Presidentja Osmani takoi Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po e përfaqëson Kosovën në samitin e tretë të Komunitetit Politik Evropian (EPC), në Granada të Spanjës, në margjinat e tij është takuar kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak. “E çmoj mundësinë për të informuar kryeministrin Rishi Sunak rreth situatës së sigurisë në Kosovë pas aktit të agresionit të Serbisë. Ne jemi mirënjohës që forcat e Mbretërisë së Bashkuar po na ndihmojnë të mbajmë kufirin tonë të sigurt në mënyrë që të parandalojmë akte të mëtejshme agresioni. Serbia duhet të mbajë përgjegjësi”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani përfaqëson Republikën e Kosovës në samitin e tretë të Komunitetit Politik Evropian

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentit të Këshillit të Bashkimi Evropian, Charles Michel dhe Kryeministrit të Spanjës, Pedro Sanchez, ka udhëtuar për në Granada të Spanjës, ku do ta përfaqësojë Kosovën në samitin e tretë të Komunitetit Politik Evropian (EPC). Ky samit do të mbledhë krerë shtetesh nga 47 vende të kontinentit evropian si dhe liderët e institucioneve evropiane, me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë në mënyrë që Evropa të jetë më e qëndrueshme, e begatë dhe gjeostrategjike. Krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore të Komunitetit Politik Evropian, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe diskutime me liderë evropianë për t’i informuar lidhur me agresionin e Serbisë kundër Kosovës dhe për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit për tejkalimin e sfidave të përbashkëta. Para liderëve evropianë, Presidentja Osmani pritet të përçojë mesazhin e përkushtimit të palëkundur të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për paqe, stabilitet dhe siguri në vend dhe rajon.

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin jorezident të Japonisë në Kosovë, Ryuta Mizuuchi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ambasadorin jorezident të Japonisë në Kosovë, Ryuta Mizuuchi, i shoqëruar nga i ngarkuari me punë në Ambasadën japoneze, Keisuke Yamanaka, dhe profesori i Universitetit “KEIO”, Masahito Kawamori. Gjatë takimit u diskutua për marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet dy universiteteve në fushën e ICT, marrëveshje kjo e propozuar nga Presidentja dhe e cila pritet të finalizohet së shpejti. Kjo marrëveshje, përfshinë aktivitete të përbashkëta të hulumtimit, seminare të përbashkëta, shkëmbim të studentëve, si dhe vizita reciproke të ligjëruesve nga të dy universitetet.

Intervistë e Presidentes Osmani për të përditshmen italiane “La Repubblica”

Presidentja Osmani: “Me armët ruse Vuçiq po mendon aneksimin sipas modelit të Krimesë” “Serbia duhet ta dijë se do të përballet me një popull të gatshëm për të mbrojtur lirinë me çdo kusht dhe se NATO është me ne”. 01 TETOR 2023 ORA 01:00 La Repubblica: Së pari sulmi në Banjskë, tani trupat serbe në kufi. Presidente Vjosa Osmani, çfarë po ndodh në Kosovë? Ka prova të pakundërshtueshme. Serbia ka kryer një akt agresioni më 24 shtator dhe po përgatitet të kryejë një akt tjetër duke shtuar numrin e forcave të armatosura dhe artilerinë në kufirin me Kosovën. Është diçka ndryshe nga ajo që kemi parë në 25 vitet e fundit, e paprecedentë. Serbia ende udhëhiqet nga mentaliteti i Millosheviqit dhe përpiqet të eliminojnë gjithçka që Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe populli ynë kanë arritur në dy dekada: paqen, stabilitetin dhe lirinë”. La Repubblica: A mendoni se Beogradi dëshiron të pushtojë Kosovën? Ai ka pasur gjithmonë pretendime territoriale, tani ai dëshiron të përdorë modelin e Putinit për një aneksim të stilit të Krimesë. Natyrisht nuk do ta lejojmë. Ne punojmë me forcat e NATO-s për të mbrojtur liritë tona të fituara me vështirësi, pavarësinë tonë. La Repubblica: A shihni një rrezik konkret për orët apo ditët e ardhshme? Alarmi i ngritur nga SHBA-të, është shumë, shumë real. Ata (Serbia) duan të hyjnë në Kosovë dhe të marrin pjesë të territorit tonë. Ka shumë dëshmi se situata është jashtëzakonisht shqetësuese. Serbia duhet ta dijë se do të përballet me një popull të gatshëm për ta mbrojtur lirinë e tij me çdo kusht dhe se NATO është me ne. La Repubblica: A dini për një plan sulmi? A synojnë veriun apo edhe Prishtinën? Ne jemi ende duke mbledhur prova, nuk është koha për t’i bërë publike. Historikisht ata janë më të interesuar për veriun e Kosovës. La Repubblica: Pse e akuzoni Presidentin serb Vuçiq se është vërtet përgjegjës për sulmin ndaj Banjskës më 24? Për shkak se ai është drejtuesi, ai ka qenë gjithmonë drejtues i këtyre bandave: i ka trajnuar dhe paguar, i ka dhënë urdhra dhe së shpejti do të bëhet e qartë se ai ka drejtuar operacionin, padyshim me ekzekutorë të tjerë. Është metoda e Millosheviqit në fillim të viteve 1990: ai i përdori këto banda për aksione paraushtarake në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë, megjithëse tha: “Unë nuk kisha asnjë lidhje me të”. Në fund u zbulua se ai ishte truri i të gjitha luftërave gjenocidale në ish-Jugosllavi, të cilat filluan me këtë lloj operacioni që dishepulli i tij, Aleksandar Vuçiq, po e kryen tani në Kosovë”. La Republica: Kush është aleati juaj më i mirë? Për arsye të dukshme historike, SHBA-të. Ata udhëhoqën botën demokratike duke ndihmuar Kosovën të arrijë lirinë dhe pavarësinë, dhe tani ata udhëheqin për të siguruar që paqja, stabiliteti dhe liria të ruhen në Kosovë dhe në mbarë botën. Por nuk thashë që BE-ja nuk është aleate: Kosova është vendi më proevropian në botë, mbi 90% janë për integrim”. La Repubblica: Pse procesi i paqes është në bllokim? Vuçiqi abuzoi me politikën aktive të qetësimit të një pjese të BE-së ndaj tij. Kanë kaluar 12 vite dialog dhe ai nuk ka zbatuar shumicën e marrëveshjeve. Krijoi tensione dhe destabilizoi rajonin, por BE-ja nuk mori asnjë masë kundër Serbisë. Është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur sanksione kundër Putinit dhe BE-ja nuk i ka lëvizur qerpikët: sa më shumë distancohet Serbia, aq më shumë e financon. Marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një nga parimet themelore të BE-së. por nuk funksionoi: kjo e inkurajon Vuçiqin të bëhet edhe më dominues. Ai mendon se mund t’i ikë… Epo, do ta gjejë Policinë e Kosovës, KFOR-in e NATO-s duke e pritur, më mirë as mos ta mendojë.

Presidentja Osmani takon komandantin e KFOR-it dhe shefin e EULEX-it në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim komandantin e KFOR-it, gjeneral major Angelo Michele Ristuccia dhe shefin EULEX-it, gjeneral major Giovanni Pietro Barbano. Në takim u diskutua lidhur me zhvillimet e fundit lidhur me sigurinë në Kosovë dhe me theks të veçantë ne veri dhe në vijen kufitare me Serbinë. Presidentja Osmani falënderoi komandantin e KFOR-it dhe shefin e EULEX-it për bashkërendimin dhe bashkëpunimin e afërt me institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst, ajo mirëpriti vendimin e NATO-s per te shtuar numrin e ushtareve në kuadër të KFOR-it si sinjal i qartë ndaj Serbisë që të heq dorë nga destabilizimi dhe rrezikimi i sigurisë në Kosovë. Presidentja Osmani theksoi se: Kosova mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj që sfidat aktuale të sigurisë t`i tejkalojë me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë.

Presidentja Osmani takon Ministrin e Punëve të Brendshme dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Ministrin e Punëve të Brendshme, z.Xhelal Sveçla dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, me theks të veçantë lidhur me situatën e fundit të sigurisë në Kosovë. Presidentja Osmani falënderoi për punën e shkëlqyeshme dhe profesionale, si dhe angazhimin e pashoq te Policisë së Kosovës. Ajo edhe njëherë ka shprehur vlerësimin e lartë për veprën e heroit të Kosovës, rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakut, i cili u vra nga grupet kriminale e terroriste në veri të vendit. Në takim u diskutua lidhur me zhvillimet e sigurisë dhe veprimet armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës, punën e institucioneve të sigurisë së Kosovës si dhe për koordinimet me aleatët tanë dhe prezencën ndërkombëtare te sigurisë në Kosovë. Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për paqe dhe siguri në vend e rajon dhe se institucionet e Kosovës do të veprojnë në partneritet të ngushtë me aleatët tanë në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit territorial të Kosovës përballë veprimeve destabilizuese të Serbisë kundër Kosovës.

Presidentja Osmani takon Ministrin e Mbrojtjes dhe komandantin e FSK-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh komandantja supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka pritur sot në takim Ministrin e Mbrojtjes, z. Ejup Maqedonci dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari. Në takim u diskutua lidhur me zhvillimet e sigurisë dhe veprimet armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës, punën e institucioneve të sigurisë së Kosovës si dhe për koordinimet me aleatët tanë dhe prezencën ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë. Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për paqe dhe siguri në vend e rajon dhe se institucionet e Kosovës do të veprojnë në partneritet të ngushtë me aleatet tanë.

Presidentja Osmani takoi shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Michael Davenport

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim shefin e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, ambasadorin Michael Davenport me të cilin foli për zhvillimet e fundit në veri të vendit. Presidentja Osmani falenderoi partnerët për solidaritetin dhe përkrahjen ndaj Kosovës pas sulmit terrorist të organizuar dhe mbështetur nga Serbia dhe nga i cili humbi jetën, heroi i Kosovës, rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa policë. Presidentja ka falënderuar Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë për punën e shkëlqyeshme dhe koordinimin, si dhe ka potencuar që është me rëndësi që ky koordinim të vazhdojë në mënyrë që të parandalohen sulme të reja. Presidentja Osmani theksoi se Kosova vazhdon të mbetet e përkushtuar për paqe e stabilitet, integrim dhe gjithëpërfshirje të komunitetit serb në institucionet e Kosovës. Por, siç potencoi Presidentja, është shumë me rëndësi që Serbia të mbahet përgjegjëse për këtë sulm dhe të ndërmerren masa ndaj saj, në mënyrë që mos të lejohen sulme të tilla në të ardhmen.

This site is registered on wpml.org as a development site.