Presidentja Osmani e shpallë të hënën ditë zie shtetërore në nderim të policit të vrarë, Afrim Bunjaku

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e hënë, 25 shtator 2023, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të vendit. Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së hënë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Deklaratë e Presidentes Osmani pas sulmeve ndaj policisë së Kosovës në veri

“Vrasja e një polici dhe plagosja e një polici tjetër në veriun e Kosovës, e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, është sulm ndaj rendit dhe ligjit në veriun e vendit, është sulm ndaj Kosovës. Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po e destabilizojnë Kosovën dhe rajonin. Sulmet e organizuara kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës. Përveç dënimit të ashpër të këtij agresioni të hapur të Serbisë ndaj Kosovës, pres që aleatët tanë ta mbështesin Kosovën në përpjekjen e saj për vendosjen e rendit dhe ligjit si dhe ruajtjen e sovranitetit në çdo pjesë të Republikës së Kosovës. Familjes së policit të vrarë ju shprehim ngushëllime të thella dhe i sigurojmë se autorët e këtyre akteve terroriste nuk do të mund t’i ikin drejtësisë. Ftoj të gjithë qytetarët, institucionet dhe subjektet politike që të qëndrojnë të bashkuar në këtë kohë kur po sfidohet hapur integriteti territorial, siguria dhe sovraniteti i Republikës sonë. Si Presidente e Republikës kam besimin e plotë në djemtë dhe vajzat tona nga Policia e Kosovës”. Zyra e Presidentes njofton se shkaku i situatës së krijuar, Presidentja Osmani i ka anuluar të gjitha aktivitetet e parapara për të hënën dhe të martën në New York, dhe qysh sot do të niset për në Kosovë.

Presidentja Osmani takoi Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC), Hissein Brahim Taha

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC), Hissein Brahim Taha. Gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu vlerësimin për mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm të OIC-ja, veçanërisht për Rezolutën vjetore të inicuar nga OIC-ja, e cila bën thirrje për njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare të kësaj organizate. Në këtë frymë, Presidentja shfaqi shpresën që shtetet anëtare, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë në një të ardhme të afërt. Presidentja Osmani dhe Sekretari i Përgjithshëm Taha përsëritën përkushtimin e tyre për nxitjen e marrëdhënieve më të fuqishme e produktive ndërmjet Kosovës dhe OIC-së. Sipas Presidentes Osmani, Kosova ka potencial të konsiderueshëm të pashfrytëzuar për investime të huaja në sektorë të ndryshëm. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani shtroi nevojën e eksplorimit të fushave të mundshme për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe shteteve anëtare të OIC-së, me fokus të veçantë në tregti dhe investime. Në takim, Presidentja Osmani i bëri ftesë Sekretarit të Përgjithshëm Taha që në të ardhmen e afërt të vizitojë Kosovën për t`i shqyrtuar më tej mundësitë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.

Zotëria i Parë i ftuar në pritjen e organizuar nga Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara

Zoëtria i Parë i Republikës së Kosovës, Prindon Sadriu mori pjesë në pritjen e organizuar nga Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Dr. Jill Biden në kuadër të Javës së Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në bashkëbisedim me Dr. Biden, Zotëria i Parë e ka shprehur mirënjohen e thellë për mbështetjen e SHBA-ve, si dhe për raportin unik të ndërtuar ndër vite. Po ashtu, është konfirmuar edhe lidhja e veçantë që familja Biden e ka me Kosovën, ndërsa të dyja palët kanë diskutuar edhe për mundësitë për fuqizim akoma më të thellë të raporteve ndërmjet dy vendeve. Me këtë rast, Zotëria i parë e ka theksuar edhe njëherë se Kosova do të ishte e nderuar me një vizitë të familjes presidenciale në të ardhmen e afërt. Në këtë pritje, Zotëria i Parë është takuar dhe ka pas rastin të bashkëbisedoj edhe me Zonjat e Para dhe zyrtarë nga vendet mike, por edhe ato jonjohëse.

Presidentja Osmani takoi kryeministrin e Grenadës, Dickon Mitchel

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Grenadës, Dickon Mitchel. Në këtë takim, Presidentja Osmani ka përgëzuar kryeministrin Mitchel për reformat e në shtetin e tij dhe ka theksuar se të dy shtetet kanë mundësi t`i shkëmbejnë përvojat në këtë fushë. Presidentja Osmani theksoi, gjithashtu se ky takim afirmon marrëdhëniet e mira diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Grenadës dhe në këtë kontekst ka shtruar nevojën e mbështetjes për Kosovën në përpjekje për ta fuqizuar pozitën ndërkombëtare. Të dy liderët theksuan rëndësinë e mbajtjes së linjave të hapura të komunikimit dhe bashkëpunimit për t`i adresuar sfidat e përbashkëta në skenën globale. Në takim, ndër të tjera u diskutua edhe për bashkëpunimin bilateral në fushat e interesit të dyanshëm.

Presidentja Osmani në Konferencën Globale të Grave Lidere (GPWC) 2023: është thelbësore të kuptohet se lidershipi nuk njeh gjini

Gjatë javës së lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara u mbajt Konferenca Globale e Grave Lidere (GPWC), në të cilën Presidentja Vjosa Osmani ishte folësja kryesore. Me këtë rast, duke folur mbi temën “Avancimi i lidershipit transformues të grave për impakt të qëndrueshëm global”, Presidentja Osmani theksoi se derisa përballemi gjithnjë e më shumë me sfida globale, nuk mund dhe nuk duhet të nënvlerësohet fuqia e diversitetit dhe gjithëpërfshirjes në pozita udhëheqëse. “Në përpjekjet tona për të avancuar efikasitetin e lidershipit transformues të grave, është e domosdoshme të garantohet fuqizimi i tyre në të gjitha sferat e jetës. Kjo nënkupton ofrimin e mundësive të barabarta në arsim, punësim dhe role udhëheqëse përmes sfidimit të stereotipeve dhe paragjykimeve që vazhdojnë në shoqëritë tona”, ka theksuar Presidentja Osmani. Tutje, ajo ka folur për rëndësinë e nxitjes së një mjedisi që garanton dhe mundëson që të dëgjohet e vlerësohet zëri dhe idetë e tyre. Në këtë fjalim, Presidentja Osmani foli edhe për sukseset dhe angazhimin e jashtëzakonshëm të grave të Kosovës, duke shpërfaqur qëndresën, guximin dhe përkushtimin e tyre për të rritur mirëqenien dhe për të fuqizuar shoqërinë në përgjithësi. Presidentja Osmani theksoi se promovimi i lidershipit transformues për ndikim pozitiv global nuk është një zgjedhje, por një domosdoshmëri dhe së është përgjegjësia jonë kolektive t’i ushqejmë këto cilësi tek ne dhe tek brezat e ardhshëm, gjithnjë duke respektuar dhe avancuar barazinë gjinore. Konferenca Globale të Grave Lidere (GPWC) është konferencë vjetore që organizohet nga Qendra për Zhvillim Ekonomik dhe Lidership në bashkëpunim me Amazon Watch Magazine dhe African Leadership Magazine dhe synon të mbledhë gra lidere për të diskutuar strategjitë për të adresuar nënpërfaqësimin e grave në rolet vendimmarrëse në mbarë botën.

Presidentja Osmani ka përkujtuar Fehmi e Xhevë Lladrovcin, në 25 vjetorin e rënies

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar Fehmi e Xhevë Lladrovcin, në 25 vjetorin e rënies. Përkujtimi i plotë i Presidentes Osmani: 25 vjet më parë Fehmi e Xhevë Lladrovci, e përmbyllën bashkërisht rrugëtimin e tyre jetësor e patriotik. Përkushtimi i tyre i palëkundur për lirinë i bëri që ata të jenë stoikë, të guximshëm e këmbëngulës. Si të tillë u përjetësuan, duke u bërë personifikim i vetmohimit për lirinë e vendit. Xheva dhe Fehmiu u përballën me vendosmëri të palëkundur për idealin e brezave, ëndrrën për liri e shtet. Ata na kujtojnë përherë rrugën e zorshme deri te liria dhe përkushtimin që duhet pasur për ta mirëmbajtur lirinë dhe për ta forcuar edhe më tej Republikën për të cilën ranë! Kujtimi për ta qoftë i përhershëm!

Presidentja Osmani takoi Zëvendëskëshilltarin për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Jon Finer

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara ka zhvilluar një takim me Zëvendëskëshilltarin për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jon Finer. Sipas Presidentes Osmani në kohën kur siguria në Ballkanin Perëndimor dhe në të gjithë kontinentin evropian po sfidohet, roli i SHBA-ve është vendimtar për të ruajtur paqen dhe sigurinë. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani theksoi se pavarësisht zhvillimeve aktuale politike dhe të sigurisë në rajon, Kosova mbetet e përkushtuar për paqe, dialog dhe partneritet. “Jemi të përkushtuar për thellimin e marrëdhënieve me SHBA-në në nivel strategjik. Kemi nevojë për më shumë bashkëpunim politik, sikurse edhe në sferën e sigurisë për t`i mbrojtur arritjet e përbashkëta”, ka theksuar Presidentja Osmani. Prandaj, sipas Presidentes Osmani, anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe në BE është në funksion të paqes e stabilitetit në rajon e më gjerë. Në një pjesë të takimit, u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë. Presidentja Osmani tha se Kosova ka ndërmarrë hapa për të depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës dhe është e përkushtuar të punojë me aleatët, në veçanti me SHBA, për të adresuar sfidat e sigurisë. Sipas Presidentes Osmani, Kosova është e përkushtuar për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023. “Heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës do ta mundësojë rifillimin konstruktiv të dialogut, teksa roli i SHBA-ve, është përcaktues në dialog”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani në Kombet e Bashkuara: Gratë në Kosovë kanë qenë gjithnjë në ballë të proceseve të paqes dhe sigurisë

Me ftesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidentja Vjosa Osmani mori pjesë në takimin e nivelit të lartë dedikuar agjendes për Gratë Paqen dhe Sigurinë (WPS) Në organizimin e mbajtur në selinë e OKB-së, Presidentja Osmani, në emër të Republikës së Kosovës, shpalosi të arriturat dhe objektivat e Kosovës për sa i përket zbatimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Presidentja vuri në pah rolin e jashtëzakonshëm që gratë e Kosovës kanë luajtur në procese të paqes dhe sigurisë përgjatë etapave të ndryshme të historisë. Ajo potencoi se Kosova tashmë po i udhëheq përpjekjet në rajon për zbatimin e kësaj agjende. Për më tepër, Presidentja tha po ashtu se Kosova është e gatshme të japë kontribut në nivel ndërkombëtar për zbatimin e kësaj agjende, me ç’rast vuri në pah përpjekjet e Kosovës për të ndihmuar gratë në Ukrainë, Afganistan dhe në çdo vend ku po ndodhin shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Më këtë rast, Presidentja Osmani foli edhe për Forumin global për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet këtë vit për herë të dytë në Kosovë, si dhe paralajmëroi që Kosova do të bëhet së shpejti vendi nikoqir i qendrës rajonale të ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Zyra e Sekretarit Blinken vuri në pah arritjet e Kosovës në këtë drejtim dhe punën e Presidentes dedikuar kësaj agjende, duke e quajtur Kosovën si një ndër shembujt më të mirë të këtij angazhimi.

This site is registered on wpml.org as a development site.