorin e vrasjes. Në vijim gjeni të plotë përkujtimin e Presidentes Osmani: 25 vite më parë, nga një vrasje tinzare në Tiranë, e fitoi përjetësinë kolonel Ahmet Krasniqi. Kolonelin e vranë, porse jo lirinë, idealin, ëndrrën dhe angazhimin e përjetshëm të tij. Për kolonelin ka kush të shkruaj sot e përjetë, sepse ai është historia jonë, ai është historia e shtetit të Kosovës. Veprimtaria e kolonelit është mbështetur mbi trashëgiminë e babait, të tij, i cili gjithashtu ishte një luftëtar për lirinë e kombit. Liria jonë është testament nga kolonel Ahmeti dhe qindra heronj, bashkëluftëtarë e bashkëpunëtorë të tij. Liria e Kosovës do të ketë më shumë kuptim kur borxhin ndaj kolonelit do ta përmbushim duke zbardhur vrasjen e tij. Qoftë i përjetshëm kujtimi për kolonel Ahmet Krasniqin!
Presidentja Osmani në pritjen e Presidentit Biden: Themelet e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës janë në aleancën e përhershme me SHBA-të

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden. Në një bashkëbisedim të ngrohtë me Presidentin Biden, Presidentja Osmani ka theksuar se në themelet e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës është aleanca e përhershme me SHBA-të. Rrjedhimisht, në këtë kontekst, ka përsëritur qëndrimin se partneriteti me Amerikën është ekzistencial, i pacenueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Presidentja poashtu pati mundësinë ta njoftojë Presidentin Biden për zhvillimet e fundit dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova. Pas këtij bashkëbisedimi, Presidentja Osmani theksoi se ka marrë garanca të fuqishme nga Presidenti Biden për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj Kosovës. Presidentja Osmani ka falënderuar Presidentin Biden për ndihmën, të cilën në vazhdimësi e japin SHBA-të për Kosovën në rrugën e saj drejt stabilitetit dhe zhvillimit.
Presidentja Osmani dekoron me Urdhrin e Lirisë, ish-kongresistin, Joe DioGuardi dhe aktivisten Shirley Cloyes DioGuardi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, në një ceremoni të mbajtur në Konsullatën e Kosovës, ka dekoruar me Urdhrin e Lirisë, ish-kongresistin, ish-kreun e Ligës Shqiptaro-Amerikane, mikun e madh të Kosovës, kontribuesin për lirinë dhe pavarësinë tonë, z. Joe DioGuardi dhe aktivisten Shirley Cloyes DioGuardi. Sipas Presidentes Osmani, Urdhri është falënderim i qytetatëve të Kosovës ndaj punës së palodhshme së tyre, për konributin e jashtëzakonshëm dhe angazhimin e pandërprerë për lirinë, demokracinë, dhe pavarësinë e Kosovës dhe si avancimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve. “Ju keni qenë zëri ynë në kohë të errëta! Ju keni qenë shpresa jonë në kohën e pashpresë. Ju keni qenë katalizator të afirmimit të kërkesave tona kudo në botë, ndaj liria jonë bartë edhe firmën tuaj”, ka theksuar Presidentja Osmani në këtë ceremoni. Dekorimi i Joe DioGuardi ka përkuar me ditëlindjen e tij të 83-të, të cilin e uroi Presidentja Osmani dhe theksoi se “Joe personifikon Amerikën, aleatën tonë të përhershme, ashtu siç na la amanet presidenti historik dr.Ibrahim Rugova”. Sipas Presidentes Osmani, Joe dhe Shirley janë kontribues të jashtëzakonshëm dhe miq të mëdhenj të Kosovës. “Ju të dy keni nga nje vend të posaçëm në zemrën e secilit kosovar! Ju na përkujtoni sa e zorshme ka qenë lufta jonë për të drejta, liri dhe pavarësi. Ju na kujtoni se pa mbështetjen e miqve nuk arrihen rezultate, ndaj zoti i bekoftë SHBA-të, zoti e bekoftë miqësinë tonë të përjetshme!”, ka thënë Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani takoi presidentin e Mauritanisë, Mohamed Ould Cheikh El Ghazouani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar një takim presidentin e Republikës Islamike të Mauritanisë, Mohamed Ould Cheikh El Ghazouani. Në takim me presidentin El Ghazouani, Presidentja Osmani e ka falënderuar për mbështetjen për Kosovën ndër vite, si dhe theksoi rëndësinë e thellimit tutje të marrëdhënieve bilaterale. U diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit ekonomik dhe tregtar, si dhe në fusha të tjera të interesit të përbashkët.
Presidentja Osmani në drekën tradicionale të përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell me krerët e Ballkanit Perëndimor

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka marrë pjesë në një drekë të organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë z. Josep Borrell. Në këtë takim, u diskutua për bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Presidentja Osmani shtroi nevojën e përshpejtimit të procesit dhe marrjen e vendimeve të nevojshme nga ana BE-së për integrimin e Kosovës, duke i dhënë statusin e vendit kandidat, si dhe anëtarësimin e shteteve të rajonit bazuar në përmbushjen e kritereve. Presidentja Osmani po ashtu ka theksuar se masat e BE-së ndaj Kosovës përveç që nuk i kontribuojnë avancimit të dialogut, ato, nëpërmjet pezullimit të projekteve të BE-së, më së shumti prekin interesat dhe mirëqenien e qytetarëve. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha e Kosova është palë konstruktive dhe e përkushtuar për paqe e stabilitet, e bashkërenduar tërësisht me politikat e BE-së edhe sa i përket sanksioneve dhe me procese reformuese të rëndësishme. “BE duhet t’i shpërblejë shtetet të cilat janë të bashkërenduara me BE dhe në të njëjtën kohë kanë ndërmarrë reforma, sidomos në sundimin e ligjit, ekonomi dhe standarde evropiane”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani takoi në New York kryeshefen ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York, ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka takuar kryeshefen ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme të MCC-së për zhvillimin ekonomik, respektivisht përmes investimeve në sektorin e energjisë në Kosovë nëpërmjet Programit Kompakt. Sipas Presidentes Osmani, ky program do të japë kontribut strategjik në përmirësimin e infrastrukturës energjetike, fuqizimin e sektorit privat, si dhe do të nxisë mundësitë ekonomike për qytetarët e Kosovës. Në takim u diskutua po ashtu edhe për mundësitë që nëpërmjet mbështetjes së tillë të përmirësohet qeverisja dhe të krijohet një mjedis gjithnjë e më i favorshëm për bizneset dhe investitorët e huaj. Programi Kompakt kap vlerën prej 236.7 milionë dollarësh dhe është investimi më i madh i pasluftës në fushën e energjisë, i cili do të ketë rol strategjik në procesin e tranzicionit energjetik në Kosovë. Presidentja Osmani ka theksuar se investimet sikurse ky i MCC-së, më shumë se sa vlerën monetare, shpërfaqin raportin e Kosovës me SHBA-të, një aleate strategjike dhe mbështetëse e madhe në të gjitha fazat.
Presidentja Osmani takoi këshilltarin e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Derek Chollet dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, është takuar me këshilltarin në Departamentit Amerikan të Shtetit, z. Derek Chollet dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Në takim me zyrtarët e lartë amerikanë, Presidentja Osmani ka zhvilluar diskutime përmbajtësore lidhur me zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë. “Suksesi i dialogut varet nga qasja parimore dhe e barabartë për zbatimin e plotë të marrëveshjes, por edhe nga angazhimi dhe roli prijës i SHBA-ve, e cila është çelësi për përmbylljen e suksesshme të dialogut dhe që do të çonte në njohje të ndërsjellë”, ka theksuar Presidentja Osmani. Më tej, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve dhe potencoi se Kosova është e interesuar të ecë përpara në rrugëtimin euroatlantik, me mbështetje dhe koordinim me aleatët.
Presidentja Osmani takoi në New York, kryeminstrin e Libanit, Najib Mikati

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Neë York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Libanit, Najib Mikati. Në takim, Presidentja Osmani ka theksuar përkushtimin e Kosovës për formalizimin e marrëdhënieve diplomatike. Presidentja Osmani e ka njoftuar kryeministrin Mikati edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë. Të dy bashkëbiseduesit diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit në fushat e interesit të përbashkët. Në takim me kryeministrin Mikati, Presidentja Osmani foli edhe për organizimin e edicionit të dytë të Forumit global të Grave, Paqes dhe Sigurisë që mbahet më 23 tetor të këtij viti dhe i bëri ftesë për pjesëmarrje atij dhe zyrtarëve të tjerë libanezë.
Presidentja Osmani takoi presidentin e Kenias, William Ruto

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar një takim me presidentin e Kenias, William Ruto. Në këtë takim, Presidentja Osmani e ka falënderuar homologun Ruto pas vendimit të Kenias për njohjen e pasaportave të Republikës së Kosovës dhe në të njëjtën kohë ka shtruar nevojën e thellimit të marrëdhënieve diplomatike në të mirë të qytetarëve dhe shteteve. “Mezi presim ndërmarrjen e hapave të përbashkët që do t`i afrojnë tutje vendet dhe popujt tanë”, ka theksuar Presidentja Osmani. Në takim, ndër të tjera u diskutua edhe për mundësinë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Kenias, si dhe nxitjen e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike. Presidentja Osmani në një pjesë të takimit foli edhe për përkushtimin e Kosovës për zhvillim të qëndrueshëm dhe mundësinë e nismave të përbashkëta në fusha të tilla si energjia e rinovueshme dhe ndryshimet klimatike.