Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e Turqisë, Sabri Tunç Angılı

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka pritur në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı. Në raport me zhvillimet e fundit në veri të vendit, pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës, Presidentja Osmani ka potencuar rëndësinë e bashkëpunimit me shtetet aleate dhe koordinimit të institucioneve të sigurisë, me qëllim të parandalimit të përsëritjes së akteve të tilla. Sipas Presidentes Osmani, institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara maksimalisht në menaxhimin e situatës aktuale, por edhe në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Në takim me ambasadorin Angili, Presidentja Osmani ka theksuar edhe përkushtimin e Kosovës për thellimin e raporteve bilaterale dhe intensifikimit të bashkëpunimit në politikën e jashtme me Turqinë.

Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin e Zvicrës, Thomas Kolly

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Zvicrës, Thomas Kolly, të cilin e ka falënderuar për angazhimin e tij të deritashëm. Zvicra, sipas Presidentes Osmani është një parter strategjik i Kosovës dhe se marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë edhe më miqësore, shkaku i numrit të madh të kosovarëve që jetojnë atje. Duke falënderuar shteti zviceran për mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës, Presidentja Osmani e ka njoftuar lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit nga Serbia kundër Kosovës. Ajo ka nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me shtetet aleate dhe koordinimit të institucioneve të sigurisë, me qëllim parandalimin e përsëritjes së akteve të tilla.

Presidentja Osmani takoi ambasadorët e Quintit dhe të BE-së pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë kundër Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar në një mëngjes pune, ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe të Bashkimit Evropian, për të diskutuar situatën aktuale në veri të vendit pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës. Në takim, Presidentja Osmani ka falënderuar ambasadorët për solidaritetin dhe ngushëllimet e shprehura për vrasjen e heroit të Kosovës, rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakut, si dhe lëndimit të disa policëve tjerë. Ajo ka vlerësuar lartë punën e shkëlqyeshme dhe profesionale të Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera të sigurisë në ballafaqimin me sulmin terrorist. Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me shtetet aleate dhe koordinimit të institucioneve të sigurisë, me qëllim të parandalimit të përsëritjes së akteve të tilla. “Kosova është e vendosur që të vazhdojë ta promovojë paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe të punojë me komunitetin lokal serb për t’i afruar dhe integruar në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës”, ka theksuar Presidentja Osmani. Presidentja ka bërë të ditur se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara në menaxhimin e situatës aktuale dhe për të ndihmuar në arritjen e ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Sipas Presidentes Osmani, duhet të kërkohet llogaridhënie nga Serbia për veprimet e saj kundër Kosovës, duke ia bërë të qartë se duhet të ndalojë financimin, mbështetjen dhe shtytjen e grupeve kriminale për veprime terroriste. “Mungesa e masave të tilla mund të keqpërdoret nga ana e Serbisë dhe për rrjedhojë mund të kemi përsëritje të veprimeve terroriste”, ka nënvizuar Presidentja Osmani.

Presidentja: Në Ditën Ndërkombëtare të Boshnjakëve, i kam falënderuar anëtarët e komunitetit boshnjak të Kosovës për kontributin e tyre në lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin tonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se sot, në Ditën Ndërkombëtare të Boshnjakëve, i kam falënderuar anëtarët e komunitetit boshnjak të Kosovës për kontributin e tyre në lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin tonë. “Ne ndajmë histori të përbashkët, plot dhimbje e vuajtje, por edhe ndjenjë krenarie, pasi i mbijetuam gjenocidit serb ndaj nesh me përkushtim e guxim”, ka theksuar Presidentja Osmani. Tutje Presidentja Osmani ka thënë se “Si shprehje e mirënjohjes sonë për angazhimin historik të boshnjakëve, sot kam dekoruar katër personalitete të shquara boshnjake për kontributin për liri si dhe për gjurmë të pashlyeshme në art, kulturë, shkencë e humanizëm”.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar sot me liderët e partive kryesore opozitare në Kuvendin e Kosovës

Sot Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takime të ndara, kryetarët e partive kryesore opozitare, për të diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit të sigurisë në vend. Në fillim të takimeve me Kryetarin e LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, atë të PDK-së, z. Memli Krasniqi dhe të AAK-së, z. Ramush Haradinaj, mori pjesë, me ftesë të Presidentes, edhe drejtori i AKI-së, z. Petrit Ajeti. Kryetarët e partive opozitare, janë informuar, brenda kufizimeve që lejon korniza ligjore, lidhur me zhvillimet e sigurisë, punën e institucioneve të Kosovës si dhe për rreziqet e shkaktuara nga Serbia për shkak të agjendës së saj destabilizuese e luftënxitëse e cila po shfaqet nëpërmjet akteve të agresionit dhe të terrorizmit. Në të gjitha takimet janë përgëzuar institucionet e sigurisë për punën e shkëlqyeshme në ballafaqim me strukturat e dirigjuara nga Serbia që kryen sulmin terrorist kundër Kosovës dhe është shprehur mirënjohje e thellë për angazhimin e pashoq dhe sakrificën e policisë së Kosovës për të mbrojtur sovranitetin, integritetin territorial dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim. Presidentja Osmani ka theksuar se uniteti nacional në këtë kohë të rëndë për Kosovën është imperativ dhe për këtë duhet të kontribuojmë të gjithë së bashku. Ajo i ka falënderuar partitë opozitare për qëndrimin korrekt dhe përkrahjen ndaj institucioneve të sigurisë në këtë fazë të ballafaqimit më agjendën destabilizuese të Serbisë kundër Kosovës. Po ashtu, Presidentja ka siguruar liderët opozitar se në çdo fazë të zhvillimeve do të njoftohen lidhur me përgatitjet dhe punën e institucioneve si dhe do të ketë bashkërendim të plotë me aleatët tanë të cilët, në bashkëpunim me institucionet tona të sigurisë, janë garantues të paqes e stabilitetit. Presidentja Osmani ka shfaqur besimin e plotë se edhe sfidat e reja që mund të shfaqen do t’i tejkalojmë të bashkuar, duke vendosur interesin e shtetit mbi të gjitha.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar sot me Ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier

Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit, me theks të veçantë situatën e sigurisë pas sulmit në veri të Kosovës, ku nga akti terrorist i grupeve kriminale serbe, u vra rreshteri i policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe disa policë tjerë u plagosën. Ambasadori Hovenier shprehu edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta për vrasjen e policit të Kosovës. Presidentja, ndërkaq, ka falenderuar aleatët, në rradhë të parë SHBA-të, për mbështetjen dhe solidaritetin pas vrasjes së rreshterit policor, heroit të Kosovës Afrim Bunjaku, si dhe bashkëpunimin dhe përkrahjen e institucioneve të sigurisë në këtë kohë kur po sfidohet rëndë siguria kombëtare e Kosovës. Presidentja ka theksuar se për këtë sulm terrorist dhe akt agresioni nga ana e Serbisë duhet të ketë përgjegjësi nga ana e shtetit serb. Ajo gjithashtu ka thënë se shpreson se pasi shtetet aleate të përfundojnë procedurat e tyre të brendshme për konfirmimin e informacioneve që kanë të bëjnë me sulmin e fundit ndaj Kosovës, do të ndërmarrin masa konkrete dhe sanksione ndaj Serbisë, për shkak të involvimit të saj të drejtpërdrejtë në këtë sulm, qoftë si shtytëse, organizatore apo lehtësuese e tij.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka kujtuar 25 vjetorin e Masakrës së Abrisë

25 vjet më parë, regjimi gjenocidal i Millosheviqit, pamëshirshëm dhe egërsisht ua mori jetën, duke masakruar 23 anëtarë të familjes Deliu, fëmijë, pleq, gra e të rinj nga mosha 2-vjeçe e deri në moshën 94-vjeçe. Në këtë ditë kujtojmë edhe heroizmin e dëshmorëve të UÇK-së, Valdet Xhemajli, Vesel Demaku dhe Afrim Hajdari, të cilët ranë në altarin e lirisë. Le t’i kujtojmë të gjithë ata që humbëm me dashuri e respekt, dhe le të punojmë së bashku që autorët e krimit të vihen para drejtësisë! Qoftë i përjetshëm kujtimi për martirët dhe dëshmorët e Abrisë!

Presidentja Osmani takon të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë, Manuel Sarrazin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të dërguarin e posaçëm të Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde. Në takim është biseduar për zhvillimet e fundit në veri të Republikës së Kosovës pas sulmit terrorist të grupeve kriminale serbe që rezultoi me vdekjen e një polici dhe lëndimin e disa tjerëve. Presidentja ka theksuar se veprimet terroriste dhe akti i agresionit në veri janë të orkestruara dhe zbatuara nga struktura të mbështetura nga Beogradi. Veprimet e tilla përbëjnë cenim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe për këto veprime duhet sanksionuar Serbinë. Pavarësisht këtyre përpjekjeve, Kosova ka ndërmarrë veprime muajt e fundit për ta shtensionuar situatën në veri të vendit dhe se Policia e Kosovës ka treguar profesionalizëm të lartë në përballje me grupet kriminale serbe. Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë dhe koordinimit të vazhdueshëm me ta në përpjekje për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm. Presidentja Osmani ka përsëritur se veprimet e Policisë së Kosovës kundër strukturave ilegale e grupeve kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim. Në takim u diskutua po ashtu për rezultatet që priten nga Samiti i Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë gjatë muajit tetor.

Fjalimi i Presidentes Osmani në mbledhjen komemorative për nder të Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku

Shumë e nderuar familje Bunjaku, ju lus edhe një herë të pranoni ngushëllimet tona më të thella, I nderuar kryetar i Kuvendit, zoti Konjufca, I nderuar kryeministër Kurti, Të nderuar përfaqësues të institucioneve, Ministër Sveçla, Drejtor i Policisë, Hoxha Përfaqësues nga shtetet aleate, Zonja dhe zotërinj, Të nderuar bashkëqytetarë, Jemi mbledhur në këtë ceremoni mortore për t`ia dhënë lamtumirën e fundit policit tonë, rreshterit Afrim Bunjaku, i cili deri dje ishte gardian i sigurisë sonë, ndërkaq prej sot është hero i Kosovës. Ai ra në mbrojtje të rendit, ligjit, integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, ra në mbrojtje të dinjitetit të Republikës sonë, prandaj sot na në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës do t’i ndajë post mortem urdhrin më të lartë të Republikës, Urdhrin Hero i Kosovës. Shteti ynë nga sot ka edhe një hero, ka edhe një kujtim më shumë për një njeri që me profesionalizëm e përkushtim iu dedikua mbrojtjes së Republikës për të cilën ra në krye të detyrës. Sot po nderojmë një hero të vërtetë, një rreshter policie trim dhe vetëmohues, i cili sakrifikoi jetën për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë. Siç e dini jeta e një oficeri policie është jetë e shërbimit, e sakrificës dhe e guximit. Afrim Bunjaku, sikurse edhe të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës dje u sfiduan nga banda terroriste të dirigjuara nga Beogradi dhe bënë atë që duhet. Rikthyen ligjin, mbrojtën integritetin territorial e sovranitetin tonë dhe vunë në vend dinjitetin. Heroi ynë, Afrimi, ishte një shtyllë e fuqishme e Policisë së Kosovës. Ai ishte një shërbyes i devotshëm ndaj atdheut, i përballur vazhdimisht me sfida e rreziqe, por mbi të gjitha tregoi trimëri të pashoq. Ai qëndroi i palëkundur në mbrojtje të ligjit e kundër grupeve terroriste të mbështetura nga Serbia, synimi i të cilëve ishte destabilizimi jo vetëm i Kosovës, por trazimi i gjithë rajonit tonë. Afrimi na kujton se heronjtë nuk lindin, por bëhen të tillë nëpërmjet veprave dhe sakrificës së tyre, e Afrimi është shembëlltyrë e këtyre vlerave. Vlerave patriotike të kultivuara në familjen e tij. Beteja për vendosjen e rendit dhe ligjit është një nga sfidat më të mëdha në secilën shoqëri. Ajo kërkon jo vetëm nivelin më të lartë të aftësisë dhe trimërisë, por edhe ndjenjën e thellë të përkushtimit ndaj parimeve të drejtësisë dhe të lirisë. Heroi ynë, Afrimi, i ka mishëruar të gjitha këto cilësi gjatë gjithë karrierës së tij, duke qëndruar si një mbrojtës i paepur i vlerave tona dhe i lirisë sonë. Heroizmi i tij le të na frymëzojë që të qëndrojmë të gjithë të bashkuar kundër forcave të errëta, kundër terrorizmit, kundër atyre që akoma mohojnë ekzistencën tonë dhe synojnë ta destabilizojnë shtetin tonë. Trashëgimia e tij le të na shërbejë si një kujtesë se heronjtë janë përherë në mesin tonë, si mbrojtës të vendosur të themeleve të Republikës së Kosovës. Republikën e Kosovës nuk do të arrijë askush ta gjunjëzojë e ta përulë, derisa ka vajza e djem si Afrimi, të cilët e vendosin interesin e Republikës, përpara fatit individual. Ata që ranë në altarin e lirisë, heronjtë sikurse Afrimi si dhe Republika jonë, janë të përhershëm! Lavdi dhe qoftë i përjetshëm kujtimi për heroin Afrim Bunjaku. Sot para jush kam nderin që në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës t’i ndaj urdhrin “Hero i Kosovës” post mortem rreshterit Afrim Bunjaku. Ky urdhër i ndahet për sakrificën e tij në krye të detyrës, duke rënë heroikisht në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Ftoj përfaqësuesit e familjes që ta pranojnë urdhrin.  

This site is registered on wpml.org as a development site.