DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani takoi në New York kryeshefen ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York, ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka takuar kryeshefen ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme të MCC-së për zhvillimin ekonomik, respektivisht përmes investimeve në sektorin e energjisë në Kosovë nëpërmjet Programit Kompakt.

Sipas Presidentes Osmani, ky program do të japë kontribut strategjik në përmirësimin e infrastrukturës energjetike, fuqizimin e sektorit privat, si dhe do të nxisë mundësitë ekonomike për qytetarët e Kosovës.

Në takim u diskutua po ashtu edhe për mundësitë që nëpërmjet mbështetjes së tillë të përmirësohet qeverisja dhe të krijohet një mjedis gjithnjë e më i favorshëm për bizneset dhe investitorët e huaj.

Programi Kompakt kap vlerën prej 236.7 milionë dollarësh dhe është investimi më i madh i pasluftës në fushën e energjisë, i cili do të ketë rol strategjik në procesin e tranzicionit energjetik në Kosovë.

Presidentja Osmani ka theksuar se investimet sikurse ky i MCC-së, më shumë se sa vlerën monetare, shpërfaqin raportin e Kosovës me SHBA-të, një aleate strategjike dhe mbështetëse e madhe në të gjitha fazat.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.